Kulturë
Meti Rexhepi: Veçantia e poezisë së Beqir Musliut
E premte, 11.06.2021, 07:28 PM
VEÇANTIA E POEZISË SË BEQIR MUSLIUT (studim)
(11 qershor 1945-24qershor 1996)
Nga Meti Rexhepi
VËLLIMET POETIKE DHE TRASHËGIMIA ARTISTKE E BEQIR MUSLIUT
Padyshim në letrat e shkrimit artistik të shqipes, që nga
gjysma e dytë e viteve gjashtëdhjetë dhe në të gjallë të Tij, deri më 24
qershor 1996, Beqir Musliu paraqet dukuri prej një shkrimtari të veçantë.
Pohimi ngërthen një mori përbërësish, një shumësi elementesh të përthithura nga
urtia e njerëzimit, që nga antika deri
tek moderniteti dhe veçantia e dhuntisë
për kapje fijesh të holla të faktonit dhe fiksonit shkrimor. Pohimin e këtillë
e përtrollitin vëllimet e Poetit, të romansierit dhe dramaturgut, madje të
publicistit e kritikut Beqir Musliu. Në këtë qasje, shënjuese të njëzetepesë
vjetorit, ç`prej shkuarjes në amshim të shkrimtarit shumë degësh, për shkaqe
përcaktuese më lejohet t`i nënvizoj vetëm publikimet e deritashme me poezi:
Rima e
shqetësueme, poezi, Jeta e re, Prishtinë, 1965;
Lulëkuqet
e gjakut, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1966;
Kurorë
sonetesh, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1968;
Bukurija
e zezë, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1968;
Sezamet,
poezi, Rilindja, Prishtinë, 1972;
Parabola,
poezi, Rilindja, Prishtinë, 1976;
Darka
e magjisë, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1978;
Libri
i anatemave, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1987...
Pas shuarjes së poetit Shtëpia botuese “Faik Konica”, në
Prishtinë, më 2004, përkujdesur nga miq të autorit, i botoi në një vëllim të
përbashkët në Shtatë Libra Anatema nga opusi Mbledhësit e Purpurit:
Metafizika
e Sfidimit;
Mandragora;
Klepsidra
e Magjisë;
Martirium;
Magna
Karta;
Ekzodus;
Kodeksi
i Argasit;
Skënderbeu...
Të gjitha këto vëllime poetike dhe të tjerë, mbetur në
sirtarë dorëshkrimesh të Beqir Musliut, nuk e pasqyrojnë plotësinë e këtij
potenciali shkrimesh artistike. Ana tjetër e kësaj plotësie janë romanet dhe
dramat me pleksje poetike-dramatike; është teatrologia e veçantë e Beqir
Musliut; janë edhe tetë romanet dhe një libër me tregime... Në opusin e
publikuar të shkrimtarit Beqir Musliu kemi dymbëdhjetë drama të botuara, kryesisht
brenda periudhës së viteve 1978-1990.
E tërë periudha e jetës vepruese të këtij shkrimtari, u
shqua për zgjerimin e horizonteve të ngushta të shprehjes artistike, për
shfaqjen e përmasave të papara të imagjinatës poetike, për lakimin e depërtimin
e fjalës në vrima gjilpëre, që solli veshje të reja përmes mitesh e legjendash;
duke e pasuruar pakrahasueshëm fushën metaforike e simbolike, për t`i lidhur me
universin gjithë-kohor situatat e urtësisë e të absurdit njerëzor... Pothuajse
e tërë poezia e Beqir Musliut pleks dendësi figurative, të shtrira si fije
nervore, me prekje ndijimesh metaforike të zgjeruara në esenca kumtimesh e kuptimesh, të cilat zëvendësojnë
njëra-tjetrën me pamjet dhe përfytyrimet, që veniten dhe shkëlqejnë, mes tyre
ngrihen koncepte e transformime konceptesh... Një zjarr i ndezur më parë, i
shuar në hi, një hi “hiri i ndriçuar” kumton përsëri për një kuptim të shuar; vjen
legjenda e ri-kumtimit e “risemantizuar...”
(R. Musliu). Kësisoj funksionon universi
poetik i poezisë së Beqir Musliut.
Në gjallje të shkrim-kërkimtarit, ende nuk e kishim nivelin e kompetencën e dijes e
të përvojës së mjaftueshme, për ta kapur
e zbërthyer poezinë e abstraksioneve dhe të konceptimeve teorike, metaforat e
bi-semantikën, që sillte në poezinë shqipe Beqir Musliu. Daljet e para të
vëllimeve poetike të Beqir Musliut, i tërhoqën disa nga kritikët tanë letrarë
me formësime bindjesh e shijesh të ndryshme teorike-kritike. Profesor Hasan
Mekuli nga më të hershmit, pas botimit të përmbledhjes poetike Rima të shqetësueme në edicionin e
revistës të vetme letrare “Jeta e re”, më 1965,
drejtuar nga doajeni i letrave shqipe Esad Mekuli, në shkrimin e tij
“Ngjyrat e fjalës dhe shqetësimet”, publikuar më 1966, vlerësoi, këshilloi,
madje “gjykoi” e “drejtoi” “kahet” poetike të poetit fare të ri, që kishte nisur
të shpaloste botën e tij të shqetësuar poetike. Bota e poetit shfaqej mes dy
censurave... Ndjeshmëria e vargut, pamjet e hirta, vizionet e poetit nuk mund
të ishin me ngjyra të ndezura, mes shkëlqimesh të salloneve; të ngazëllyera
çfarë i lypeshin prej social-realizmit e shovinizmit të ngërthyer brenda...
Ngjizja e ndërdymes, atmosfera e ndrydhjes së identitetit, Poetit nuk i kishin
lënë përzgjedhje për joshje ngjyrash. Njëri nga personazhet e tij në librin e
parë Rima të shqetësueme, të poezisë
“Tregime për Axhën Xhemkë”, e kishte nisur dhe ngrysur jetën vetëm me të hirtën
e saj! Përderisa dielli praronte morinë e ngjyrave... Vallë, përse kështu?!... Poeti
ngrehu mëdyshjet e Tija poetike të ekzistencës...
Në librin e dytë “Lulëkuqet e gjakut”, botuar më 1966, në
vargun e Beqir Musliut shohim qëmtime shprehjesh me frymëmarrje e prirje më të
pastër lirike... Poeti ende nuk ia kishte nënshtruar lirikës tij poetikën
epike: mitet, legjendat, baladat, tragjiken, absurdin, ironinë, njerizimin, parabolat...
Me një fjalë: përkatësinë drejtimit surrealist e post-modernist. Janë të rrallë
poetët sikurse Beqir Musliu, që emërtimet, përkatësisht titujt e përmbledhjeve
në vargje ose në prozë dhe në tekste dramatike të jenë aq sugjestionues, aq përmbajtës të brendisë, aq të rrumbullakuar,
aq përcaktues dhe aq unifikues tërësish! Vëllimi “Lulëkuqet e gjakut” bosht të konceptit
e ka ngjyrën e kuqe: të kuqen e lules dhe të gjakut... E kuqja përshkon një
qenësi të gjerë observimesh: gjallërinë dhe ngurtësinë, bukurinë e joshjes dhe
të dhimbjes, magjiken dhe tragjiken, lëvizjen dhe shtangimin, ngjyrën e ndezur
dhe të zezën. Sfondi i kësaj përmbledhjeje poetike mbështillet prej simbolikës
kombëtare.
Pikërisht nga ky vëllim poeti kapërceu sprovën e
zgjerimit të rrathëve koncentrikë në detin e valëve tjera poetike.
Për librat poetikë të Beqir Musliut do të shkruajnë kritikë e shkrimtarë, bashkëkohësit e Poetit; duke prekur secili në mënyrën e vet anë dhe anames këndvështrimesh të përgjithshme, por ende jo shteruese. Gjithsesi, ishin për t`u çmuar kontributet kritike-analitike për shkrimtarin Beqir Musliu të: Rexhep Qosjes, Ibrahim Rugovës, Ali Aliut, Sabri Hamitit, Teki Dervishit, Hysni Hoxhës, Sylejman Sylës, Rifat Ismajlit, Nebi Islamit, Ramadan Musliut, Mehmet Krajës, Faik Shkodrës dhe të tjerëve... Secili nga vlerësuesit mëtonte të ngjitej majave të thepisura të maleve poetike të Beqir Musliut... Akëcilët niseshin më parë të gjenin shtegun e vet më të përshtatshëm... Të gjitha anë-vështrimet e përgjithësuara, të ngushta ose të zgjeruara mëtonin t`ia zbërthejnë, t`i vënë në pah veçantinë, diapazonin, erudicionin poetik-estetik-stilistik-filozofik, abstraksionet, hermetiken dhe gamën e përmasave me reflektime imagjinare të pakufishme. Thelbësorja e meta-poetikës e një tipologjie të këtillë artistike, nisjen dhe fundin e ka në hi. Hiri është metafora ose kodi i lektisjeve, i manifestimeve të tërësishme të frymës e qenies...
QASJA
E IBRAHIM RUGOVËS PËR POETIKËN E BEQIR MUSLIUT
Lexuesve të pasionuar, cilit më shumë a akëcilëve më pak,
doemos iu shërbyen qasjet e studimet e përqendruara përkitazi poetikës,
përkatësisht sistemit poetik-artistik të Beqir Musliut; qoftë përmes vëllimeve
të veçuara, qoftë si pikëpamje të përgjithësuara tek Rexhep Qosja, Ibrahim
Rugova, Ali Aliu, Sabri Hamiti, Teki Dervishi, Nebi Islami (për diskurset
dramatike), Agim Vinca, I. Stafaj, Adem Pajaziti, Ramadan Musliu, Besim
Rexhaj... Ibrahim Rugova jo njëherë iu qas poezisë dhe poetikës së Beqir
Musliut. Në librin e ribotuar nga Redaksia e Botimeve të Rilindjes “Bukuria e
zezë”, më 1980, në pasthënie të këtij libri kemi studimin e përqendruar
“Abstraksioni poetik”, që është njëri nga studimet me qasje analitike për kontekstin,
për konceptin e metaforës “Bukuria e zezë.” Kritiku e studiuesi me urtinë e
parametrave shkencor, Ibrahim Rugova zbërtheu, analizoi, sintetizoi dhe
konstatoi me një rreptësi të qëndrueshme përbërësit tipikë të poetikës,
poetikën e abstraksionit, kategoritë e kohës e të hapësirës në figuracionin
metaforik, estetikën dhe lajtmotivin të mbështjell në boshtin e togfjalëshit
“Bukuria e zezë.” E bukura dhe e zeza dy antipode përjashtuese të
njëra-tjetrës, por të ngjizura në njëra-tjetrën... Pleksjet kësisoj hapin
mundësi të shumanshme për ndërvarje jetësore dhe përsiatje estetike. Mirëpo,
kritiku dhe esteti Rugova nxjerr përkufizimin “se në këtë poezi çështja e të
bukurës ka më shumë vlerë etike se sa thjesht estetike dhe, fundja këto janë të njësuara, funksionojnë së bashku me
forcë e me ndikim të barasvlershëm.”[1]
Studimi tjetër i studiuesit me dije e profil kritik,
nxënës i zellshëm i Roland Barthes-it, Ibrahim Rugova në harkun kohor të
përfshirjes së vëllimeve, që nga i pari “Rima të shqetësueme”, “Lulëkuqet e
gjakut”, “Bukurija e zezë”, “Kurorë sonetesh”, “Sezamet”, “Parabola”, “Libri i
anatemave”; publikoi në Prishtinë, në prill të vitit 1986, studimin
gjithëpërfshirës për poezinë e Beqir Musliut “Opusi poetik i Beqir Musliut.”
Megjithatë, sikurse do të shohim në librat vijues, Poeti
tejkaloi harqet kohore, hapësinore dhe, sprovat e shkrimit tij evoluuan në
shtrirje atëbotë të panjohura për kulturën e shkrimit shqip.
BEQIR
MUSLIU DHE AMULLIA KULTURORE
Deri në kapërcyellin e viteve nëntëdhjetë, me ndonjë kapërcim,
kishim qasjet e autorëve të sipërshënuar për krijimtarinë e deriatëhershme të
Beqir Musliut. Pra, e kishim një trase të hapur për shtruarje dhe vijimin e mëtejmë
për zbërthime edhe më të shumanshme
kritike-teorike. Në këtë periudhë në teorinë tonë të letërsisë ende zotëronte
ndarja e prerë klasike e llojeve dhe gjinive poetike. Lënda që sillte, pas
sprovave të mëvonshme, opusi poetik vëllimor, shumështresor dhe ndërtimet
tej-gjinore në artin e shkrimit të Mjeshtrit tonë, duhej të shqyrtoheshin nga
kompetenca të reja të dijes... Si shkak-pasojë e përballjes të etnisë për
ngritjen e statusit shtet-ndërtues, si dhe përballja me gjenocidin dhe
etnocidin serb, filologjia shqiptare
shtrëngohej të merrej me çështje ekzistenciale të mbijetesës. Shumëçka
ishte djegur deri në rrënjë. Historia rikthente Absurdin dhe Feniksin e Beqir
Musliut!... Beqir Musliu nuk do të dorëzohej si personalitet në kërkimet e Tija
shkrim-strukturore... Ai do të interesohej për gjallërimin e jetës kulturore në
Prishtinë e në Gjilan... Në publikimet aq sa ishin, aty ku kishte dorë Beqa,
vendoste kriterin e vlerave. Ndonëse ishte periudhë amullie dhe pezullimesh, Ai
nuk iu jepte vizë, nuk i nënshkruante dorëshkrimet pa vlera. Ishte i rreptë dhe
pa-kompromise në pikëpamje të tilla; ndaj as blihej, as shitej; por kishte
mjaft të tjerë që komprometuan vlerat dhe institucionin e redaktorit e të
recensuesit! Ishte nisma e Tij për nxjerrjen e revistës për kulturë, art dhe
letërsi “Agmia”... Ngjashëm me nismën e më hershme të “Plejadës”, më 1970-1971,
revistë letrare-artistike për të rinj, të cilën pas gjashtë numrave të daljes
saj mujore, në numrin e shtatë e pezulloi politika shtypëse e Federatës Sllave
në jugun e trojeve Ilirike, në Dardani.
