E enjte, 31.10.2024, 11:21 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Drejt Vlorës shkohet me këngë

E merkure, 02.09.2020, 06:26 PM


Drejt Vlorës shkohet me këngë

Nga Timo Mërkuri

Kështu, me këngën “Moj Vlorë e bukur në gropë/moj Vlor-o” në gojë u nis drejt Vlorës më 1920 çeta e Pilurit  nën komandën  Kapedan Kolë Mërkurit për të “hedhur italianët në det”. Se drejt Vlorës vetëm me këngë në gojë mund të nisesh, vetëm kështu ka lezet.  Dhe “lezeti” sa vjen e rritet kur nisesh që të shpëtosh Vlorën nga “breshkaxhinjtë e breshkamadhit”, prandaj në se u nisën 39 djem e burra, prapa u erdhën edhe 20 të tjerë, që i aritën shokët në betejë e sipër dhe më pas bashkërisht kënduan e hodhën valle në 3 shtator të atij viti zulmëmadh në mes të Vlorës së çliruar.

Shkuan njëqint vjet që nga ajo ditë dhe prapë sot drejt Vlorës u nis grupi i Pilurit për të festuar atë ditë të bukur çlirimi. Janë nipërit dhe mbesat e atyre që luftuan në  njëzetën dhe domosdo që e dinë se drejt Vlorës  shkohet me këngë, prandaj ja nisën  këngës së tyre të re me tekst të Kristo Çipës, marrëse   Parashqevi Çipa dhe Leni  Mërkuri, kthyes Dhimitraq  Bala dhe hedhëse  Valentina  Gërdhuqi, iso Kristo Çipa, Petra Q. Gërdhuqi, Agron Kreku, Themistokli Polo etj. Se si shkonte kënga  rrugës nuk ua them dot se dhe ju s’do më kuptoni po t’ju them se këndonin si një korr ëngëjsh të gëzuar, por për t’ju shuar kureshtjen po ju tregoj tekstin dhe për vijën melodike do flasim herë tjetër.

Vlora e tha të vërtetën

Hapu det se vendos vetë!

Populli thiri lirinë

Malet zunë e shtyjnë retë

Dhe trimat largojnë ushtrinë

Përreth Vlorës-o

Furtuna zgjoi Evropën

Nuk ron dot trupi pa kokën

2

Ata burra komisioni

Sa ushtarak aq shënjtorë

Tre muaj revolucioni

Na mblodhën bashkë një dorë

Dhe thërisnin gojë më gojë

Dhe në sulm dhe në llogore

Shqipëria do të rrojë

Se e ka zemrën prej Vlore

Lufta jone popullore

Me shume se bombe berthamore

3

Trimat që bënë historinë

Si yje mengjesi shkuan

Amanet lanë Shqipërinë

Cipë drite nëpër duar

Na mbeshtjell një errësirë

Që kur është zënë dynjaja

Ne që kemi mbjellë lirinë

Na thahen lulet e saja

Njëqind vjet si vesë u tretën

E kërkon koha njëzetën

Vlora e tha të vërtetn

Pa bashkim s’dryshojmë dot jetën

Mirë ju thashë që drejt Vlorës shkohet me këngë dhe këtë besoj se e kuptuat, por këtë e kishin kuptuar edhe grupet e fshatrave të tjera që qenë nisur në drejtim të qytetit nëpër ato shtigje nga qenë nisur njëqint vjet më parë gjyshërit e tyre, mbledhur nëpër çeta luftëtarësh.

Kështu shpjegohet që drejt Vlorës “derdheshin” nga gjithë Labëria dhe Bregdeti “përrenj” njerëzor që tundnin vendin me këngë trimash. Tekste që shkrepnin si dyfeqe e hedhësat që e ngrinin zërin në kupë të qiellit, si  thirrje për sulm përmbi tela. Dhe një iso e ngrohtë si toka që priste e mirte në gji të rënët për liri. U mbush dita me këngë lapidarë, u kujtuan emrat e heronjve “dyfek lidhurë me gjalmë”, llogoret me tela e gunat përmbi to, topi që qëllonte përmbi ta dhe përgjigja e tyre në këngë…s’na lënë gjylet të flëmë/ do këndojmë apo çdo bëjmë/ a do ngrihemi më këmbë (në valle)”.

Se që ta dini mirë ju, në Vlorë jo vetëm që shkohet me këngë por domosdo që këndohet edhe kur luftohet. Se s’ka lezet lufta pa këngë more mik. Ca më tepër që ska kush  e shkruan luftën veçse kënga, se ajo  nuk haron e nuk vdes kurrë.

Të tërë këndonin këngë trimash, se dihet që kënga labe për këngë trimërie është stisur.

Në një moment në skenë u ngjit grupi i Pilurit me një të ecur të lehtë, si çap thëllëze gur mbi gur dhe me një të qeshur që u ndrinte gjithë fytyrën, sikur donin t’u thoshnin  të pranishmëve; këmi festë apo çkemi? Atëherë do këndojmë si për festë dhe do ti vëmë “këngën kurorë” kësaj feste…dhe ja nisën me stilin e tyre karakteristik këngës me tekst të Kristo Çipa, marrëse  Leni  Mërkuri, kthyes  Dhimitraq  Bala,  hedhëse Valentina  Gërdhuqi. iso  Kristo Çipa, Petra Q. Gërdhuqi, Agron Kreku, Themistokli Polo etj

Këngën ma vini kurorë

O moj ti bota e reme

Më ke lënë me plagë zemre

Për një dashuri që keshe

Për një bijë mbretëreshe

Atja ne Pilur më zgjodhe

Dhe me mua dashurove

Po ti kurre su martove

Unazë zërin më kërkove

O moj ti kënga e djepit

Je jastëk i amanetit

I the: ulu në gjunjë mbretit

Unë jam porta e xhenetit

Kur të dalë ylli në Vlorë

Zemrën ma merrni në dorë

Këngën ma vini kurorë

Thoni ishin dy dashnorë…

Të shkosh në Vlorë domosdo që do këndosh. Ska rëndësi në do ja marrësh këngës ti vetë, do shoqërosh me iso apo nën zë grupin që këndon, ashtu siç shoqëronin të pranishmit këngën kurorë të  Bejkës së Bardhë të Pilurit. Dhe sigurisht që  do jeshë si sot pjesë e duartrokitjeve dhe ovacioneve, që  si një erë e ngrohtë  bënë që të çelnin si trëndafila buzëqeshjet në fytyrat e artistëve pilurjotë, tek tundnin  palët e flamurit në valvitje.

2 shtator 2020



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora