Kulturë
Kristo Çipa: Duke kërkuar kurorën e Jugut
E hene, 03.05.2021, 06:56 PM
Duke kërkuar kurorën e Jugut
(Rreth
vellimit poetik “Aromë jugu” të Fatmir Terziut)
Nga
Kristo Çipa, “Mjeshtër i Madh”
Nuk
është as Lord Bajroni as Eduard Liri (dy anglezë të shekullit XIX) që
përshkruajnë mbi supet e vargjeve dhe penelatave befasitë e Jugut të
Shqipërisë, por është poeti Fatmir Terziu që përthith peisazhe e gatuan vargje
që “do luten të vdesin në shekuj”. Ndërsa dy të parët vinin nga Londra dhe
deheshin me bukuritë e Jugut shqiptar, ky i treti që “zgjuhet në gjuhën e tij”
ikën si lumë i marrë drejt Grenuiçit, atje ku fatet tona shpesh janë murosur si
Argjirua dhe Rozafa.
Ky
Fatmir Terziu si “ kockë e pathyer” duket se nuk ha bukë e pi ujë, por konsumon
legjeda, mite, peisazhe, histori, monumente, balada, dhe prodhon jo gjak e
djerse por vargje dhe dashuri të cilat janë brenda fatit të tij, që siç thotë
edhe vetë ”u ngjiz në dashurinë e një ylli”. Në një sofër të begatë
krijimtarie, Fatmir Terziu na befason dhe na trazon çdo herë e me shpesh me
gjetjet dhe përzgjedhjet poetike, eset, tregimet, novelat, analizat dhe
inkurajimet nëpërmjet portalit “Fjala e lire” që duket se brenda ka një ilaç
magjik, ku çdo krijues sipas recetes vetkuruese e përdor për të shëruar
shpirtin krijimtar.
Fatmir
Terziu, ky psalt i ri i dashurisë, si Noli ynë i përmallshëm shkon në “kishën e
mendimit” dhe jep bekim vargjesh. Duke udhëtuar nëpër strofat e vëllimit poetic
”Aromë jugu” na ngjan se gjejmë gjurmët e udhëtimit tonë dhe se Fatmir Terziu
na i risjell si “ bukë e ndorme” dhe na i shpërndan si imzot Noli për naforë
kungimi. Impresioni Terzian të “ robëron “ për t’a lexuar, shijuar e medituar
deri në vargun e fundit dhe pasi e mbaron, kërkon të bësh “rikonicion” poetik
që nga maja e Llogarasë e deri në dhëmbjen e pamjekuar të gjrit të Çamërisë, ku
shpesh e më shpesh “po fryn një erë e sëmurë”.
Nëse
titujt e shumë poezive të ngjajnë me emra stacionesh udhëtarësh, brenda
sheshpushimeve të tyre fshihen histori, dhembje, balada dhe amanete që Fatmir
Terziu kërkon me prekjen e duarve poetike t’i ringjallë nga haresa apo t’u
sistemojë deformimin e qëllimshëm që u është bërë në toponomastikën dhe
kujtesën historike.
Aty
“ kur gjuhët u ushqyen në Iliri” rikrijon në fantazinë e tij epokën e gjuhëve
dhe kërkon në Londër, në anglishten frelëshuar të bëjë testin e ADN- së së saj
dhe t’i thotë globalizmit se: ne kemi folur kur bota ishte memece. Dhe e bën
atë pa pirë “ dollinë me raki rigoni” sepse mund të zgjonte nga gjumi i
verbimit Dean e Burintit dhe do shkonte tek Lordi i gjumshëm Bajron e t’i thotë
se Dea e ka dashur Bajronin më shumë se lordesha e e tij e sertë, por dashuria
e saj u ftoh në agimet e lindjes kur ishulli përballë së bashku me përdoruesit
e herëpas-hershëm i kthyen krahet, duke e lënë atë të tirte perëndimin e
diellit. Fatmiri shkoi atje dhe duke peshkuar me shpirtin e tij, gjen një reze
drite që i risjell Deas sytë e kujtesës
Ndërsa
në Jugun e atdheut gjen brigje të sertë, gurë të sertë, njerëz të sertë, në
Himarë Fatmiri edhe qiellin e gjen të sertë dhe retë të dënuara padrejtësisht
të rinë të varura përjetësisht në këtë qiell.
Gjithë
këto figura poetike të Fatmir Terziut, po të dilnin në portin e Sarandës, Agim
Mato, Timo Mërkuri, Kostandin Vogli, Bardhyl Maliqi dhe Andra Zarballa dhe t’ja
shkarkonin, do të kishin “lëndë të parë” për shkrimet e tyre për të dy botët
dhe kur t’ju veja unë nga Piluri, do t’ju çoja raki Vanove pa rigon për t’i
kujtuar se “ kemi qënë këtu që pa ardhur deti”.
Duke
shprehur këto mendime në këta pak rreshta dua të uroj Fatmir Terziun për një
krijimtari të mrekullueshme dhe shëndet të fortë artistik për veten e tij dhe
portalin ”Fjala e lire”.
Me
vëllimin tjetër le të ngjitet në Pilur, në këtë lartësi poetike që duket si
çati e botës dhe ne do mundohemi t’i krijojmë një takim me Zotin, në një
mbrëmje poetike.
Pilur, më 28.04.2021