Kulturë
Blerim Rrecaj: Meny e ditëve që sapo shkuan
E hene, 07.09.2020, 06:09 PM
Meny e ditëve që sapo shkuan
Nga
Blerim Rrecaj
Jeta
rrjedh si lum fjalish që ku do na hedh se çfarë na sjell kushedi, ku ta dijsh.
Dhe ca shënime personale me pak rreshta e ca fjali po i thur për vete e për ju,
sa më qartë e sa më shkurt.
Fillojmë
me një piknik familjar me fli e prodhime të zgjedhura vendore nën hijen e
mollës së egër në mes lugut të gjelbër të Gërmisë e cila si fqinje ka dardhën
jo të butë, kokërrvogël, së cilës rrethepërqark trungut i rri e varur kjo
tavolinë e drunjtë.
Ndeja
kafeneje në ca prej të cilave si gjahtarit me zagar i bien në kurth, dy poezi
që postohen në facebook të ilustruara me shkrepëtima fotografie, që më vonë
mund të shërbejnë si përjetime estetike, po edhe si kujtime nostalgjie.
Copëra
loje futbolli parë në telefon pasi që brenda lokaleve s'mund të ulemi për të
parë në televizion, e mbase kështu e thotë ligji për pandemi, për kafiteri e
gastronomi.
Takime,
ecje nëpër rrugë qyteti e pritje në stacione duke folur për konkurse e projekte
që na dalin në udhë, përpjekje, prova duke u mbështetur në punë, fat e sukses,
për ecje përpara lidhur me besa-besë.
Një
udhëtim i shkurtër me tren nëpër hekurudhën tonë që po e ha ndryshku me gjithë
tranzicion që po kutërbon e tërbon, po ç't'i bësh, s'ke ku e çon, s'ke as se si
e rregullon, por ëndërron e imagjinon.
Një
muzg me hënë që duket si bukë pogaçeje a simiteje siç bëjnë e mund të bëjnë
krahasime poetë e shkrimtarë, e cila largon pak trishtim duke të kthyer te
poezia e dikurshme sikurse edhe te një gjumë i ëmbël fëmije me një libërth
përrallëzash dhe një kutizë bonbonesh mbi krye, dhe kjo pamje të duket si një
ilustrim ëndrre që është duke e parë tash.
Hedhje
hapash nëpër natë, e "rrëmbim" shtalbash, pasi që edhe pak do
përfundoj sezona e tyre për këtë vit, nëpër rrugën që sivjet nuk u mbyll për
shkak të numrit më të paktë të bashkatdhetarëve, për arsyet e ditura globale.
Shijim
i vojsave të vockëla që ta çojnë mallin pakashumë me dardha të dugëta, dikur
fshehur në qilar a rreth një mullari me kashtë, që t'u servuan si mysafir dhe
ca të tjera që t'i dhanë si dhuratë për t'i marrë në shtëpi.
Dhe
për mbirjen e meny-ve digjitale nëpër restaurante, si formë e re mbrojtjeje
anti-covidiane.
Për
marrëveshje e zotime e obligime në Shtëpinë e bardhë që koha do na tregojë
shpejt a ngadalë se çfarë mund të dalë, edhe nga takimet në Bruksel ta shohim
se çka po del...
Druhemi
për mbrapshti ndonëse shpresojmë për mbarësi në gjithë këtë katrahurë
opinionesh. Me një barcoletë po mundohemi me ba gjendjen ma të lehtë. Dëgjova
për këtë pas bisedës me një shok, se edhe ai e kishte me të dëgjuar. Duke biseduar
diku në një kafene, menjëherë pas lufte se kur do të bëhet mirë në Kosovë, një
anglez a amerikan me punë në vendin tonë, kish pas thënë se pas 30 vjetësh këtu
do të bëhet mirë. Bashkëbiseduesit e kishin kundërshtuar. Ai ua kishte kthyer,
unë seriozisht mendoj se pas 50 vjetësh do bëhet mirë, ua hoqa njëzet vite, që
po më duhet t'ua shtoj. Sipas kësaj logjike edhe 30 vite do bëhet mirë.
Mbas
një dekade dorëzova në postë dokumentet e mia personale për t'i ndërruar. Para
një muaji letërnjoftimin e sot edhe pasaportën. Letërnjoftimi më thanë nuk e
dijmë se kur mund të vish ta marrësh, mbase andej para ose edhe pas vitit të
ri, për shkak s'kemi brumë për gatimin e tyre po na thonë ata të ministrisë,
për pasaportë të njoftojmë me anë të një porosie që do ta dërgojmë në telefon,
më thanë paksa me përtesë dhe përtova të dëgjoja informata shtesë.
Ec,
o jetë, o jetë, o jetë edhe me këto fjali që tash për tash përbëjnë aktualitet
derisa fëmijët luajnë te kjo hapësirë me kënde lojërash që kanë hyrë në pleqëri
të thellë (e po shkërmoqën dita-ditës) ku një i moshuar zë një vend aty dhe
mban sytë mbi një libër, pasi afër vetes ka parkuar, të tijën biçikletë...