Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Pse ike Fatmir Bajraktari, ti Frenk Sinatra i Pejës
E diele, 02.05.2021, 09:15 PM
Sejdi BERISHA:
Mall, ose në vend të përkujtimit për këngëtarin
e shquar pejanë, Fatmir Bajraktarin
PSE
IKE FATMIR BAJRAKTARI, TI FRENK SINATRA I PEJËS
Nganjëherë
mendoj por edhe hidhërohem, se jeta m’i ngjanë deteve të trazuara, dhe kur
është kështu, ajo shndërrohet në dhembje të pashuar, që njeriun e bënë të vuaj
edhe kur është i lumtur, të qaj edhe kur këndon, dhe pastaj, para vetes të
dalin shumë gjëra që rëndojnë e rëndojnë aq shumë, sa që edhe nuk di t’i
shprehesh të gjitha ato kujtime që ikin shpejt si lumë i rrëmbyeshëm. E pastaj,
prapa lë vetëm dhembje dhe, shikimin e pritjes dhe të kthimit e rëndon me të
gjitha ato ecje nëpër jetë, që me të vërtetë janë jehonë që as në gjumë nuk të
lënë të qetë; diçka kërkon ta prekesh, ta përqafosh, por kurrë nuk të
plotësohet një dëshirë e tillë.
__________________
O miku im, pse më
detyrove që në këtë formë kaq të rëndë e të tmerrshme nga malli, të bisedoj me
ty për shumëçka...!
Për
këtë arsye edhe është vështirë të shkruash për mikun, për shokun, për njeriun,
me të cilin kemi rrugëtuar bashkë për një ideal, për ta lumturuar kombin e
atdheun duke e quar përpara kulturën edhe vlerat e saj. E, në këtë rrugë madhështore
por të rëndë e të dhembshme e “kalëruam” jetën, ose, ajo nga ngarkoi mendjen
dhe shpirtin, që në asnjë moment të mos jemi të qetë. Pra, Fatmir Bajraktari,
as sot dhe as kurrë nuk e pranoj se ke ikur nga kjo botë, sepse, tash, në këtë
kohë nuk e meritoje! Dëshiroja që edhe pak të japim diçka për kulturën e për
muzikën, që Ti aq shumë e kishe për shpirt, mbase edhe pjesë të jetës dhe
frymëmarrjes. Bile, më ka “ngelur” hatri, sepse disi ike tinëzisht për të na
lënë përgjithmonë të etur për atë fjalën tënde të ëmbël, për atë zërin
karakteristik dhe atë shkrumbin që e kishe për t’i dhënë nam muzikës, jo vetëm
në Pejë.
Fatmir,
sot më ke detyruar që edhe në këtë formë kaq të rëndë e të tmerrshme nga malli,
të bisedoj me ty për shumëçka, që vërtetë na ngelën të parealizuara, na ngelen
si flutura që shkojnë nga lulja në lule për ta madhështuar natyrën, por që, sot
vetëm letra mund t’i durojë si kujtim, e ndoshta edhe si qortim për shoqërinë.
Dhe,
do t’i hy radhazi disa nga kujtimet që më përcëllojnë, dhe se kur i fus në
rrethin e vargut tim poetik, djersitëm, ndërsa shpirtin e maltretoj duke i
thënë, se Fatmiri, kurrë nuk është e vërtetë se ka ikur! Që në rini, e
“ngatërrove” shpirtin me këngën për ta bërë të lumtur njeriun, për t’i forcuar
themelet vlerave muzikore dhe kulturore, të cilat i kemi ruajtur dhe i kemi
quar përpara si thesarin më të çmuar të njeriut dhe të shpirtit e mendjes së
tij. Dhe, në këtë drejtim, Fatmir, do t’i përmend vetëm disa gjëra më
karakteristike, të cilat i kishim ëndërr për t’i realizuar dhe për t’ia dhuruar
qytetit tonë të bukur, Pejës.
Zëri
yt, që në rini nuk të la rehat derisa e ndërtove madhështinë e të kënduarit të
veçantë, me të cilin ua pushtove zemrat dhe shpirtin qytetarëve, i madhështove
muret e shtëpive dhe lagjet e qendrën e qytetin me tingujt aq madhështor dhe
engjëllor e të rrallë prej këngëtarit. Kjo ishte diçka e madhe, që duhej ta
çmonte qyteti e ta mbështeste shoqëria, që zëri e kënga jote të depërtonte edhe
jashtë Pejës, edhe jashtë Kosovës, edhe jashtë trojeve shqiptare, sepse, këtë e
meritoje, por shoqëria jonë është ashtu siç është...! Por, Fatmir, nuk e kam
besuar se do vjen koha që të drejtohem në këtë mënyrë; se kënga jote i jepte
kuptim dhe shpirt koncerteve të shumta muzikore, siç ishin “Netët e Dukagjinit”,
“Zambaku i Prizrenit” dhe shumë të tjerë. Koncertet e shumta, por edhe skena pa
ty ishte e mangët, sepse, zemra dhe shpirti yt ishte i përkushtuar për t’i
dhënë kultin dhe piedestalin profesional muzikës dhe këngës, për çfarë, puna
jote u dekorua me shumë mirënjohje dhe shpërblime të tjera.
