Kulturë
Frrok Vukaj: Homazh për Gjelosh Ukcamën, në 1-vjetorin e vdekjes
E marte, 04.05.2021, 09:06 PM
Homazh për Gjelosh Ukcamën, në 1-vjetorin e vdekjes
Dhimbje e paharruar...
Nga Frrok Vukaj - Kryetar i Shoqatës Akademia e Shkencave të Edukimit, Tiranë
Për Gjeloshin e Prel’ Qerimit
Na
qajnë zemrat prej pikëllimit
Për
këtë burrë e atdhetar
Lotët
n` faqe s`na janë tharë
Në
New York n`at Metropol
Ky
fisnik e ka një vorr
Janë këto vargjet më të fundit në 1- vjetorin e
vdekjes së Gjelosh Ukcamajt.
Siç
thuhet me realizëm e me ndjenjë “lotët në
faqe s` na janë tharë” kuptojmë se dhimbja vazhdon të jetë e madhe në rrethin
familjar, në farefis e shoqëri. Humbja e tij e parakohshme në maj të vitit 2020
pikëlloi shumë zemra në vendlindjen e tij në Mertur, por edhe në Tropojë,
Dukagjin, në shumë qytete të Shqipërisë e në Diasporë, për të cilin, po të
ishte në vendlindje, do të bëhej një gjëmë e padëgjuar në 9 bajrakë, si dikur
për xhaxhain e tij të famshmin Kolë Qerimin.
Ai ishte
shumë punëtor, familjar i përkushtuar, i dashur me gjithkënd dhe gjithnjë i
buzëqeshur. Largimi i tij qe një tronditje e madhe; iku nga kjo botë dhe do të
kujtohet me dashuri nga familja, farefisi, miqtë dhe gjithkush tjetër që e
njohu.
Ish
Komandanti i Gardës së Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Halit Gjeçaj, me të
cilin Gjeloshi punoi disa vite, do të shkruante:
“ Të njoha vonë i dashuri shok, mik e vëlla Gelosh Ukcama. Por në vitet që
kaluam bashkë të njoha shpirtin e zemrën tënde të pastër, madhështinë tënde si
shok me vlera, dinjitetin e hijeshinë tënde. Pushofsh në Parajsë. Unë do të kujtoj gjithmonë me atë buzëqeshjen tënde
të bukur e të ëmbël”.
Miku i
tij më i afërt i viteve të rinisë
Av.Prel Martini, ish Kryetar i Gjykatës së Apelit të Shqipërisë, do të thurte
vargjet..
“O shok i ngushtë, o vëllai im,
Trupi prehet në kontinentin, që s’linde,
kujtimi yt në mua mbet përjetë
kur shpirti fluturoi mes engjëjve të qiellit”
Kushëriri i tij, Mjeshtri i Madh
Ndue Ukcama shkruan:
“Të gjithë ndjejmë një trishtim të madh në shpirt për Gjelosh Prelën, këtë
burrë ndër me fisnikët dhe të jashtëzakonshëm që ka nxjerrë fisi i Ukcamajve.
Unë, që kalova një pjesë të jetës afër Tij, nuk gjej fjalë sot për të shprehur
dhimbjen e madhe. Dritë i pastë shpirti e kurrë mos u harroftë emri e
personaliteti i tij. Le të qëndrojmë, se në traditën tonë, burrat si ai nderohen e nuk vajtohen”.
Mjeku i njohur Prend Gjoka, me origjinë prej të njëjtit fshat shprehet: ”
Ishte një ndër miqtë më besnikë që kam pasur, shumë fisnik dhe burrë i vërtetë,
me cilësi brilante e trashëgues i vlerave të derës së njohur prej nga vinte.
Lajmi ishte tronditës dhe i pabesueshëm; e ndjejmë shumë mungesën e tij. Do të
kalojnë shumë vite e shumë e shumë dekada e ai
do të kujtohet me respekt të madh”.
Poeti i njohur Fran Ukcama, për humbjen e kushëririt dhe mikut të tij të
ngushtë, e shpreh dhimbjen e pazakontë në një elegji emocionuese e tronditëse.
Lush Pepa, edhe pse disa vite më i vogël, ka kaluar shumë orë e ditë në
vite, në shoqërinë e Gjeloshit, për të cilin veçon shumë cilësi e vlera. Edhe
unë e kam ndjerë thellë ketë humbje, por tronditem, kur me lot në sy, pothuajse
pas një viti thotë “ Profesor, shkruaj
diçka, e meriton. Burra të tillë lindin radhë:
i edukuar, i ditur, i pashëm, familjar i përkushtuar, i traditës e
bashkëkohor, atdhetar, komunikues...Vdekja e tij më goditi aq shumë sa mendova
se nuk ka rëndësi ma se kë merr ky virus”...