Beqir Musliu herë-herë shfaqej qortues e kritik në jetën
tonë shoqërore për amullinë e dyfishtë, njëra: klima e ftohtë e shkaktuar prej
okupatorit dhe, tjetra plogështia, brishtësia, hezitimet e fjalamania e
pafrytshme, jovepruese për të ndërtuar institucione paralele dhe të pavarura
kundruall pushtuesit.
Kapitull më vete janë shkrimet publicistike të Beqir
Musliut. Ndoshta pikërisht publicistika, ndonëse nuk thuhet hapur, doli të jetë
ajo frenuesja bezdisëse e pa-përsosmërisë të disa projekteve poetike të Art
Mjeshtrit tonë?... Ndodhte kështu ngase Mjeshtri duhej të jetonte...
Beqir Musliu fare i ri do të prangosej së bashku me
bashkëveprimtarin dhe poetin urtar Rexhep Elmazi, që të dy të përcaktuar për
Lëvizjen Kombëtare Shqiptare prirë nga Adem Demaçi... Dëshmohet për qëndrimin e
Tij dinjitoz në Zyrat e Shtrëngatës...
Sidoqoftë, Ai vdiq i ri në majën e zenitit Tij, në
trininë e art-jetë-shkrimit...
Në karakterin e Poetit Beqir Musliu plekseshin urtësia,çiltërsia,
njerëzorja dhe atdhedashuria. As njëra, as tjetra cilësi tek Ai nuk shfaqeshin
si veti mburracakësh, si paraqitje fodulli me ikonografi folklorike. Ishte një
det i heshtur idesh, por i trazohej modestia ndesh bëmave të gjysmakëve e
demagogëve, që në mjedisin tonë përherë kanë vegjetuar sikurse hithrat ligatinave
të pista!
Periudha pas shkuarjes të Beqir Musliut u kaplua nga
gjëma e Luftës Çlirimtare dhe betejat karrieriste. Shtrirja si mendësi, edhe si
ligjshmëri e demokracisë të tipit Euro-Perëndimor, në mjediset kur ende kishin
mbetur vezët e çerdheve moniste, sheshoheshin kundërthëniet
frenuese të vend-numërimit për funksionimin, përkatësisht mosfunksionimin e të
gjitha hallkave të institucioneve të Republikës së gjakut! Kjo periudhë të
gjitha izmave iu hapte udhë... Brishtësia e lëkundshme e një shteti, që sapo
fillonte t`i merrte hapat fëmijëror drejt ngjitjes hierarkike, prodhonte
situata të tendosura, kriza stereotipash komike... Shkëlqente demagogjia,
zvetënoheshin idealizmat, trashej e majmej shtresimi i përfituesve në emër të
asaj ose të kësaj “merite...” Vërshimet në shumë fusha, veçmas në artin e
shkrimit, në emër të lirisë së fjalës; publikimet diletante, nëpërkëmbnin kriteret
themelore për peshën shkencore dhe artistike, duke imponuar kësisoj “standardin”
e vet! Tashmë kishim hyrë në korniza të tautologjisë intelektuale dhe të
diletantizmit e snobizmit artistik! Në dimrin tonë lulëzonin gradimet dhe
titujt me qindra doktorantësh?! Në çdo lagje përuroheshin poetët e shkrimtarët!
Harrohej se faktori i gufimit të
kërpudhave është afat-shkurtë. Diamanti sado në thellësi të tokës, kurdo që del
mbi sipërfaqe shkëlqen me përbërësit e tij fisnikërues.
RIKTHIMI
TEK POEZIA E BEQIR MUSLIUT
Artit të Beqir Musliut do t`i rikthehen penat jashtë
censurave e klisheve ideologjike, pena të sinqerta; përderisa të pasinqertët me
heshtjen e tyre, besuan se e mbuluan vetveten me kapakun e argjendtë. Çfarë do
të thoshte kjo? A mos ishte një lajthitje e vetëdijshme? Në copën e qiellit
tonë kurdoherë vjen e ikën një klimë e
tillë... Penë-shkrues të tjerë “elitarë” dhe jo elitarë, do të eksplorojnë
universin imagjinar, përmasat e shtrirjes së ideve, të pamjeve drithëruese, të vizioneve,
të veçantive stilistike, të metaforave të shtrira, të lojës me absurdin e
paradokset, groteskun, metamorfozat,
kipcat, metafizikën e poetikës, ironinë e historisë, tragjiken, bashkë-dyzimet epike-lirike,
estetikën dhe etikën, antiken dhe etniken, të përshpirtshmen dhe gnoseologjinë,
onomastikën dhe topikën, figuracionin hermetik, lashtësinë e modernitetin,
sindromën e paragjykimet, ëndrrat e fantazmat, bukurinë dhe mallkimin, konvertimet
dhe inkarnimin, urtinë dhe koret e të marrëve... Rreth këtyre korpuseve poetike
do të vijojnë përpjekje për shtjellime, kush më thellë e kush më sipërfaqësisht,
për ndikimet, rolin ndikues dhe autentik të bukurshkrimit, për gjetje e
konceptime tezash, pikëpamjesh, krahasimesh, tumirësh a mëdyshjesh konceptore
për akëcilën figurë, për akëcilin simbol e simbolikë, për situata paradoksale,
për pësimet e pamësuara njerëzore, për verbërinë epshore, për prekje dhe prehje, për kritikë integrale, estetike,
stilistike, gjuhësore, ritmike, interpretimesh këndngushta e gjerësish
përgjithësuese. Kësaj poetike do t`i rikthehen Prend Buzhala, Ramadan Musliu,
Mehmetali Rexhepi, Nehas Sopaj, Yrjet Berisha, Anton Nikë Berisha...
Duke dalë prej një takimi letrar nga salla e bibliotekës
së vjetër në Gjilan, fund-viteve të shtatëdhjeta; profesor I. SH. adhurues i
kulturës dhe artit letrar, me shprehje gjakftohtësie i drejtohej Poetit, që
sapo kishte shqiptuar shtatë-tetë vargjet e Tij para dhjetëra artdashësve të
pranishëm:
- Beqir për kë shkruan kur nuk kuptohen shkrimet tua?
Po me
gjakftohtësinë e Tij Poeti i pohoi:
- Ndoshta do të më kuptojnë pas njëzet vjetësh...
