Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Bardi i malit të Çepurit
E hene, 04.05.2020, 08:12 PM
BARDI I MALIT TË ÇEPURIT
..dhe mali i dashuruar...
Nga Timo
Mërkuri
“Bardët
janë këngëtarë dhe poetë keltë” na prezanton Straboni[1], gjeografi i madh i
antikitetit duke shtuar se janë një ndër tre grupet e njerëzve që nderohen më
shumë në shoqërinë kelte krahas me Vatët
dhe Druidët ndërsa përshkrimin e parë të
tyre e ka dhënë Poseidonius[2] qysh në shekullin e I
p.e.s. ku shkruan se: “Keltët kishin disa njerëz që i quanin bardë (bardoi) të
cilët bënin muzikë. Ata ishin poetë që i shprehnin lëvdatat e tyre me këngë”
dhe ishin një trashëgim indoeuropian i keltëve. Fjala
“bard” perkthehet apo nënkupton “thurës i lavdeve” duke dëshmuar në këtë mënyrë
se “lavdia” ishte ajo pjesë e jetës njerëzore, që siguronte pavdekshmë-rinë e
njeriut nëpërmjet mbartjes së tij në
epikën heroike të popullit.
“Bardët
“ krijonin këngë “lëvduese” heroike për bëmat e trimëritë e fisnikëve keltë dhe
këto këngë i këndonin në kështjellat e tyre, në të cilat banonin edhe vetë si
bujtës, sepse ata nuk lejoheshin të
mirnin ndonjë titull fisnikërie a të ndërtonin shtëpi të larta në asnjë rast. Kështjellat
e heshtura në majë të maleve shkëmborë mirnin frymë nëpërmjet këngëve të bardëve kur ktheheshin
nga luftërat ku fisnikët e kalorësit shihnin nëpër ‘to betejat që kishin bërë, fitoret
që kishin korur…
Ndodhi
që nëpër këngët epike të bardëve, krahas vringëllimave të shpatave nisën të dëgjohen
dhe psherëtimat e vashave që rrinin pa gjumë netëve nga meraku për fatin e luftëtarëve. Si të ndrojtura dëgjoheshin
fillimisht këto psherëtima, të fshehura në ndonjë qoshe vargu, por tingulli i
tyre bënte të dridheshin zemra që nuk dridheshin as përpara shpatës. Dhe
sigurisht edhe malet ndjenin një si drithërimë, ca si mornica që u përshkonin
gjithë qënien e tyre nëpër damarët e gurtë dhe përcollën erërrat nëpër melodi.
Ndihmuar nga erërat e malit u ngrit një oktavë më lart tonaliteti i psherëtimave
duke u shtrirë e zgjatur në melodi dhe
duke spostuar pak nga pak bëmat e trimëritë e luftëtarëve…
Kohët
ndryshuan, ndryshuan dhe bardët bashkë me këngët e tyre dhe tashmë lavde e
hymne i këndohen dhe dashurisë. Madje një nga këta “bardë” aty në malin e
Çepurit ngre këngë e hymne vetëm për dashurinë sikur do të na dëshmojë se “vetëm
dashuria është ajo pjesë e jetës njerëzore që siguron lumturinë dhe të hap portat e pavdekësisë”. Madje dhe vajzën e
dashuruar e ngre në rangun e perëndive duke e quajtur “Hyjneshë” e “Hyjnore”
dhe shkruan për ‘të se dhe rrathët e ferrit se bëjnë ta harojë: “Nëntë rrathë
harese ma mbështollën vargun/Nëntëdhjetëenëntë herë mëndja më vajti/E më mbeti
tek ty”[3]. Dhe ndërsa i thotë vajzës …”Çepurit si ky hap i imi
qepesh” befas sheh se “Çepuri mbet pa fjetur” dhe se “I
pafjetur Çepur zhvesh rrobat/gjoksin vë përballë” sepse”…”një Çepur të tërë
shprushe/për tu nisur pas teje”.
Spaska ndroje ky bard të flaës për dashurinë, madje
dhe vetë zotit i qëndron përballë…”Nëse asht mëkat/me dashtë/mos më fal o
zot/Kam me e dashtë përditë/nga çasti në çast/Vullnetarisht e pranova/këtë fat”
madje dhe në mot te hidhët…”një shi si ky moti e kam ëndërue/dhe ty dhe ty
moj/tek ai shteg Çepuri/degët tuj mi shkundullue” dhe…”Një pamje luleje/me aromë
Çepuri/përfiton syve me pranverë” praandaj I thotë vashës …”Laj sytë me një
puhi mali/a gurrë Çepuri/dhe nisu” sepse…”Vetëm unë/si një pikë e fundme
uji/tek ajo rrënjë luleje kam ngelur/dhe Çepuri”.
