Mendime
Adil Fetahu: Çakrraisja serbe!
E hene, 21.12.2020, 09:52 PM
ÇAKRRAISJA SERBE NDAJ REKOMANDIMEVE TË KOMITETIT TË POLITIKËS SË JASHTME TË KONGRESIT AMERIKAN
Nga Adil FETAHU
Me ftesën e kongresistit Eliot Engel, kryetar i
Komitetit të Kongresit Amerikan per Politikë të Jashtme, më 8 dhjetor 2020 u
mbajt në Washington një konsultë dëgjimi të mendimeve dhe rekomandimeve të
ekspertëve për politikë të jashtme, të cilën do duhej të ndjek administrata e
re amerikane, me kryetarin e ri të zgjedhur Xhozef Bajden. Në seancën
dëgjimore, përveç kryetarit të atij Komiteti, Eliot Engel dhe anëtarit Majkel
Mekoll, morën pjesë ish-sekretarja e
shetit, Madeline Olbright, profesori i studimeve ndërkombëtare të Universitetit
“Xhorxh Hopkins”,Daniel Server, presidenti i Qendrës për Studime Strategjike,
Janush Bugajski.
Pjesëmarrësit i bënë një analizë politikës së
jashtme të Administratës së presidentit Donald Trump dhe strategjisë që duhet
të ndjek Administrata e re e kryesuar nga Xhozef Biden në marrëdhëniet me
Bashkimin Europian dhe në zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor, me
theks të veçantë problemit midis Kosovës e Serbisë dhe problemit të
Bosnje-Hercegovinës.
Formuluar “në vija të trasha”, rekomandimet që
dolën nga ai takim mund të sublimohen në këto formulime:
·
të shtohet dhe përforcohet angazhimi
dhe ndikimi i ShBA-ve në Ballkanin Perëndimor;
·
të forcohet bashkëpunimi dhe koordinimi midis ShBA dhe BE-së, veçmas me
Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, për zgjidhjën e problemeve të vendeve të
Ballkanit;
·
t’i jepet përkrahje më e madhe zhvillimit të demokracisë, reformave,
sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit;
·
të bëhet presion mbi liderët e korruptuar, të cilët e shfrytëzojnë
nacionalizmin për të mbajtur pushtetin e tyre;
·
t’i bëhet e qartë Serbisë, se nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit
Europian pa e njohur pavarësinë e Kosovës;
·
Madeline Olbrajt të përfshihet në procesin e dialogut midis Kosovës e
Serbisë, që po zhvillohet nën patronatin e BE-së;
·
Bajden dhe Merkel të bëjnë presion që
pesë shtetet anëtare të BE-së ta
njohin pavarësinë e Kosovës;
·
të ndikohet që Rusia dhe Kina të mos vejnë veto kundër anëtarësimit të
Kosovës në KB;
·
të neutralizohet ndikimi i Kinës dhe Rusisë në Ballkanin Perëndimor, veçmas
në Serbi.
Reagimet ndaj rekomandimeve
Kundër kësaj “pakoje të rekomandimeve” të
njohësve më të mirë të politikës së jashtme, në Sërbi janë hakërruar e
çakrraisur strukturat e shtetit, të politikës, të kishës, të elitave
intelektuale dhe të mediave, duke e quajtur “plan skandaloz dhe presion
kundër Serbisë e popullit serb”. Dhe jo vetëm në Serbi, por edhe
diplomacija ruse, duke nisur nga vet shefi i diplomacisë, Lavrov, dhe
ambasadori rus në Beograd, Alesandar Bocan-Harçenko, rekomandimet e dhëna
Administratës së re amerikane i quajtën presion mbi Serbinë, mbi udhëheqësinë
dhe mbi politikën e saj të pavarur.
Reagimet në Serbi kundër rekomandimeve të
Komitetit për Politikë të Jashtme të ShBA-ve ishin të orkestruara nga struktura
të pushtetit, shoqërisë civile, kishës, qeverisë deri te kreu i shtetit.