Autorit me shpirtin mes rreshtash nuk i mbushej mendja se
lexohej, se në një të ardhme të afërme, sikurse kjo jona, do të niste një
dialog i pambaruar brezash, se do të pëshpëritej nën zë “Bukuria e zezë”,
“Sezamet”, “Parabola”, “Darka e magjisë”, “Libri i anatemave”, “Orfeiana...”; romanet:“Vegullia”,“Mbledhësit
e Purpurit”, “Makthi”, “Amullia”, ”Krupa”, “Skerluta”, “Ndeshtrasha“, “Kori i
gjelave të vdekur...”; nga teatrologia: “Shtrigani i Gjel-Hanit”, “Unë Halil
Garria”, “Faustiana”, “Ora e Kukuvajkës”, “Panairi i Gjilanit”, “Rrakullima
II”, “Murana”, “Kori i Korbave”,
“Familja e Shenjtë”, “Antifona...”
Lexuesit tonë do t`i riktheheshin ato përfytyrime
fluturimesh imagjinare, që kishin skalitur figura prototipash, të cilat nuk i shikuam gjithanshëm,
të cilëve përpos tipareve nuk ua shihnim
edhe skutat e shpirtrave... Disa i kishim shikuar shkaras, nuk ua pamë
sytë magjikë, as të gjitha gjymtyrët që jepnin e merrnin diçka prej unit
tonë... Ne këtu, në ciklet poetike monokolona, gjithsesi do të gjejmë fragmente
të huajtura prej nesh, si dhe prej
kipcash, mitesh e legjendash, prej botës së mistershme... Për çudi se si
ngjasojmë, pajtohemi dhe urrehemi, gufojmë dhe ftohemi deri në akullin e
vdekjes... Simpatizojmë dhe dashurojmë sikur Francesco Petrarca Beatriçen, simbolin e dashurisë për jetë të
jetëve... Nëse e shohim imazhin e Poetit pa kokë, pa kohë, pa hapësirë brenda teje
e meje, tek një vesh melodi, në njërën buzë: qeshjen, në tjetrën vajin; me dy
sy: njëri në pllajat e shkrumbuara, tjetri në toponiminë e kështjellës, sheh
një eremit në manastirin Dardan, duke i rënë një kambanoreje të glasur, dëgjon
dridhjet e një tingulli të mekur kambane
dhe heshtjen si fytyrë e verdhë vdekjeje... Kur të doli kllapia të përmend esëllti e
nëntekstit të Poetit...
BEQIR
MUSLIU NË OPTIKËN E NEHAS SOPAJT
Poeti Nehas Sopaj, duke qenë admirues i poezisë dhe
shkrimeve të llojeve tjera artistike të Beqir Musliut, që nga viti 1993, i vuri
kusht qëllimit të tij, që admirimit për Mjeshtrin e Shkrimit t`ia shtonte edhe nderen
e përkushtimit... I shtyrë nga premisa e sinqeritetit, lexoi qindra-mijëra
rreshta nga Poeti dhe për Poetin dhe, kapi e artikuloi, aq sa e si mundi,
reflektime mes rreshtash mbi pesëmbëdhjetë vjet dhe, nxori studimin për
Mjeshtrin e Metaforës në kuadër të projektit për studime “Individualitete
letrare I” “Beqir Musliu”; që e publikoi Shtëpia botuese “Rozafa”, Prishtinë, 2008.
Studimi i Nehas Sopajt shtroi dhe mbarështoi, që nga kapitulli
1.“Individualiteti letrar i Beqir Musliut” prej faqes fillestare 5, deri në gjashtë njësi gjithëpërfshirës: 2.
“Shkrimi automatik i Beqir Musliut”; 3. “Poezia”; 4. “Proza”; 5. “Drama” dhe 6.
“Përfundimi” me literaturë burimore, interpretuese teorike-estetike dhe
sintetizuese, i lehtësuar me literaturën
ndihmëse në faqet e fundit, me 276 sish.
Autori Nehas Sopaj e pohoi me çiltërsi: “Ky libër merret
ekskluzivisht me veprën e botuar të shkrimtarit dhe mund të them se është i
vetmi shkrim, që mëton të jetë interpretimi i tërësishëm i veprës
së autorit.”[2]
Nehas Sopaj për një studim të këtillë kishte pararendës
të kësaj fushe; secili nga ata shtruan mënyrat e veta për t`i interpretuar e
shqyrtuar veçantitë e artit shkrimor të Poetit Beqir Musliu nga kënd-shqyrtimet
e tyre të shkurta e të gjata, të ngjeshura dhe të brishta. Shtytja parësore e
studiuesit Sopaj, që t`i hynte një ndërmarrjeje kësisoj, ishte vullneti i
përshkuar prej dy rrethanash: a) adhurimi i hershëm për poetikën dhe
Poetin Mjeshtër të Metaforës dhe: b) rrëzimi i tendencës për “poetin e
pakapshëm abstrakt!” Një fakt tashmë është i qartë: logjika e disiplinës
mirëfilli shkencore, me rreptësinë e saj
argumentuese, i përjashton paragjykimet dhe animet subjektive të hatëreve, si dhe gjithçka tjetër pa peshoren
e faktit. Përpara një figure të admiruar, sikurse kjo e Poetit me shumësi
përmasash, ndonjëherë me epitetet e vlerësimeve tona, mund të përplasemi me
kokëfortësinë e argumentit. Mendoj se Prof. Nehas Sopaj përgjatë shtjellimit të
studimit tij, i mëtuar si një nga studimet shteruese për Poetin e Metaforave,
me gjithë ndonjë nuancë anese, është kujdesur që t`i pajtonte animet margjinale
me faktet përmbajtjesore.
Studimi i një gjerësie të këtillë në librin “Beqir
Musliu” i Nehas Sopajt, i marrjes me të gjitha llojet e shkrimeve të Poetit,
pos publicistikës, si duket shpërndau kompetencat e studiuesit vullnet-plotë.
Çfarë spikati ky studiues në relievin e poezisë së Beqir Musliut? Le t`i
nënvizojmë ca nga të gjeturat e tij në disa plane: “Dalja në legjendë” dhe
“Hyrja në legjendë”, “dalja para hyrjes”, lojë e qëllimshme fjalësh; fjalët si tërësi
tekstesh metaforike; rrëfimi i shndërruar në fotografi; mënyrat e komunikimit
me lexuesin “gjuhë të cilën duhet kuptuar si metagjuhë.”[3] Në vëllimin “Parabola” ri-kapitullohet
përzgjedhja njerëzore nëpër shtigjet e historisë, si “udhëtimi hagiografik”, toposet
mistike “Fushë-bozhur dhe Bozhur-fushë”, trajta të inversionit; koha e vënë në
lojë të folësit lirik, “e tanishmja është antike, ndërkaq antika bëhet e sotme”[4]; filozofimi
“ i metatekstit si non-sens.”
Studiuesi konstaton “jo vetëm për nga titujt janë lojë
fjalësh, por edhe filozofi blasfemie e konceptit të metaforave abstrakte”; si
ide të përçuara “të kënduarit orfeik, një lloj veçantie poetike autoriale...”;
“ një odiseadë kozmogonike.”[5] Në
shqyrtimin për thurjen e sonetit, Nehas
Sopaj nënvizoi faktin se Poeti shpesh me qëllim thyente rregullat, asisoj
sikurse bëri në formën e soneteve të Tij për Skënderbeun. Kështu bënte jo vetëm
në sonetet për Skënderbeun, por edhe te ato me motive legjendash shqiptare. Sa
i përket ndërtimit të tingëllimës-sonetit, Poeti Beqir Musliu mëtoi të
ndërtonte një sonet vetjak.
Nehas Sopaj iu
kishte qasur gjithanshëm poezisë së Poetit Beqir Musliu. Ndoshta po të ishte
përqendruar veçmas në poezinë e Tij, pa prozën dhe dramën, ky studim do të
arrinte një shkallë edhe më të lartë shteruese, mbase?...
Si nënvizim për kontributin e Profesor Dr. Nehas Sopaj
për poezinë dhe opusin krijues të Beqir Musliut, pos tjerash, le të citojmë
edhe këso konstatimesh: “I ftohtë, gati pa brengosje për lexuesin, autori
(fjala për librin Orfeiana, nënvizim i M. R.) nga ky libër i uniformon figurat dhe shenjat e
tij të këndimit, të cilat sikur anojnë kah proza poetike apo proza pa rrëfim,
që është një tendencë universale e
poezisë së sotme botërore, sidomos te ajo amerikane.”[6]
Pa hamendje hipotetike se me çfarë mund të identifikohej
figura mitike e Orfeut, që në kohën dhe hapësirën e idesë poetike të Poetit
Beqir Musliu, merr konotacion të zgjeruar: nga Orfe-Orfeiana... Studiuesi dhe
admiruesi i Poetit Nehas Sopaj vjen tek konstatimi identifikues: “Orfe ose
këngëtar “në krye të këngëtarëve”, Beqir Musliu e meriton.”[7]
“POETIKA
E BEQIR MUSLIUT” SIPAS YRJET BERISHËS
Një tjetër vepër që iu përkushtua shkrimeve poetike:
poezisë, prozës dhe atyre të natyrës dramatike, Yrjet Berisha tetë vjet pas
librit të Nehas Sopaj “Beqir Musliu”, botuar nga Rozafa, Prishtinë, 2008,
publikoi studimin “Poetika e Beqir Musliut”, tek Shtëpia botuese “Beqir
Musliu”, në Gjilan, më 2016. Vepra strukturohet përmes nëntë kapitujve, katër
prej të cilëve trajtojnë poetikën e Beqir Musliut në poezi:
1.Lirika me intertekst nga mitologjia antike;
2. Lirika me intertekst mitologjie iliro-arbërore;
3.Poezi me intertekst metafizik dhe
4. Lirika me intertekst neosimbolist.
Autori i studimit
“Poetika e Beqir Musliut”, vijoi të shqyrtojë poetikën në prozën dhe romanet e
Poetit; mandej shqyrtoi nëntë tekstet e poetikës në dramat e Beqir Musliut dhe,
së fundmi nxori përfundimet rreth kësaj poetike të Poetit, romansierit dhe
dramaturgut, që në tërësinë e këtyre llojeve letrare, Beqir Musliu doli të
jetë, shprehur me përqindje, kryesisht Poet! Ky është fenomeni Beqir Musliu në
letrat e artit të shkruar në shqipe! Tërësia e shkrimeve në librin e cituar të
Yrjet Berishës arrin vëllimin prej 410 faqesh. Këto faqe libri janë nderimi, të
cilin ia fali Yrjet Berisha shkrimtarit elitar Beqir Musliut!
Studiuesi Berisha në nëntëdhjetë faqe të librit, prej
gjithsej katërqind e dhjetë, drejtpërsëdrejti, faqe për faqe u mor me poezinë e
Beqes. Nëpërmjet një trajte leximi të tekstit e nëntekstit, zbërthimit të
figurave nga vargjet e shkëputura për ilustrim; Yrjet Berisha shqyrtoi
veçantitë e korpuseve poetike, ngërthesat aspak të lehta të kësaj tipologjie të
poezisë, me dendësi shtresimesh e strukturimesh të pamjeve, ideve, aluzioneve,
tezave, antitezave, të kontrasteve, miteve, legjendave, mozaikut të karaktereve,
të bardhës në të zezën dhe të zezës në bardhësinë e dritës...
Yrjet Berisha e kishte vënë re evoluimin e shprehjes
poetike në poezinë e Beqir Musliut: zhvendosjen nga tradicionalja kryesisht pas
dy-tri vëllimesh të para, që edhe si motive e tematika, si veshje figurative e
reflekse, si koncepte ndërtekstesh, si kumte e kuptime, si inversione sprovash
e lojërash, si mendësi e përshpirteni, shmang krejtësisht tiparet e tipologjinë
e poezisë tradicionale, aty-këtu me doza neoromantizmi. Ai tashmë, pakthyeshëm
ndërton poezinë e pavarur nga rregullat klasike, i jepet surrealizmit,
post-modernes me burime nga mitologjia, antika, mitet ilire-arbërore-dardane,
poezinë e sprovave metafizike, lirikën e re simboliste. Kodin që i përshkon të
gjitha këto njësi korpusesh poetike, si dhe burimet e tyre, studiuesi ynë e
sprovon nëpërmjet vendosjes të formulës së intertekstualitetit. Kuptimi i
termit buron nga latinishtja intertexere,
që përkthehet në shqip: thurje, gërshetim, shprehje konceptuare e futur
në filologji nga teorikët bashkëkohorë francezë Mihail Bahtin dhe Julia
Kristeva. Në teorinë e Mihail Bahtin-it njihet si “fjalë të dialogizuara” dhe
“polifoni e romanit”; ose sipas Julia Kristeva-s si fjalë e re , neologjizëm
ose “teksti si prodhim ose transferim.” Në shqip mund ta përshtatim si ndërtekst, i cili strukturohet dhe
ushqehet nga tekstet e huazuara prej fushash
të ndryshme të dijes. Andaj, këtë term çelës e hasim pashmangshëm në të
gjitha mitet e mitologjitë, në pikë-përkimet e fluturimet metafizike, në
shtigjet e simbolikës e të neosimbolistëve...
Yrjet Berisha secilën njësi poetike e ilustron me
shkëputje vargjesh, pastaj mbi atë shkëputje ndërton diskursin me interpretime
përmbajtjesh deri në imtësinë e tyre,
mbase të stilit shpjegues shkollor për secilën strofë katër, tetë, dy a më shumë vargjesh. Autori në cilësinë e
studiuesit, me durimin e paepur jep sqarime për arketipat, mëtimet,
pozicionimet, personazhet e kaheve antitetike, kontrastet dhe antinomitë, si:
luftë-dasmë; trazimin e Ilirisë nga ploja, Lufta e Trojës; simbolika e
përtejshme e mollës prodhimtare porosish, shumësi kuptimësie; motivet e
udhëtimit të Orfeut, figurë konceptore e
identifikimit vetjak dhe kolektiv, semantikë e gjithë-përfshirjes si fat e
fatkeqësi, si gjen i shuar dhe “hi i ndriçuar...”
Titulli i librit “Poetika e Beqir Musliut” i autorit
Yrjet Berisha, nuk doli si rezultat i frymëzimit të rastit. Termi poetikë
ngërthen shumësinë e shtigjeve deri te arritjet e burimeve të fshehura: mitike,
legjendare, të përshpirtshme, historike... Tek njohja, vetë-njohja e rinjohja,
tek vdekja e ringjallja, tek bërja dhe zhbërja... Poetikën e Beqir Musliut e
ushqejnë moria e bëmave: toponimia mistike, Hadi, tematika orfeiane me fyej e lyrë
dhurata të Apolonit e Hermesit... Cikli i anatemave në vëllimin “Orfeiana”; lirikat
me ndërtekste të miteve ilire-arbërore... Tek njësia ose kapitulli “Lirika me
intertekst mitologjie Iliro-Arbërore”, Berisha spikati ndërtekstet e miteve
ilire, kreshnike, legjenda e balada, Betejën e Kosovës, “Motin e madh” të Skënderbeut.
Në këtë pikëvështrim Yrjet Berisha tumirë konstatimin e Ibrahim Rugovës
“poeti nuk përdorë sforcimin poetik, po
figuracionin tejet të pasur, kryesisht, do të thoshim, një rrëfim metaforik.” Studiuesi
Berisha e sjell një tjetër konstatim, sindromën tonë etike-etnike: “Rozafa si
arketip mitik ilir-arbëror pasqyron kompleksin
e subjektit vetëshkatërrues.”[8]
Yrjet Berisha i bëri nder filologjisë moderne shqiptare
me studimin e tij “Poetika e Beqir Musliut”, ngase shtjelloi dhe iu dha zë një
morie çështjesh parësore për Poetin, i cili u quajt “hermetik”(A. Vinca) dhe i
pakapshëm për lexuesin mesatar. Në disa pikëpamje studiuesi ynë nuk tejkaloi
përkufizimet e studiuesve, si: I. Rugova, S. Hamiti, R. Musliu, N. Sopaj, Prend
Buzhala... Mirëpo, solli një vistër
konstatimesh, nivelesh përshkruese, shpjeguese, analizuese, të dhëna për
njohje, por mbase i mungoi shkalla e lartë e taksonomisë së Bloom-it, zbatimi i
lëndës së shtruar mbi premisat e niveleve sintetizuese e vlerësuese. Gjithsesi,
do t`ia tumirim dhe apostrofojmë disa nga konstatimet e shtruara këtu për Art
Mjeshtrin Beqir Musliu.
Duke shkruar për librin poetik “Orfeiana”, botuar më
2004, për ciklin e poezive “Malet e Thesalisë”, i përbërë prej pesëmbëdhjetë
poezish, Berisha sjell konstatimin: “Arti i tillë është një polemikë e ashpër
me ultraortodoksinë e Gadishullit Ilirik (ballkanas), që vazhdimisht deshën të
shlyejnë ekzistencën e të parëve tanë nga nënqielli i Ilirisë, në ato periudha
të hershme, dhe kështu del në shesh “ekzodusi” si problem në vete nga Malet e
Thesalisë”[9]
Diskursi vijues i këtij studiuesi është krejtësisht në
anën e Poetit dhe të poetikës Tij në kontekstin e shtruar:
“Lirikat në këtë intertekst, kur i krijoi e botoi poeti,
më tepër u trajtuan si lirika hermetike, me motive konfesionale. Kritika
tradicionale këtë lirikë nuk e përfilli, e arti i tij atëbotë shikohej me
mosbesim. Poeti i vetëdijshëm se arti
s`njeh kufij, s`përfill rregulla, andaj
nuk i bëhej vonë për shijen e penave oborrtare-moniste, që u
rritën e u afirmuan nën tutelën e politikës e jo të poetikës.”[10]
Po i njëjti diskurs që i kishte ndarë poetët me prurjet e
tyre, në poetë tradicional dhe modernë, e forcon nënvizimin paraprak për
Poetin:
“Në brezin e dytë rreshtohet Beqir Musliu, që filloi të
krijojë e botojë tekste artistike sipas rregullsive të lirikës moderne, me
vargje të lira, huazoi intertekste mitologjike, konfesionale, mbështet në
kategori estetike të së shëmtuarës, nuk i thurë lavde regjimit monist, as
klikës ultraortodokse në pushtet. Ky
poet dhe brezi i tij u akuzuan: të
papërgatitur, rrënues tradite, të ndikuar nga arti i huaj, banalizim arti. Por
e vërteta qe ndryshe”[11]
Përmes diskursit mbi të cilin vumë apostrofimet tona,
dolën konstatime të përgjithësuar të Yrjet Berishës, të këtij admiruesi
jetëshkurtër të artit, i cili preku edhe anë-pamjen hermetike të krijuesit
Beqir Musliu: “Arti (i B. Musliut, nënvizimi im) ngjeshët me intertekstualitete
nga lashtësia antike, dardane, gërshetuar me intertekstualitet folklori e
mitologjie shqiptare. Poeti nën ndikimin e parabolave të letërsisë dhe të
paradokseve nga realiteti do të formojë botën e tillë hermetike në poezi.”[12]
THIRRORJA
(VOCATIV) E BEQIR MUSLIUT
“Të lut zogu prej letre
Mos këndo zbrazëtive të ftohta
Se mund t`i takojë shpresës
Edhe ajo që na trimëroi
Derisa ishim duke e mbështjell
Për lëkurë Vetëm shpresë Vetëm
Robi e Liria bënë mur
Në të njëjtët zinxhirë kënge”
(Anatema e Tretë në Orfeum)
Është një kënd i shtjellimeve interesante të idesë
poetike, se si përzgjidhen mjetet e figurat nga Poeti, për ta vënë në lëvizje
pamjen e përfytyrimit, që mund të jetë abstrakt, por edhe i dukshëm. Atmosferën
e “zogut prej letre”, një figurë fluturuese e përcaktuar nga kundërshtia
përçuese e shpirtërores, të cilës i bën opozitë shprehja nistore e vargut të
dytë “Mos.” Për çfarë “Mos?” Kërkohet ndalja e veprimit: “Mos këndo zbrazëtive
të ftohta...” Kë e lutë “zogu prej letre?” Lutja i drejtohet një vete dhe ajo
vete, veta e dytë qëndron mes Poetit dhe një kipci të padukshëm të subjektit
poetik. Kështu, tërthoras pritet nxitja
e një monologu dialogues, por nuk ndodh dialogu ngase subjekti lirik vijon
urtinë e vet metaforike. Dëftimi i drejtpërdrejtë se çfarë atmosfere e pret
anën tjetër të vetës së këngës, ndërtohet përmes kumtit të trajtës lidhore në
vargun e tretë, sepse gjasa për hyrje në ato “zbrazëti të ftohta” “mund t`i
takojë shpresës.” Opozicioni i të shmangurës dhe pozicioni shpëtimtar ndodhin
fare pranë njëri-tjetrit. Mes opozicionit dhe pozicionit ndodhet shpresa.
Andaj, edhe kur duket se këndimi “zbrazëtive të ftohta” është i pamundur, meqë
gjithnjë mbi kokë sogjeton Anatema e radhës, e cila mund të jetë e treta, ose më
shumë se kaq. Në aktin e një pamundësie doli mundësia, “ajo që na trimëroi”, të
cilën e gjallëroi shpresa,“Vetëm shpresë Vetëm” apostrofoi dyzash Poeti. Njëkohësisht
“duke e mbështjell” me atë pëlhurë lëkurën e trupit, të qenies sonë të përzënë
nga ngrohtësia prej Anatemës në
hapësirat e toponimisë mitike, shpirtërore, të topikës etnike të Orfeum-it;
ndaj ideja merr përmasa të shumësisë përgjithësuese.
Lëkurën e kishim kurdoherë të cenueshme prej akujsh,
brymës së pranverave të hershme dhe diellit mizor mbi krye, mbi lëkurë, që
kishte djegur këmishën e parë e të satën me radhë... Paradoksi përtrollitet:
“Kur Robi e Liria bënë mur
Në të njëjtët zinxhirë kënge
Si në antikë”
Tre përbërësve shtresorë: Robit, Lirisë dhe këngës fati u
lidhet në zinxhirë. Nëpërmjet kontrasteve dhe të kundërtave ndërtohet
kuptimësia në poezinë e Beqir Musliut. Trinia e Robit, Lirisë dhe këngës mëtonte
këputjen e zinxhirëve, ata zinxhirë, që i mbërthenin; por këputja e tyre
këpuste dhe vetë këngën?! Nga cila anë të kapej paradoksi? Përpjekjet
rrotullohen brenda një harku metaforik, si dhe kuptimi i frymorit me frymë të
penguar drejt të përgjithshmes, Lirisë e cila ndoshta do t`ia kishte hequr
thonjtë prej fytit të shtrënguar?... Dy koncepte shtrëngesash i përkasin Anatemës
në hapësirën e Orfeum-it të Parë dhe Orfeum-it të Dytë. Megjithatë, Robi dhe
Liria duhej t`i këputnin zinxhirët, të cilët e mbërthyen frymorin dhe
konceptimin për frymëmarrje të plotë:
“E u përbiruam nëpër vdekjen
Që e pamë të zezë në luginë”[13]
Poezia e këtillë mbyllet me “lutjen e zogut prej letre”:
“Mos këndo nëpër zbrazëtitë e ftohta...”
Në mënyrë të përsëritur vihet në funksion të urtësisë forcimi
i vetëdijes për zbrazëtinë e shurdhërinë; aty ku mungojnë shqisat e ndijimit
dhe sytë, aty ku nuk duken shikimet e
fytyrave të dashura, atje ku nuk ka
impulse zemre, ose zemrat nuk rrahin për Orfeum-in, janë të ftohta prej
akulli. Në fund të shtjelljes poetike kemi zanoren O ose një zero të madhe të shtypit!
Ç`është kjo O në fundin e shtjellimit të kësaj mynxyre? Ndoshta është trajta më
e shkurtë e thirrores, që e hasim herë pas herësh në shtjellimet e vargjeve të
Beqir Musliut? Kjo trajtë thirrmore nuk është e rastësishme në poetikën e Poetit tonë shumë planesh...
Pothuajse në të gjitha librat e poezisë, si “Bukuria e
zezë”, “Sezamet”, “Parabola”, “Darka e magjisë”, “Libri i Anatemave” me shtojca
plotësimesh prej botimit të pakënaqur të librit “Lulkuqet e gjakut”, që e dendësuan “Librin e Anatemave”; mandej në Shtatë Libra
Anatema nga opusi “Mbledhësit e Purpurit”, si: “Metafizika e Sfidimit”,
“Madragora”, “Klepsidra e Magjisë”, “Martirium”, “Magna Karta”, “Ekzodus”,
“Kodeksi i Argasit”, Poeti e përdorë zanoren e thirrores O me shkronjë të madhe
e të vogël:
“O, të gjithë ata që kësaj rruge u kthyen n`hi
Deri te kasollet e shurdhta Orfeu ka me na pri”[14]
(Fyelli ose banorët e hinit)
Vargun e dytë të dyvargëshit të cituar, Poeti e ndërtoi në trajtën e paskajores të gegërishtes, e
cila nuk u përfshi në standardin e sotëm të gjuhës së njësuar letrare shqipe.
Rrëfimeve epike mbi burime të arealit gojor në ciklin e poemave balada dhe
legjenda, si: “Legjenda mbi vorret e krushqve”, “Gjergj Elez Alia ose balada
për Bajlozin Shtatëkrenësh”, “Motra me nandë vëllazën”, “Prralla e përhimtë ose
Balada për Shtatë Ditë e Shtatë Netë”,
të përfshira në vëllimin “Bukuria e zezë”, Poeti i shtjelloi, duke ua
nënshtruar aspektin rrëfimtar një
bashkë-dyzimi lirik, nëpërmjet laboratorit poetizues të Poetit. Kësisoj rrjedhës
epike i shtohet amalgama lirike... Rrëfimi shkrihet në përbërës të lirikës...
Vetëm në poemën “Legjenda mbi vorret e krushqve” në njëzet e dy situata jehon
thirrorja e zanores kumbuese “O” në stilin:
“O, si me gjetë urën e parë , e me kalue n`at anë-
Shiu u pik secilit n`zemra e bimëve ndër ara...”
(Legjenda mbi vorret e krushqve)[15]
Ose:
“O, çfarë bukurije, çfarë magjije n`krahët e pëllumbit -
Ku tanë lumejt e botës i kthen n`rrjedhjen e vet:
N`bukuri!”[16]
Në librin “Parabola” poezia “Bleni i katërt” prej
katërmbëdhjetë vargjesh, vargu i fundit mbyllet me thirrore:
“O kush po loz tehut të shpatës me kokën time”[17]
(Bleni i katërt)
Te cikli “Molla e Afërditës”, përmban njëmbëdhjetë poezi, në poezinë “Filli i Betejës së Kosovës”
shfaqet thirrorja:
“O kush do t`i bajë kurorat pas luftërave”[18]
“Nga libri i Anatemave, sipas Orfeumit(II)”, në tre
ciklet e poezisë “Anatema e Parë në Orfeum”, “Anatema e Dytë në Orfeum”, “Anatema e Tretë në Orfeum”,
dukuria e thirrores O haset në pozita të ndryshme, përpos si prijatare e
rëndomtë e togfjalëshit “O Zot”, gjendet
edhe si thirrore vetëm për vetëm në
vargjet vijuese:
“O
Përse zemra s`e
shpëtoi verën
Që në Darkën e Magjisë
e darkon”[19]
(Anatema e Parë në Orfeum”
Thirrorja në variante të këtilla është e pashmangshme:
“Kush i la buzët
Në kopshtin e paparë të hirit
Mbeti shumë më i
ri
O”[20]
Te “Anatema e Dytë
në Orfeum”:
“ O
Cili mur i historisë je ti
Që don të balsamohesh në mua
Kur ende s`ke
zbritur në fytyrë
Në këtë fushë të përhimtë
Ku po rri i gozhduar padukshëm”[21]
Po në këtë pozitë e shohim zanoren O thirrore, një trajtë
foljore, duke i prirë një parandjenje, një ndeshtrashe, një kobi ose një gjëme:
“ O
A është kjo fuqi
Që engjëlli e ndjell me shkatërrim
Apo vetëm kokë guri
Që para kokës së vet hapet
Si dita para diellit mëngjesor...”[22]
(Anatema e Tretë në Orfeum)
ÇËSHTJE
PËRKUFIZUESE
Si mund të përkufizohet trajta e thirrores në poezinë e
Beqir Musliut? Jashtë përpjekjes që të ngre teori, në stilistikën e poezisë së
këtij Poeti, thirrorja paraqitet në disa pozicione të vargimit: në fillim të
vargut, diku-diku në mes, pastaj në fund dhe, fare e vetme, pa lidhje me
togfjalësh, në fillim dhe në fund, jashtë tekstit! Në qoftë se zanorja O
thirrore e fillimit kushtëzon dinamikën dhe lëvrimin e të mbjellave në fushën e
sintaksës poetike; çka do të kushtëzonte thirrorja O e shkëputur krejtësisht
prej tekstit poetik? Një thirrore O e tillë, e vetme, duket formale dhe pa
funksion ose?...
Thirroren nuk do ta konsideroja thjesht si ornament
stilistik të këtij lloji poezie... Strukturime vargjesh kur trajta e thirrores
shton, paralajmëron atmosferën e të ndodhurës në vazhdimësinë e vargjeve,
Autorit i shërbejnë si thirrje për t`ia mobilizuar vetëdijen për tendosjet e
mundshme... Kë, kënd, kujt, cilës forcë i drejtohet thirrorja? Forcës së
ndërdymes a ndonjë okultizmi (latinisht occultus-i fshehtë ) shkencë për
fshehtësitë, besëtytni në fuqitë e fshehta mbinatyrore; ose ndonjë trajte të
perëndomë shpirtërore, si lehtësim i ndjenjave, si zbrazje prej mynxyrash, bëmash,
ndodhish, zgropesh tragjike a
shpëtimtare? Shumësia kuptimore e thirrores shpie situatave të pritura ose të
papritura, të shumtën si apostrofë e theksuar, e zëshme, si zbrazje emocionale,
si shteg krenarie e marrëzie e papërmbajtur, që prologun fatlum e shpie në
epilogun fatzi, me përballje përfundimesh humbëse... Post scriptum: në
papirusin e kronikës lexojmë cinizmin, absurdin e llojit të vet dhe, dhimbjen e
përmasës me pleksje të tragjikes e të komikes!
MJESHTRI I VEÇANTIVE
Të veçantat e poezisë të Poetit Beqir Musliu, veprat e të
cilit presin shterim me kompetenca të çdo-anshme kërkimore nga fushë-shtrirjet
kritike, estetike, stilistike, gjuhësore, onomastike, filozofike, historike,
mitologjike, biblike dhe kuranore... Nga një konstatim i rëndomtë, fare lehtë i
shohim të veçantat e këtij Poeti kundruall të tjerëve. Si? Ai askund nuk duket
si Poet i motivuar i rastit, i stinës, si përjetues i borës së parë, i
frymëzimit për çeljen e luleve të para e, kështu me radhë... Ai ishte Poet i
shtigjeve të gjata, të gjera, të thella e të larta... Por, gjithnjë kokë e këmbë në tokë. Imagjinata e Tij kishte
shtrirje universale gjithë-kohës,
tokësore dhe kozmike, reale dhe mitike... Fjalësi dhe kontrastet figurative
mëtojnë rrokje të pambarimta...
Ontologjia, erudicioni, stilistika dhe poetika e
abstraksioneve me kumte dhe kuptime të ngërthyera dendur, vende-vende e veshin me të hirtën e
hermetizmit...
Surrealizmi dhe post-modernia e Beqir Musliut, e zgjeroi
dhe shumëfishoi gamën motivuese, ideore, stilistike, filozofike, veçmas
kategorinë estetike të së shëmtuarës, që lagjet e ithtarëve të së bukurës e
përjashtojnë si komponentë të mirëfilltë
të estetikës.
EMRI I
BEQIR MUSLIUT
Beqir Musliut emri do t`i figurojë në emërtime rrugësh në
Gjilan, vendlindja e Tij. Thuajse Ai i përkiste veçse Gjilanit?! Me emrin e Tij
do të emërtohet Ars Club-i, si dhe Shtëpia botuese “Beqir Musiu” në Gjilan. Po
ashtu, me emrin “Beqir Musliu” jepet çmimi letrar me seli në Gjilan, për shkrimtarët e hapësirës kombëtare, të
dëshmuar për cilësi letrare-artistike.
Emërtimi me emrin Beqir Musliu do ta nderonte çdo
institucion të dijes në përmasën e Universitetit
Publik.
Gjilan,
kallnor 2021
[1] Ibrahim Rugova
“Astraksioni poetik” në librin: Beqir Musliu “Bukuria e zezë”; Rilindja,
Prishtinë, 1980, f.105
[2] Nehas Sopaj “Beqir Musliu”, studim; Shtëpia botuese
“Rozafa” , Prishtinë, 2008, f. 5
[3] Nehas Sopaj “Beqir Musliu”; po aty, f. 110
[4] Po aty; f. 112
[5] Po aty; f. 113
[6] Po aty; f. 128
[8] Yrjet
Berisha “Poetika e Beqir Musliut”; Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan,
2016, f. 41
[9] Po
aty; f. 54-55
[10] Po aty; f. 87
[11] Po
aty; f. 88
[12] Po aty; f. 91
[13] Beqir Musliu”Darka e magjisë”, Rilindja, Prishtinë, 1979,
f. 29
[14] Beqir Musliu “Bukuria e zezë” (Botim i dytë); Prishtinë, 1980, f. 17
[15] Po aty; f. 49
[16] Po aty; f. 51
[17] Beqir Musliu “Parabola”; Rilindja , Prishtinë, 1976, f.
37
[18] Po aty; f. 47
[19] Po aty; f. 118
[20] Po aty; f. 119
[21] Po aty; f. 120
[22] Po aty; f. 123