Shtesë » Lajme
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: Gjesti dhe prekja fizike e gazetares Edona Haklaj nga Kryeministri, një rast i paprecedent
E diele, 14.03.2021, 12:21 PM
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Gjesti
dhe prekja fizike e gazetares Edona Haklaj nga Kryeministri, një rast i paprecedent
Tiranë më 13.03.2021
Unioni
i Gazetarëve Shqiptarë u njoh sot me
sekuencën audiovizive dhe reagimin për shkak të shtyrjes, të reporteres së
televizionit Fax News, koleges Edona Haklaj nga kryeministri i vendit Edi Rama
ndërsa po zhvillohej një komunikim me mediat dhe reporterët në Tiranë. Gjesti i
shtyrjes fizike për shkak të mungesës së maskës mbrojtëse nga ana e reporteres,
përbën një precedent të rrallë dhe në vetvete, ka peshën e një incidenti.
Reporterja Haklaj në sqarimin publik në faqen vetiake të fb, përmes një norme
të lartë etike ndien përgjegjësinë për mungesën e përkohshme të maskës dhe
dënon veprimin e kryeministrit.
Një
gjest i tillë prej Kryeministrit të vendit përbën në vetvete një akt të
dhunshëm dhe aspak etik. Ditë më parë prepotenca verbale e kryeministrit Rama u
ekspozua edhe në komunikimin me reporteren Ambrozia Meta, ndërsa zhvillonte një
tjetër konferencë për shtyp me gazetarët.
Unioni
i Gazetarëve Shqiptarë proteston ndaj gjesteve dhe akteve të tilla, aq më tepër
që vijnë prej kryeministrit të vendit dhe në pikun e fushatës elektorale ku siç
po vërrejmë me shqetësim, skena politike
dhe elektorale po tensionohet skajshmërisht. Akte të tilla, reagimet e ngutshme
politike si dhe avokatitë e ekzagjeruara nga subjekte dhe protagonistë politikë
ndaj raportimeve të mediave dhe gazetarëve, fatkeqësisht po rikthejnë kuotën
tronditëse të politizimit të medias dhe të shtyrjes më tej të ndarjeve të
reporterëve dhe mediave në “pro dhe kundër” palëve elektorale.
Unioni
i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e thellë për këtë situatë dhe klimë.
Dënojmë çdo tendencë politizuese, çdo
lloj agresioni dhe presioni ndaj gazetarëve dhe reporterëve dhe kërkojmë
që partitë politike të respektojnë vullnetin qytetar dhe ndërgjegjen qytetare
të gazetarëve profesionistë dhe mediave plurale në vend si dhe legjislacionin
në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe raportimit.
Unioni
i Gazetarëve Shqiptarë shpreh solidaritetin e fuqishëm me koleget dhe gazetarët
në terren, duke u kërkuar shtimin e kurajos, rritjen e këmbënguljes për
raportim të thelluar dhe imponim të transparencës dhe besueshmëri të ofertave
elektorale nga ana e subjekteve elektorale, aktorëve dhe kandidatëve që
pretendojnë të marrin votëbesimin e qytetarëve në zgjedhjet e 25 prillit 2021,
pamvarësisht se cilës palë i përkasin.
Organizata
jonë përveç denoncimit të rasteve, përgjatë gjithë periudhës së mbetur të kësaj
fushate është në kontakte me organizata simotra ndërkombëtare dhe institucione
që investohen për lirinë e medias dhe sidomos atë të gazetarëve. Dy rastet në
fjalë janë pjesë e këtij raportimi dhe arsye për shumëfishim të reagimeve tona.
Zyra
e Shtypit
Unioni
i Gazetarëve Shqiptarë
Status
në fb i gazetares Edona haklaj
Sot,
për shkak të profesionit që kam rastisa si rrallëherë pranë kryeministrit Rama.
Rastisa dhe pa maskë.
Për
shkak të rrethanave që ndodhin në raportimet live, e që jo gjithmonë janë
favorizuese për të qënë gati me mikrofonin, kamerën, e maskën.
Kryeministrit,me
të drejtë i bëri përshypje mungesa e maskës sime, (edhe pse përdora shallin si
barrierë mbrojtëse) dhe pa të drejtë më shtyu në formë urdhëruese për të shkuar
dhe për të marrë maskën Unë i përkas kulturës, dhe reagimi im ndaj liderit
suprem ishte në te njëjtën formë, me një largim të qetë, sikur asgjë nuk
ndodhi.
Duke
e njohur mirë kryeministrin, marrëdhënien e tij me medien, nuk doja që ai të
gjente një rast për tu grricur, as një arsye për tu bërë lajm.
Ama,
unë me veprimin tim sot mund t’i kem një borxh shtetit për shkeljen e aktit
administrativ për mosmbajtjen e maskës, ndërsa kryeministri me veprimin e tij
ka shumë borxhe për të larë.