Shtesë » Lajme
Arrestohen tetë persona në Maqedoni, dyshohen për terrorizëm
E marte, 29.12.2020, 12:00 PM
Nga alsat.mk
Ministria
e Punëve të Brendshme njofton se njësiti i policisë për luftë kundër
terrorizmit në koordinim me Agjencinë për Siguri Kombëtare si dhe nën
udhëheqjen e Prokurorisë Themelore Publike, respektivisht Prokurorisë për Krim
të Organizuar dhe Korrupsion ditën e djeshme ka arrestuar tetë persona, të
cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi terrorist, transmeton Alsat.
Me
urdhër të Gjykatës Themelore Penale në Shkup, policia ka kryer bastisje në tetë
lokacione, pesë në Kumanovë dhe tre në Shkup, nga ku janë arrestuar tetë
persona.
Sektori
për shpërbërjen e krimit të organizuar dhe serioz me datë 27.12.2020 deri tek
Prokuroria Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe të Korrupsionit ka
dërguar padi penale për personat B.F (32), B.G. (27) dhe J.K.(25) nga Shkupi,
si dhe I.M.(22) dhe D.A. (21), R.A. (31), S.I.(31), A.S.(21) nga Kumanova. Personat
në fjalë akuzohen për kryerjen e veprës penale “grup terrorist”, që dënohet
sipas nenit 394, alinea 2 nga Kodi Penal.
Rrjedhimisht
B.A. nga Kumanova ka krijuar grup terrorist ku përpos të burgosurve V.A. dhe
E.L. kanë marrë pjesë edhe tashmë të arrestuarit, nën ideologjinë e grupit
terrorist ISIS për të kryer vrasje dhe shkatërruar ndërtesa publike me synimin
për të krijuar ndjesi të pasigurisë ose frikës tek qytetarët.
Për
të arritur këtë qëllim, anëtarët e grupit ndërmorën disa veprime përgatitore,
siguruan burime financiare, armë, municion, pajisje ushtarake, si dhe kanë
realizuar prova me pajisjet shpërthyese të improvizuara.
Anëtarët
e grupit terrorist për komunikim me njëri-tjetrin kryesisht kanë përdorur
platformën e internetit “Whats App” ku ndër të tjera janë dakorduar për mënyrën
e transportimit të armëve dhe mënyrën e ndërtimit të rripave vetëvrasës.
B.F.
ka marrë pjesë në formacione paraushtarake jashtë territorit të Republikës së
Maqedonisë së Veriut, si anëtar i organizatës terroriste ISIS në Siri.
Gjithashtu,
me datë 27.08.2020 janë gjetur armët dhe mjete eksplozive të minave në afërsi
të vendit të quajtur Menkova koliba në Kumanovë, për të cilën më 31.08.2020 u
akuzuan B.A., V.A. dhe E.L., sipas sasisë dhe qëllimit, kishte indikacione se
një organizatë terroriste shumë-anëtarëshe ishte aktive.