Është i çuditshëm ky bard i malit të Çepurit
sepse këndon vetëm në këtë mal, si
bilbili që këndon vetëm në një korie për çdo vit. Ndërsa bardët e tjerë i kanë
malet për të kënduar hymne trimërie për
fitoret e për gjakun e heronjve, ky dhe lotët i derdh…”se nuk fluturon para
syve të mi ajo grishë e Çepurit/dhe fundit të kësaj dite” dhe se…”Këtu rrëzë
Çepurit/ka mbetur vetëm hija e etur/në një pritje të pasosur” sepse….”Vetëm
Çepuri ma ruen hijen’, por gjithsesi..”Nëpër bishtat e syve të tu do gjej pak
vend/korrin e zogjve të Çepurit/ të dëgjoj”
Është e magjishme kënga e këtij bardi që i bën edhe lisat të përqafohen
si djelmosha të posa takuar pas një kohe të gjatë. Por kjo magji e kësaj kënge
e kalon edhe kufijtë më ekstrem të imagjinatës njerëzore sepse i bën dhe malet
të dashurojnë e të rendin pas dashurisë si djelmosha që lypin puthjen e parë… “Mali zemërndezur me shpirtin zjarr/nuk la shteg pa ecur/as Lis pa
pyetur/kah shkoi ku mbet”[4].
Le të sodisim malet nëpër vargjet dhe
rreshtat e letërsisë shqipe në të shkuarën…Malet kudo e kurdoherë kanë qënë
prezente në jetën e njeriut shqiptar sepse në shpatet e tij, me gurët e tij ai
ndërtonte shtëpinë, në shtigjet e tij
nisej e kërkonte lirinë, nga pas malit vinte drita e diellit në mëngjes apo era
e ngrohtë e pranverës dhe si mali qëndronte para rebesheve armike. Por mali nuk ishte vetëm një
simbol rezistence, ai ishte më shumë se
aq, ishte pjesmarës në jetën e shqiptarit me hijen apo praninë e tij aktive...
O ju male me dëborë/Pse s’qani hallet e mia…rrënkon njeriu shqiptar nga pesha e
rrëndë e jetës dhe vajzës së dashur i thotë
me butësi e ngrohtësi…Duro vajzë të durojmë/Si duron mali dëborën. Ftohtësia
e kësaj dëborë çuditërisht nuk e ftoh ngrohtësinë e fjalëve të djalit, sepse
janë fjalë që mbartin shpresën e besimin. Me siguri që pas këtyre vargjeve ka
lindur edhe ajo kënga e bukur…Ç’u mbush mali plot me dushk/Thotë vajza janë
krushq…varg që u jep jetë dhe i vë në lëvizje ëndrat vajzërore drejt ditës më të
bukur të jetës…për të mbritur më pas te kënga e bukur…Kur shkoje rrëzës së
malit/Duke mbajtur frerët kalit/Duke dhënë sisë djalit/Hajde hajde moj Mine/Sa
e bukura që je…Filluam të këndojmë ë? E po ç’ti bësh, kur flet për male domosdo do ja nisësh edhe këngës.
Malet kanë qënë aktive në jetën e shqiptarit
sidomos në kohë lufte, kohë që i shtrëngonte dhe ato në gjoks sa që rënkonin
nga shtrëngesa e dhimbjes…Zunë malet e rënkojnë/Kurveleshi po luftojnë .. nis një këngë, apo mbanin
zi për trimat e rënë…Mali i Çikës kullon
serë[5]/Mba
zi për Ymer Xhaferë…pasi kishte vajtuar më parë me gjëmë e ligjërime..Qaj moj
Çikë me Gjinikë/Se drëri juaj ka ikë/që i shtij hasmitë frikë/Dhe nuk ju qasej
e ligë…E imagjinoni dot të vajtojnë malet me gjëmë suferinash e orteqe dëbore?
Më mirë mos ta dini se do ju ikij mëndja fare. Unë do t’ju thoshja të mos e dëgjoni
as vajtimin e asaj vajzës së re që
lotonte…Do të dal moj nënë/Do të dal nga malet/Ti thëras bandillit/Vallë mos më
ngjallet…
Nëpër shpat mali kanë lindur edhe
legjendat si ajo e Kostandinit, balta e
varit të të cilit ju bë kal për të rendur te e motra Doruntina. Ka dhe male me
histori dashurie si te përralla për një djalë që quhej Akro i dashuruar me vajzën Qerana të cilët në një
moment përqafimi, një shtrigë e keqe u bëri
magji dhe i ngriu në vend, sepse kishte zili pse djali nuk dashuronte vajzën e
saj Kënetën. Kështu u krijuan vargmalet Akroqerane ku bëjnë pjesë mali i Çikës.
Pyetja që lind me këtë rast për vargun e
Sabit Rustemit “Mali zemërndezur me shpirtin zjarr/nuk la shteg pa ecur” dhe për
disa vargje të tjerë është se : a lëvizin malet? Në poezinë popullore malet janë në lëvizje të
natyrëshme dhe këtë e hasim te vargjet
Kam një lëmsh në zemër/S’di kujt t’i rrëkohem/T’u
rrënkohem maleve/Malet më largohen[6] …
Por male në moment dashurie vetëm Sabit
Rustemi na ka dhënë dhe ky mal çapkën na qënka Çepuri i tij i cili… trazoi
shkëmb e gurë/flatrave të shqiponjës sa kepin kaptoi/si furtunë u lëshua
luginave/e u ngrit përmes reve shkreptiu/moteve nëpër stuhi… mandej… Mali
kaplohet prej dhimbjeve/zjarrmive të pamatshme digjet flake/e shpirti nuk i
del/pa e strukur në gjirin e tij atë Vashë…dhe se… Moteve që kohojnë në këto
dhera/nga dashuria për Vashën/thonë të jetë djegur deri në hi/e të jetë
ringjallur në Shpend…
Pyetjes në se përqaset mali me dashurinë i përgjigjemi se malet tona
janë në moshë të re (gjeologjike) dhe pikërisht në moshën e “dashurisë”. Po ti
shtosh kësaj faktin se shumë nga malet tona janë me origjinë vullkanike (Mali i
Çikës) gjë që e justifikon zjarrin e brendshëm të tyre nëpër vargje, atëherë
themi se Sabit Rustemi ka bërë një gjetje brilante.
Një poezi me ritmin e këngëve të bardëve,
ndonëse jo me vargun njëmbëdhjetëroksh të epeve, që përzien botën e legjendave
(ringjallja në formën e shpendit pas djegies
apo lindjen e burimeve nga plagët) me jetën tonë, metaforizimit të forcës
së dashurisë… por a e dini miqt e mi, më mirë lexojeni vetë ju këtë poezi të
bukur të Sabit Rustemit për të cilën unë çfletova epokat.
Sarandë, më 04.05.2020
VASHA E ERËS III
Një puhi e lehtë e ëmbël
fletëzave të një mëngjesi
ia shprushi atë floknajë motesh
që i vareshin mbi fytyrë
ëndrrës së panxënshme të Malit.
Prej puhisë u tremb Vasha
nga droja se po rrëmbehej prej Erës
poreve të dashurisë u fsheh
Mali zemërndezur me shpirtin zjarr
nuk la shteg pa ecur
as Lis pa pyetur
kah shkoi ku mbet
Vashën e përpiu papritur toka
honeve të pafundme të shpirtit
e nuk u pa më
Mali trazoi shkëmb e gurë
flatrave të shqiponjës sa kepin kaptoi
si furtunë u lëshua luginave
e u ngrit përmes reve shkreptiu
moteve nëpër stuhi
Mijëvejtshave të shkuara
Bjeshka u shkrumbua prej vetëtimash
zjarresh e vërshimesh
derisa u zhvesh e tëra
asht e lëkurë mbeti
pa një kokërr dhé
Përfundi saj
një fushë e re gjerë e gjatë iu krijua
sa për t’ia zgjatur jetën
e për t’ia ruajtur shpresën
po Vasha nuk u shfaq kund
e Mali s’pushoi të rend pas Saj
Ag e terr përditë Asaj Ane të Nemur
ndrydh e shtrydh veten deri në palcë
sa dhe zemra e gurit nis e pikon
Diku bunoi një krua
një përroskë pastaj lindi
e nuk mungoi as lumi
Thellësive të padukshme
ku depërton sall uji
thonë dhe liqene u krijuan
ku në qetësinë e plotë të Natës
lahet Vasha e shkreh flokët
dhe ëndrra të reja përpush
e zhduket prapë
përmes krahëve të erës
poreve të fshehta të Bjeshkës
Mali kaplohet prej dhimbjeve
zjarrmive të pamatshme digjet flakë
e shpirti nuk i del
pa e strukur në gjirin e tij atë Vashë
Moteve që kohojnë në këto dhera
nga dashuria për Vashën
thonë të jetë djegur deri në hi
e të jetë ringjallur në Shpend
Sa herë dalldia e erërave
shkund Bjeshkën
Ai Shpend
përmes flatrash rrahë furtunat
mes dredhash të papara zhytet
atë Vashë
për ta nxjerrë prej kthetrave
që nuk e lë për të vdekur
as edhe njëherë
(2 maj 2020)
[1] Strabone Geographia, IV, 2, 4.
[2] Poseidonius (135-51 p.e.s)
[3] Sabit Rustemi
“Hyjnorja ime je ti” 2 “Faik Konica” Prishtinë
2019 fq 8 e në vijim poezitë e
cituara janë nga ky vëllim poetik
[4] Poezia shoqëruese “Vasha e erës”
[5] Serë, këtu ka
kuptimin kullon zi.
[6] Mora si shëmbuj këngë e vaje të viseve të mia
se për viset e Kosovës ka folur Sabit Rustemi.