Përveç reagimeve prompt (të menjëhershme) të
televizioneve, internetit dhe gazetave ditore, duke i quajtur rekomandimet e
Engelit, Olbrajtit e Serverit sipas titujve nga gazetat: “Sulm mbi Serbët
dhe Serbinë”, “Plan skandaloz”, “Paralajmërim i grushtshtetit”,-
analistë e komentues të ndryshëm në emisione televizve i quajtën ato presione
mbi mbi Serbinë dhe udhëheqjen e saj për: njohjen e shtetit të Kosovës; për
heqjen dorë nga Republika Srpska; për heqjen dorë nga lidhjet e forta me Rusinë
e Kinën; nëse Vuçiqi nuk i plotëson këto, të vie në pushtet dikush që i
plotëson. Vlerësime të përgjithshme në Serbi janë se Eliot Engel, në fund të
mandatit të tij po përpiqet t’i jep edhe një goditje Serbisë.
Si “postë e porositur”, njëfar gorani nga
Prizreni, tashmë krejtësisht i serbizuar, Orhan Dragash, drejtor i Institutit
Ndërkombëtar për Siguri, në Beograd, i dërgoi një letër kryetarit të ri të
zgjedhur të ShBA-ve, Xhoe Bajden, në të cilën, veç tjerash thekson se
rekomandimet e Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan nuk janë
të mira për politikën e ardhshme të ShBA-ve ndaj Ballkanit, veçmas ato ndaj
Kosovës. Dragashi posaçërisht e kundërshton qëndrimin e Serverit dhe të
Bugajskit, të cilët insistojnë jë njohjen e Kosovës nga Serbia.
Një reagim poashtu si postë e porositur vjen nga
një shkrim “autorial” i një peshkopi serb, miropoliti i Zagrebit e Lublanës
(Porfirije, B=92, 16.XII) dërguar
“Tanjugut” e botuar nga të gjitha mediat serbe, me titull: “Kome je u interesu
da pokrene novi ratni pozar” (Në interes të kujt është nxitja e zjarrit të një
lufte të re). Sipas vlerësimeve të atij kleri, që nuk janë (vetëm) të tij, “kreatorëve profesional të konfliktit nuk
iu konvenon paqja dhe përparimi i popullit serb dhe i shtetit të Serbisë,
prandaj po zhvillohet fushatë e orkestruar kundër qeverisë dhe kryetarit të
saj. Skenari është i njëjtjtë, producenti i njëjtë, regjia është monotone,
shfaqja efektive për keqdashësit, të gjithë janë humbës, vetëm kreatorët
profesioalë të konfliktit janë fitues”, përfundon shkrimi i mitropolitit.
Ministri i punëve të brendshme të Serbisë,
Aleksandar Vullin, që është si një megafon i prishur i Vuçiqit, në stilin e tij
të vrazhdë e të papërmbajtur, reagoi duke thënë se ”Nga Madeline Olbrajt dhe
Eliot Engeli mund të priten vetëm paragjykime, urrejtje dhe gënjeshtra kur
flasin për Serbinë. Ata duan të na detyrojnë të prishemi me Rusinë dhe Kinën.
Engelin dhe Olbrajtin i kanë mbuluar me para përfaqësuesit politik të
narko-dilerëve nga Kosova. Serbët janë popull i vogël për t’i humbur aleatët aq
të mëdhenj, siç janë Rusia dhe Kina”,thotë Vulini (“Tanjug”, 8 dhjetor).
Edhe ai “ariu i Gërmeçit”, siç e quan Çeda Jovanoviqi udhëheqësin e serbëve të
Bosnjës, Millorad Dodik, thotë se
“Fjalët e Daniel Serverit për Banjallukën janë paralajmërim i grushtshtetit(!)
nga një armik i dëshmuar i Republikës Srpska”. Autorët e rekomandimeve për
administratën e re amerikane Dodiku i quan “lobues të politikës së Muslimanëve
të Bosnjës. Ndryshimi i Kushtetutës së Bosnjje-Hercegovinës mund të shkaktojë
destbilizim me pasoja të paparashikueshme. Nëse Serveri dhe të tjerët mendojnë
se Republika Srspka do ta heshtë suprimimin e saj, do të thotë se ata nuk kanë
mësuar asgjë nga e kaluara as e shohin realisht momentin aktual. Por, ShBA-të
janë fuqi e madhe dhe jam i sigurt se politikën e jashtme nuk e koncipojnë në
bazë të imagjinatës së kuazi-analistëve të cilët janë lobues të politikës
muslimane të BH”, thotë Dodik (“Dnevni avaz”, 8 dhjetor).
