Mendime
Ergys Mertiri: Policia që nuk na do, që na urren e na masakron!
E hene, 21.12.2020, 10:00 PM
Ergys Mertiri:
Përshendetje
miq!
Fillimisht
ju kërkoj ndjesë që nuk kam mundur ti përgjigjem mesazheve dhe telefonatave
tuaja të panumërta, gjatë këtyre ditëve dhe ju falenderoj fort për ndjeshmërinë
e treguar.
Kam
qendruar gjithashtu larg mediave këto ditë (përveç dy tre prononcimeve sa për
të dhënë shpjegimin tim mbi ngjarjen), për shkak edhe të pamundësisë për t’iu
përgjigjur të gjithave, por për shkak se nuk e kam me qef të shfaqem në
pozicionin e viktimës që ankohet, pavarësisht se këtu ka vend për të bërtitur
fort. Veten e shikoj si komentues lajmesh, ngjarjesh e fenomenesh dhe nuk më
pëlqen asapk të jem unë vetë lajmi.
Në
këto kushte, do të preferoja ti referohesha ngjarjes, duke parë në të një
fenomen përtej rastit në vetvete.
Për
të gjithë ata që kanë qenë të shqetësuar, më duhet të sqaroj se nuk kam qenë i
dhunuar fizikisht, në asnjë moment. Sigurisht, jam shtyrë e fyer nga policët,
në mënyrë fare të pahijshme, madje edhe të turpshme për ta, por kjo nuk ka
ndonjë rëndësi thelbësore. Megjithatë ndjehem i dhunuar, pasi, ndonëse nuk më
goditën mua, janë dhunuar miqtë e mi në syrin tim duke u goditur kafshërisht
pikërisht nga njerëz me uniformë që përfaqësojnë shtetin, e që janë aty për të
kundërtën, për të mbrojtur jetën, dinjitetin dhe lirinë e qytetarëve.
Degjenerimi
i këtij shteti mund të kuptohet edhe thjesht nga fakti që policia ushtron dhunë
në mes të rrugës, e pastaj na rrëmben telefonat, në mënyrë krejtësisht të
paligjshme, për të fshirë provat e dhunës që ne kishim filmuar. Pra kemi të
bëjmë me një polici që vepron tinëzisht duke u përpjekur të fshehë dorën pasi
ka hedhur gurin! Është e njëjta polici që arreston adoleshentë protestues,
nëpërmjet punonjësve të saj të infiltruar (si kalecë) brenda protestës, e duke
i dhunuar më pas barbarisht për ti frikësuar që të mos protestojnë më. Ky shtet
ka frikë nga reagimi i adoleshentëve! Pa koment.
Kam
qenë prezent në komisariat, kur është goditur Astrit Seranaj, brutalisht, nga
një punonjës policie dhe kam parë gjakun në fytyrën e Donald Martinajt,
shkaktuar nga kambalja e kolegut të tij. Bashkë me ta jam përballur me
provokacionet e një oficeri të policisë gjyqësore, i cili, krejt në të kundërt
me detyrën e tij, u përpoq të na intimidojë e frikësoje, për të na demoralizuar
që të mos reagojmë ndaj dhunës së ushtruar.
Them
se ia vlen të ndalem pak tek fytyra e këtij lloj punonjësi policie, pasi aty
shteti del më zbuluar se kduo, dhe se janë pikërisht këta lloj policësh arsyeja
kryesore se përse kasapët me uniforma sillen si egërsira me qytetarët. Dhuna
fiton krahë, pikërisht sepse janë pikërisht këta që fshehin provat,
shtrembërojnë faktet dhe ushtrojnë presion mbi viktimat, për të mbrojtur
paudhësitë e kolegëve. Ata janë fytyra më e shëmtuar e shtetit.
Pas
dhunës së ushtruar brenda në korridorin e komisariatit, një punonjës i tillë
vjen të na intimidojë duke na treguar sesa keq paskeshim qenë futur ne në
telashe nga mosbindja e treguar. Kujtoj që Astriti nuk kish bërë asgjë, përveç
se kish shprehur pakënaqësinë e tij për një gardh të pakuptimtë të vendosur nga
policia në pedonale, ndërsa unë dhe Donaldi, nuk kishim bërë asgjë përveç se
kishim filmuar shoqërimin e dhunshëm të tij. Kur i fola për dhunën e ushtruar,
zotëria në fjalë u përgjigj në mënyrë ligësisht ironike se gjaku në fytyrën e
Donaldit, dukej plagë e vjetër, e cila nuk ish shkaktuar nga policia.
