Kulturë
Kadri Tarelli: Një ditë me ‘’Marigonë Shqiptare’’ në Norvegji
E diele, 06.09.2020, 11:39 AM
NJË DITË ME “MARIGONË SHQIPTARE” NË NORVEGJI
Emine
S. Hoti në penën e shkrimtarit Viron Kona
Nga
Kadri Tarelli
Kisha
kohë që e prisja librin “Një ditë me Marigonë”, jo për të njohur përmbajtjen, pas
e kam lexuar që në dorëshkrim, por thjesht si ka dalë nga shtypi, si duken
fotografitë, ballina në fillim dhe në fund, etj, etj, vogëlsira që i duhen një
libri për t’u pëlqyer nga lexuesi që në shikim të parë. Ishin dhe janë kushtet
e karantinës nga gripi “Covid 19”, që po na pengon të lëvizim lirshëm dhe të
takohemi me miq e shokë.
Në
rastin më të parë të vizitës në Durrës, në javën e parë të gushtit 2020, autori
Viron Kona, më dhuroi librin: “Një ditë me Marigonë”. U mrekullova nga
paraqitja e bukur dhe e plotë, ku edhe fotografitë ishin me ngjyra. Sot,
teknologjia i realizon të gjitha kërkesat. E rrotullova disa herë nëpër duar
dhe pasi u kënaqa fillova ta shfletoj, për t’u ngulur në çastin më të parë, kur
të jem i ngeshëm. Gjithsesi e rëndësishme për cilindo lexues, është përmbajtja,
mendimi i thellë dhe kumti që përcjell, por më duhet të shtoj, se ka një
përputhje mes formës dhe përmbajtjes, gjë që e bën librin të këndshëm në të
lexuar dhe të dobishëm në përdorim.
Që
në fillim duhet thënë, guximi dhe përkushtimi i autorit Viron Kona, për ta
nisur dhe bitisur këtë libër, që ka të bëjë me një veprimtari, përurim i librit “Marigoja shqiptare në Norvegji”, kushtuar
shqiptares nga Kosova, që prej disa vitesh banon në Norvegji. Ishte një kuvend
letrar i organizuar në Tiranë, ku merrnin pjesë akademikë, shkrimtarë, gazetarë,
historianë, mësues, etnografë, mjekë, sociologë, mjekë, intelektualë, pedagogë,
krijues e studiues dhe dashamirë të letrave shqipe, disa të ardhur posaçërisht
nga rrethet Durrës, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Tropojë, Krujë, Kavajë, mes tyre edhe
nga Kosova, Suedia, Norvegjia, Maqedonia e Veriut dhe Italia. Në këtë rast besoj se cilit do shqiptari i shkojnë përshtat
fjalët e presidentit Amerikan Xhon F. Kenedi, kur thotë: “Mos pyet ç’do të bëjë atdheu për ty, pyet se ç’mund të bësh ti për
atdheun”.
Këtu
qëndron dobia dhe bukuria më e madhe e këtij kuvendi shqiptarësh, më duhet të
shtoj se këtu qëndron edhe vlera e madhështia, pasi, si rrallë herë u bëmë
bashkë, shqiptarë nga të gjitha trevat, por edhe nga mërgata e shpërndarë anë e
kënd botës. Kjo veprimtari dëshmon se shpesh herë, atë që nuk e bëjnë dot
institucionet shtetërore, e bëjnë më së miri individë dhe grupe individësh.
Ndaj meritojnë nderim e mirënjohje, sepse secili vendos një gur në ngrehinën
madhore të kombit. Mendoj se Shenjtorja jonë shqiptare Nënë Tereza, më shumë
për ne i thotë këto fjalë, si porosi hyjnore: “Unë vetëm nuk mund të ndryshoj botën, por mund të hedh një gur në ujë
për të krijuar shumë valëzime”.
Edhe
sot që po shkruaj këto pak radhë, përjetoj emocione për atë takim të ujdisur aq
bukur, ku fjala shqipe për veprimtarët e shqipes, ishte e fuqishme, e ngrohtë
dhe frymëzuese. Dikush mund të thotë, se po e teproj pak. Nuk e kundërshtoj,
sepse duken si përjetime çasti, por kur shikoj në libër emrat dhe shkrimet e
atyre që morrin pjesë, që përshëndetën, që folën apo duartrokitën, nuk
pendohem. Vetë libri është një përjetim, ku në çdo faqe janë mbledhur me
dhjetëra përjetime, disa herë me frymëzim e disa herë me drithërima kënaqësie
dhe madhështie. Bota shqiptare përpiqet të tregojë e të mbrojë vlerat më të
mira, të karakterit, forcës, bukurisë, qëndrueshmërisë,
të kulturës dhe gjuhës, si pasuri shpirtërore. Gjykoni vetë: Një libër për një
takim rreth dy orësh. Ndaj shtoj pyetjen, që mund ta bëjnë të gjithë: Është vërtet
çudi….?
Pak
më sipër thashë fjalën “Guxim” për autorin Viron Kona, më shumë për ata që nuk
e njohin sa duhet, kur kujtoj fjalët e thëna kohë më parë: “Do të jem i qetë,
kur të plotësoj së shkruari dhe të botoj 100 libra”, kur dihet se botuar rreth
60, disa të vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare, disa të përkthyera në disa
gjuhë të huaja, madje edhe ne suedisht.
Në
gjykim të parë, duket si një punë e lehtë të hartosh dhe të botosh një libër të
tillë, brenda një kohe të shkurtër, vetëm pak muaj nga nëntori, mesi i vjeshtës
së tretë, 2019. Me një gjykim të lehtë, duket se mjafton të mbledhësh fletët e
fjalimeve, dhe kaq. Po a mund të bëhet libër me pesë, gjashtë, apo shtatë referate
të shkruara? Po shumë të tjerë që folën pa letër, ashtu siç i erdhën mendimet
dhe përjetimet e këtij takimi. Mes nesh pati edhe shumë të tjerë që nuk mundën
të flasin, veç përgëzuan dhe adhuruan veprën e “heroinës” Emine Hoti, të
pagëzuar nga Viron Kona, “Marigoja shqiptare në Norvegj”.
Vepra
e saj duket e thjeshtë në pamje, si vetë shpirti i “Çikës dardane”. Ajo veç
disa librave me poezi dhe prozë, ka zgjedhur një tjetër udhë për të treguar
shqiptarinë e saj: Qëndisjen e Flamurit Kombëtar, por edhe prerja dhe qepja e
kostumeve kombëtare, për t’ua dhuruar fëmijëve në disa vende të botës, si
Norvegji, Suedi, Itali, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, etj.
Më
duhet të përmend një vazhdimësi të kësaj veprimtarie edhe në ditë tona: Më 16
gusht 2020, në shkollën “Vëllazërimi” në fshatin Babru-fushë, të Tiranës,
drejtoresha Merita Prenga mori në dorëzim disa kostume popullore për fëmijë, të
dhuruara nga znj. Emine Hoti. Në këtë hulli dhuratash nuk kanë shpëtuar edhe të
rriturit, mes tyre edhe burra dhe zonja të nderuara, të cilët ndjehen krenarë
me veshjet e bukura shqiptare. Për kërshëri, po përmend dy emra të nderuar:
Së
pari, znj. Ida Legnemark, ish kryetare e bashkie në Boras, (qytet në Suedi),
shfaqi dëshirën që të vinte në festival me kostum tradicional Shqiptar, të
cilin e mbajti veshur gjatë gjithë veprimtarisë. Po kështu edhe albanologu i
njohur suedez Ullmar Qvick (Kvik), “Mik i madh i shqiptarëve”, që ashtu i
veshur shqiptarisht, qëndroi gjithë kohës mes shqiptarëve, madje edhe gjatë
intervistës.
Do
desha të gaboj, por kam përshtypjen se ky veprim i “Marigosë” sonë është i
rrallë, ndaj në një shkrim timin të një dy viteve më parë, citoj: “A mund ta quajmë këtë zonjë të nderuar një
misionare të shqiptarizmit? Ç’ bëjnë më shumë misionarët, si shërbestarë të
zotit? A është shqiptarizmi më i larti besim ndaj kombit?”. Libri “Marigoja shqiptare në Norvegji”.
Ne
vërtet u mblodhëm për znj. Emine Hoti, por në nderim të saj dhe vepërs së saj,
ishin edhe bashkë-atdhetarë mërgimtarë të tjerë, një “Yllësi” personalitetesh të
arsimit dhe letrave shqipe në Suedi, si Sadulla Zendeli-Daja, autor i disa fjalorëve
dy gjuhësh, Suedisht-Shqip dhe disa librave në prozë dhe poezi. Bashkë me të
edhe Sokol Demaku nga Drenica, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të
Suedisë, përkthyes, poet, shkrimtar, drejtues i radio-televizionit në gjuhën
shqipe, botues i revistës “Dituria”, apo shqiptari nga Drenica, Hamit Gurguri,
shkrimtar, përkthyes e studiues, edhe ky anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe
artistëve në Suedi. Vetë emrat dhe pozicionet e tyre flasin më shumë se fjalët miradije,
që thanë në këtë kuvend të diturish.
Së
jashtmi, në kapakun e fund-librit, bukuri i japin disa mendime apo citate të qëmtuara
imtësisht dhe të shkruara mjeshtërisht. Nuk dua të mbetëm me kaq, pasi për të
nxjerrë sa më bukur figurën e “Marigosë dardane”, më duhet të përmend edhe disa
emra të tjerë, që madhërisht e shqiptarisht e kanë vlerësuar punën dhe shpirtin
atdhetar të kësaj misionare dhe “Nënë Tereze”, të kulturës dhe traditës
shqiptare.
Muhamet
Cenko, gjuhëtar dhe redaktor i librit: “Një
heroinë e tillë është edhe znj. Emine S. Hoti, tashmë me emrin artistik
“Marigoja shqiptare në Norvegji”, portreti i së cilës shfaqet i plotë, jo vetëm
nëpërmjet librit të shkrimtarit Viron Kona, por plotësohet më tej edhe nëpërmjet
diskutimeve, këmbimit të Ideve, apo krijimeve letrare-artistike”.
Gjovalin
Shkurtaj, akademik: “Poete , shkrimtare,
stiliste dhe veprimtare atdhetare Emine Hoti, shqiptare nga Drenica e Kosovës,
të cilën e kemi të pranishme midis nesh dhe kemi rastin ta njohim, por edhe ta
përgëzojmë për kontributet e saj që ka dhënë në lëmin e arsimit, dhe ruajtjes së
gjuhës shqipe në mjediset e diasporës shqiptare në Norvegji”
Delo
Isufi, poet: “Emine Hoti është një ylber
me mijëra ngjyra, që qëndron përherë i shpalosur, si aureolë e kombit tonë”.
Prof.
Murat Gecaj, në pamundësi pjesëmarrjeje dërgon përshëndetjen e tij, ku
shprehet: “Emine S. Hoti ka shkruar e
publikuar disa libra të bukur dhe me tematikë të larmishme, si në poezi e prozë,
për fëmijët dhe të rriturit…… Kështu pra kjo autore e nderuar, po ze një vend të
merituar, ndërmjet sa e sa krijuesve , emigrantë shqiptar……”.
Sejdo
Harka, studiues dhe kritik letrar: “Emineja
qep dhe qëndis kostume…… Nuk mund të ketë shërbëtor tjetër më të madh për
kombin, sidomos në emigracion, se sa të ruash identitetin e tij përmes
flamurit, gjuhës, kulturës dhe traditave të rralla”
Dr.
Nuri Dragoj, studiues: “Nëse Marigoja
shqiptare qëndisi flamurin kombëtar, “Marigoja Norvegjeze” nga Kosova, ka qëndisur
me qindra kostume kombëtare… Emineja është konkrete, bazohet te puna jo te fjalët…..
Kostumet e saj kanë vlerë më shumë se qindra fjalime e deklarata të ambasadorëve”.
Bashkim
Saliasi. Shkrimtar, gazetar: “Znj. Emine
nuk e njeh frikën. Ajo hidhet me guxim në
“Llavën e vullkanit” dhe prej andej del fitimtare, sepse ka cilësitë e njeriut
me karakter të fortë, që nuk di të mposhtet….”.
Mal
Buçpapaj. Drejtues arsimi dhe publicist: “Në
themel të veprimtarisë krijuese të Emine S. Hotit, janë: Trojet, atdheu,
flamuri, heronjtë”.
Në
mbyllje të këtij shkrimi modest, po citoj disa vargje kushtuar posaçërisht znj.
Emine Hoti:
……………….
Gjilpëra dhe kënga nuk
t’u ndanë kurrë,
kur qepe kostume, kur
qëndis flamurë.
Lulëkuqe Kosove në arat
me grurë,
Në krahë shqiponje në
malet me gurrë.
………
Kadri Tarelli. Libri “Koha në vargje”.
Poezia. “Emine Hoti, çikë Dardanie”.
Përshëndetje
znj. Emine, për të vazhduar më tej misionin e saj atdhetar, në mbrojtjen dhe
shpalosjen nëpër botë të kulturës shqiptare!
Përshëndetje
autorit Viron Kona, për këtë libër të bukur dhe me vlera shqiptarie, duke
pritur edhe libra të tjerë po kaq të arrirë letrarisht!
Kadri Tarelli
Durrës. Vjeshta e parë,
2020.