Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Martin Gjokaj, viktima e parë shqiptare e pafajshme e ferrit komunist në Goli Otok
E hene, 05.04.2021, 05:44 PM
Martin Gjokaj, viktima e parë shqiptare e pafajshme e ferrit komunist në Goli Otok
Nga
Gjekë Gjonaj
Ditën
e Pashkëve u mbushen 72 vjet nga arrestimi i Martin Bacit Gjokaj, 18 vjeç  nga fshati Muzheçk-Triesh  nga ana e 
policisë sekrete jugosllave, dhe nuk u kthye më  nga burgu i tmerrshëm  në Goli Otok 
( Ishulli i Zhveshur),  që  ndodhet në brigjet e Dalmacisë veriore në mes
të  detit Adriatik, si një
kështjellë  natyrore  me një bukuri të frikshme.    Në Arkivin Shtetëror të Kroacisë gjendet
lista me emrat e të gjithë të burgosurve të internuar sipas  Byrosë Informative, të cilën e ka bërë
“UDB-ja”  federale. Në atë listë ( Dosja
nr.3975, data 2.07.1963) nënshkruar nga ndihmësshefi i Administratës së II-të ,
Jure Koshutiq gjenden emrat e 16.101 të burgosurve dhe të paraburgosurve. Sipas
listës, në të gjitha kampet e “Informbyro-së”, kanë vdekur 413 njerëz  të 
popujve dhe kombësive të ndryshme, mes të cilëve edhe  shqiptarë. 
Aty figuron edhe  emri i  të riut shqiptar-malësor , Martin  Gjokaj. 
Sipas hulumtimeve të bëra dhe   në
bazë të dokumenteve që kam pasur në dorë , ky djalë në moshën e pjekurisë, në
lulen e rinisë, u burgos më   22
prill  1949 dhe  vdiq më 
12 tetor 1949, pas  diç më pak
se  6 muaj qëndrimi në  burgun famëzi Golli Otok, apo “Ferrin
komunist” siç e kishin quajtur të burgosurit, këtë vend ( ishull). Ky i
burgosur për motive politike,  si shumë
shqiptarë të tjerë,  akuzohet  dhe ndëshkohet me burg, pa asnjë  fakt  e
dëshmi të  dokumentuar, mbi bazën e
supozimeve se mund të ishte mbështetës i fshehtë i Bashkimit Sovjetik, ose
ndonjë shteti satelit të tij. Martini 
sipas dokumenteve arkivore kroate 
ishte ndër katër të ndëshkuarit e parë që vdiq në rrethana të pasqaruara
e të panjohura deri në ditët e sotme, 
për arsye se e shpallin “ armik të popullit jugosllav”. Bazuar në këto
dokumente rezulton se ai  ishte  shqiptari i parë  që vdiq në 
Goli Otok.    Në këto dokumente
nuk  sqarohet ( thuhet)  arsyeja e vdekjes,   e as vendvarrimi i tij.   Familja e tij nuk mori kurrë asnjë lajm për
kufomën ose për vendin e varrosjes së 
Martin Gjokajt: vetëm një lajm të vonuar   që vërtetonte se   ka vdekur. Asgjë  më shumë se kaq. Ai është  viktimë 
e pafajshme e një krimi më monstruoz të shtetit jugosllav në burgun e
tmerrshëm  në Goli Otok
Martini
Gjokaj  lindi më 21 .o1.1931 në fshatin
Muzheçk, Triesh.  Ai ishte djali i
vetëm  i Baca Nikë Gjeloshit, bajraktar e
burrë i respektuar   në Triesh  e krahina të tjera shqiptare, i cili dallohej
me të gjitha virtytet pozitive të malësorit të ndershëm, fisnik, trim e
atdhetar. Edukatën e mori nga i ati, por edhe nga axha i tij Tomë Nikë
Gjeloshi, bashkëluftëtar   i udhëheqësit
të Kryengritjes së Malësisë së Madhe në Deçiq dhe mbrojtësit fisnik të  trojeve shqiptare Dedë Gjo’ Lulit, të cilin
me Dekretin nr. 547  të  presidentit të Shqipërisë Dr. Sali Berisha,
më 3.06 1993, nderohet me Urdhrin për Veprimtari Patriotike të Klasës të Dytë,
me motivacion “ Luftëtar i shquar në mbrojtjen e qytetit të Shkodrës  nga pushtuesit  serbo-malazezë në vitet 1912-1913 “. U rrit
dhe u edukua në frymën e dashurisë  për
mbrojtjen e atdheut  dhe çlirimin e tij
nga pushtuesit e kohës. Trashëgoi edhe shumë veti të mira njerëzore nga i
ati  dhe burrat e tjerë të shquar  të kësaj familje  e  
cila për veprimtarinë e saj kombëtare ishte në vrojtim të
vazhdueshëm  të pushtetit
sllavo-komunist.   Rritet me ngjarjet e
mëdha  që kalonte kombi ynë, në periudhën
e fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët pas rënies së
mbretit  Ahmet Zogut, morën   kontrollin në Jugosllavi dhe Shqipëri.  Këto ngjarje, ndryshime e pushtime nga
sundues shekullorë ,   lanë vragë të
pashlyeshme  në edukimin e tij dhe  përcaktuan edhe fatin e tij të hidhur (
tragjik)  jetësor.  Ardhja e komunistëve në pushtet ia shkëputi
rininë e hershme  dhe ia mori jetën,
duke  ua thyer zemrën  dhe shpirtin e lënduar përgjithmonë babait
Tomës dhe nënës , Lulë Perkaj nga fshati Luhar - Fundna.
Ishte  kjo 
periudha e përplasjes  së Byrosë
Informative Komuniste dhe Partisë Komuniste të Jugosllavisë, respektivisht
konfliktit të Bashkimit Sovjetik dhe RSFJ-së, e cila filloi në vitin 1948,  që  më
vonë  u 
vlerësua si  ngjarja,  më vendimtare për shtetin dhe shoqërinë
jugosllave dhe kapitulli më dramatik  në
historinë e ish-bashkësive  të kombeve
jugosllave. Regjimi komunist  nën
drejtimin e Titos  burgosi njerëz të
dyshuar, të ashtuquajtur “ Inforbirovca- Inforbyroistë”,  se mbështesnin ende liderin sovjetik
Stalinin. Pikërisht  për këtë arsye  regjimi komunist ngriti llogorin e Goli
Otokut  me  qëllim të grumbullimit të armiqve politikë të
Jugosllavisë, në veçanti për ata që kishin rënë ndesh me politikën e
Jugosllavisë  përballë kampit socialist
të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Nga kjo politikë antishqiptare, e UDB-ës
jugosllave,  e ndihmuar edhe nga  bashkëpunëtorët  vendas për privilegje të vogla,    u burgos edhe Martin  Gjokaj. Ky djalë i bukur e njerëzor i cili
gëzonte autoritet   sikur  të burgosurit e tjerë që nuk “ riedukoheshin-
përmirësoheshin,  përjetoi vuajtje
personale fizike e psiqike, tortura, rrahje, 
shkelmime, flakaresha, etjen që të përvëlonte shpirtin, bartjen e
gurëve  mbi supe, fshikullimën e
kamxhikut  e tmerre  tjera të  
komunizmit titist.

Faksimili 1: Lista e të vdekurve në Goli Otok
Për
këtë tragjedi të familjes Gjokaj 
dhe  për vuajtjet e saj  për herë të parë  fletë hapur 
Zef Kola, kushëriri i  personazhit
të këtij shkrimi përkujtimor, me rastin 72 –vjetorit  të vdekjes së tij në kampin e  Goli Otokut 
ku edhe i la eshtrat  përgjithmonë
, i cili synon të zbardhë fakte të panjohura deri më sot për këtë  viktimë të pafajshme të  një krimi më monstruoz të shtetit jugosllav,
këtij biri të shquar të kësaj familje me traditë të virtytshme  dhe atdhetarie.  Ja rrëfimi 
rrënqethës i Zef Gjokajt:
“
Ishte Dita e Pashkëve, më 22 prill 1949. Milicia ( policia)  e shtetit atë mëngjes  troket në derën e shtëpisë  së Baca Nikës. Ai e hapi derën dhe kur i shef
policët  u thotë: “ Urdhëroni brenda në
shtëpi! Ata nxjerrin nga xhepi autorizimin 
për arrestimin e djalit të tij të vetëm 
Martinit.  Baci,  edhe pse e kuptoi arsyen e  “ vizitës” së tyre të papritur   u drejtohet me këto fjalë:  “ Hyni brenda! Sot festojmë Pashkët. Pini nga
një gotë raki dhe hani nga një vezë të kuqe. E pastaj kryeni detyrën tuaj
shtetërore. “Policët  i përgjigjen: “ Ne
kemi urdhrin  të arrestojmë Martinin ,
edhe pse e dimë se  nuk keni tjetër
djalë,  po ne jemi të detyruar   ta zbatojmë atë. Na vjen shumë keq se ne
para tre muajsh arrestuam edhe anëtarin tjetër të familjes  suaj, 
Kolë Gjonin”. Policia  nuk e
prangos Martinin në sytë e prindërve e familjarëve të tjerë, sepse njëri prej
policëve  nga dhimbja  kishte thënë se edhe unë kam vetëm një djalë
.
Ndarja
e  familjes, veçmas e prindërve  nga 
Martini  ishte tepër e dhimbshme.
Secili anëtarë i familjes me lot  në sy u
përqafuan, duke e zënë  grykë,  me   të
birin e tyre të zemrës, dritën e vetme të syve 
të prindërve  të tij. Ndërsa,
Martini edhe pse i ri, qëndroi stoikisht duke i thënë familjes mos qani se
përsëri  do kthehem në mesin tuaj.  Mirëpo, për fatin e kobshëm të tij dhe të
familjes  Martini u nis  dhe nuk u kthye më. I la eshtrat në  këtë gurishte përvëluese që e quanin Goli
Otokun. Babai i tij Baci ishte shumë i mërzitur. Nuk e mbanin këmbët. I
mbështetur për qoshen e kullës së vjetër i thotë të birit: “  Biro, udha e mbarë! Sytë e mi dhe  të tuaj nuk do të shihen më!”  Pas këtyre fjalëve Martini largohet për herë
të fundit nga kjo shtëpi-kullë dhe dërgohet në 
burgun e Podgoricës, në një qeli afër qelisë ku ishte burgosur më parë
djali i axhës së tij Kolë Gjon Nika, mësues. 
Të nesërmen, siç më ka treguar babai im Kola,    Martinin e dërgojnë në burgun famëzi  në Goli Otok, ku përjetoi torturat më
çnjerëzore të regjimit komunist. Për gjashtë muaj  e gjithë familja ishim në ankth  e të trishtuar për  jetën e tij. 
Gjatë kësaj periudhë kohore  nuk
kishim asnjë lajm për gjendjen e tij shëndetësore.  Lajmi i parë ishte i kobshëm.  Në Zyrën e Vendit të Trieshit kishte mbërritur
telegrami për vdekjen e tij. Për këtë lajm paraprakisht kishte dëgjuar, Pjetër
Gjon Nika,  djali i axhës së Martinit,
nga turma e trieshjanëve që udhëtonin për në Titograd ( sot Podgoricë) . Pjetri
kthehet  nga rruga e nisur.  Shkon në Zyrën e Vendit në Stjepoh, ku edhe
ia konfirmojnë lajmin e keq. Vjen në shtëpi. Njofton familjen. Të gjithë qajnë
e bërtasin. Nuk mund ta ndalin vajin e zëshëm për lajmin e zi. Pas pak
vjen  në shtëpi Baci ,  babai i Martinit. Askush nga familjarët nuk
ka guximin t’i tregojë  Bacit për
këtë  tragjedi familjare. Ai  e vëren se 
ka ndodhur diçka   dhe i pyet: Mos
ka ndonjë lajm  të  ri?  -
Jo, jo, asgjë, i përgjigjen. -Mos fshihni nga unë, se sikur mos të kishte
ndodhur diçka  e re do të kishit shtruar
sofrën  për të ngrënë bukë. Më tregoni !
Pas këtyre fjalëve të Bacit, Pjetër Gjoni merr guximin dhe i  thotë 
atij se na ka gjuajt  rrufeja  dhe se 
Martinin e kanë pushkatuar. – Mos ka ndodhur diçka tjetër se sa për
Martinin e kamë ditur se do ta vrasin ditën kur jam ndarë  nga ai në oborrin  e shtëpisë? – u përgjigjet   Baci 
dhe u lutet familjarëve të qetësohen e të qëndrojnë me krenari se  shteti ka fuqinë e vet dhe s’kanë  çfarë të bëjmë”, thotë Zefi. Ai  tregon se lajmi i zi për vdekjen e Martin
Bacit  u prit me keqardhje e dhimbje    në Triesh. 
Shton se tre  vëllezërit  e fshatit : Gjokajt , Gjonajt dhe Nikollajt  për një vit u kthyen në zi dhe nuk
organizuan   këngë e kremte familjare.
Kjo
histori e veçantë  e kësaj familje , për
të cilën nuk është guxuar të flasin  me
vite të tëra,  është e ngjashme me shumë
histori të tjera të hidhura  shqiptare që
kanë përjetuar krimet , vuajtjet dhe dënimet në burgun e tmerrshëm  Goli Otok.

Faksimili
2: Lista e të burgosurve në burgun famëkeq Goli Otok