Por,
Fatmir, e di se këto nuk të bënin shumë përshtypje, ngase, ishim thjeshtë shumë
të etur për vlerat e kulturës, bile, edhe atëherë kur ishte shumë vështirë edhe
brenda vetvetes të mendosh e të veprosh për diçka të mirë...!
Më
kujtohet e që në të njëjtën kohë më dhemb, kur u angazhuam me mish e shpirt për
themelimin e Kori të Vajzave, për çfarë kishte ngulur këmbë edhe mikja dhe
punëtorja e devotshme e muzikës, Syzana Jakupi. Dhe, ia dolëm, duke ushtruar
pothuaj nëpër vende të ndryshme në mungesë të lokalit. Sa të rritej shpirti e
zemra na behej mal, kur ky kor me punën e vetë ecte mbarë, e aq më tepër kur e
dinim se ishte kori i parë i vajzave në Kosovë, atje diku në kohërat e rënda e
plot ankth të viteve 1990. Fatmir, në atë kohë ishim të pezmatuar e të
mllefosur por edhe të mërzitur, sepse, nga regjimi e kishim të ndaluar të
organizonim koncerte në lokale publike. Mirëpo, koncertet e Korit të Vajzave në
ambientet e Kishës Katolike në Pejë, ishin edhe historik, edhe madhështorë, por
edhe momente historike që për gjeneratat e ardhme provokojnë për t’i vlerësuar
ato suksese në ato rrethana.
Ike, kur edhe stina e
vjeshtës ngadalë filloi t’i sjellë motivet e mallit dhe të dhembjes!
Pse
or Fatmir, me mungesën tënde më detyrove të rrëfehem kaq habitshëm, kaq me
shpirt të lënduar për rrugëtimin tënd, i cili rrugëtim, sa herë që jemi takuar,
përherë më ke pas “lodhur” me bisedat për këngën e kulturën. Por, të kuptoja,
sepse, e dija se ti e ke shpirtin, zemrën dhe mendjen këngë e urti. Realizove
shumë këngë, të cilat ta dhanë epitetin “Frenk Sinatra” i Pejës, dhe zëri yt
kërkohej dhe pëlqehej në çdo mjedis. Andaj, nuk pate të drejtë Fatmir që kështu
të ikësh dhe nga le më zemër plotë dhembje e hidhërim...!
A
të kujtohet, kur në ato rrethanat e shtypjes dhe të robërimit të viteve të
nëntëdhjeta të shekullit kaluar, me shumë sakrifica e themeluam Lidhjen e
Veprimtarëve të Kulturës Pejane. Edhe, themeluam! Dhe, Ty të caktuam me zemër e
shpirt në krye të këtij asociacioni. Filluam mbarë dhe mirë, arritëm edhe shumë
suksese në atë kohë të “zezë”! Por, ky sukses, për habi, shumëkënd e pengoi dhe
nga smira tentuan të na rrënojnë, por nuk munden, sepse, ishim të pastër dhe me
zemër e shpirt për të mirën e kombit dhe të atdheut. Por, për këtë, tash nuk do
flas...! Sepse ne ecnim tutje mirë e pa u frikësuar nga askush.
Fatmir,
nuk pushove, u kyçe edhe në Oktetin e Burrave, edhe në Korin e qytetit, të
cilin atëherë edhe tash, edhe pse i ri me moshë, e udhëheq njeriu i madh i
vlerave muzikore, Memli Kelmendi. Edhe aty ishe oksigjen për punën e mirë dhe
profesionale. Prandaj, pse ike ore burrë dhe na le me duar të hapura nuk di se
kah, ndoshta kah qielli, për të parë Ty atje si engjëll, që edhe bota krenohet
me ty.
Ti,
Fatmir Bajraktari, ike nga kjo botë me 03 shtator 2020, ishte ditë e shtune, në
muajin kur çdo gjë ringjallet, por edhe kur stina e vjeshtës ngadalë i sjellë
motivet e mallit dhe të dhembjes, kurse fillimi rënies së gjetheve shton
mërzinë se diçka po ikën e që nuk kthehet kurrë më. Por, trupi yt u përcoll për
të pushuar në tokën e Kosovës, me këngë, ashtu siç e meritoje ti, edhe pse
ligatina e Coronavirusit na plasi zemrat edhe më shumë që nuk mund të të
përcillnim edhe më mirë, e me atë dufin e shpirtit dhe të zemrës...!
Ja,
Fatmir Bajraktari, Ti, Frank Sinatra i Pejës,
unë kësaj radhe kaq munda, kaq u shkrumbova por edhe u krenova me ty.
Pusho i qetë në tokën e Pejës, në tokën e Kosovës, ashtu i qetë dhe i
buzëqeshur siç ke qenë gjithmonë...!