E enjte, 28.03.2024, 02:26 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Halil Ahmeti: Ali Ibër Nezaj i Lidhjes së Prizrenit kthehet në Tropojë

E diele, 03.01.2021, 09:52 AM


ALI IBËR NEZAJ I LIDHJES SË PRIZRENIT KTHEHET NË SHTATORE NË TROPOJË

Inaugurimi me 14 nëntor 2020

Të hënën, më 12 tetor 2020, isha në Tropojë, në qytetin e Bajram Currit, së bashku me një grup miqësh të Shoqatës “Drini”, Gjakovë-Shkodër, se shkuam për Tpame për të ndjerin Hysni Hoxha i Bytyçit, vllau i ing. Skënder Hoxhës, pasi ku për 16 vite ka dhënë kontribute të çmuara për shoqatën tone, për Korridorin Adriatik-Alpe, për lobimin për Rrugën Gjakovë-Shkodër përgjatë Bregut të Drinit. Iu shprehëm ngushëllimet tona për këtë dhimbje të madhe dhe nderimet tona për emrin e punën e mirë të kësaj familje, të këtyre vëllezërve bytyças.

Ajo që na bëri shumë përshtypje të veçantë, që na shtoi krenarinë, ishte nisma për vendosjen, për ngritjen e Shtatores së Ali Ibër Nezajt në këtë qytet të Alpeve, në qytetin me emrin e heroit Bajram Curri. Ali Ibër Nezaj do të vendosej në hyrje të qytetit, në të krah të Bashkisë së Tropojës, në një vend të mirë, që ia shto bukurinë e lavdinë qytetit e bashkisë së Tropojës, banorëve të saj. Po punohej për ngritjen e bazamentit të shtatores, e cila ishte ideuar e po zbatohej mirë, në të gjithë parametrat, në të gjitha dimensionet. Kishte vendin me shkallore për të bërë homazhe e për të bërë fotografi nga bashkëvendasit e turistët e shumtë që shkojnë në Tropojë. Nuk e ditëm se kush ishte arkitekti i saj, ndoshta ata të sektorit të urbanistikës të bashkisë apo dhe ndonjë tjetër, por kushdo qoftë duhet t’iu themi: Ju lumtë për për mendjen e dorën tuaj!

Unë jam mësues i lëndës së vizatimit në gjimnazin “Hajdar Dushi” të Gjakovës, jam piktor për nga profesioni, autor me dhjetra piktura e pjesmarrës në disa ekspozita të arteve figurative lokale, nacionale e ballkanike, prandaj, si i kësaj fushe, them se është një gjetje e zgjuar, funksionale, ideale, vendosja e kësaj shtatorje të Ali Ibër Nezaj në një trekëndësh të mirë zgjedhur, me Monumentin e Heroit të Popullit, Bajram Curri dhe të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, ku secili prej tyre ka fushëpamjen e vet…, emrat e skulpturat nuk i bëjnë “hije” njëri-tjetrit, përkundrazi iu japin dritë bukurie e historie qytetit të tyre verior.

Ponasheci është fshati im i lindjes, aty e kam edhe truallin e kullën e banimit, për nga ana etno-historike jena të Malësisë së Gjakovës, prandaj dhe Tropoja, në kufijtë e bashkisë së saj të djeshme e të sotme, është pjesë e dashurisë, e krenarisë sime, e jetës sime. Ne na ka pasë munguar prej dekada kohe Tropoja dhe Tropojës i ka pasë munguar në dekada kohe Gjakova, sepse ndarja e padrejtë e kufijve e patë lënë Malësinë (Tropojën) pa Gjakovë dhe Gjakovën e pati lënë pa Malësi (pa Tropojën). Edhe Ali Ibër Nezaj ka lind në vitin 1835 në Buçaj të krahinës së Shipshanit, po ka jetur dhe ka vdekur në Osek të Gjakovës. Edhe sot, aty, në këtë fshat, ka shumë vendas të Vllaznisë Nezaj. Edhe Ali Ibër Nezaj e bashkëvendasit e tij Nezaj të Osekut e kanë ndjerë ndarjen e kufirit Shqipëri-Shqipëri, të Tropojës me Gjakovën e të Gjakovës me Tropojën. Ne, në kohën e Luftës së Kosovës, kur kena ardhë në Tropojë, ndër punët e para ka qënë interesimi për të shkuar tek trualli e kulla e Ali Ibër Nezajt të Lidhjes së Prizrenit. Edhe aty në Buçajt e tij i kena shprehë mirënjohje Ali Ibër Nezajt për kontributet e tij të mëdha për Kombin. Kemi qënë dhe tek kulla e Sali Berishaës, tek Berishajt e Viçidolit të Tropojës.

Patriotit të shquar Ali Ibër Nezaj, edhe Gjakova e Kosova, dhe me kontributin e Nezajve të tij, të Familjes Nezaj, ia ngritën në 100 Vjetorin e Pavarësisë, në vitin 2012, një shtatore në qytetin tonë, në shehrin e Gjakovës, një shesh e një lagje e mban emrin e tij. Edhe Historia e mban emrin e tij të madh.

Sivjet, mbas 8 vitesh, po i ngrihet një tjetër shtatore në Tropojë, në vendlindjen e tij. Të dy shtatoret, në Gjakovë e në Tropojë, janë vepër arti të skulptorit të njohur Isa Baliaj- Mjeshtër i Madh, miku im. Kjo punë e mirë e Bashkisë së Tropojës dhe e kryetarit të saj Rexhë Byberi, meriton respekt e mirënjohje. Rexhen e njohë prej kohësh, kur ishte kryetar i komunës së Margegajve, sepse kemi punuar së bashku për Koridorin Adriatik-Alpe, me Shoqatën “Drini”, për Rrugën Gjakovë-Shkodër.

Në mbyllje dua të falenderoj Bashkinë e Tropojës dhe Familjen e Ali Ibër Nezajt për Ftesën e Tyre në adresën time e të Shoqatës “Drini”, Gjakovë-Shkodër, për të marrë pjesë në ceremonitë e 14 Nëntorit 2020 në qytetin Bajram Curri në inaugurimin e Shtatores së Ali Ibër Nezaj të Lidhjes së Prizrenit, që po kthehet në shtatore në vendlindjen e tij, në Malësinë e Gjakovës-Tropojë, që prej nga shtatorja e tij e ka vështrimin e vet drejt Qafës së Morinës e Kosovës… Shtatoret e Ali Ibër Nezajt në Gjakovë e Tropojë janë pjesë e bashkimit të Kombit, janë pjesë e historisë së Kombit.

-Mirë se të gjejmë Ali Ibër Nezaj edhe në shtatore në vendlindjen tënde, në Tropojën Tonë!

Halil AHMETI

Kryetar i Shoqatës “Drini”, Gjakovë-Shkodër

drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Kosovën



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora