Mendime
Eshref Ymeri: Nacionalizmi i Fishtës përballë tradhtisë së Enver Hoxhës
E merkure, 23.12.2020, 10:13 AM
Nacionalizmi i Fishtës përballë tradhtisë së Enver Hoxhës
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Më 30 dhjetor 2020, mbushen 80 vjet që kur u nda
nga jeta Atë Gjergj Fishta, njëra ndër figurat më emblematike të kulturës dhe
të nacionalizmit shqiptar. Si një intelektual i shquar, i cili studimet e larta
i kishte përfunduar shkëlqyeshëm në Kroaci për filozofi dhe për teologji, tërë
jetën e vet ia kushtoi njohjes nga afër të jetës dhe të formimit psikologjik të
banorëve ku punoi dhe meshoi për vite me radhë.
Në mesin e
banorëve të viseve veriore të vendit tonë, ai njohu nga afër gjendjen tyre të
rëndë ekonomike, e cila nuk i pengonte që ata të shpërfaqnin forcën e
karakterit të tyre, bujarinë karakteristike, mikritjen tradicionale,
fisnikërinë e shpirtit, besnikërinë ndaj normave të kodit zakonor, trimërinë
dhe qëndresën burrërore para çdo padrejtësie në jetën e përditshme. Aty ai u
njoh me thesaret e gjuhës shqipe, me pasurinë e saj të pamatë leksikore, e cila
do të gatuhej aq mjeshtërisht në “magjen” e krijimtarisë së tij artistike
Si njohës i pesë
gjuhëve të huaja, ai erdhi e u kalit me një kulturë të gjërë në disa fusha të
dijes, duke dhënë një kontribut të shquar në lëmin e letërsisë artistike, në
publicistikë, në arsim, në estetikë, madje edhe në pikturë. Në të njëjtën kohë,
ai ka luajtur një rol të rëndësishëm si politikan, duke ngritur zërin e tij të
fuqishëm në mbrojtje të interesave kombëtare.
Intelektuali i
njohur i Diasporës shqiptare në Australi, zotëria Federik Radovani, një
intelektual ky i formati të shkëlqyer nacionalist, gjatë gjithë vitit 2020, të
vlerësuar prej tij si Viti Fishtian, ka dhënë një kontribut shumë të çmuar për
nxjerrjen në pah të veprës madhore të Fishtës, si penë e shquar e përmasave
evropiane në kulturën shqiptare dhe si politikan me dinjitet të lartë kombëtar.
Lexuesit atdhetarë
i janë shumë mirënjohës intelektualit Federik Radovani, i cili, një vit më
parë, pati botuar në internet Fjalimin e famshëm të Fishtës në Konferenmcën e
Paqes në Paris, të mbajtur më 20 qershor 1919, fjalim që titullohet “Shqiptarët
e të drejtat e tyre”.
Lidhur me veprën
kriminale të shovinizmit evropian, i cili, për shkak të përçarjes
ndërshqiptare, nën ndikimin e fuqishëm të politikës dhe të diplomacisë
tradicionalisht armiqësore ruse ndaj kombit shqiptar, trojet tona etnike i
copëtoi në mënyrën më të pamëshirshme për interesat e grekosllavizmit, në atë
Konferencë Fishta i Madh, si asnjë politikan shqiptar pas shpalljes së
pavarësisë dhe deri në ditët tona, gjatë Fjalimit të vet emblematik, shprehu
një qëndrim fort burrëror, i cili me kohë duhej të qe shkruar me shkronja
të arta në historinë tonë kombëtare.
Në atë Fjalim,
tashmë në rolin e një politikani me vetëdije të lartë kombëtare, Fishta deklaroi:
“Po qe se përnjimend
parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter
themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e
drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet
etnikë dhe gjeografikë… Konferenca e Paqes
kishte me ba nji paudhni të përgjakshme, po nuk e nxuer e nuk ua ktheu
Shqipnisë ato toka që, Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtsije, në
vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë, për me ua lëshue grekve dhe serbve”.
Kur lexojmë këtë deklaratë të Atë
Gjergj Fishtës në një forum të lartë ndërkombëtar, siç ishte konferenca në
fjalë, bindemi plotësisht se ai është
burrëria dhe lavdia e kombit shqiptar, ai është dinjiteti, nderi dhe krenaria e
nacionalizmit shqiptar. Ai është burim i pashtershëm frymëzimi për të gjithë
shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare.