I vëllai Lush Prela, do të shprehej shkurtimisht pranë arkivolit :
“Lamtumirë vëlla. Nderove veten, babë e mixhë, familjen tande e trollin ku
linde. Shko i lirë e mirupafshim n ‘at botë”!
Nga të pranishmit vinë shumë përgjigje domethënëse “Ka nderue gjithë Tropojën, asht kanë nderë
e vlerë kudo ka punue, në Shqipni e Amerikë”...
Do të donin t`i bënin nderimin e respektin e merituar me qindra e ndoshta
me mijëra, por, ndonëse në ato ditë të rënda të Pandemisë Covid-19, komuniteti
shqiptaro-amerikan e të tjerë i bënë një përcjellje dinjitare si për një burrë
shteti, se figura e tij ka rrezatuar shumë vlera e dobi.
Në formimin e personalitetit të tij kanë ndikuar shumë edhe traditat pozitive të Malësisë së
Gjakovës, familja e tij e shquar për atdhetarizëm, për qëndresë e dinjitet ndaj
çdo pushtuesi a sundimtari satrap, për mikpritje, për ruajtjen e lirisë, jo
vetëm të trojeve, por edhe të fisit e krahinës.
Stërgjyshi Qerim Ndou, gjyshi e xhaxhai Prelë e Kolë Qerimi, mes
legjendës e realitetit ngjanin me Vilhelm Telin e Robin Hudin; kaçakë disa vite, luftuan hapur padrejtësitë,
pa u dorëzuar përballë forcave të shumta gjakatare që kërkonin kokën e tyre.
Është i njohur në të gjithë Tropojën e më gjerë i vëllai Lushi, i cili
punoi me këmbëngulje e dinjitet si drejtues pushteti lokal për shumë vite, por
edhe në frontet më problematike në disa
ndërmarrje; aty ku dështonin kuadrot njëri pas tjetrit, dërgohej nga Partia
-Shtet për të shëruar gjendjen, mbase për ta bërë edhe kurban. Janë të njohura
përballjet e ashpra me eprorë burokratë e të paaftë duke mbrojtur veten e
kolektivin e dalë faqebardhë.
Me gjithë disa arritje falë zotësisë së tij, por edhe dështimeve, e
kuptonte se mekanizmi nuk po funksiononte, ndaj zhgënjehej e vuante. Gjeloshi,
e dinte se sistemi ishte i dështuar, ndaj të vëllain e qetësonte e këshillonte
me dashuri.
Qysh në hapat e parë, kur erdhi momenti i duhur, patën kurajën të përkrahin
Lëvizjen Demokratike të viteve 90; Bardhyli ishte në frontin e parë.
Momentet kryesore të jetës
Gjelosh Prela u lind ne fshatin Btoshë të Nikaj - Merturit në korrik të vitit
1954. Studimet e para i nisi në Nikaj-Mertur, të cilin edhe unë e kam pas nxënës në dy vitet e fundit të
8-vjecares.
Në vitin
1968 vazhdon studimet në Gjimnazin e qytetit të Bajram Currit, të cilat i
mbaroi shkëlqyeshëm, duke u vlerësuar si
një nga gjimnazistet më të mirë.
Në vitin
1972 filloi studimet e larta në Shkollën
e Ministrisë së Brendshme. Aty ai shkëlqeu me rezultate të larta në fushën
akademike dhe atë të përgatitjes ushtarake; qe një ndër studentët më të
talentuar të asaj Akademie në dekada.
Për këtë
arsye, sapo mbaroi studimet e larta, u caktua
oficer pranë Gardës së Republikës dhe gjatë viteve u promovua në
funksione të ndryshme të rëndësishme për kohën, që nga Drejtoria e Ruajtjes së
Personaliteteve më të larta shtetërore e deri tek ajo e kuadrit.
Në fundin e
viteve 80-të, për shkak të temperamentit dhe papajtueshmërisë me padrejtësitë
dhe burokracinë e kohës, Gjeloshin e largojnë nga Garda e Republikës (ku ishte
kryetar dege) dhe dërgohet si drejtues i një poste kufitare në Kukës, në zonën
e Shishtavecit, ku shërbeu disa vite. Ky ishte një paralajmërim serioz jo vetëm
për karrierën e tij si ushtarak, por edhe për mundësinë e një ndëshkimi shumë
serioz nga regjimi i kohës; ndëshkim që u rezervohej ushtarakëve, që nuk
gëzonin besimin e sistemit.
U rikthye në
Tirane, kur diktatura po binte.
Me 10
Dhjetor të vitit 1990, në një takim në zyrën e Komandantit të Gardës, Dane
Binaj, do të kundërshtonte thirrjet e disa oficerëve për ndërhyrjen e Gardës së
Republikës për të shtypur protestën studentore.
Ky qëndrim i
prerë, ishte një mbështetje e madhe ndaj lëvizjes studentore dhe zhvillimeve
demokratike në Shqipëri.