I
kërkova zotërisë të më shpjegojë se ku e gjen kurajën për të vënë në dyshim
dëshminë tonë, kur nuk ka asnjë kompetencë për të gjykuar, për sa kohë nuk ish
ekspert mjeko-ligjor. Në mënyrën më të trashë mu përgjigj se këtë përfundim e
arrinte nga përvoja e tij me raste të dhunuarish. Përvoja e tij, në fakt, dukej
se ishte eksperiencë diabolike në shtrembërime faktesh dhe përdorime të
turpshme të funksionit për rëndimin e kushteve të viktimave. Nga cinizmi
policor i përdorur në formulimin e fjalive, shfaqej njëfarë kënaqësie perverse,
e ardhur nga fakti se zotëria ndjehej me pushtet brenda atij territori, e për
pasojë, edhe superior në inteligjencë. Kjo ndodh përgjithësisht me të gjithë
ata që, në fakt, superioritetin e fitojnë vetëm nëpërmjet dhunës.
Në
këto kushte, i tregova zotërisë një kamerë në fund të korridorit, e cila ishte
dëshmitare e asaj që ne po pohonim, dhe rrjedhimisht edhe i marrëzisë që ai
mbronte. Kjo e tërboi. Filloi të ngrejë zërin, duke iu kërkuar kolegëve të na
procedojnë për mosmbajtje maske kundër kovidit. Po fliste këtu me zërin e
vërtetë, atë të liderit të birrucës. Duke ia kthyer me ironi, i thashë se jemi
në komisariat dhe jo në gjendje të lirë, për të na gjykuar, por mu drejtua, në
mënyrë kërcënuese, duke më thënë: Ty të kemi parë në kamera që ke qenë pa maskë
në momentin e shoqërimit.
Situata
filloi të bëhej komike. I kërkova zotërisë të zbatojë menjëherë urdhërin dhe të
na vendosë gjobë. Kokoshi i uniformave blu u katandis në një thelë, dhe krimi
ynë mbeti në 30 mijë lekë të vjetra! Shteti i zotërisë u shfaq pa brekë, në
tërë mjerimin e tij, si një organizatë dylekshe lapangjozësh që, aq kanë në dorë
të të bëjnë keq. Ishin për tu mëshiruar.
Sigurisht,
jo të gjithë policët janë njësoj dhe patjetër që ka njerëz të drejtë, të
ndershëm e profesionistë brenda strukturave të policisë. Çështja është se ajo
sot sundohet nga një frymë banditeske e motivuar politikisht nga një pushtet i
dalë binarësh. Për pasojë institucionet e rendit janë politizuar dhe pushtuar
nga njerëz me frustracione militanteske, të cilët e përdorin atë në shërbim të
pushtetit që i ka vënë në atë detyrë. Janë pikërisht këta elementë halabakë, të
rekrutuar në emër të asaj që rilindja e quan “Policia që duam”, të cilët po
prodhojnë, jo vetëm një shtet policor e represiv, por një armiqësi të policisë
me qytetarët.
Tre
ditë para shoqërimit tim në rajon, bëra një shkrim të gjatë për të shpjeguar
këtë realitet si një fenomen psiko-social. E preka me dorë gjithçka më pas në
realitet. Egërsia në fytyrat e shumë prej policëve në atë komisariat mund të
shpjegohet vetëm me antagonizmin e rrezikshëm që pushteti ka ushqyer tek një
pjesë e mirë e strukturave policore. Ky antagonizëm po shkon drejt një lloj
polarizimi dhe urrejtje të ndërsjelltë, e cila është e rrezikshme për çdo
shoqëri. “Policia që duam”, është bërë në realitet policia që nuk na do, që na
urren e na masakron. Kjo është paradhoma e çdo diktature, apo qelia e çdo
demokracie.
https://www.facebook.com/ergys.mertiri