Kur lexuesi njihet
me përmbajtjen e atij Fjalimi, për forcë të ligjit të antitezës, vetvetiu i
lind në kokë ideja për të bërë ballafaqimin e qëndrimit të nacionalistit të
madh Fishta në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, me qëndrimin e
kryetradhtarit Enver Hoxha në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946. Në
këtë Konferencë u paraqit një rast ideal që Enver Hoxha të kërkonte ribashkimin
e Kosovës me Shqipërinë. Në Fjalimin e vet, Enver Hoxha pati sulmuar
amerikanët, të cilët, sipas bindjes së tij prej tradhtari të kombit shqiptar,
paskeshin përkrahur pretendimet greke për Epirin e Veriut. Lidhur me reagimin
në atë Konferencë të shefit të misionit amerikan Jakobs ndaj akuzës së Enver
Hoxhës, është bërë sqarimi sipas hulumtimit në vijim:
“Shefi i misionit
amerikan u përpoq t’i shpjegonte atij se SHBA, asnjëherë, nuk kishin përkrahur
kërkesat greke për “Epirin e Veriut” dhe se, duke votuar për futjen e kërkesës
greke në rendin e ditës të Konferencës, “ne thjesht kemi ndjekur politikën tonë
për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, duke dhënë një vlerësim ndaj çdo
kërkese për rektifikime kufitare. Kjo mund të bëhej vetëm në një konferencë
paqeje dhe se, duke votuar për futjen e kësaj çështjeje kufitare në rendin e
ditës së konferencës, kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton përkrahjen e SHBA për
këtë kërkesë”. Pastaj, duke kaluar në kundërofensivë, Jakobsi preku një çështje
delikate. Ai e pyeti Hoxhën, se cili do të ishte reagimi i tij, në qoftë se
Shqipëria do të kërkonte futjen në axhendën e Konferencës së Paqes të kërkesës
për rajonin e Kosovës, dhe në rast se
Delegacioni i SHBA do të votonte kundër së drejtës së Shqipërisë për ta
diskutuar këtë kërkesë në Konferencë. “A nuk mendoni ju se, të paktën, kërkesa
juaj duhet të diskutohet dhe të studiohet?” - kishte pyetur Jakobsi. Kësaj
pyetjeje E. Hoxha iu përgjigj në një mënyrë të turbullt dhe mohuese. Ai i tha
përfaqësuesit amerikan se “kjo nuk përbën një rast analog, sepse ne nuk jemi
duke shtruar kërkesën për rajonin e Kosovës nga aleatja jonë, Jugosllavia””
(Citohet sipas: Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”.
GEER. Tiranë 2002, f. 515-516).
Pra, Jakobsi, siç
duket, ishte i informuar me kohë për figurën e Enver Hoxhës, si një argat
besnik i Beogradit dhe ai, paraprakisht, ishte plotësisht i bindur për një gjë
të tillë. Prandaj i drejtoi Enver Hoxhës pyetjen-kurth lidhur me qëndrimin e
tij ndaj Kosovës, në mënyrë që ta pranonte edhe publikisht para asaj Konference
se ishte kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Domosdo që
tradhtari Enver Hoxha nuk mund ta kërkonte një ribashkim të tillë se ai, si i
rekrutuar me kohë në shërbim të serbosllavizmit, ia kishte shitur shpirtin
shejtanit. Në dallim nga Fishta, i cili
serbosllavizmin e kishte vënë në tehun e “bajonetës” së vet letrare dhe
publicistike, Enver Hoxha kishte rënë në gjunjë para tij dhe ishte gati që Shqipërinë ta kthente
në koloni të Jugosllavisë, nën maskën e një republikë të shtatë. Por, në të njëjtën
kohë, Atë Gjergj Fishta është edhe shuplaka më e rëndë për të gjithë
besëprerët, dallkaukët, hajdutët, mercenarët dhe tradhtarët e kombit shqiptar,
të cilët, në krye të politikës shqiptare, deri edhe në ditët tona, shenjtërinë
e të qenit shqiptar, nacionalizmin shqiptar, e kanë nxjerrë në breg të pazareve
grekosllave dhe të brukselizmit në përkrahje të tij.
Rreth një vit më
vonë pas Konferencës së Paqes në Paris, argati Enver Hoxha, si kryefalsifikator
i historisë së marrëdhënieve të popullit shqiptar me sllavët, do të deklaronte
fare paturpësisht:
“… Dashuria e popujve të Jugosllavisë
e mareshallit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin
shqiptar është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në
kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç
është Jugosllavia... Po të studiojmë historinë e vërtetë të popullit tonë dhe
jo atë të shkruajtur prej agjentëve të imperializmit, do të shohim se populli
ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt
me popujt sllavë… Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit
dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta me “Lahutën e
Malësisë”...” (Citohet sipas: “Pse u masakrua Gjergj Fishta”. Pjesë të fjalës së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh
që morën pjesë në Pleniumin IV të rinisë popullore. Marrë nga faqja e internetit “Peshku pa ujë”. 06
dhjetor 2012).
Kjo deklaratë prej tradhtari të
regjur të kombit shqiptar, në të cilën Enver Hoxha shpif për Fishtën, duke e
etiketuar si shërbëtor të fashizmit italian, dëshmon për dy gjëra:
Enver Hoxha ose ka pasë qenë kaq keq
i verbuar nga tradhtia në shërbim të serbosllavizmit, saqë nuk paska qenë në
gjendje absolutisht t’i hidhte një vështrim të kaluarës historike të
marrëdhënieve të popullit shqiptar me popujt sllavë, ose ai, për shkak të
kulturës gjysmake, nuk e ka ditur fare se ku binte me adresë ajo e kaluar
historike. Sepse dihet që serbosllavët kanë pasë ushqyer urrejtje shumëshekullore
kundër popullit shqiptar.
Profesori Hakif
Bajrami citon priftin serb Nikollaj Velmiroviç, i cili në vitin 1942 ka deklaruar:
“Atë që po bën sot Hitleri kundër
hebrenjve, atë e ka bërë Shën Sava (1169-1236) në mesjetë kundër arbanasëve,
që nuk donin të konvertohen në sllavë” (Citohet sipas: Pro.dr. Hakif Bajrami. “Pse
Serbia sot është në ofensivë defaktorizuese ndaj Republikës së Kosovës”.
Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 11 dhjetor 2020).
Për t’u njohur më me hollësi me
strategjinë e serbosllavizmit për shfarosjen e popullit shqiptar dhe sidomos të
popullit shqiptar të Kosovës, nostalgjikët e Enverit (e propaganduesit të
marrëdhënieve “miqësore” me popujt sllavë) në Shqipëri dhe në Kosovë, sidomos enveristë e Ferizajt, le të kenë
parasysh “Naçertanien” e Ilia Garashaninit të vitit 1844, gjenociditn
serbosllav që shpërtheu në krahinën e Nishit pas vendimeve kriminale të
Kongresit famëkeq të Berlinit të vitit 1878, periudhën e luftrave ballkanike,
le të lexojnë dhe të rilexojnë për këtë periudhë artikullin me titull “Kush
e vërtetoi vrasjen e 500 mijë shqiptarëve nga serbët, si u gjet libri i
austriakut?”, të botuar në faqen e internetit të
gazetës “Bota Sot” të datës 18
mars 2018, le të sjellin në kujtesë elaboratin e shkrimtarit të tërbuar
shovinist Ivo Andriç dhe të akademikut gjakatar Çubrilloviç në prag të Luftë II
Botërore, për t’u njohur me doktrinën shtetërore serbe për zhdukjen e popullit
shqiptar.
Të gjitha këto të vërteta historike, tradhtari i Kosovës
dhe i mbarë kombit shqiptar Enver Hoxha, i anashkalonte me të vetmin qëllim, që të zhdukte nga kujtesa e njerëzve
emrin e Gjergj Fishtës. Enver Hoxha, siç e pati karakterizuar fort bukur
Mustafa Kaçaçi në Konferencë e Labinotit të marsit të vitit 1943, kishte qenë
“askushi” deri ditën ku filloi zhvillimi i punimeve të asaj konference. Dhe ky
“askush”, i komanduar në krye të partisë me “patericat” e Miladinit dhe të
Dushanit, kërkonte të bëhej “dikushi” se
s’bën. Por gjatë përvojës së popujve të ndryshëm, jeta ka vërftetuar se
“askushi” mund të bëhet “dikushi” vetëm përmes ushtrimit të terrorit të egër
kundër popullit të vet. Prandaj kryekrimineli Enver Hoxha nuk u mjaftua vetëm
me hedhjen e baltës pa hesap mbi emrin dhe veprën e ndritur të Fishtës së Madh.
Ai, si agjent i regjur i serbosllavizmit, urrejtjen e papërmbajtur, deri në
egërsi shtazarake, e shfreu edhe ndaj eshtrave të tij, duke dhënë urdhër për
zhvarrosjen e tyre dhe flakjen në lumin Drin.
Dhunimin e eshtrave të Fishtës, Petraq Kolevica, e ka
vajtuar me një art të rrallë poetik në poezinë me titull “Vigani që prehje
nuk gjeti”, të botuar në vitin 2006. Lexuesit mund ta gjejnë në internet.