Kur një grup
oficerësh ekstremistë të Gardës kërkonin të ndërhynin me tanke në Qytetin e
Studentëve, do të ishte pikërisht Gjelosh Ukcama, i cili ashpërsisht do të
kundërshtonte çdo përzierje të Gardës së Republikës apo ndërmarrje e veprime të
jashtëligjshme. Ai argumentoi:
Së pari,
Qyteti i Studentëve nuk është në juridiksionin e Gardës.
Së dyti,
atje janë djemtë, vajzat, nipat e mbesat, vëllezërit dhe kushërinjtë tanë, nuk
ka armiq atje. Nëse do të tentohet, unë
së bashku edhe me oficerë të
tjerë do ta pamundësojmë këtë veprim.
U akuzua se
përkrahte nipin e tij (B.Ukcamaj), i cili, sipas tyre, ishte ne mesin e
drejtueseve, njëri nga armiqtë e rrezikshëm të sistemit.
Më vonë
Bardhyl Ukcamaj, disa vite qe në krye të Forumit Rinor Shqiptar e mori titullin
“Pishtar i Demokracisë”, ndër personalitetet e shquara të Nikaj- Merturit (sot
punon në New York në një kompani e pozicion të vlerësuar). ( Shih F.Vukaj
“Krenari për vendlindjen”, Triptik për Nikaj-Merturin, Tiranë 2006).
Takimi në
fjalë mbaroi pa ndonjë vendim, duke u anashkaluar mundësia e ndërhyrje së
Gardës apo gjakderdhjes. Ky akt është i njohur dhe i vlerësuar shumë në atë kohë.
Ngjarjet
politike rrjedhin shpejt dhe Gjelosh Ukcama në vitin 1991 do të niste punë në
Drejtorinë e Kuadrit të Ministrisë së Brendshme.
Duke parë
aftësitë profesionale e seriozitetin në punë, pas ardhjes në pushtet të Partisë
Demokratike, me urdhër të Bashkim Koplikut, me të cilin ruajti gjithnjë
marrëdhënie pune të shkëlqyera, do të emërohej nën/Drejtor i Kuadrit të
Ministrisë së Brendshme.
Ai do të
kryente një sërë reformash pozitive të rëndësishme për kohën dhe ndryshimet
demokratike.
Në vitin
1993, emërohet Drejtor i Drejtorisë së
Ruajtjes së Objekteve të Rëndësisë së Veçantë (D.R.O.V) pranë Gardës së
Republikës dhe gradohet Nënkolonel.
Ai ishte dhe
mbeti njëri nga kuadrot më të njohur dhe korrekt të strukturave drejtuese të
Gardës së Republikës së Shqipërisë.
Gjelosh
Ukcama largohet nga Shqipëria në vitin 1996 pasi fiton lotarinë amerikane dhe
vendoset në New York së bashku me gruan Prendën, me fëmijët Elonën, Blerinën e djalin Kristi, një
familje model për të cilin investoi shumë edhe kryefamiljari që nuk jeton më.
E shoqja,
një zonjë e nderuar, është e bija e të ndjerit Mark Ndoja nga Dukagjini, një
punëtori të palodhur, i ndershëm e i
drejtë, i cili përfaqësoi vlerat më pozitive të malësorëve . Për disa vite qe
ndër drejtuesit kryesorë të Shkodrës e deri Kryetar i Komitetit Ekzekutiv në
Lushnje me arritje të mëdha e shumë respekt nga populli, por kjo ra ndesh me
eprorët e tij egoistë, të paaftë e të paditur.
Në SHBA,
Gjeloshi ishte një përkrahës i zjarrtë i Kosovës dhe do të merrte pjesë në
takime e veprimtari të shumta, të bënte
gjithçka të mundshme për Pavarësinë e lirinë e saj; pa u kursyer, gjithnjë pranë patriotëve
shqiptarë në mërgim.
Ai e nisi
karrierën e tij në një moshe krejt djaloshare. Gjatë gjithë veprimtarisë së
tij, në poste të rëndësishme në Tiranë e
jashtë saj, para dhe pas rënies së sistemit, Gjelosh Ukcama nuk krijoi asnjë
armiqësi, nuk shkeli mbi dinjitetin e askujt dhe nuk la pas asnjë mbresë të
keqe.
Përkundrazi,
janë të njohura me dhjetëra raste e më shumë, që ka rrezikuar seriozisht
karrierën e ndoshta edhe lirinë, në mbrojtje e respektim të personalitetit, të
drejtave e lirisë së individit.
Në New York
Gjelosh Ukcamaj ndërroi jetë në 27 Maj të vitit 2020 (si shkak i Pandemisë
-Covid19) dhe u varros po në New York për t`u kujtuar e mos harruar ndër breza .
Saint Genis Pouilly, Francë, 16 Prill 2021.