Mendime
Ergys Mertiri: Gjunjëzimi i Ramës - Nga Akropoli në Korfuz
E hene, 28.12.2020, 07:54 PM
Gjunjëzimi i Ramës: Nga Akropoli në Korfuz
Nga
Ergys Mertiri
Megjithëse
nuk ka shfaqur kurrë ndonjë ndjeshmëri mbi debatet për çështjet kombëtare,
Kryeministri Rama ka luajtur më fort se kushdo me nacionalizmin. Sidomos në
mandatin e tij të parë, ai ekzaltoi jopak retorikën nacionaliste, duke u
përpjekur të shfaqet në imazhin e një lideri mbarëshqiptar, i aftë për të bërë
gjëra të mëdha. Në këtë frymë, ai pozonte para shqiptarëve si një politikan kurajoz,
pa komplekse, i cili flet troç, duke prekur tema të nxehta, e duke thyer tabutë
e vjetra ballkanike.
Duke
luajtur midis promovuesit të paqes dhe pretendimit për t’i thënë gjërat hapur,
nëpërmjet të cilave prodhoi jopak provokim për qarqet nacionaliste fqinje, Rama
luajti në sferën e nacionalizmit mediatik në një tango perfekte me Vuçiçin, i
interesuar gjithashtu të fitojë kapital politik nëpërmjet simulimit të një
beteje false midis dy kryeministrave. Vizitat e ndërsjellta të të dyve në
vendet e njëri-tjetrit dhe duelet retorike të simuluara në konferencat e
rastit, ishin kulmimet e një spektakli të improvizuar në funksion të piarit
politik të secilit.
Por
Rama nuk u mjaftua me kaq. Ai provokoi një sërë fërkimesh të tilla edhe me
Greqinë, ndërsa i kish ngrënë ndërkohë disa shuplaka nga Gruevski me ngjarjet
në Kumanovë, siç ka ndodhur përherë me të kur politika është më shumë se punë
mediash. Ai u mundua të prodhojë kështu një sërë “incidentesh” duke nisur që me
deklaratat se do të ngrejë çështjen çame (me të cilën, në realitet nuk u mor
kurrë), e deri tek një sërë deklaratash, përtej një gjuhe diplomatike, të tilla
si akropoli është sot falë shqiptarëve, se Athina ka qenë shqiptare, se
shqiptarët janë sot në ekspansion në Ballkan, se Greqia duhet ta lerë garën me
mitet etj.
Nëpërmjet
shfaqjeve të tilla, Kryeministri Rama është përpjekur të impostohet si një
lider që po sjell një epokë të re në politikën e jashtme shqiptare, e cila
gjente kurajë të pohojë dhe mbrojë të vërtetat e saj, ndryshe nga politika e
nënshtrimit dhe servilizmit që karakterizonte të kaluarën. Pra, ai kërkonte të
përcillte idenë se ai nuk është si të tjerët, i heshtur, i bindur e i
nënshtruar, por përkundrazi, ai ka guximin e duhur të mbrojë interesat dhe
dinjitetin e shqiptarëve përballë gjithkujt, pa iu dridhur qerpiku.
Kështu,
në samitin e Diasporës, më 19 nëntor 2016, ai e tregon hapur këtë synim:
“Për
një kohë të gjatë fqinjët tanë u mësuan “keq” që këtu në Tiranë të kishin
bashkëbisedues të nënshtruar e të heshtur, që bënin sikur s’kuptonin kur ka
qenë fjalë për çështje që s’mund të anashkaloheshin”.
Por,
kjo nuk zgjati shumë. Pas shkëlqimit të përkohshëm, shumë shpejt kacagjelosja u
kthye në përulje deri në turpërim. Pas dështimit të turpshëm përballë Serbisë,
- qoftë në prapambetjen e qeverisë shqiptare në raport me ndërkombëtarët
përballë serbëve, qoftë në inferioritetin e treguar në raport me pozicionin e
Kosovës në samitet mbi rajonin, por edhe në dështimin spektakolar të aventurave
territoriale, - Kryeministri Rama mori një sërë goditjesh nënshtruese nga
Greqia. Jo vetëm që çështja çame as përmendet më, por Shqipërisë i duhet të
pranojë dhe ndërtojë tashmë varreza të reja për ushtarët grekë, të pranojë
imponimet e saj lidhur me hapësirën territoriale detare, teksa nuk ka arritur
dot të kërkojë të paktën as shfuqizimin e ligjit të luftës, sa për sy e faqe.
Tigri prej letre i nacionalizmit mediatik të qeverisë shqiptare as nuk mjaullin
dot tashmë.
Paradoksalisht,
ndërsa Rama krekoset për sovranitet përballë BE-së, kur merr përsipër të
ndryshojë kushtetutën në mënyrë të njëanshme, duke shkelur mbarrëveshjen e
arritur për një kod zgjedhor të dakortësuar, ul kokën me turp, përballë cënimit
dramatik të sovranitetit territorial nga Athina, pa patur kurajë as të mbajë
një qendrim zyrtar për deklarimin e njënashëm të 12 miljeve nga pala greke.
Në
kushtet e të qenit i kërcënuar me humbjen e zgjedhjeve, Rama është sot
vulnerabël përballë çdo faktori me impakt politik brenda vendit. Për këtë arsye
ai është i gatshëm të bëjë çdo kompromis, me çfarëdo lloj kostoje. I mbetur
peng i dështimit të brendshëm, atij i duhet të gëlltisë çdo poshtërim pa pasur
më asnjë mundësi të reagojë.