E merkure, 16.06.2021, 02:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Sipërfaqësisht

E merkure, 09.06.2021, 06:41 PM


Blerim Rrecaj:

SIPËRFAQËSISHT

Gaca breshëri

Ngutem të hyj brenda

Gaca breshëri

Më godasin gjithkah

Plagë tjera mora

Do i mërzis edhe muret e dhomës

Si gjithënjë

Ndonëse në përgjithësi

Rrjedha, gjendja, situata

Nuk duket që është aq mirë

Por dhe aq keq nuk është

Çaste jashtë mureve

Dielli djeg

Mbase në prag pret shiu

Për t'u hedhur poshtë

Duke ecur nëpër bar

Padashje shkela një kërmill

Më erdhi keq

Kushedi a do të mund ta marr veten

Kujtohem atëherë kur më pat zënë shi i rrëmbyeshëm

Dhe pata shkelur kërmijtë që më patën dalë në udhë papritur

Derisa ecja një hapësire me bar matanë bjeshkëve me ndërtesa

Tash sa gjeta një pendël pëllumbi

Me të u afrova të shkruaj

Mbi petale të verdha të dy luleve të përqafuara

Mbështeta telefonin për 'duksa' fëmijësh

E kurdisa

E pas dhjetë sekondash shkrepi kjo selfie

Që pikturoi profilin tim

Në një sofër natyre

Me retë mbi kokë duke vallëzuar

Qenush i kalamendur

Sa dalim nga vetura në mesditë

Në hyrje të objektit kryesor të shkollës fillore

Për ta parkuar

Të gëzuar që gjejmë një vend të lirë

Ia prishim gjumin këtij qenushi të bardhë si qengj

I cili kalamendshëm skajohet pak më tej

Mbërrijnë pikëza shiu mbi ne

Në flokë, në duar, fytyrë

Më pas

Zëmë vend në një qoshk kafeneje

Pranë një rafti librash

Që mban veprat e një autori

Dhe dy-tri libra me vulën "bestseller"

Jashtë rrugë e lagur

Shije espresoje brenda

Zëra e cakërrima gotash e enësh këtej

Matanë lëvizje e hapa kalimtarësh

Një fëmijë duket në dritaten e shumëkatëshes përballë

Roletë e bardhë gjysmëmbuluar

Gjysmë zbuluar

Gota e mbushur me ujë

Pranë filxhanit të zbrazët

Me shtresën ngjyrë skretëtire që po thahet ngadalë

Dikë e lag shiu në mungesë të ombrellës

Dikush më komod nën të hapa hedh

Derisa dremitemi nën strehë

Mbi një gropë rruge kryshyten pika shiu

Që lënë gjurmë, formojnë rrathë

Sekush një refren të turbullt ngeshmërie pëshpërit:

"A po shkojmë, a edhe pak po rrijmë..."

Përballë Aneksit 1 të Shkollës "Mihal Grameno"

Ulur përballë dy palë dyersh të hapura

Me ca fletënjoftimesh ngjitur

Që na kanë kthyer shpinën

Duke pritur zilen të bie

Ca vogëlushë në ulëse tjera

Që nisin lojën

Para se të nisin mësimin sapo t'u vije radha

Ca të tjerë që kanë përfunduar për sot

Ngasin biçikleta, (disa prej tyre të mëdha për ta)

Brenda e jashtë oborrit të shkollës

Fryen erë që hy për dyersh në korridore

Përkëdhel pëllumba paqeje vizatuar në mur

Me portretin e Naim Frashërit në ballë të pushimores mes shkallëve

Bie zilja, pasi bëhet bashkimi familjar: prindër-fëmijë

Shpërndahen udhëve të veta

Dikush kalon pranë dyqanit hapur së fundmi

Për gatime tradicionale edhe me porosi

Dhe fillojnë të bien me vrull pika kokërrmëdha shiu tek-tuk

Që bijnë mbi një gëmushë të gjelbër jargavanësh të mërguar

Duke lënë gjurmë të lagura si hije fruta qershish

Që sapo kanë nisur të piqen

Pëllumb me lugë në sqep

Ky pëllumb sa e mori

Në trotuar

Pranë një restauranti

Siç e merr fije bari nga ato që i shihnim në vizatime

Dhe fluturon e kushedi kah shkon

Me lugë të bardhë plastike

Me shkronja të mëdha ku rri ai mbishkrim

Në bishtin e saj

Gjelbërim i larë

Shiu i pragverës

Dhe ai i verës

Që bie rrebesh

Dhe ndalet

Sa më pëlqen

Të shihemi sy me sy

Me gjelbërimin e larë

Të freskët

Të heshtur

Mace matanë

Në një mjedis kaosi urban

Në trotuarin mbushur makina e kalimtarë

Një fëmijë me agresivitet i turret një maceje të murrme

Macja ik e trembur

Frenon përpara veturës që kalon

Shpëton përpak

Sa mirë

Pastaj del në anën tjetër të rrugës

Kthehem në strehëzën time

Për ta plakur ditën e tejdukshme pa emër, pa datë e pangjyrë

Në ëndërr më vizitojnë ca mace

Me sy vezullues drite

Rrugë

Dikush përpiqet të dalë jashtë shtetit

Dikush ta lë një vend më të qetë

E të vij e të futet në super-rrëmujë

Monolog për dialogun

Dialog në kokë

Dialog në tryezë

Dialog në medie

Dialog në ëndërr

Të mëdhenjtë a po mbesin të papjekurit e përhershëm

Derisa këta fëmijë po luajnë lojën mes dy zjarresh

Për mëdyshjet e mia

Ndalu pak i them vetes,

Ndalem pak edhe rri.

Ç'po bën kështu, pëshpëris,

Çohu, fillo, me vrull të ri.

Përsëri më thotë mëdyshja

Pse po ngutesh kështu ti,

Kacafytem me të paksa

M'kaplon vetëbesim i ri.

Gabimet janë të pashmangshme

Të domosdoshme janë ato,

Ç'është ky zë nga jashtë e mbenda

Që herë i përgjigjem, e herë jo.

Dhe kështu vazhdon jeta

Mes përpjekjesh e dyshimesh,

Dhe diçka s'të lë rehat

Të hedh në fushëbetejë tundimesh.

Endesh, sillesh e pështillesh

Të mbërthen një jo e vogël çudi,

Ç'është ky koktej ndjenjash të përziera,

Timonin e mban në duar, dikush tjetër apo ti?

Dhe i vë gishtin kokës,

Dhe e vë dorën në zemër.

Dëgjo njërën, dëgjo tjetrën,

Dëgjo shpirtin, dëgjo qenien!

Dyer hapur lë për mëdyshjen,

Për vetëbesimin gjithashtu,

Se ku do dalë nuk e di,

Tash unë jam ky, e tash unë jam këtu...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora