Kulturë
Dukagjin Hata: Islamaj Skepi, organizatori i arratisjes që tronditi kupolën e krimit shtetëror komunist
E shtune, 26.12.2020, 02:09 PM
Islamaj Skepi, organizatori i arratisjes që tronditi kupolën e krimit shtetëror komunist
Fragment
nga libri në proces “Nga Golgota në “Tokën e Premtuar”
-Kushtuar
aktit të shtatë familjeve dibrane, që thyen klonin enverist të Diktaturës, më
12 maj 1958-
Nga
Dukagjin HATA
Përgatitjet
për atë ikje të pashoqe, që tronditi ingranazhet e përgjakura dhe diabolike të
një regjimi monstër, kishin kohë që kishin nisur dhe Islamaj Skepi ishte
frymëzuesi dhe organizatori i saj. Duke qenë tip i kujdesshëm dhe mjaft i
matur, sipas psikologjisë dibrane, “mat shtatë herë e prit një herë”, ai ia kishte
dalë që të gjitha lëvizjet rreth këtij organizimi klandestin e tejet
konspirativ, të mos linin asnjë gjurmë dyshimi tek strukturat e shtetit
komunist, që mezi priste një shenjë për t’u vërsulur me urditë e “babëzisë” për
gjak, mbi këtë burrë, i cili qe aq krenar sa të mos e ulte hundën para askujt,
e sidomos para dishepukve të djallit, veshur me petk sigurimsash!...
Dalëngadalë
konturet e ditës qenë thyer dhe hijet e muzgut po vinin duke u dendësuar,
bashkë me aromën e barit të kositur dhe luleve në shpërthim, që erëmonin
gjithçka, duke e bërë çdo gjë, që nga peizazhi bujqësor gjer tek hijet e
idilit, të largët e të pakapshme si një ëndërr. Blliçja në atë orë fitonte
gravitetin e vet emocional dhe humbiste në vorbullat e një intimiteti të ëmbël
e të pakontrollueshëm, një lloj lektsje e brendshme, grishëse e joshëse, që nuk
mund të kontrollohet nga asnjë lloj regjimi, qoftë dhe nga një regjim
diktatorial, si ai që përjetuam për një gjysëm shekulli dhe që në kohën kur
zhvilloheshin këto ngjarje ishte në zenith të vet.
Atë
natë, nëpër tisin e mjegullt të mbërmjes pranverore, shtatë burra, një e nga
një, duke u kujdesur që të mos binin në sy, hynë në shtëpinë e Islamaj Skepit.
I zoti i shtëpisë, që e priste ardhjen e tyre, pinte duhan pareshtur me llullë,
duke lëshuar turjelë fjollat e tymit që shjpërndaheshin në hapësirën e
elektrizuar nga pritja, ashtu si mendimet dhe fantazia e tij. E ndiente ardhjen
e secilit nga kërcitja e rrezeve të derës së avllisë, që kur hapej lëshonte një
gërvimë të mbytur ankuese, sikur iu përgjigjej jehonave të brendshme të
shpirtit të të zotë, që po përjetonte një stuhi ndjenjash të dyzuara dhe
kundëvënëse ndaj njëra tjetrës. Distanca kohore prej njëzet e ca minutash midis
të ardhurve nga njëri-tjetri, qe llogaritur që ardhja e secilit veç e veç dhe e
të gjithëve së bashku të mos binte dhe aq në sy dhe të merrej, nëse viheshin re
nga banorët e fshtatit, si një ardhje e zakontë miqsh, që nuk mungonin thuajse
asnjë natë në shtëpinë e Islmajat.
Të
ardhurit zunë vend njëri pas tjetrit në minderet dhe shiltet e odës së madhe të
miqve dhe i zoti i shtëpisë i sajdisi sipas riteve të traditës së odës së
miqve, ku miku është gati një hyjni, të cilit i serviret gjithçka e mirë, por
mbi të gjitha vëmendje dhe përkushtim. Edhe pse kjo nuk ishte një ardhje e
zakontë, as një bujtje për miqësi, kodi ishte i njejtë dhe miku konsiderohej
nga Islamaj si nga të gjithë blliçanët, dibranët e shqiptarët, një hyjni, që
meritonte respekt dhe përkushtim maksimal. Kur qenë mbledhur të gjithë, Islamaj
la një nga të tijët që të ruante dhe për gjithçka të sinjalizonte të mbledhurit
në odën e madhe të miqve të Islamaj Skepit.
Duhet
thënë se shtëpia e Islamaj ishte e hapur ditë e natë për bujtës, të njohur e të
panjohur, miq e udhëtarë, ngado që të vinin e kudo që donin të shkonin. Aty
miku ndihej mbret, i panjohuri ndihej zotni, rrugëtari që kërkonte strehë e
bukë ndihej si në shtëpinë e tij.
Oda
ku priste e sajdiste miqtë Islamaj Skepi ishte pjesë e asaj tradite të
trashëguar e të ardhur brez pas brezi, që familja Skepi e kishte ruajtur me
fanatizëm dhe të paprekur as nga cunami i egër, shkatërrimtar, komunist, që
erdhi me furi dhe rrafshoi thuajse gjithçka. Dhënien e zemrës në dorë mikut,
mikpritjen, bujarinë, nuk mundën do t’i gjunjëzonin pankartat dhe parullat
bolshevike, që hymnizonin njeriun e ri, armik me çdo traditë fisnikërie dhe
aristokracie, që kishte lëshuar rrënjë të thella në odën shqiptare.
Ajo
që përgatitej me zhurmë e bujë në vorbullën frenetike të zhurmënajës së
mbledhjeve tribunale komuniste, për gjoja epërsinë e rendit socialist e
broçkullitje të këtij soj, fironte e bëhej pluhur e hi në odat e maleve, ku
mendësi dhe kode vinin në lëvizje turbinate e mendimit të lirë. Edhe pse
regjimi komunist kishte sulmuar egërsisht të gjitha arkitipat e traditës, për
ta zhbërë dhe tjetësuar gjithçka që mbante në këmbë virtytin njerëzor, oda e
maleve ende rezistonte dhe nuk pati rënë. Ajo ishte e vetmja kështjellë që nuk
e morën dot komunsitët, megjithë përpjekjet e vazhdueshme për t’ia nënshtruar sprovave
të trishta të agjitpropit…
Odat
dibrane ishin dhoma të veçanta në ndërtesat karakteristike të tipit “kullë”, ku
priteshin miqtë dhe ku siteshin në sitën e hollë të fjalës me rrotulla të
gjitha ndodhitë e jetës dhe mbusheshin të gjitha hapësirat e mendësisë
kolektive me mesazhe, më shumë se të hapura-të nënkuptuara, që shkonin tek
secili i pranishëm, sipas një kodi krejt të veçantë komunikimi.
Në
atë thjeshtësinë gati primitive dhe shpellore të odës dibrane janë ruajtur
vlera të mëdha të një pasurie shpirtrore unike, ku falë ekzistencës së një
mekanizmi të çuditshëm demokratik, në një kohë të vështirë të vrasjes së fjalës
dhe linçimit të lirisë, është prodhuar disidencë politike, estetikë, poezi,
art, shkencë, filozofi, strategji, gjithçka tjetër. Aty, në ato hapsira të
ngushta, fjala kishte fuqinë dhe magjinë e hapësirave të pamata, që kalonte
dete dhe oqeane, shtete dhe kontinente.
Këto
ishin nga të paktat orë të ditënatës së asaj shtëpie mikpritëse, kur i zoti i
shtëpisë ndodhej vetëm, pasi thuajse gjithë herët oda e madhe ishte plot me
burra… Nga miqtë, Islamaj nuk mërzitej kurrë, ndonëse kishte gjithëherë
ngushtësi ekonomike. Pritja e miqve në konak shoqërohej nga një kortezi
solemne, që shkonte deri në madhështi, diçka krejt e veçantë, e cila ngjasonte
aq shumë me pritjet që u bëheshin në botën e qytetëruar kryetarëve të shteteve.
Oda
e Islamajt ishte pjesë e odës së Blliçes, ku tirreshin në një tezgjah të
përkryer të fjalës me nënkuptime brengat dhe hallet e një kohe të vështirë, kur
vetëçensura pati goditur në mënyrë vrastare fjalën dhe kuvendin e burrave. Oda
e Blliçes ishte një nga më të hijshmet dhe më fisniket në trevën e Dibrës, pasi
edhe qëndresa e saj ndaj frymës ideologjike të kohës, mbushur me hosanara
bolshevike, qe në nivele të epërme. Pra, në odën e Blliçes, rezistenca ndaj të
keqes, që kishte pllakosur krejt vendin, ishte organizuar në atë mënyrë, që të
mund të përçonte tek të gjithë kuvendarët e odës mesazhe mosaprovimi dhe
rebelimi ndaj të keqes kolektive, e cila si një lubi gllabëruese kishte
pushtuar gjithë hapësirën e trojeve shqiptare, në Shqipërinë administrative,
nën pushtetin e komunistëve.
