Faleminderit
Klajd Kapinova: Përkujtojmë 32-vjetorin e kalimit në amshim të bariut shpirtëror
E diele, 28.03.2021, 01:51 PM
Përkujtojmë 32-vjetorin e kalimit në amshim të bariut shpirtëror dhe liderit të komunitetit tonë Mons. dr. Zef Oroshit
Nga
Klajd Kapinova
Mons. dr. Zef Oroshi
gjithë jetën i përgjuar nga diktatura komuniste
Këtë
vit mbushën 32 vjet nga kalimi në amshim i bariut shpirtëror dhe liderit të
shquar dhe të paharruar të komunitetit shqiptaro amerikanë Mons. dr. Zef
Oroshit (1912-1989).
Sapo
mbërriti me avion nga Italia në SHBA dhe u vendos në shtetin e madh
metropolitan të New York-ut, mons dr. Zef Oroshi iu vu detyrës fisnike me
qëllimin e mirë për të mbajtur të bashkuar shqiptarët emigrantë rreth kishës
katolike, që u kthyer për disa dekada në një vatër të ngrohë e shtëpisë së
Zotit. Bariu ynë shpirtëror i përvuajtur Oroshi punoi dhe jetoi pranë grigjës
së tij, të përbërë kryesisht nga emigrantët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe
Mali i Zi.
Ashtu
sikurse dje edhe sot komuniteti i madh shqiptaro amerikanë ruan kujtime të
pashlyera për njeriun me zemër të mirë, meshtarin e përkushtuar për trinomin
shumë shekullor Fe – Atdhe – Perparim, sikurse e thirrshin të gjithë dom Zef
Oroshin, sepse ai ishte shumë i thjeshtë e i dashur me të gjithë bashkatdhetarët
e tij, pa dallim feje dhe krahine dhe me amerikanët me të cilët ai kishte
kontakte të vazhdueshëm këtu.
Mbas
kalimit në amshim të mons. Oroshit, shumë personalitete shqiptaro amerikanë,
intelektualë, njerëz të thjeshtë, sikurse edhe figura të shquara të diasporës
shqiptare nëpër botë, asnjëherë nuk e lanë në harresë emrin dhe veprën e madhe
patriotike dhe kulturore të mons. dr. Zef Oroshit, duke e përkujtuar atë shpesh
me artikuj, kumtesa, libra, dokumentarë, etj., në përvjetore dhe takime të
ndryshme mes bashkatdhetarëve tanë.
Në
këtë 32-vjetor të kalimit në amshim të mons. dr. Zef Oroshit, sidomos këto 5
vitet e fundit, shumë rapsodë popullorë nga trevat e Miridtës edhe më gjërë e
kanë përkujtuar me krenari dhe nostalgji të gjithë veprimtarinë patriotike të
tij, përmes telave të çiftelisë, duke krijuar këngë që përmbajnë në esencë
frymën e thellë atdhetare dhe fetare të bashkëatdhtarit tonë, që një jetë të
tërë e kaloi në emigracion me mallin e zhuritur për Shqipërinë dhe vendlindjen
e tij të dashur Mirditën.
Monsinjori
ynë, për herë të parë për lexuesit mbarëshqiptarë u zbulua me fakte dhe prova
të botuara në 4 libra monografik nga biografi i tij studiuesi Tomë Mrijaj.
Duke
shfletuar me kujdes faqet e librave, del në pah fakti se ai kaloi një jetë të
tërë i përgjuar vazhdimisht nga një Dosje e madhe, që kishin hartuar ndër vite,
hetuesit, Ministria e Punëve të Brendshme, policia sekrete apo forcat e
Sigurimit të Shtetit të diktaturës komuniste, me porosi direkte të diktatori
Enver Hoxha dhe Kryeministrit asokohe Mehmet Shehu në Shqipëri nga vitit 1951
dhe në vazhdim.
Libri
me titull kuptimplotë: “Një jetë i
përgjuar” (New York, 2020), marrë nga Dosja
Origjinale e Sigurimit të Shtetit Komunist në Shqipëri, zgjon interest të
madh tek populli shqiptar si brenda vendlindjes dhe jashtë kufijve të Atdheut.
Vepra
në fjalë, është mirëpritur shumë mirë në komunitetin shqiptaro amerikanë, për
faktin, sepse më parë ata kishin ndjekur me interes për herë të parë, përmes
kanalit Youtube tre video me titull: “Report
TV: Dosja K – Monsinjor Zef Oroshi i përgjuar nga Sigurimi deri në vdekje”,
për tre javë rresht të realizuar me profesionalizëm nga gazetarët investigativë
të Radio Televizionit Shqiptare në Tiranë.
Në
këtë dokumentar historik u intervistuan djemtë e vëllezërve të mons. Oroshit,
si: Gjon Prendi, i cili, kishte kaluar 10 vjet ne burgun famkeq të Spaçit dhe
disa vite në kampet e tmerrshme të përqëndrimit të asaj periudhe dhe djali i
vëllait tjetër Ndoit, i cili, pas 9 muaj në hetuesinë e tmerrshme të Shkodrës
vdes në torurat më mizore, që u përdorën ndaj të burgosurve të pafajshëm, për
të cilat deshmoi djali i tij Nikolla, që asokohe ishte në moshën 4-vjeçare.
Me
interes u mirëprit në studio edhe mbesa e Kolonel Xhemal Laçit një nacionalist
dhe aktivist i shquar në komunitetin shqiptaro amerikanë, historiania e re
investigative nga Shkodra, publicistja Leonora Laçi, e cila foli më gjerësisht
për dokumentet që ajo kishte parë nga afër në AQSH.
Më
vonë këto dokumente, që përmbajnë Dosjen origjinale voluminoze të dr. Oroshit,
sikurse na njoftoi studiuesi dhe publiçisti Tomë Mrijaj, me insistimin e
vazhdueshëm të tij, u tërhoqën nga studiuesja Leonora Laçi nga Tirana dhe iu
dorëzuan atij. Mbi bazën e tyre studiuesi Mrijaj përzgjodhi, përgatit nën
përkujdesin e veçantë dhe botoi me shpenzimet financiare të tij komplet Dosjen
e diktaturës komuniste kundër mons. dr. Zef Oroshit.
Kjo
Dosje, qëndroi e fshehur në Arkivin e Shtetit (AQSH) nga viti 1951-2019. Ajo
ishte hartuar me kujdes dhe zgjerohej dita-ditës me informacione dhe trillime
absurde nga spiunët dashakeq, që ndodheshin si emigrantë të shitur në Europë
dhe SHBA dhe vepronin për llogari të idhurit të tyre Enver Hoxhës, kundër
nacionalistit dhe eruditit të kulturuar mons. dr. Zef Oroshit.
Monsinjor Oroshi nuk
është arratisur nga shtetrrethimi i veshur si grua
Në
“dokumentarin” e shkurtër me titull: “Arratisja
spektakulare e Imzot Zef Oroshit”, publikuar në kanalin Youtube më 24
shkurt 2021, për 10 minuta e 12 sekonda, hartuesit e libretit (skenarit), në
disa pika kryesore të përshkrimit të momentit të arratisjes së mons dr. Zef
Oroshit ka pasaktësi, të cilat bien në kontradiktë me realitetin historik të
kohës kur ka ndodhur ngjarja.
Kështu
në videon e publikuar në Youtube, në lidhje me arratisjen e mons. Oroshit, ndër
të tjera autorët thonë shprehimisht: “Ja se si u zhvillua ngjarja në prapaskenë
në ato pak minuta me shpejtësi dhe fshehtësi e motra e priftit Lukja, kishte
marrë në trastë një palë rroba gruaje nga qela dhe i qon në dhomën e veshjes së
priftit. Ishte një aneks i kishës me dalje nga ana e pyllit. Ishin 10 minutat e
fundit të meshës dhe dom Zefi del nga altari i shenjt dhe nuk lë porosi për të
kumtuar xhakoni apo murgesha në lidhje me katekizmin apo diçka tjetër jashtë
meshës. Ai futet shpejt në kthinën e tij
(vend i ngushtë) dhe vishet shpejt e shpejt si grua dhe përnjëherësh del nga
dera e pasme dhe futet në pyllin e gështenjave, duke kapërcyer një përrua të
vogël. Askush nuk i kushtoi rëndsi një gruaje, që doli nga ajo derë, pasi
prifti kishte aty nënën dhe motrën dhe mund të vizitohej nga familjarët e tij
në çdo kohë. Askujt nuk mund t’i shkonte ndër mend, se ai njeri i Zotit me atë
veshje të bukur pozante me xhup nuk ishte një grua, por vetë dom Zef Oroshi, që
nuk do të kthehej më në atë vend… Kurrë nuk kishte ndodhur, që prifti ta
linte meshën pa e mbyllur, por kjo do të ishte një histori e rrallë mbushur me
një vello mitike. Siç merret me mend, pati një shokim nga forcat e ndjekjes dhe
hierarkia e shtetit se si ishte e mundur: A e kishte përpier dheu priftin!?...”
1. Në Dosjen origjinale me 450 faqe të dom
Zef Çokut (Oroshi), që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, në asnjë
fletë të saj nuk thuhet se mons. dr. Zef Oroshi është arratisur i veshur si
grua dhe ka dalë në mal pranë çetave nacionaliste antikomuniste, që vepronin në
Mirditë. Po aty nuk ka asnjë fjalë edhe nga “deshmitarët” dhe akuzuesit e tjerë
mirditorë, se dom Zefi është arratisur i veshur me rroba gruaje. Komunistët, do
të ishin të lumtur të pohonin një gjë të tillë, për të ulur figurën e meshtarit
patriot, duke sajuar një histori të rremë, sikurse u sajua nga producentët e
videos në fjalë.
2. Në “dokumentarin” e zhurmshëm, thuhet
se Lukja ishte në kishë kur Monsinjor Oroshi u arratis. Në fakt ajo ishte në
qelë së bashku me nënën dhe antarët e tjerë të familjes. Vetë nipi i Monsinjor
Oroshit, Gjoni, që askohe ishte 10 vjeç, ka deklaruar se “ne ishim të gjithë në
qelën e priftit…”
3. Ish i burgosuri politik shkodran Bep
Kuqani, që ka ndenjur si bashkëvuajtës në disa burgje me bashkëpunëtorë të
mons. dr. Zef Oroshit, sikurse është edhe mirditori Ndue Jaku, nuk ka thënë
asnjëherë se prifti trim Oroshi është veshur me rroba gruaje, për t’i ikur
rrethimit të hekurt të forcave të ndjekjes së Sigurimit komunist.
4. Shumë pjesëtarë të familjes së imzot
Zef Oroshit me banime në Mirditë dhe Lezhës dhe mbarë fisi Çoku, janë shumë të
indinjuar sot për mënyrën se si disa pseudostudiues dhe producentë videosh, po
mundohen të ulin poshtë personalitetin e shquar të botës shqiptare dhe
komunitetin shqiptaro amerikanë këtu. Në video u përdor teoria e
konsipiracionit, i vënë në gojë me hamendje të njërëzve, sipas së cilës dom Zef
Oroshi ishte nisur në Gjader të Lezhës, për të hyrë në aeroportin e vogël
ushtarak dhe për tu larguar drejt Italisë…
4 libra monografikë dhe
një dokumentarë historik me 3 pjesë realizuar nga RTSH
Për
të mbajtur të pashuar kujtimin dhe respektin e thellë për udhëheqsin shpirtëror
të komunitetit shqiptar në SHBA, biografi i shquar i prelatit Oroshi, studiuesi
i palodhur Tomë Mrijaj, shkroi 4 monografi shumë të vlefshme, duke zbardhur për
herë të parë jetën dhe veprën e madhe të Monsinjorit dhe Patriotit tonë, duke
ia paraqitur ato komunitetit shqiptaro amerikanë dhe vendlindjes së tij të
dashur nënës Shqipëri dhe Mirditës heroike, e cila ka nxjerrë nga gjiri i saj
këtë figurë të madhe të botës shqiptare në vendlindje dhe diasporë.
Pas
librave me vlerë historike: “Mons. dr.
Zef Oroshi – një jetë e shkrirë për fe e atdhe”, jetëshkrim, New York,
2009, “Abati i Mirditës – Imzot Frano
Gjini - Martir i kishës katolike”, 2018, “Long Kuvendit – në trinomin Fe – Atdhe – Perparim” (New York, 2019)
dhe së fundi doli në qarkullim libri i ri: “Një
jetë i përgjuar" (New York, 2020), e cila përbën Dosjen e plotë të
Sigurimit të shtetit komunist për meshtarin mirditor mons. dr. Zef Oroshin.
Vepra
e fundit në fjalë, u përzgjodh, përgatit dhe u botua nën përkujdesin e veçantë
dhe shpenzimet financiare të studiuesit e publiçistit veteran i komunitetit
tonë Tomë Mrijaj.
Meshtari
dhe personaliteti i shquar e i paharruar mons. dr. Zef Oroshi, rivjen mbas
shumë dekadave para shqiptarëve kudo nëpër botë dhe komunitetin shqiptaro
amerikanë, me një libër original me titull: “Një jetë i përgjuar" i mbushur plot me dokumente të Dosjes së
tij keqdashëse, hartuar me dorë dhe makinë shkrimi, për dekada me radhë nga
punonjësit e polcisë sekrete të Sigurimit të Shtetit socialkomunist, pranë
Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të
Shqipërisë.
Studiuesi
Tomë Mrijaj, në shkrimin e tij analitik: “Dy
fjalë hyrëse”, ndër të tjera shkruan: “Sapo
përballesh me një Dosje të errët, të përpiluar me denigrime, trillime, shpifje
dhe shkrime me paramendime direkte qëllimkeqe, të vetë punonjësve të Sigurimit
të sistemit komunist, ju si lexues të kujdesshëm, duhet të jeni të përgatitur
psikologjikisht të mësoni më shumë, se çfarë ju pret nga leximi, duke qenë të
vetëdijshëm, sikurse edhe unë për këto “perla” të Dosjes, që mora në dorë.
Njeriu në ditët tona,
shokohet kur sheh nga afër sesa të paskrupullt, në manipulime dhe trillime (të
ngjarjeve dhe figurës historike të përsonit që ata përbaltnin papushim) ishin
strukturat informative policore të fshehta apo forcat e Sigurimit të shtetit
komunist dhe më saktë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shqipëri, gjatë
harkut kohor të vitëve 1944-1990.
Ata arritën deri aty sa
të sajojnë histori të rreme mbi mons. dr. Zef Oroshin, kur ai ishte larguar nga
ferri burg komunist i Shqipërisë...
Nga burimet e Dosjes,
mësojmë se në Itali dhe SHBA ai përgjohej vazhdimisht këmba - këmbës nga
hafijet e Sigurimit komunist shqiptar dhe informacioni mbi lëvizjet dhe takimet
e tij në diasporë përgjohej dhe regjistrohej dhe më pas përcillej në Tiranën
zyrtare komuniste, ku operativët e fshehtë komunistë hartonin tekstin e
shpifjeve, duke krijuar kështu dora dorës Dosjen e Zezë për te.”
Veprimtaria
e shumanshme e klerikut dhe intelektualit të shquar të botës shqiptare në
diasporë mons. dr. Zef Oroshit, njihet shumë mirë, përmes librave monografikë,
kujtimeve, artikujve kushtuar atij në përvjetore të ndryshme, të cilat janë
shkruar nga autorë dhe studiues të ndryshëm për te, për shumë dekada me radhë
deri në ditët tona.
Meshtari
katolik dom Zef Oroshi, bën pjesë në ato personalitete historike, që nuk u
pajtuan asnjëherë me fitoren e komunistëve. Ai nuk e pranoi as në atdhe dhe as
në Shtetet e Bashkuar të Amerikës fitoren mashtruese komuniste.
Bariu
ynë shpirtëror, nuk ishte vetem një predikues i thjeshtë fetarë, por dhe një
studiues i zoti, pendë e spikatur dhe e mprehtë e botës shqiptare.
Përmes
larmisë së artikujve, ne tani njohim një përkthyes cilësorë; një gjuhëtar shqiptar
të apasionuar; shkrimtar i shkollës së traditës gegë dhe stoik i papajtueshëm
me regjimin ateisto komunist në Shqipëri etj.
Libri
në fjalë, është i bazuar në dokumente origjinale, të siguruara fatmirësisht nga
Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, që ishte kthyer fatkeqsisht në makinë
automatike propagandistike.
Në
librin arkivor, përfshihen për herë të parë rreth 450 dokumente, të hartuar
dita - ditës nga punonjësit special të Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë
hartuar një Dosje me shpifje dhe trillime, të cilat studiuesi shqiptaro
amerikanë Tomë Mrijaj, i ofron sot para lexuesve mbareshqiptarë.
Ky
libër është i veçantë në llojin e vet, për faktin, se i jep për herë të parë
dokumentet (faksimile) në mënyrë origjinale, ku, lexuesit dhe studiuesit e rinj
kanë mundsi dhe hapësirë të shohin dhe vërtetojnë me kujdes fantazinë e
proçesverbaleve, raporteve, akuzimeve pervese, dëshmi të rreme nga trathtarët
dhe spiunët, përshkrimeve, thënieve të fabrikuara, dëshmitarëve shpifës
sistematike të diktaturës komuniste dhe të hafijeve të Sigurimit të Shtetit
ateist.
Në
një qarkore, që ipeshkvi imzot Bernardin Shllaku u dërgon dioqezave (shkruar
nën torturë nga Sigurimi), tregohet sesa bujë kishte bërë arratisja e dom Zefit
dhe jo vetëm Sigurimi ishte në kërkim të tij, por ishte ngritur dhe një
komision kërkimi i përbërë nga Dekani i Tiranës, dom Mark Dushi, dhe
Administratori Dioqezan i Lezhës dom Ndoc Sahatçija.
Asokohe
vetë dom Ndoc Sahatçija, në nëntor të vitit 1952 merr rrugën për në Veri të
Shqipërisë, për ta kërkuar vetë dom Zef Oroshin. (Referuar nga libri i dr.
Markus W. Peters, “Përballjet e historisë
së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”).
Momenti
i arratisjes së bujshme të mons. dr. Zef Oroshit, është kthyer në një legjend.
Për ta bërë më reale dhe në mënyrë që të mos mitizohet më tej me këto fakte, i
tregon nipi i mons. dr. Oroshit, Prend Gjoka, i cili, rrëfen pas shumë dekadave
të vërtetën sesi dom Zefi i kishte shpëtuar arrestimit dhe ishte fshehur në mal
deri sa u largua fillimisht në Europë e më pas në tokën e premtuar të SHBA-së.
Kështu
asokohe dikush nga banorët e informoj meshtarin e ri dom Zef Oroshin “se kisha
ishte e rrethueme nga forcat speciale të Sigurimit”.
Nga
Tirana, forcat e Sigurimit mbanin në dorë një Urdhër Arrestimi, të ardhur direkt
nga Mehmet Shehu. Forcat e Sigurimit, po prisnin që mesha të përfundonte dhe
prifti të dilte i fundit për ta arrestuar. Ata vëzhgonin me kujdes nga dera
kryesore daljen e popullit.
Plani
ishte që të arrestohej në momentin e daljes së popullit nga kisha dhe dom Zefin
ta arrestonin, që të mos mund të kundërpërgjigjej…
Amerika,
u bë atdheu i dytë për të dhe veprimtarinë e tij, atje la gjurmë të
pashlyeshme, me themelimin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e
Këshillit të Mirë” (1962, sot “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale New York).
Kjo
tregon se ai i shërbeu më mirë atdheut larg tij, duke qenë se Shqipëria u kthye
në një burg të madh për intelektualët dhe ndrydhi jo vetëm dëshirat për tu
arsimuar, por shtypi e burgosi pronën private, fenë edhe mendimet dhe fjalën e
lirë.
Prend
Gjoka, rrëfen se halla e tij (motra e dom Zefit), Lukja përjetoi kalvarin nëpër
burgjet e internimit. Ajo pas rënies së komunizmit në vitin 1990 ka jetuar në
shtëpinë e nipit deri në ditën kur ajo mbylli sytë.
Motra
e Monsinjori kishte qenë personi i fundit që dom Zefi kishte takuar para se të
arratisej në mal…
Ai
në mal bashkohet me grupet antikomuniste, ku do qëndroj për tetë muaj deri sa
kaloi në Kosovë e cila ishte pjesë e Federatës Jugosllave, me gjithë
vështirësitë dhe i plagosur kalon në Mitrovicë e nga aty pas garancive që i
dhanë Dera e Gjomarkut e personalisht Kapidan Ndue Gjomarku, shkojnë në Itali.
Në
faqet e librit, janë emrat dhe mbiemrat e të gjithë hartuesve të Dosjës,
punonjësit apo oficerët e Sigurimit të Shtetit, hetuesit, dhe punonjësit e
tjerë spiunë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, të cilët në
bashkëpunim me njeri – tjetrin, ishin totalisht kundër meshtarit katolik
shqiptaro amerikanë, kur ai ishte si meshtari i ri, në kishën e shën Maria Magdalenë,
në Ungrej të Mirditës, kur arratiset në malet e Mirditës dhe gjatë gjithë
aktivitetit të tij antikomunist në Itali, SHBA për dekada me radhë.
Mons.
dr. Zef Oroshi, ishte dhe mbeti një ndër liderët kryesorë antikomunistë të
diasporës sonë shqiptaro amerikane, i cili, gjithë jetën e tij ia kushtoi
komunitetit këtu dhe luftës kundër diktaturës komuniste dhe diktatorit otoman
Enver Hoxha.
Aktivisti nacionalist,
studiuesi Tomë Mrijaj, është biograf i mirënjohur i Monsinjor Oroshit
Libri
i ri në fjalë, shoqerohet me një shkrim shumë interesant në hyrje të tij me
titull: “Dy fjalë për lexuesit” (fq. 13-20), shkruar nga biografi i Monsinjorit
studiuesi Tomë Mrijaj. Po ashtu vepra mbyllet me një shkrim përgatitur me
kujdes nga historinia Leonora Laçi, me titull: “Kalvari i vuajtjeve të familjes
së Mons. dr. Zef Oroshit në diktaturën komuniste” (fq. 249-254).
Libri
u përgatit me kujdes në New York, gjatë viteve 2019-2020 dhe u botua me sukses,
nën kujdesin e Shtëpisë Botuese dhe Shtypshkronjen "VOLAJ", në
qytetin e lashtë të Shkodrës.
Një
falënderim i veçantë nga zemra i shkon Shtypshkronjës dhe stafit të saj, të
drejtuar profesionalisht, për punën e shkelqyer serioze dhe përkushtuese të
bërë nga miku im i vjetër Martin Ndoja.
