Kulturë
Anton Marku: Fitorja më e dashur
E diele, 06.09.2020, 12:55 PM
Fitorja më e dashur
Tregim nga Anton Marku
Ariani
nuk ishte si të gjithë fëmijët tjerë. Ai ishte ndryshe, i veçantë. Ishte i
tërhequr, rrallë fliste me ndonjë njeri, e edhe atëherë kur fliste e bënte këtë
ngadalë dhe kokëulur, thuajse kishte frikë nga diçka.
Prindërit
ishin ndarë që kur ishte katër vjeçar dhe që nga atëherë jetonte vetëm me
nënën, e cila punonte si kuzhinere në dy ndërrime. Që nga dita kur babai u
largua nga shtëpia, për të mos u kthyer kurrë më, i mungonte ngrohtësia
atërore. Kjo dhe ishte arsyeja që guximi për të ishte një fjalë e panjohur dhe
nuk donte të përleshej me moshtarët e tij, gjë që të tjerët e bënin shpesh dhe
me kënaqësi, sidomos ata që kishin ndonjë kilogram më tepër.
Edhe
sportet, sidomos ato ekipore, ku duhej të vrapohej dhe të djerësitej, nuk i
kishte në qejf. Mundohej ta kuptonte se si është e mundur që aq shumë lojtarë
vrapojnë pas një topi të vetëm, i cili kalon nga njëra këmbë në tjetrën dhe në
fund, po përfundoi mbrenda rrjetës, ngrisin duar lartë me mijëra tifozë, të
entuziazmuar sa s’ka më. Në anën tjetër, një turmë po prej disa mijërave
njerëz, fishkëllojnë dhe shajnë.
*****
Një
ditë në shkollë u përhap lajmi se do të krijohet një klub shahu me emrin
‘‘Arbëria’’. Një fjalë të ngjajshme e kishte dëgjuar nga gjyshi, andaj, pa i
thënë askujt asgjë, nisi të interesohej për këtë lojë duke ardhur në përfundim
se kjo do të ishte një gjë e duhur për të. Njeriu duhet të qëndrojë tërë kohën
ulur, nuk ka nevojë të flasë me askë, mund të mendoj në vetmi për lëvizjet e
radhës dhe në salla ku zhvillohen ndeshjet është ngrohtë.
-
‘‘Kjo mund të jetë diçka për mua’’ - foli me vete duke pritur në radhë për t’u
regjistruar. Para tij po priste edhe Vera, shoqja e klasës, e cila binte në sy
për ngjyrat e rrobave që barte dhe për të cilën ai kishte filluar të kishte një
simpati të posaçme. E adhuronte tingullin e zërit të saj, sidomos që kur e
dëgjoi tek këndonte këngën ‘‘My number one’’ një ditë me shi duke u kthyer nga
mësimi. Edhe Viktori, që njihej si ‘‘rrëmbyes i zemrave’’, ishte aty.
Në
javët që pasuan filloi të marrë njohuritë e para, ndërsa pas disa muajve nisi
të mundte një nga një kundërshtarët e tij. Me Verën pothuajse gjithmonë
barazonte, dhe atë qëllimisht, duke bërë që loja të zgjaste sa më gjatë në
mënyrë që të shijonte prezencën e saj, sidomos kur bluza e saj ndodhte të ishte
pak më e hapur se zakonisht. Për hir të së vërtetës duhet thënë se fitonte ndaj
të gjithëve përpos Viktorit. Përballjet me të i evitonte, duke gjetur gjithmonë
një arsye për të mos u ndeshur direkt me të. Edhe në ato pak ndeshje me të
fillimin e kishte premtues, mesin e lojës ofanziv, për të humbur më pas me një
apo dy ushtarë më pak. Ai i është dukur gjithmonë mendjemadh, arrogant dhe
cinik. Një tjetër arsye ishte se ai i bënte Verës komplimente sa herë që i
ofrohej rasti, ndërsa dukej se edhe asaj po i pëlqente vardisja e tij. Jo që
ndokush ia kishte thënë këtë Arianit, por ai e merrte me mend dhe kjo e bënte
ta kishte mëri edhe më tepër Viktorin, këtë djalë të llastuar, i cili ishte i
binduar se po të donte mund ta bënte për vete secilën vajzë në shkollë. Këtë ia
kishte thënë një shokut të tij të klasës, ai i kishte treguar në besim një
shoku tjetër, i cili kishte qenë më sa paku mbajtës i fshehtësive, kështu që
lajmi u përhap edhe në katin ku kishin klasën Ariani dhe Vera. Atë pasdite
Ariani ndjeu marramendje dhe ngushtim në gjoks, por u mundua të mos biente në
sy. Nuk i tha për këtë askujt asgjë, as gjyshit, të vetmit njeri me të cilin
bisedonte çdo fundjavë kur ai i vizitonte.
*****
Pas
fjalës që u tha se kishte dalur nga goja e Viktorit, situata ishte e rrezikshme
dhe Ariani vendosi që përfundimisht të ia bëj me dije Verës se ajo do të
thoshte shumë për të. Fundi i vitit po afrohej dhe ai nisi të vriste mendjen se
si do ja bënte. E dinte se nuk ishte në gjendje të ia thoshte në sy, andaj
mendoi sa mendoi dhe më në fund vendosi: në
njërin nga pushimet e mesorëve do t’i fus pa u vërejtur një kartolinë në
çantë, në të do t’i shkruaj vetëm ‘‘E dashura Vera, urime Vitin e Ri!‘‘ dhe
asgjë më tepër. Në faqen e dytë të saj do të shënonte ‘‘I yti X...‘‘. Kështu
dhe bëri, duke mos qenë i sigurtë se si do të reagonte ajo. Mbase do të ja jap
një flakareshë mu në mes të klasës, por prej saj ia vlente.
Të
nesërmen nga turpi nuk shkoi në shkollë. Një ditë më pas, kur erdhi përsëri në
klasë, ajo iu afrua aq afër saqë ai ndjeu aromën e flokëve të saj ngjyrë
gështënje, e puthi lehtë në faqe, i përshpëriti ngohtë në vesh dhe i tha:
-
Faleminderit për kartolinën!
-
... unë ... nga e dije se isha unë?
-
Do ta dish me të vërtetë?
-
Po, dua, ma thuaj të lutem!
-
Ngaqë ti ishe e vetmi që mungoi dje.
-
... dhe ... vetëm nga kjo ... e kuptove se isha unë ...?
-
Edhe nga kjo, por jo vetëm … ma tha dhe dikush ... - tha ajo dhe vendoi dorën
afër zemrës, aty ku ai donte të arrinte.
Ariani
u kthye në shtëpi duke u hedhur lartë nga gëzimi dhe i lumtur si asnjëherë më
parë. Ata natë nuk fjeti fare. Të nesërmen vizatoi me laps portretin e saj. Në
prapavijë vijëzoi dy zemra, por pa shigjetë në mes. I urrente ato edhe pse
shumëkush i kishte thënë se kishte një shiqim depërtues, si shigjeta që godet.
Kjo fjalë, fjala ‘‘faleminderit’’ u bë fjala më e dashur e tij.
Puthja
e parë në faqe ishte ndejeja deri atëherë më e veçantë në jetën e tij. Shpirti
i tij tashmë ishte zënë peng në trupin e saj. Ajo nuk ishte Eva e parë e tij,
ajo ishte Eva e vetme e tij. Asnjë nuk ishte para saj. Nga sytë e saj në sytë e
tij po endej dashuria. Erdhi vetë në këtë përfundim sepse donte që të ishte
ashtu.
*****
Nuk
kaloi shumë kohë dhe departamenti i sportit i qytetit organizoi turneun
tradicional individual për të rinj në
shah. Interesimi ishte i madh dhe salla ishte mbushur me njerëz. Para ndeshjes
së parë ajo e pyeti:
-
Hë … si duket? A do të fitosh sot?
-
Ndoshta!
-
Por edhe të tjerët janë të mirë.
-
Nuk them se janë të keqinj, por as unë nuk jam i dobët.
-
Je i sigurtë për këtë?
-
Nuk e di ... në fund mund të ketë vetëm një prej nesh.
-
Në rregull. Atëherë mos më dëshpëro, përndryshe ...
-
Përndryshe çfarë ….?
Që
kur Vera hyri në botën e tij ajo u bë më e bukur, më e pasur. Ajo ai kishte
vjedhur gjumin Të gjitha udhët e tij kalonin nëpër oborrin e saj. E dashuronte
si askush tjetër në këtë botë. Qielli ishte dëshmitar. Në ditarin e tij kishte
mbledhur çdo çast me të, çdo shikim, çdo fjalë, çdo buzëqeshje, në ushtrimet në
sallën e gjimnastikës deri tek dalja për nga një akullore. Ajo u bë pjesa e tij
e dytë. Në të gjithçka ishte mahnitëse, edhe hija e flokëve të saj ishte e
bukur. Por, në tërë këtë histori kishte diçka që nuk shkonte: ai ende nuk
kishte arritur ta mundte turpin dhe gjunjët e tyre nuk ishin prekur asnjëherë.
-
I ziu shtyp orën, i bardhi bën lëvizjen e parë. - u dëgjua zëri i gjyqtarit
kryesor të turneut, për ta përbyllur me ‘‘le të fitojë më i miri!’’.
Ariani
dhe kundërshtari i tij i parë i zgjatën dorën njëri-tjetrit me shprehjen
‘‘paqshim një ndeshje të mirë!’’.
Ai
fitoi disa ndeshje radhazi. Edhe Viktori qëndronte mirë në tabelë. Në pauzë
Ariani pa se si ajo po fliste dhe qeshte me të. Nuk i erdhi mirë, por nuk foli
gjë edhe pse nga brenda nisi të ziente.
Pasi
që ishin të njëjtë me pikë rrugët e tyre u kryqëzuan dhe që të dy dolën në
finale. Pas hapjes d4:d5 ndeshja po luhej në qendër të tabelës. Viktori ishte i
tëri i përqëndruar në tabelë, ndërsa Ariani ngriste kokën herë pas here dhe me
shiqim kërkonte Verën, e cila ishte ulur në rendin e katërt dhe përcillte lojën
në ekranin e madh në mes të sallës.
Ajo
dukej disi e përhumbur dhe vazhdimisht fshinte sytë me faculetën e dorës, të
cilën e nxori nga çanta. Në të ishin të qepura dy shkronja. Edhe pse e kishte
vështire t’i dallonte nga larg, Arianit iu dukën se ishin dy inciale që atij i
ishin të njohura. Një njollë në këmishën e saj, që nuk e kishte pasur katër orë
më parë kur filloi turneu, vihej re qartë.
U
ndje ngushtë, koka iu rëndua e sytë iu errësuan. Në tavolinë iu mjegullua
gjithçka përpara. Figurat iu thyen në mijëra copa. Më kot u mundua të gjente
fillin e humbur. Me thonj nisi të grrithte skajin e karriges nën këmbët e tij.
Sikur shpirti të mund të fliste kush e di çka do të thonte në këtë çast
Edhe
pse deri atëherë ai kishte përparësi të lehtë në tërë këtë turbullirë bëri një
lëvizje gabim, vetëm një të vetme dhe kaq mjaftonte që të ndryshonte raporti i
forcave në tabelë. Humbi durimin dhe vendosi që të hiqte dorë nga figura më e
fortë, asaj të mbretëreshës. Më pas më kot provoi të rikthehej në lojë, por
tashmë ishte vonë. Gurët e tij tanimë ishin të bllokuar. Simboli i flamurit u
duk në orën që kishin përskaj. Ndeshjen e fitoi Vitori.
I
hidhëruar me vetveten iu duk se u shemb qielli mbi të kur ia zgjati dorën
Viktorit ftohtë dhe pa e shikuar në sy. Mënyra se si e bëri më së paku i
ngjante një përshëndetjeje sportive. Kjo humbje po i dhembte shumë. Në atë
moment ai kujtuan fjalët e gjyshit: ‘‘Në shah ke dy kundërshtarë: atë që kë
përballë dhe orën’’. Që nga ajo ditë e kuptoi se jeta është kohë, e koha jetë.
Kur të bie flamuri loja përfundon. Ashtu si dhe në jetë.
*****
Shahu
u shndërrua në pasionin e tij. Ai vu në punë pa humbur kohë. Nisi të ushtroj me
orë të tëra çdo ditë dhe nuk dilte nga shtëpia. Vetes i kishte vënë një cak:
t’i revanshohet Viktorit për humbjen e turneun e qytetit dhe atë në prezencë të
Verës. Jetonte për ditën kur do të ngritej përsëri në sytë e saj. Këtë ia
kishte premtuar vetes. Në klasë vinte i përgjumur. Fjalori i tij ishte mbushur
me fjalë, si: strategji, arkitekturë, pozicion, kombinim, taktikë, ofenzivë,
kundërofenzivë, defensivë, kompenzim, sakrificë, kualitet, rokadë, paralele, diagonale,
vertikale, horizontale, etj.
*****
Maji
kishte ardhur. Drunjve të kopshtit të tij po thyheshin degët me kajsia. I
fërkoi duart dhe u nis i sigurtë në vetvete.
Tashmë
kishin kaluar një vit nga turneu i fundit i qytetit. Ariani e donte gjithsesi
fitoren në turne, por kishte dhe një dëshirë të fshehtë: në finale të ndeshej
me Viktorin. Dhe pothuajse ashtu dhe u bë, ai i mundi të gjithë dhe arrit në
finale, por jo dhe Viktori, i cili humbi në gjysmëfinale.
Në
momentin e fundit, pak minuta para se të niste finalja, finalisti i dytë, pësoi
një aksident me biçikletë rrugës për në sallë, dhe pasi që lëndimet ishin
serioze, atë e dërguan me autoambulancë në repartin e ndihmës së shpejtë. Atje
kishte dhënë deklaratën se në një kthesë të rrezikshme, dikush nga larg i
kishte drejtuar një xham reflektues drite, i cili e kishte verbuar duke bërë që
të rrëzohej keq. Se kush do të mund ta kishte bërë këtë do të ishte punë e
organeve të rendit që ta zbulojnë, nëse do ia arrijnë ta zbulojnë ndonjëherë.
Më vonë gojët e këqija nisën të flasin se ky person do të mund të kishte qenë
Ariani, por këto spekulime mbetën vetëm në nivel të thashethëmeve dhe hetuesit
nuk gjetën asgjë që do ta inkriminonte atë.
I
dëmtuari nuk ishte në gjendje që të ulej përballë Arianit. Referët e turneut
deshën ta shpallin menjëherë fitues Arianin, pasi që kështu e thonin rregullat,
por ky nuk pranoi. Donte ta fitone titullin dhe jo që ai t’i falej. U tha se do
të duhej që këtë mundësi t’ia ofrojnë Viktorit dhe se ai do te ishte i gatshëm
që t’i hedhë para kupën ashtu siç bëjnë bokserët me rripat e tyre në ring.
Kishte ndarë mendjen që të rrezikojë të mbetet pa titull vetëm e vetëm që të
ndeshej edhe një herë me të. Por, referët ishin të mendimit tjetër dhe të
gjithë u çuditën kur Ariani papritur mori mikrofonin në dorë dhe iu drejtua
publikut me këto fjalë:
-
Të dashurit e mi, ju e dini se shahu është një sport fisnik. Ai është një tango
që ka nevojë për dy vallëzues dhe kërkon që në tavolinë të ulën përballë dy
shahistët më të mirë. Madhështia e tij qëndron në atë se dy koka dhe katër sy
dëshmojnë se çfarë dinë dhe munden. Jam i sigurtë se udha përpara është më e
gjatë se sa ajo që kemi lëne pas, andaj ne, shahistët e rinj, do të duhej të
bazohemi në njohuritë tona për këtë sport dhe jo në fat. Unë nuk dëshiroj që të
fitoj në tavolinën e gjelbërt, pa luftë andaj propozoj që ju të mos largoheni
nga këtu pa e parë finalen e madhe. Ju e meritoni këtë mu ashtu si dhe Viktori,
i cili do të ishte një kundërshtar i dinjëtoz për mua. Për këtë arsye ju ftoj
që me duartokitjet tuaja të mbështesini këtë ide timen. - tha ai para se të
largohej nga foltorja.
Të
pranishmit në sallë u ngritën në këmbë dhe me duartokitjet e tyre të fuqishme
dhe të pandërprera dhanë verdiktin përfundimtar.
Pas
konsultimeve të shkurtëra pëlqimin e tyre e dhanë edhe referët. Viktori, i cili
po përcillte gjithçka, ngriti dorën lartë në shenjë pajtimi, lagu pak buzët nga
shishja e ujit që kishte pranë dhe u nis drejt tavolinës në mes të sallës.
Pasi
i shtrënguan duart, Ariani bëri lëvizjen e parë me ushtar në e:4, Viktori
reagoi po me ushtar në c:5, ‘‘mbrojtja siciliane‘‘. Sa më shumë lëvizje aq më
mirë i lidhte Ariani figurat e tij. Pjesën më të madhe të tyre tashmë i kishte
vendosur në mes të fushëbetejës. Pas rreth një ore kështjella e Viktori filloi
të bie. Ai së pari humbi një ushtar pastaj dhe një oficer për t‘u mbështur
kështu për muri. Mbreti i tij qëndronte i pambrojtur. Ariani nisi që të
shfrytëzojë këtë përparësi në mënyre optimale dhe me një lëvizje spektakulare,
mbretëreshë në b:3, shuajti të gjitha shpresat e Viktorit. Ai, edhe pse që pa
se tashmë gjithçka ishte e humbur, prapë se prapë nuk donte që ndeshja të
përmbyllej me mat andaj e dorëzoi lojën.
Si
të kishte dalur nga toka, në atë çast para tyre u shfaq Vera, e cila pasi
shikoi në sy një herë njërin e pastaj tjetrin, iu hodh në qafë Arianit dhe e
përqafoi fort. Nëse diku do të duhej të kishte Parajsë, për të do të ishte ky
moment.
*****
Pesë
vite më pas Ariani fitoi titullin e kampionit të vendit, duke u bërë kështu
shahisti më i ri në histori që kishte fituar ndonjëherë këtë titull. Fotografia
dhe emri i tij dolën në të gjitha gazetat, madje edhe ato ndërkombëtare, të
cilat e përshkruanin si njërin ndër gjenitë më të mëdhenj të shahut të kohës së
sotme. Në intervistën për televizionin ÖRF, në pyetjen nëse kjo ishte fitorja
më e rëndësishme në jetën e tij, ai u përgjigj:
-Jo,
fitoren më të dashur në jetën time, dhe e cila do të mbetet e tillë edhe nëse
një ditë do të arrij që të shpallem shahisti numër një në botë, e kam arritur
kur isha në vitin e dytë të shkollës së mesme. Ajo vazhdon të jetë më e mira.
Përse, këtë e dimë vetëm unë dhe një person tjetër, emrin e të cilit nuk do ta
bëj të ditur.
Një
ditë më pas shkolla në të cilën Ariani kishte përfunduar arsimin e mesëm u
mbush përplot gazetarë kurreshtarë, të cilët nisën të hulumtonin të kaluarën e
tij, sidomos atë kur ai ishte në vitin e dytë.
Vjenë, 4 shtator 2020