Kulturë
Blerim Rrecaj: Përpjekje dhe përjetime nëpër jehonën e luftës çlirimtare
E shtune, 02.01.2021, 12:00 PM
Përpjekje dhe përjetime nëpër jehonën e luftës çlirimtare
Nga
Blerim Rrecaj
Po
ia nisim të flasim, të themi diç për dy romanet e Mehdi Mulajt: "Gjenerali
dhe ushtari pa pushkë" e "Topi". Të dy bazuar në ngjarje të
vërteta, të (për)jetuara nga vetë autori dhe kthyer në sukses në artin e të
shkruarit. Me sinqeritet e saktësi.
Po
fillojmë me veprën e parë, e cila përqendrohet në dy personazhe, Drinit, një
djaloshit adoloshent, fëmijës lirimunguar, ëndrrave, dëshirave e përpjekjeve të
tij për t'u bërë pjesë e luftës së armatosur në vallen e sertë të lirisë; dhe
Colit (Agim Çelajt) njeriut, atdhedashësit, ushtarakut profesionist e me
përvojë të jashtëzakonshme, që vije ta kryejë detyrën e tij në atdheun kur ai
ka më së shumti nevojë. Coli i cili në vitin 1991, kur filloi lufta mes Sebisë
dhe Kroacisë, kishte ikur nga kazerma e ushtrisë jugosllave për të lajmëruar
komandantin kroat të policisë së qytetit të Visit në Kroaci për ta njoftuar, e
kjo informatë e tij, kishte shërbyer pjestarët kroatë të mos ziheshin të gjallë
pasi ishte zbuluar plani i tyre për ta mbrojtur qytetin e tyre.
"Avantura"
e Agim Çelajt prej artileri të diplomuar
kishte vazhduar duke ua prishur serbëve tytat e artilerisë në kodrinat e
qytetit, marrëveshja e tij me kroatët që ushtarët shqiptarë të largoheshin nga
kazermat e qytetit Vis në qytetin e Splitit, e të mos detyroheshin të merrnin
pjesë në luftë pos me vullnetin e tyre.
Do
të vije çasti kur Coli, prej këtu do t'i afrohej Kosovës fillimisht në
Gostivar, më pas do të dilte ilegalisht në Shqipëri për të hyrë në zonat
çlirimtare të luftës.
Ku
do të takohej me bashkëluftëtarë e bashkëpërpjekësit e lirisë, e edhe me
Drinin.
Në
sytë e etur të Drinit ai do ta shihte kryedëshirën, kryeëndrrën për shporrjen e
robërisë që synohej kaq e kaq kohë nga një popull i tërë. Për të na kujtuar ca
vargje të Jesus Lopez Pacheco-s: "Ma hiqni sysh këtë mjegull shekullore.
Dua t'i shikoj gjërat si fëmija".
E
Drini te gjenerali kishte parë vendosmërinë, butësinë e ashpërsinë, gjithë
qenien e tij në shërbim të lirisë. Këto veti aq i kishin dhënë zemër
katërmbëdhjetë vjeçarit sa ai të dëshironte ta kishte një pushkë, pikërisht
pushkën e tij.
Edhe
të i mbeste hatri, e të zemërohej pse s'po e merrte me vete në betejën e ashpër
për çlirimin e Rahovecit. Betejë ku gjenerali vritet, por nuk vritet vepra të
cilën e përkujton ky fëmijë, tashmë pak më i rritur.
Nga
ky libër shohim Drinin me një shtagë duke "mihur" tokën, e në një
vend edhe Colin, përpos gjendjeve ndjenjëpërziera që kanë, duket se të dy po e
"xiglojnë tokën" me qëllim që t'ia kthejnë buzëqeshjen...
Edhe
te "Topi" kemi të bëjmë me betejat pas rënies së Colit, që mund të
merret si vazhdim i romanit "Gjenerali dhe ushtari pa pushkë".
Sidoqoftë
edhe këtu shfaqen përjetimet të
ngjarjeve, ndodhive, çasteve e detajeve të autorit që nga 24 marsi (dita e
nisjes së bombardimeve nga Nato-ja mbi caqet serbe) e deri më 12 qershor
(largimi i forcave serbe nga Kosova) parë me sytë djaloshit gati pesëmbëdhjetë
vjeçar, Flamurit.
Në
një fshat, ku po qëndronin banorë të tjerë të fshatrave përreth, për një çast
loja e fëmijëve ndërpritet nga granatat e forcave serbe, duke plagosur rëndë
fëmijën që hy në përrockë për ta nxjerr topin, i cili pas pak do të vdiste,
duke ia lënë në gjysmë lojën, e shokëve të tij duke u mbetur vetëm kujtimi për
të. Edhe topi.
Më
pas ngjarjet zhvillohen duke ikur, zhvendosur e vendosur nga njëri vend në
tjetrin. Me ankth, frikë, shpresë, mungesë ushqimi, solidaritet, pasiguri,
zig-zage, labirinthe, hamendje, hapërime nëpër luftë...
Fshehja
e njëmbëdhjetë burrave në pusin për akumulim uji në oborrin e bacës Shaqë,
bëhet pasi mbërrijnë aty forcat serbe, dhe më pas duke parë që më s'do të
mundnin të rrinin aty pas ca dite, vendosin të dalin nga aty, duke rënë në duar
të paramilitarëve e t'u nënshtrohen torturave të tmershme psiqike e fizike, një
maratonë e gjatë vuajtjeje duke e parë me dhjetra herë vdekjen me sy, si në
stacion policor, si duke i bartur nga aty. E derisa i lëshojnë në mes një rruge, dëgjojnë një zë anës malit
se mos të vazhdojnë rrugës se munden me i vra, zë i një të njohuri të tyre që
fatmirësisht del shpëtimtar, duke vazhduar rrugën me kujdes, pa qenë të sigurt
se ku do të përfundojnë.
Më
në fund pas shumë ngjarjeve e vëshirësive që mund t'i marrim me mend, me 12
qershor fillon kapitulli i ri, duke u munduar të rifillojnë jetën me
frymëmarrje më të lehtë e që sapo ka filluar në një vend ku ndihet aroma e
duken shenjat e një lufte që sapo u arratis...
Në
korrikun e vitit 2002 pas një gare të fituar, shokët vizitojnë varrin e shokut
ia dhurojnë medaljen dhe topin me të cilin loznin ca vite më parë, duke kujtuar
lojën e lënë në gjysmë...