Mendime
Enver Bytyçi: Brutaliteti i Edi Ramës përballë Vjosa Osmanit drejtohet kundër Kosovës!
E premte, 18.12.2020, 07:34 PM
Brutaliteti i Edi Ramës përballë Vjosa Osmanit drejtohet kundër Kosovës!
Nga
Enver Bytyçi
Edi
Rama nuk pranoi ta dëgjojë në parlament Vjosa Osmanin. Nuk pranoi as të
komentojë takimin midis tyre apo të bëjë një konferencë shtypi të përbashkët.
Nuk shkroi asnjë fjalë në fb apo Tëiter. Servilët pranë tij e shpjegojnë këtë
sjellje të kryeministrit të Shqipërisë përballë presidentes në detyrë dhe
kryetares së Parlamentit të Kosovës si hakmarrje, apo si shënjë e hatërmbetjes
që ai ka për deklaratat e zonjës Osmani gjatë kësaj vizite në Shqipëri e sidmos
në fjalimin që mbajti në sallën e pseudoparlamentit të Shqipërisë.
Kryeministri
Rama u soll me presidenten Osmani me arrogancën e sprovuar të tij, siç sillet
rëndomë ndaj atyre që ai i quan “halabakë”, pra protestuesve ose kundërshtarëve
të tij. Deri më sot nuk ka ndodhur që Edi Rama të sillet me korrektësi me
liderët e Kosovës përjashtuar Hashim Thaçit. Të gjithë i ka atakuar. Të
gjithëve u ka vënë nga një nofkë. Ndoshta më pas u ka shkuar në shtëpi dhe
mikpritjen e vëllezërve të mij (por jo të Ramës – Rama nuk ka as vëllezër, as
motra në Kosovë) e ka shit si “pajtim”, duke krijuar përshtypjen se ai “nuk
është i rrezikshëm, është thjesht një njeri hatërmbetur”!
Në
fakt nuk është kjo. Edi Rama sillet keq me lidershipin e Kosovës, sepse ai ka
marrë një rol, është pozicionuar tashmë! Roli dhe pozicioni i tij shkojnë
përtej asaj çfarë thonë mbrojtësit e kryeministrit dhe lidhet me shërbimet e
kreut të ekzekutivit shqiptar ndaj Serbisë dhe mikut të tij president i këtij
vendi, Aleksandër Vuçiç! Askush nuk duhet të dyshojë tashmë se Edi Rama është i
kapur prej Aleksandër Vuçiç! Ndryshe ai do të kishte reflektuar sado pak dhe
nuk do të përsëriste për të njëmijtën herë sjelljen e tij prej arroganti e
pro-serbe ndaj lidershipit të Kosovës.
Profesori
amerikan, Edëard Joseph, një njohës i shkëlqyer i zhvillimeve në rajonin tonë
dhe në Kosovë plot para një viti pati shtruar pyetjen logjike:- Pse e lejoni
Ramën të izolojë Kosovën për Vuçiç?! Kjo ka ndodhur në një intervistë që ai i
kishte dhënë më 21 dhjetor 2019 një amerikani tjetër të mirënjohur, në
emisionin “Bugajski Hours”! Shpesh herë e kam bërë këtë pyetje, se si është e
mundur që ne shqiptarët të lejojmë një njeri, sado i fuqishëm të jetë ai, të
izolojë Kosovën, ta dëmmtojë atë dhe të punojë për interesat e Serbisë?!
Edhe
sjellja e sotme ndaj Vjosa Osmanit ishte mjet për izolimin e Kosovës. Zonja
Osmani i kërkoi parlamentit tonë që Shqipëria t’i japë zë Kosovës! Ndërsa Rama
i jep zë Serbisë. Në ditën që dolën komandantët e luftës para Gjykatës Speciale
në Hagë, Rama mbajti videokonferencën e radhës më presidentin e Serbisë, Vuçiç.
Ndërsa sot, kur Vjosa Osmani fliste në parlament, Edi Rama u lidh përsëri
online me Beogradin në ceremoninë në
ceremoninë e nënshkrimit të “marrëveshjes” për lëvizjen e lirë në Serbi, me
karta identiteti. Sikur shqiptarët vuajnë nga ajo nëse udhëtojnë e pasaporta
apo me karta identiteti! E shet këtë sikur të kishte liberalizuar vizat me
Amerikën!
Të
gjitha këto janë karshillëk ndaj Kosovës. Nëse dikush në Kosovë ankohet për
minishengenin Rama-Vuçiç, kryeministri i vendit tim, vendit tënd, vendit tonë,
do të lidhet me mikun e tij në Beograd, me qëllim që të atakojë mendimin
ndryshe të përfaqësuesve të Kosovës. Nëse dikush i përmend faktin se Rama ka
kontribuar për rehabilitimin e Serbisë prej krimeve makabre që ajo ka bërë në
Kosovë, atëherë kryeministri i vendit tim dhe tëndit do të lëshojë deklarata
miqësie e “dashururie” për ata që dhunuan dhe masakruan shqiptarët në Kosovë!
Nëse dikush në Kosovë do të marrë një vendim anti-serb, atëherë Rama do të
flasë shqip dhe anglisht kundër këtij personi! Dhe nëse lidershipi i Kosovës do
t’i kërkojë Ramës heqjen e barrierave të lëvizjes Kosovë-Shqipëri, ai do të na
reklamojë kartat e identitetit për të kaluar kufirin për në Serbi!
Edi
Rama u deklarua si sot para një viti, këtu në Tiranë, në prezencë të kreut të
shtetit të Serbisë, se “Nëse Kosova nuk bëhet pjesë e minishegenit ballkanik,
atëherë ajo do të vetëizolohet me dëshirën e saj”! Me këtë rast ai zbuloi për
faqe botës se izolimi i Kosovës është misioni i tij. Dhe se këtë mjet
anti-kombëtar e anti-njerëzor si e përdor për të imponuar realizimin e
interesave serbe në Kosovë.
Por
izolimi i Kosovës nuk është qëllimi, është mjeti për të shkuar te qëllimi final
i Ramës. Ai ka dëshmuar se mjete të tilla i përdor me mençurinë e djallit dhe
se ka objektiv të tij ta zhbëjë shtetin e Kosovës, t’i rrënojë institucionet e
saj dhe madje ta copëtojë edhe territorin e saj. Prandaj duhet të jemi të
shqetësuar seriozisht e më shumë se kurrë në historinë tonë, që kryeministri i
vendit tonë sillet kësisoj me politikën shqiptare në Kosovë. Dhe që ta izolojë
Kosovën, ai përdor metodën e denigrimit të politikanëve të saj. Këtë metodë
djallëzore e përdori fillimisht kundër Isa Mustafës, kur ai si kryeministër
kishte për ministër të Jashtëm Hashim Thaçin. Më pas e përdori kundër
Haradinajt, madje me një brutalitet të pashëbullt në historinë e marrëdhënieve
ndërkombëtare.
Rama
ishte dhe është i gatshëm të dërgojë në gjykatë kryeministrat e Kosovës, por jo
edhe të dënojë krimet serbe kundër shqiptarëve në këtë vend. Edi Rama është i
gatshëm të përqafohet e të bëjë mundësisht dhjetë konferenca shtypi me
presidentin e Serbisë Brenda një ditë, por jo edhe me presidenten e Kosovës!
Edi Rama lufton që të hapë kufijtë me Serbinë e ta sjellë madje atë në Durrës,
ndërkohë që krijon barriera të tilla si trau i Kalimashit me Kosovën. Ai tra
nuk është ngritur për të sjellë të ardhura në arkën e shtetit, sepse shteti çdo
vit i jep para kompanisë që administron trarin e Kalimashit, para me të cilat
do të mirëmbante Rrugën e Kombit. Ai tra u ngrit për të krijuar një pengesë në
marrëdhëniet tona me Kosovën. U ngrit si mesazh dhe paralajmërim se “Koha e
mjaltit të marrëdhënieve të mira Prishtinë-Tiranë kishte përfunduar”, për ta
zevendësuar këtë kohë me një epokë të re, epokën e vëllazërim-bashkimit midis
Tiranës zyrtare dhe Beogradit!