Në
kopertinën kualitative, është busti kushtuar mons. dr. Zef Oroshit (1912-1989),
dhuruar kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodtrës” Hartsdale, New York nga
skulptorja profesioniste amerikane Carolyne D. Palmer.
Disa nga temat e
përmbajtjes së dokumenteve
Libri
përmban tema interesante, ku disa nga nga ato janë: Inventari i materialeve, që
ndodhen në dosje (9 faqe); Lista e personave që janë njohur me dosjen; Lista e
personave që implikohen në dosje; Fleta e kontrollit në kartotekë; Të dhëna
biografike të dom Zef Çokut (Oroshit) 13.3.1981; Vendim që t’i hapet dosja e
kërkimit për përpunim, 26.6.1958; Lista e lidhjeve miqësore e farefisnore të të
arratisurit dom Zef Çokut (2 faqe); Disa letra që mendohet se janë shkëmbyer
mes dom Zefit dhe disa të tjerëve, gjatë kohës që ndodhej në mal i arratisur.
Vërtetësia e tyre është e dyshimtë.
Në
dokumentet e Sigurimit apo policisë sekrete komuniste, shikohet dukshëm edhe
“ekspertiza”, që i është bërë letrave, (30.12.1951), relacionet dhe implikimet
e ndryshme ose deponimi të personave pa karakter dhe të lëkundur kundër dom Zef
Çokut, 18.1.1952. (2 faqe), sikurse edhe shumë informacione mbi levizjet e dom
Zefit. (3 faqe); Raport propozim për regjistrimin e të dhënave mbi dom Zef
Çokun në kategorinë II; Arrestimi i Ndue Jak Ndoj, për të dhënë informacione
mbi strehimin e të arratisurve ndër to dhe dom Zef Çokun, kurse me datën
6.X.1952, njoftohet mbi kalimin në Jugosllavi të kriminelit dom Zef Çokut apo
informata, ku përmendet dhe plagosja në krah e dom Zef Çokut, në muajin qershor
1952.
Sigurimi
kishte informacione të hollësishme mbi lëvizjet antikomuniste të dom Zef
Oroshit, sikurse është raporti i datës 5.V.1956: “Raport informativ agjentural
mbi emigracionin reaksionar, shkruhet dhe për takimet që dom Zef Oroshi
realizon me komunitetin shqiptar, në kampin e San Antonit (Itali), ku flet me
skepticizëm për amnistinë, që po jepte shteti shqiptar ndaj të arratisurve.”
Sërisht,
me datën 15.I.1957, dom Zefi takon shqiptarët në Romë (Italy), ku, i bënë
thirrje emigrantëve nëpër kampe, që të mos gënjeheshin nga Qeveria komuniste
shqiptare dhe një vit më vonë raportohet, se me datën 28.I.1958 zhvillohen
takimet e dom Zef Oroshit me komunitetin shqiptar në Napoli etj.
Nga
ana e tjetër, po atë vit, me datë 18.4.1958 brenda komunitetit shqiptarë,
zhvillohen takimet e ngrohta me dom dr. Zef Oroshit dhe prof. Martin Camajt
(arratisur nga Shqipëria) me emigrantët dhe përpjekjet e Komitetit “Shqipëria e
Lirë”, që të ndihmojë emigrantët politikë antikomunistë shqiptarë, për të
udhëtuar drejt Amerikës. Aktiviteti nacionalist i Oroshit, nuk ka ndalur.
Ai
i shkruan një letër drejtuar komunitetit të arratisur shqiptar në Belgjikë pas
takimit që pati me ta. (dy faqe) dhe më vonë ai shkon vetë në në një takim me
komunitetin shqiptar në Belgjikë, ku flet hapur kundër regjimit komunist në
Shqipëri etj.
Edhe
në SHBA dhe më saktë në New York aktiviteti i meshtarit të përkushtuar mons.
Oroshit është i madh dhe shumë planesh. Kështu me datë 8.9.1962, dom Zef Oroshi
krijon Këshillin e Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë, ku ai bën propagandë
kundër komunizmit dhe në favor të Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe pak kohë më
vonë meshtari patriot antikomunist dom Zef Oroshi takohet në Clevelend (Ohio)
të SHBA-së me komunitetin shqiptar. Mons. dr. Zef Oroshi për merita përkushtuese
atdhetare zgjidhet në kryesinë e Vatrës me qendër në Boston etj.
Prelati ynë dr. Oroshi
Meshtari
ynë mons. dr. Zef Oroshi, ishte Sekretari i fundit i Abacisë së Mirditës,
themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” sot
“Zoja e Shkodrës” New York.
