E merkure, 16.06.2021, 03:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Irini Nanushi: Nëpër Ballkan, nëpër Greqi

E diele, 06.06.2021, 06:39 PM


Cikli me poezi nga Irini Nanushi

Nëpër Ballkan, nëpër Greqi

Sa herë dielli del mbi Malin e Thatë

më sëmbon zemra, më kap një ngashëratë,

mendimi më shtegton si shtërg i ngratë

nëpër Ballkan, nëpër Greqi

te vajza dhe dy djemtë e mi.

Së pari sytë e tyre Ai i ka puthur,

pastaj mbi Mal të Thatë është dukur,

si vajza e dy djemtë e mi të bukur...

Sa herë kapërcen liqenin hëna,

më djeg një mall, që mund ta ndiejë veç nëna

pa dal e qaj në kopshtet gjetherëna.

Kështu nis e shtegtoj, siç bën shtërg i pastrukur,

nëpër Ballkan, nëpër Greqi jam dukur

te vajza dhe dy djemtë e mi të bukur.

Një numër telefoni

Një numër telefoni

Po rri mbi bllok tek unë

S’e marr s’e nuk e dua?

A se e dua shumë?

Ky numër telefoni

Që kurrë s’u zemërua!

S’e mora se nuk desha,

Ta dinte sa e dua!

Dashuria dhe vera

Në mushtin e ëmbël, të kuq si rubin

Dua të tretem.

Dhe bashkë me të në venat ku rrjedh

Në zemër të mbetem.

Ti gotës së verës, ku brenda jam futur

Fundin nxirrja të tërë,

Që të më thuash: O Zot, sa e bukur!

O Zot, sa e mirë je bërë!

Dashuria a vera na dehu aq shumë?!

Cila vallë na zuri pa pirë?

Ti rrugës më thoje: O Zot sa e bukur!

Unë vetëm thoja: O Zot sa i mirë!

Pranverë

U kthye mallzhuritur

Dallëndyshja nga shtegtimi

Dhe pjergull e krasitur

Lëshon lot mallëngjimi.

Dhe dielli ngroh me frymë

Çdo foshnjëz e çdo bimëz,

Dhe shkrin çdo ngricë e brymë

Dhe puth çdo bisk të stinës.

Më herët i del gjumi,

Më lart fillon e ngjitet

Me afsh përqafon dheun,

Me mallin që i rritet

Mahnitka bukuria,

Atë, që prush lëshon,

Dy hije mbi liqen,

I puth, i përqafon.

Zemra

Nuk e di. Nuk e kuptoj

Pse rri mbyllur zemra ime

Ish dikush që të dënoi?

Kujt i shkele mbi premtime?

Kush ta mohoi dritësinë?

Të dënoi përjetësisht?

Të mos shohësh dashurinë!

Ta ndiesh vetëm shpirtërisht!

Trup e mendje, sy e veshë

Janë e bukura harmoni

Po veç ti je mbretëreshë

Dashurinë e ndien veç ti.

Lasgush Poradeci

E mrekulluar para teje

Nga dorë e ngrirë buzën s’e ngrita

Ndjeva pulsin nëpër deje

Kur vargun tënd e pëshpërita.

Dhe nuk e di nga se u zgjove?

Mos kodi lasgushian të ktheu?!

Mos thashë vargje që s’i shkrove

Dhe që s’i kishte tretur dheu?

Nuk di se me ç’magji të ngjalla

Si një çudi prej pikash loti,

Ndoshta, që para Teje u fala

Si para Krishtit që ngjall Zoti...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora