Mendime
Anton Berisha: LDK, partia më e strukturuar dhe më demokratikja
E marte, 29.12.2020, 11:59 AM
Anton Berisha:
Lidhja
Demokratike e Kosovës, vazhdon të jetë partia më e strukturuar dhe më
demokratikja në skenën politike të Kosovës. Ajo, edhë në kohën e liderit të
pakontestueshëm dr. Rugovës ka njohur vendimet e decentralizuara nga degët si
dhe marrjen e vendimeve në kryesi për pozitat qendrore.
Sistemi
zgjedhor aktual në Kosovë, që buron që nga koha e UNMIK-ut, proporcional
njëzonal, ishte hartuar pikërisht për të mundësuar pjesëmarrjen e më shumë
partive politike në Parlament duke përfshirë edhe ato të komuniteteve, në
mënyrë që të krijohet një përfshirje e gjerë.
Nuk
ka dyshim, se zgjedhjet lokale, me 28 tetor 2000, kur u pa që LDK dominonte në
mënyrë apsolute, ishin faktori kryesor që ndikuan për një model të tillë, dhe
ishtë vet dr. Rugova që pranoi atë sistem që
dëmtonte LDK-në, me qëllim që të prevaloj interesi i përgjithshëm, në
rrugën e pluralizmit demokratik për t’u dhënë mundësi partive të tjera të
përfaqësohen më lehtë në kuvend. Pra, ishte një qëndrim i një shtetari që nuk
redukohej në interesin partiak por
shtetëror, duke i ditur rrethanat e
komplikuara në atë periudhë.
Ky
sistem zgjedhor, që ka mbetur edhe sot, parashehë që partitë politike të
garojnë për parlamentin e Kosovës, me një listë prej 110 kandidatësh, në një
zonë, pra janë zgjedhje për deputetë, të cilët pas konstituimit të kuvendit,
konform ligjeve dhe rregulloreve, zgjedhin organet tjera duke përfshirë
presidentin dhe qeverinë.
Në
këtë kuptim, partia politike votohet bashkë me kandidatët e vet, që do të thotë
se kualiteti i listës kandiduese luan një rol të rëndësishëm. Edhe në këtë
sistem, LDK në zgjedhjet e vitit 2001 dhe 2004 doli bindshëm më e votuara.
Partitë
tjera, duke parë pamundësinë e kandidimit me një listë kualitative, filluan të
vënë një praktikë joformale të kandidimit për pozitën e kryeministrit, që e
bëri PDK, në mënyrë që gara nga lista e kandidatëve të fokusohej në kandidatin
për kryeministër. Ky model, realisht faktorizoi partitë tjera duke u fokusuar
në garë lideresh e jo në garë partiake, e që
nuk i konvenonte LDK-së, e cila pas vdekjes së dr.Rugovës, në proceset e
vështira të brendshme tentonte që të mbahej përmes strukturimit të saj dhe më
shumë figurave.
Mendoj,
që LDK nuk është dashur ta ndjekë këtë ritëm të nominimit që u konvenonte të tjerëve, por të ndjekte ritmin
e saj të listës së pasur me më shumë kandidatë. Pra, përderisa partitë e tjera,
nuk mund të krahasoheshin në kualitetin e listës zgjedhore me LDK-në, ngase
ishin kryesisht të bazuara në liderin, dhe e kompensonin atë mungesë me
nominimin për kryeministër, LDK-ja do të duhej të fokusohej në listën e saj.
Vet
fakti i sistemit proporcional, që nuk jep asnjë garancion të shumicës, pra as
të zgjedhjes së kandidatit, është argument i mjaftueshëm për mosmarrjen
parasysh të kësaj praktike. Edhe sot, mendoj, që LDK s’ka pse të hargjoj
energji në debatin e zgjedhjes së kandidatit për kryeministër, e përsërisë ,
për të ndjekur ritmin e partive të tjera që pothuajse nuk kanë më shumë se një
kandidat serioz për kryeministër, përderisa LDK ka më shumë personalitete të
tilla.
Në
një sistem proporcional, do të duhej të ishte e nënkuptueshme që partitë
garojnë me kandidatët e tyre, që burojnë nga kryetari, kryesia dhe degët nëpër
komuna, në mënyrë që të sigurojnë një numër sa më të madh deputetesh, prej nga
detyrueshëm në negociata ndërpartiake arrijnë marrëveshjen për zgjedhjen e
presidentit, qeverisë e organeve të tjera shtetërore.
Praktika
e këtyre viteve ka treguar, se pikërisht insistimet për pozitën e kryeministrit
kanë krijuar kriza qoftë në formimin e
qeverive dhe qoftë në rëniet e shpeshta, e që nuk do të duhej të ndodhte në një
sistem parlamentar.