Mendime
Skender Jashari: Pse NATO, e bombardoi Jugosllavinë?
E premte, 14.05.2021, 01:37 PM
Pse NATO, e bombardoi Jugosllavinë?
Nga Skender Jashari
Gjatë këtyre viteve, pas intervenimit
humnaitar të NATO-s, kundër Jugosllavisë, kemi pa dhe dëgju shpesh, qëndrime e
deklarime nga më të ndryshmet, në jo pak raste edhe me qëllime jo të mira, duke
dhënë kahje tjera nga ajo që realisht kishte.
Pas Luftës së II Botërore, ka pasur
rreth 1200 konflike, e që NATO, ndërhy në rastin e Kosovës, Bosnjës, por jo
edhe në rastet e Burmas, Kamboxhias, Çeçenisë, Kongos, luftës Iran-Irak,
Liberisë, Libanit, Somalisë etj. Kjo organizatë (NATO) e formuar në Traktatin e
Atlantikut Verior, më 4 prill 1949, është sistem i mbrojtjes kolektive, ndaj
një sulmi të armatosur kundër një a më shumë anëtarëve të këtij traktati
konsiderohet si sulm kundër të gjithve dhe për pasojë të gjithë duhet të
veprojnë bashkarisht dhe individualisht edhe me përdorimin e forcës së
armatosur për ta rikthy dhe mbrojt sigurinë në hapësirat e Atlantikut Verior.
Kundër NATO-s, ishte Pakti i Varshavës, e që NATO gjatë Luftës së Ftohtë, nuk
ndërmori asnjë operacion ushtarak, edhe pse në këtë periudhë Pakti i Varshavës,
kishte kryer disa invazione kundër disa vendeve joanëtare të NATO-s, si ndaj
Polonisë më 1956, pastaj më 1968 kundër Çeko-sllovakisë. Derisa pas Luftës së
II Botërore deri në përfundim të Luftës së Ftohtë, në mbi 75% e vdekjeve kanë
ndodhur në konflike. Derisa SHBA, kishte ndërhy në më shumë se 240 herë e që
mund të kalonte në total 300 raste, duke përfshirë nga veprimet demonstrative e
deri të luftërat e mëdha, derisa SHBA pas Luftës së Ftohtë në 36 raste ka
dërguar misione paqëruajtëse, e që prej Luftës së II Botërore deri në Luftën e
Ftohtë kishte dërguar 10 herë misione.
Mirëpo vetëm pas Luftës së Ftohtë, u pa
nevoja që NATO, të ndërhyjë edhe në rastet kur dështon diplomacia, me qëllim të
menaxhimit të krizës. Pas presionit të publikut, OKB kërkoi nga NATO, që të
intervenonte, në Luftën e Bosnjës, pas dyshimeve për kryerje të krimeve të
luftës kundër civilëve. Për herë të parë, në konfliktin e Bosnjës, NATO bëri
përpjekjet e para për dhënijen fund të trazirave, e që filloi me:
·
Operacionin “Martime Monitor” më 16 korrik 1992 deri më 22
nëntor 1992, që ishte bllokad në ujërat ndërkombëtare për Serbinë, e
sanksionuar me rezolutat 713 dhe 757 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
·
Pasuar me Operacionin “Sky Monitor”, prej 16 tetor 1992
deri më 13 prill 1993, i sanksionuar me rezolutën 781 të Këshillit të Sigurimit
të OKB-së, që ndalonte zonën e fluturimit në hapësirën ajrore të Bosnjës, por
që avionët serb në rreth 500 raste e shkelën ndalesën.
·
Operacionin “Maritime Guard”, prej 22 nëntor 1992 deri më
1993, i sanksionuar me rezolutën 787 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që
ndalonte lundrimin në ujërat e Adriatikut për anijet Jugosllave.
·
Operacioni “Deny Flight”, prej 13 prill 1993 deri më 20
dhjetor 1995, ndalonte fluturimin në
hapësirën ajrore të Bosnjës, e sanksionuar me rezolutat 816 dhe 836 të
Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në incidentin e Banja Llukës, më 28 shkurt
1994, avioni amerikan në kuadër të NATO-s, duke përmbushur Operacionin “Deny
Flight” rrëzoi 4 avion prej 6 sa kishin bombarduar një fabrikë boshnjake, për shkelje
të zonës së ndalimit të fluturimit. Derisa burimet serbe theksojnë që janë
rrëzuar 5 nga 6 avionët e tyre në këtë incident, Ky incident ishte i pari rast
në historinë e NATO-s, që përfshihej në luftime.
·
Operacioni “Sharp Guard”, që prej 15 qershor 1993 deri më
2 tetor 1996, që kishte të bënte me bllokadën navale ndaj Jugosllavisë, e që
ishte sanksionuar në një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
si rezolutat 713, 757, 787, 820, 943.
·
Kulminoi me kampanjën e parë ajrore i filluar më 30 gusht
dhe përfunduar më 20 shtator 1995, në Opracionin “Deliberate Force”, pasi
ushtria e të vetëquajturës “republika srpska” kishte kërcënuar dhe sulmuar
zonat e sigurta të caktuara nga OKB, në Srebrenicë dhe Markala, pastaj në
granatimin e tregut të Sarajevës, më 28 gusht 1995.