Ndaj rekomandimeve të Komitetit për Politikë të
Jashtme të Kongresit Amerikan, ka reaguar edhe diplomacia ruse. Ministri i
Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, gjatë vizitës së tij në Bosnjje-Hercegovinë
dhe në Sërbi, për të satën herë përsëriti
se Rusia e mbështetë qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës. Ndërsa gjatë
vizitës në BH, Lavrov shkaktoi incident diplomati, kur u takua vetëm me
udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millord Dodik, i cili është anëtar i treshës
së Kryesisë së Bosnje-Hercegovinës, ndërsa në atë takim nuk kishte shenja
(flamur) të BH, por vetëm të Rusisë dhe të Republika Srpska, që do të thotë se
Lavrovi atë e trajton si shtet të pavarur! Incidenti tjetër diplomatik Dodik-Lavrov ishte edhe kur
Dodiku ia dhuroi Lavrovit një ikonë, të cilën vullnetarët dhe mercenarët serbë
pjesëmarrës në Luftën e Krimesë e kishin vjedhur atje gjatë luftës.
Ndërkaq, ambasadori rus në Beograd, Aleksandar
Bocan-Harçenko, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me
rekomandimet e Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, ka
theksuar se “do të ketë edhe më shumë presione mbi Serbinë, sepse po iu
pengon Serbia e pavarur. Rusia e ka agjendën e vet të marrëdhënieve me Serbinë.
Ne do të hapim edhe Përfaqësinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë në Beograd
dhe do të mbëshesim zhvillimin e marrëdhënieve të veçanta të Serbisë me
Republika Srpska”.
Reagimi më me peshë në Serbi ndaj rekomandimeve të përmendura
vjen nga vet kryetari i Serbisë,
Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se muajtë e ardhshëm “na presin sfida të mëdha
lidhur me Kosovën, lidhur me Republika Srpska dhe lidhur me marrëdhëniet me
Kinën dhe Rusinë. Po duan që përmes një
reforme kushtetuese t’ia marrin kompetencat Republikës Serbe, përkundër
Marrëveshjes së Dejtonit. Po ta nënshkruaja njohjen e Kosovës, do ta fitoja
Çmimin Nobel për Paqe dhe do të shpallesha demokrati më i madh. Por njohje të
Kosovës nga Serbia nuk do të ketë sa të jem unë kryetar i Serbisë, deri në
prill të vitit 2022”, ka thënë Vuçiq (B=92, 18.XII.). Ai ka shtuar se, si
refleksion i atyre rekomandimeve, edhe në Raportin e Komisionit të BE-së për
Kosovën, hartuar nga Viola fon Kramon, ftohen pesë shtetet anëtare të
BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Ka gjasa që Madeline Olbrajt të përfshihet
si përfaqsuese e ShBA-ve në dialogun midis Kosovës e Serbisë. Ne duhet
t’i kundërvihemi këtij presioni. Serbia nuk do të hyjë në NATO, sepse është
shtet ushtarakisht neutral,- ka thënë Vuçiq.
Konteksti aktual
Fitorja e Xhoe Bajdenit në zgjedhjet për president të Amerikës, e ka shqetësuar skenën
politike në Beograd dhe jo vetm atje, ngase pritet ndryshim i kursit politik
amerikan në lidhje me Ballkanin.
Presidenti i ri Bajden është personalitet me eksperiencë të gjatë politike e
shtetërore dhe njeh shumë mirë situatën
në Ballkan, e di kush ishte agresori në luftërat e përgjakshme gjenocidale në
ish-Jugoslavi. Veç kësaj, z.Bajden është shumë më i përshtatshëm dhe më i
përkushtuar për bashkëpunim me partnerët
e tij Europeanë se sa që ishte Trumpi.
Njohësit e ecurive politike ndërkombëtare e kanë
pasur të qartë se Europa pa Amerikën nuk mund t’i zgjidhë problemet e mëdha në
Ballkan, të shkaktuara tash e dy shekuj nga
hegjemonizmi serbo-rus. Hapat që bëri presidenti Trump me “përafrimin” e
Kosovës dhe Serbisë me ndonjë komponentë ekonomike-infrastrukturore veçsa i rriti apetitet e Serbisë për të marrë
përkrahjen amerikane për ambicjet e veta të dominimit dhe zgjidhjes së
“çështjes serbe në Ballkan”, me bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet të
përbashkët, në boshtin Beograd-Banjallukë-Podgoricë-Mitrovicë, me sigurimin e
daljes në Detin Adriatik. Kjo është strategji prej së cilës Serbia nuk heq
dorë, sepse e ka fituar me luftë, formimi i entitetit të quajtur Republika
Srpska. Prandaj edhe insiston në forcimin dhe pavarësimin e atij entiteti, respektivisht bashkimin e tijj me Serbinë.
Promovuesi i kësaj politike dhe strategjie,
Aleksandar Vuçiqi, shpeshherë e thekson se politika e tij mbështetet në katër
shtylla: në Rusinë, Kinën, ShBA-të dhe BE-në. Ai bënë lojë jo të sinqertë kur këto katër shtylla i përmend vetëm për kamuflimin e
gjeostrategjisë së tij politike, ngase në realitet është i orientuar kryesisht
kah Rusia, dhe e di fare mirë se këto nuk kanë interesa të njëjta e të
përbashkëta, por Vuçiqi do të kapitalizojë interesat e veta nga interesat e
ndryshme të fuqive të përmendura, t’i shfrytëzojë të gjitha ato për favore ekonomike, politike
dhe ushtarake. Vuçiqi e luan lojën e Titos me shtetet e painkuadruara. Por ky
është dyftyrësh: thotë se angazhohet për
anëtarësim në BE dhe afrim me NATO-n, e nga ana tjetër sa herë e ka pohuar se
do të heqte dorë nga anëtarësimi në BE, në qoftë se kjo kushtëzohet me
“humbjen” e Kosovës, dhe se do të mbajë
neutralitet ushtarak, pra nuk do t’i bashkohet NATO-s, e nga ana tjetër
ushtarakisht është i lidhur këmbë e krye me Rusinë. Natyrisht, pretendimin më të madh e ka ndaj të ashtuquajturës
Republika Srpska, por aktualisht e mbanë nën rogoz, për shkaqe të njohura. Dhe
në realitet fare nuk është i interesuar për t’u bërë pjesë e Bashkimit
European, ngase ashtu do të eliminoheshin ambicjet për bashkimin e Republika
Srpska me Serbinë. Prandaj, tash për tash politika e Serbisë është e
përqëndruar në zbatimin e Memorandumit 2 të Akademisë së Shkencave të Serbisë,
për destabilizimin e rajonit, pengimin e konsolidimit të shteteve të brishta
siç janë Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, por edhe Mali i Zi. Dhe këtë e bënë
përmes rebelimit të minoritetit serb që
ka në këto shtete, të cilët i mbështetë financiarisht dhe në çdo mënyrë tjetër,
nën parullën e mbrojtjes së popullsisë serbe kudo që ajo jeton.
Mund të thuhet se në frymën dhe si refleksion i
rekomandimeve të Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, të
datës 8 dhjetor, është Rezoluta 729, dt.20 dhjetor 2020, e miratuar nga Senati
Amerikan me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit. Në atë Rezolutë
Senati amerikan i bënë apel dhe e kurajon
pushtetin e Bosnje-Hercegovinës që të zbatojë reformën kushtetuese dhe
të vazhdojë përpjekjet për t’u anëtarësua në BE dhe në NATO.