Meshtari,
gjatë gjithë jetës së tij, u gjend afër popullit të vet, në ditë të mira dhe të
vështira, si një ushtar besnik i Krishtit. Ai ndau me besimtarët gëzimet dhe
hidhërimet e një jetë të vështirë plot tallaze në emigracion.
Abati
i Mirditës dhe Delegati (Regent) Apostolik (kur është dëbuar nga Qeveria
komuniste e Tiranës imzot Leone Nigris Delegat Apostolik në Shqipëri deri më 5
maj 1945, shënimi im K.K.) imzot Frano P. Gjini (1886-1948) e kishte dom Zef
Oroshin meshtar të ri në moshë dhe njëkohësisht sekretar të tij të përkushtuar
plot energji, brenda famullive, që administronte shpirtërisht (kishat
sufragane).
Mbas
12 vjetëve (1940-1952), si pasoj e përndjekjeve të Sigurimit dhe martirizimeve
të vëllezërve në Krishtin, në kohën e ateizmit të gjirokastritit Enver Hoxha,
mbasi thotë meshën hoqi shpejt veladonin dhe mori udhën e arratisjes nëpër
male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste.
Ish
i burgosuri politik Bep Kuqani nga Shkodra, që qëndroi për shumë vite në
burgjet famkeqe të Shqipërisë dhe mbylli jetën në New York, më ka pohuar me
gojën e tij se Monsinjor Oroshi ka qenë komandant i forcave të rezistencës
antikomuniste në malet e Miriditës, sikurse dëshmon me saktësi edhe Dosja e
diktaturës hartuar nga Sigurimi i Shtetit komunist asokohe.
Për
8-9 muaj, ai qëndron mes maleve, në shpella, shi e borë, me bukë e pabukë, i
veshur keq në dimër, duke provuar mundimet e Krishtit, që salvohet nga të
pafetë.
Të
dielën e Pashkëve të vitit 1952, për trimat e lirisë, mes maleve të Mirditës
(pyjet e Molungut), thotë meshën në orët e para të mëngjesit, ku, Zoti i dëgjon
lutjet, duke e shpëtuar e udhëhequr drejt tokës së lirë…
Në
gusht 1952, ai gjendet në tokat etnike shqiptare në Dardani për disa muaj, duke
kaluar e qëndruar për pak kohë në Mitrovicë, Gjakovë, Pejë… dhe shkon në
Beograd.
Dera
e Gjomarkajve të atdhelindjes së vet, falë mikpritjes, zemërgjerësisë, bujarisë
tradicionale, i dërgon garanci, për të shkuar në Itali.
Ishte
viti 1953, kur ai gjendet sërisht para ëndrrës rinore. Tashmë Oroshi, po e
prekte realitetin dhe shijonte atë liri, që prej kohësh e kishte bluar në
mendje e dëshiruar me zemër.
Sërisht
me libra dhe pranë tyre, ndjehej i gëzuar dhe krenar si bir arbëror. Më të
mbërritur në Romë, fillon përpjekjet e takimet me klerikë, për të vijuar
studimet e larta në Teologji.
Dhe
Zoti e ndihmoi, për t’i hapur me bujari portat e dijës universale, mbasi kishte
ndjekur nga afër kalvarin e vuajtjeve, për të ardhur deri tek Portat e Piazza
di San Pietro në Itali. Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së
Shenjtë, që t’i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari
misionar), për bashkatdhetarët mërgimtar politik, që gjendeshin në Romë.
Një
pjesë e grigjës së tij, kishin shprehur dëshirën, për të emigruar në ShBA, ku,
imzot Oroshi i ndihmon, falë bujarisë të gjithë pa dallim feje.
Ai
ishte bashkvendasi e atdhetari i flaktë i abatit të Mirditës e rilindasi i madh
imzot Preng Doçi. Dy mirditas Doçi e Oroshi, në kohë të ndryshme, bëhen tribunë
e mendimit përparimtar shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndihmë të
besimtarëve dhe popullit shqiptar i ndodhur njeri mbas tjetrit në dy robëri:
otomane islame barbare dhe diktaturën ateiste komuniste.
Falë
pasionit e vullnetit të hekurt, për t’u marrë me libra dhe studime, që kërkonin
shumë mund dhe kohë në përkthime, dr. Oroshi, përfundoi shqipërimin e librave:
Katekizmi (1953), Ungjilli simbas Mateut (1953), Studimet e Bioshme (1953),
duke mos lënë mbas dore studimin e leksioneve të disiplinave të universitetit
në vitin e parë akademik (1953-1954).
