Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Meny e ditëve që sapo shkuan

| E hene, 07.09.2020, 06:09 PM |


Meny e ditëve që sapo shkuan

Nga Blerim Rrecaj

Jeta rrjedh si lum fjalish që ku do na hedh se çfarë na sjell kushedi, ku ta dijsh. Dhe ca shënime personale me pak rreshta e ca fjali po i thur për vete e për ju, sa më qartë e sa më shkurt.

Fillojmë me një piknik familjar me fli e prodhime të zgjedhura vendore nën hijen e mollës së egër në mes lugut të gjelbër të Gërmisë e cila si fqinje ka dardhën jo të butë, kokërrvogël, së cilës rrethepërqark trungut i rri e varur kjo tavolinë e drunjtë.

Ndeja kafeneje në ca prej të cilave si gjahtarit me zagar i bien në kurth, dy poezi që postohen në facebook të ilustruara me shkrepëtima fotografie, që më vonë mund të shërbejnë si përjetime estetike, po edhe si kujtime nostalgjie.

Copëra loje futbolli parë në telefon pasi që brenda lokaleve s'mund të ulemi për të parë në televizion, e mbase kështu e thotë ligji për pandemi, për kafiteri e gastronomi.

Takime, ecje nëpër rrugë qyteti e pritje në stacione duke folur për konkurse e projekte që na dalin në udhë, përpjekje, prova duke u mbështetur në punë, fat e sukses, për ecje përpara lidhur me besa-besë.

Një udhëtim i shkurtër me tren nëpër hekurudhën tonë që po e ha ndryshku me gjithë tranzicion që po kutërbon e tërbon, po ç't'i bësh, s'ke ku e çon, s'ke as se si e rregullon, por ëndërron e imagjinon.

Një muzg me hënë që duket si bukë pogaçeje a simiteje siç bëjnë e mund të bëjnë krahasime poetë e shkrimtarë, e cila largon pak trishtim duke të kthyer te poezia e dikurshme sikurse edhe te një gjumë i ëmbël fëmije me një libërth përrallëzash dhe një kutizë bonbonesh mbi krye, dhe kjo pamje të duket si një ilustrim ëndrre që është duke e parë tash.

Hedhje hapash nëpër natë, e "rrëmbim" shtalbash, pasi që edhe pak do përfundoj sezona e tyre për këtë vit, nëpër rrugën që sivjet nuk u mbyll për shkak të numrit më të paktë të bashkatdhetarëve, për arsyet e ditura globale.

Shijim i vojsave të vockëla që ta çojnë mallin pakashumë me dardha të dugëta, dikur fshehur në qilar a rreth një mullari me kashtë, që t'u servuan si mysafir dhe ca të tjera që t'i dhanë si dhuratë për t'i marrë në shtëpi.

Dhe për mbirjen e meny-ve digjitale nëpër restaurante, si formë e re mbrojtjeje anti-covidiane.

Për marrëveshje e zotime e obligime në Shtëpinë e bardhë që koha do na tregojë shpejt a ngadalë se çfarë mund të dalë, edhe nga takimet në Bruksel ta shohim se çka po del...

Druhemi për mbrapshti ndonëse shpresojmë për mbarësi në gjithë këtë katrahurë opinionesh. Me një barcoletë po mundohemi me ba gjendjen ma të lehtë. Dëgjova për këtë pas bisedës me një shok, se edhe ai e kishte me të dëgjuar. Duke biseduar diku në një kafene, menjëherë pas lufte se kur do të bëhet mirë në Kosovë, një anglez a amerikan me punë në vendin tonë, kish pas thënë se pas 30 vjetësh këtu do të bëhet mirë. Bashkëbiseduesit e kishin kundërshtuar. Ai ua kishte kthyer, unë seriozisht mendoj se pas 50 vjetësh do bëhet mirë, ua hoqa njëzet vite, që po më duhet t'ua shtoj. Sipas kësaj logjike edhe 30 vite do bëhet mirë.

Mbas një dekade dorëzova në postë dokumentet e mia personale për t'i ndërruar. Para një muaji letërnjoftimin e sot edhe pasaportën. Letërnjoftimi më thanë nuk e dijmë se kur mund të vish ta marrësh, mbase andej para ose edhe pas vitit të ri, për shkak s'kemi brumë për gatimin e tyre po na thonë ata të ministrisë, për pasaportë të njoftojmë me anë të një porosie që do ta dërgojmë në telefon, më thanë paksa me përtesë dhe përtova të dëgjoja informata shtesë.

Ec, o jetë, o jetë, o jetë edhe me këto fjali që tash për tash përbëjnë aktualitet derisa fëmijët luajnë te kjo hapësirë me kënde lojërash që kanë hyrë në pleqëri të thellë (e po shkërmoqën dita-ditës) ku një i moshuar zë një vend aty dhe mban sytë mbi një libër, pasi afër vetes ka parkuar, të tijën biçikletë...