Pas përfundimit të konfliktit në
Bosnje, me Marrëveshjen e Dejtonit, NATO kreu edhe tre operacione në këtë vend,
e që janë IFOR( Operation Joint Endeavour) dhe SFOR( Operation Joint Guard dhe
Operation Joint Forge).
Prandaj me rastin e konfliktit të
Bosnjës, shohim evoluimin e NATO-s, nga një organizatë krejtësisht defanzive
ushtarake, që nuk kishte vepruar në asnjë rast më parë, në një organizatë që do
merrte rolë më aktiv.
Në të njejtën kohë Perëndimi nuk ishte
i përgatitur që ta emërtonte si luftë dhe që t’i përgjigjej Serbisë, madje tërë
kohën duke u përpjekur ta shmangnin veprimin ushtarak kundër Jugosllavisë, duke
përdorur diplomacinë dhe duke menduar që përmes saj do arrinin të shmangnin
veprimet ushtarake, madje edhe përmes demonstrimit të veprimeve ushtarake vetëm
nëse dështonte diplomacia. Askush nuk do hynte në luftë, askush nuk do
sakrifikonte jetën e vetë, për ta mbrojtur dhe çliruar vendin e tjetrit.
Intervenimi humanitar i NATO-s, në rastin e krizës humanitare në Kosovë, ishte
rasti më i pastër në histori. Derisa zërat që ndryshe theksojnë, që kishte edhe
qëllime të tjera, qartë janë pjesë të propagandës serbe karshi këtij
intervenimi humanitar. Në rastin kur Serbia përgatitej për ekzekutimin e planit
për spastrim etnik në Kosovë, NATO e kuptoi situatën që ishte tejet serioze dhe
me qëllim të parandalimit të saj, edhe pse nga shumë burime theksohet që ajo
veproi me vonesë, do duhej të ndërhynte edhe më përpara.
Kosova paraqiste një nga imperativët
moral më të qartë, që impononte veprimin ushtarak, që nga Lufta e II Botërore.
Afër 2 milion njerëz në Kosovë, kërcënoheshin nga spastrimi etnik dhe s’kishte
asnjë dyshim për atë që ndodhte dhe për pasojat që në të ardhmen mund të
ndodhnin. Perëndimi kishte përvojën e holokaustit në Luftën e II Botërore dhe
poashtu edhe pasojat e spastrimit etnik në Bosnje. Të njejtat operacione Serbia
i përgatiste edhe në gusht të 1998 dhe me shkeljen e kushteve të marrëveshjes
së tetorit 1998, qartë provohej që Serbia shumë shpejt do të shkonte në luftë
me popullin e Kosovës. Gjegjësisht ishte e pritshme lufta e Serbisë ndaj
popullatës civile tërësisht të papërgatitur për t’iu kundëvënë forcës
ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë. Pushtimi Osman, në
bashkësundim me Patrikanën e Stambollit, e kishte bërë të veten, duke
tjetërsuar edhe kulturën Shqipëtare të mbrojtjes së vendit. E kjo do
nënkuptonte një krizë të rëndë humanitare dhe një spastrim etnik të ri në
Europë, edhe në rastin e Kosovës.
Vetë NATO, deklaroi më 23 prill 1999,
objektivat e saj ndaj intervenimit ushtarak humanitar në rastin e Kosovës:
·
Verifikimin e ndalimit të të gjitha veprimeve ushtarake
dhe dhënijes fund menjëherë të dhunës dhe represionit;
·
Tërheqjen nga Kosova të
forcave ushtarake, policore dhe paramilitare;
·
Stacionimin në Kosovë të prezencës ushtarake
ndërkombëtare;
·
Kthimin e pakusht dhe të sigurtë të refugjatëve dhe
personave të zhvendosur dhe mospengimin
në qasjen e tyre në organizatat e ndihmës humanitare, si dhe
·
Themelimi i një marrëveshje kornizë politike për Kosovën,
mbi bazën e Pajtimit të Rambujes në pajtim me ligjin ndërkombëtar si dhe me
Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Madje edhe intensifikimi i bombardimeve
kundër Jugosllavisë, u bë me rastin kur Serbia filloi spastrimin masiv etnik,
gjë që tregonte që praktikisht
intervenimi i NATO-s, kishte qëllimin primarë ndalimin e spastrimit
etnik.
Prandaj ishte dhe mbeti tërësisht
intervenim ushtarak humanitar, më i pastër dhe më i pakontestuar deri më tash.
Më:30.04.2021
Skender Jashari i burgosur
politik nga EULEX, për rastet e sulmeve kundër policisë
dhe xhandarmërisë së Serbisë në Dobrosin komuna e Bujanocit. Ky
shkrim është pjesë e marrur nga punimi i bërë
gjatë qëndrimit në burgimin politik!
Master drejtimi juridiko-penal dhe
studime joformale ushtarake.