Po
më 1960, përkthen dhe boton Visarthin Shpirtnuer, një lloj katekizmi doracak,
për familjarët emigrantë shqiptarë katolik. Dashuria e respekti, për
shkrimtarët e shkollës së traditës geg veriorë, që kishin vulosur me
erudicionin e përkushtimin e tyre, u bënë objekt i studimeve të tij.
Për
të qenë më konkret, ai zgjodhi shkrimtarin e shquar dhe prozatorin modern prof.
Ernest Koliqin dhe kontributin e tij shembullor shumëplanësh, në fushën e
letërsisë bashkëkohore shqipe.
Një
punim të plotë dhe dinjitoz: si vepër monumentale, kushtuar shkrimtarit Koliqi
(numër special), ai e botoi të plotë, në revistën autoritative, shkencore,
kulturore Shejzat (1975), në përkujtim të mikut të tij të madh. Në
Universitetin e famshëm të Romës Angelicum (1958), vijon studimet e vitit të
pestë në degën e teologjisë, që ndryshe njihet si disiplina ose gjimnasitika e
trurit.
Këtu
merr si subjekt, për të trajtuar gjerësisht e filozofikisht 20 teza në shkencën
e Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960) me sukses temën: “Një reformator i madh i Kishës irlandeze të
shekullit XII”, për gradën shkencore Doktor.
Në
komisionin e Këshillit Shkencor Vlerësues të Universitetit, bënin pjesë figura
të shquara të kulturës, që punonin si lektorë në Universitetet e ndryshme
italiane dhe asnji shqiptar.
Ai
përpiqej, t’a largonte vemendjen nga ngjarjet plot të papritura, që i kishin
ndodhur në Shqipëri. Por sërisht, kujtime të një kohë të hidhur, që s’harrohen
e ngacmonin, për të gjykuar sesi ka mundësi, që shqiptari komunist urren për
vdekje bashkatdhetarin atdhedashës dhe idealist.
Prelati
ynë kishte letërkëmbime, me pendat e spikatura të mendimit elitar shqiptar në
emigracion, si: prof. Ernest Koliqin,
prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Martin Camaj, atë Daniel
Gjeçaj O.F.M, pader Paulin Margjokaj O.F.M…
Dhe
më 1973, u realizua dëshira e madhe e klerikut të përkushtuar në trinomin Fe -
Atdhe - Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej bashkatdhetarëve, në praninë
e besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së re, mes një atmosfere të
madhe gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes mesazhit edhe ish Kardinali i
New York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi Metropolitan Eminenca e Tij Terence Cooke.
Bariu
nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve, la një emër shumë të mirë në
fushën e publicistikës e botimeve në gjuhën shqipe. Ishte ai, që shqipëroi
librin: “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve” (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e
ëmbël geg, aq të nevojshëm për shqiptarët.
Dom
Zefi, me modestinë tipike malësore, ishte një bibliotekë, që ecte me dy këmbë,
sikurse shpreheshin të gjithë ato që e njihnin nga afër, “një enciklopedi
vërtetë e gjallë”. Ai nuk dinte të shterronte kurrë, për dijet akademike dhe
bashkëkohore fetare dhe kulturore shqiptare që zotëronte.
Imzoti
e adhuronte shumë mësuesin e paharruar klerikun, poetin dhe njeriun e shquar të
përmasave botërore dom Ndre Mjeden (1866-1937). Oroshi, shpesh jetonte e
vepronte, nën shembullin e edukatorit të zellshëm e frytdhënës, pranë Seminarit
Papnor në Shkodër (1843-1946, 1991).
Vetmia
e tij, ishte një adhurim i përshtatshëm mbushur me lutje, për një kontakt më
imtim me Zotin. Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar,
për atdhelindjen Oroshin, familjen e shpërndarë në kampet e vështira të
internimeve komuniste.
Meshtari
ynë dinamik mons. dr. Zef Oroshi, themeloi Kishën e Parë Katolike Shqiptare,
bashkoi komuniteitn nga të gjithë përkatesitë fetare. Fjalët e tij, në meshën e
parë në kishën e porsa themeluar, u bënë realitet, ku tha: “Kjo sot asht nji dritë e vogel, por shumë
shpejt do të bahet nji dritë e madhe këtu dhe në Atdhe.”
Mons
Oroshi e kreu amanetin e Abatit të Mirditës mons. Frano Gjinit. Famullia “Zoja
e Shkodrës” në New York, gjatë këtyre 30 viteve ka ndihmuar me miliona dollarë,
për ndërtimin nga themeli dhe riparimin e kishave të rrënuara
në vendlindje, sikurse edhe ndihma humanitare, shkolla, spitale, rrugë etj., si
në: Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi.