Mendime
Anton Marku: Vit i keq për Kosovën
E diele, 20.12.2020, 09:10 PM
Vit i keq për Kosovën
Nga Anton
Marku
Kosova po përmbyll vitin më sfidues
që nga shpallja e pavarësisë duke ndrruar tri qeveri. Në këtë kohë krize
asnjëra prej tyre nuk udhëhoqi me shtetin, por që të tria bënë, cila më pak e
cila më shumë, që kriza të udhëheqë
me shtetin. Pandemia na mundësoi që të kuptojmë se sa të parëndësishme janë
gjërat tjera në krahasim me shëndetin, e aq më tepër me jetën.
Pandemia
Qeveria aktuale, përpos që çdo ditë e më tepër po dëshmon
paftësinë e saj për t‘u përballur me pasojat e virusit, po përpiqet që edhe të
kufizojë demokracinë duke përdorur mjete demokratike (dekrete, udhëzime administrative, etj). Po të bëhet
një bilanc dhe të tërhiqet një vijë për sa i përket luftimit të kësaj të keqeje
globale atëherë ajo do të vendosej në këndin e poshtëm të mesatares, diku mes
dëshpërimit dhe frustrimit. Por, edhe ashtu, që nga marsi më nuk po i
shtrëngojmë duart njëri-tjetrit por po ‘‘grushtohemi’’.
E prapë se prapë kosovarët e duan shtetin e tyre si asnjë
tjetër. Po të mund të zgjidhnin se ku do të lëshonin shpirtin atëherë shumica
absolute do ta bënin këtë mu aty.
Gjykata speciale
Në historinë më të re Haga ka bërë shpesh që gjethet e
rëna t’u kthehen degëve, të marrin zë, të flasin dhe të tregojnë se kush i
detyroi të prekin dheun. Në këtë kontekst kosovarët duhet të besojnë në
drejtësinë ndërkombëtare pa paragjykime dhe hezitime, dhe atë jo vetëm atëherë
kur ajo lëshon aktgjykime liruese. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se të
pafajshmit do të dalin faqebardhë. Të tjerët e dinë vetë. E di dhe populli që e
kanë burgosur për dy dekada, e për fat të keq, të burgosurit nuk kanë çelësa.
Ata duhet kërkuar diku tjetër.
Merimangat gjatë tërë jetës punojnë rrjetën e tyre, por
edhe vetë jetojnë në të.
Erërat nuk fryejnë vetëm për të lëkundur trupat e lisave,
por edhe për të pastruar rrugët.
Dialogu
As Kosova e as Serbia nuk i kanë hyrë sinqerisht procesit
të dialogut, dhe atë që nga fillimi. Ajo ishte më shumë fasadë për t’i treguar
bashkësisë ndërkombëtare se gjoja janë të interesuar për normalizimin e
raporteve mes tyre. Në anën tjetër kanë punuar parreshtur që të sabotojnë
zbatimin e marrëveshjeve të dala nga ai. Kjo strategji dha rezultate dhe
vazhdon të japë edhe sot. Negative natyrisht. Shenjat janë se edhe në të
ardhmen do të luhet e njëjta lojë. Mbase kësaj radhe me mjete dhe protagonistë
të tjerë.
Zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës mbase do të
shtyhet deri në shekullin tjetër, atehere ku ca gjenerata të tjera, të cilat
nuk arritën të armiqësohen ndonjëherë, të pajtohen mes vete. Ajo ditë do të
varet lartë në perin e historisë. Deri atëherë, jo vetëm ajo por dhe i tërë
Ballkani, do të vazhdojnë të kultivojnë me stoicizëm epitetin me të cilin i
njeh bota: Fuqi baroti.
Ne dhe ata
Është koha e fundit që serbët të kuptojnë se Kosova u ka
dalur nga duart dhe se ajo nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë. Në anën
tjetër, edhe kosovarët duhet të fillojnë të mos besojnë më se njohja nga
Serbia, sikurse edhe anëtarësimi në BE, NATO e OKB janë afër.
Liria di t’i ngjajë edhe diellit pa dritë. Emrat e një
pjese të atyre, asaj më të zhurmshme, që pretendojnë se e sollën atë, do të
mbeten të shënuar në kujtesën kolektive si miza të cilat kurrë nuk arritën të
bëhen flutura.
Reflektim
Kosova po hyn në dekadën e re e lodhur, e sëmurë, e
rrudhur dhe më me pak njerëz. Ka kohë që mbi qiellin e saj nuk është parë asnjë
ylber.
Qoftë ndryshe në vitin që po hyjmë!
Vjenë, 19.12.2020