Në
kohën kur zhvillohen këto ngjarje, Blliçja ndihej e rrethuar dhe e kërcëuar për
çdo çast, nën terrorin e përgjimit dhe përndjekjes së sigurimit, që e
konsideronte këtë fshat një bastion të “armiqve të brendshëm” dhe “armiqve të
jashtëm” dhe çdo banor të saj një “armik” potencial të regjimit.
MIqtë
patën ardhur të gjithë dhe në dhomë nuk pipëtinte as miza. Në shtëpinë e
Islamaj Skepit, i zoti i shtëpisë, ulur në qoshe, pranë oxahkut, që megjithëse
pranverë ende nxjerr tym, për shkak të rezistencës së atij dimiri të gjatë dhe
zemërak, që e kishte të vëshirë për të dalë, rri e mendon gjatë, teksa mbush
çibukun me duhan të fortë, të cilin e ndez me një uror dhe me eshkë, të cilën e
ka marrë nga bjeshkët e tij në Gramë. Dikur gjithë ajo hapësirë bjeshkore, me
pllaja e lëndina mrekullore, me guva, kroje e drurë shekullorë ishte e të
parëve të tij, ishte e tij. Sot, atyre anëve, enden repartet e ndjekjes,
ushtarët dhe “populli ushtar” vigjelojnë, që të mos preken kufijtë e
Republikës, që njerëzit të vdesin të lumtur nga uria dhe sëmundjet, duke
duartrokitur!...
Ishin
vënë pikat mbi “i”, të gjithë të pranishmit patën dhënë mendimin e tyre, por ai
që vendoste ishte i zoti i shtëpisë, që pati biseduar në hollësi gjithçka që
lidhej me atë ikje të madhe. Bisedat tani vërtiteshin në “liri”, por përsëri me
“kode”, pasi në atë kohë mjerane e delirante jo më kot thuhej se “edhe muret
kanë veshë”!
Islamaj
sillte ndërmend gjithçka që kishte ndodhur në atë fshat të shpallur
“karantinë”, që banorët i konsderonte të infektuar me “bacilin” antikomunist,
ku shpata vrastare e Diktaturës kishte rënë që në mesin e Luftës së Dytë
Botërore, kur 23 dhjetor 1943 qenë vrarë në “sportin” gjakatar të “gjuetisë së
shtrigave”: Haziz Alia, Fil Skepi, Mudë Coli, Ramadan Dika, Han Tota, Hysen
Dika, Arif Pergjegji, Sali Noka. Vrasjet politike do të vazhdon pa ndërpreje
dhe me ritme më të çmendura pas të ashtuquajturit “Çlirim” të vendit, që në
fakt ishte një pushtim mizor, më i egër dhe më brutal se të gjitha pushtimet e
huaja që kishte njohur Shqipëria gjer atëherë. Grupet “antiparti” në Blliçe
pasonin njëri-tjetrin, duke bërë që fshati me ky fshat, i damksour me “damkën”
e “tradhëtisë”, të shpallej i mallkuar nga klika enveriste, që instruktihej dhe
frymëzohej në këto akte linçimi dhe barabarie nga emisarët e Moskës dhe
Beogradit.
Ora
kishte kaluar dy e natës dhe burrat i pati mbështjellë një re ekaltër tymi, për
shkak të duhanit të pirë pareshtur përmbi shtatë orë, teksa i jepnin drejtim
ikjes, asaj ikje që deri atëhere nuk kishte ndodhur askund, pasi plot 42 vetë,
burra, gra e fëmijë, njerëz të vetmuar e të të pakënaqur me atë regjim
shpellor, i cili trumbetonte parajsësn e realizonte ferrin e të gjallëve mbi
tokë, do të çanin nëpër errësirën e
natës dhe mes plumbave në kufi, me kokë në torbën e një fati që nuk dihet se ku
do t’i çonte, do të përfundonin pas një odiesje të gjatë në botën e lirë.