Kulturë
Sinan Gashi: Dy vepra të veçanta shkencore të Ramadan Sokolit
E hene, 04.05.2020, 06:43 PM
DY VEPRA TË VEÇANTA SHKENCORE TË RAMADAN SOKOLIT
Ramadan
Sokoli: "16 shekuj", SHB “Eurorilindja” , Tiranë, 1995 dhe "Përtej XVI shekujve", ShB
“Koha”, Tiranë, 2002
Nga
Sinan GASHI
Prof.
Ramadan Sokoli u është përkushtuar studimeve me një mbështetje shkencore që
shkon deri në finesa. A ka synim të përhershëm nxjerrjen në dritë të atyre
fakteve që ende nuk janë njohur nga askush. Fundja, në çdo punim na
"kallëzon" risi që nuk i kemi njohur dhe që na ndriçojnë diçka nga
harresa e vlerave tona kombëtare nëpër shekuj.
Parafrazë
Veprat
e shumta që shkruhen në gjuhën shqipe, nga studjues shqiptarë, nuk mund të
mbahen mend dhe madje disa sosh as që dihet se kanë dalur në botën e tregut.
Tashti, në këtë zallahi, veprat që janë të veçanta dhe që sjellin risi
akceptohen dhe zgjojnë interesim, kurse numri i tjerave vetëm sa përfolet
brenda pak ditësh a mujash.
Profesor
Ramadan Sokoli sikur është cytur nga ky interesim dhe mu për këtë u nis me
seriozitet si askush në ndriçimin e fytyrave të kulturës e artit tonë, në ato
errësira kohërash, që nuk i dinte gati askush, të cilat i dha me një bindje të
thellë pas një hulumtimi të gjatë dhe duke u bazuar në një literaturë shkencore
burimore, që vulos të vërtetat e humbura. Jo rrallë, mu për këtë përkushtim, ai
me të drejtë krahasohet me lapidarin e albanologjisë, prof. Eqrem Cabejn.
"16 shekuj" të filleve të frymimit tonë artistik
Vepra
"16 shekuj" (1995), erdhi si një sihariq i rrallë në botimet e
shkencës shqipe në tërë hapësirën shqiptare. Përse? Ngase na ishte hapur një hapësirë e re
diturore për hershmëri shekujsh, ku takonim njerëz të mëdhenj, të rrallë edhe
për tejkohët, që nuk i dinim se ishin nga tanët. Ata shpesh ishin përvetësuar
nga tjerët, duke i bërë të përkatësisë së atij populli ku edhe kishin jetuar e
vepruar, pa ua përmenduar përkatësinë ee tyre iliro apo shqiptare. Këto punime
ishin shkruar pas një studimi të thelluar, duke hulumtuar me vite nëpër arkivat
e huaja dhe duke mos lenë hapësirë për manipulim të fakteve dhe për dyshim a
polemizim të konstatimeve dhe dëshmive të forta për këta personalitete.
Që
në parathënie të kësaj vepre autori, në njëfarë forme, rrëfen skithi se çfarë e
motivoi t'i futet një këso pune të mundimshme. Shprehet: "Siç dihet, çdo
popull përbëhet nga individë të veçantë, por përfaqësohet denjësisht nëpërmjet
bijve më të zgjedhur, të cilët janë, si të thuash, përfaqësuesit e prirjes,
zgjuarësisë, ndjeshmërisë dhe aftësive krijuese të vetë kombit përkatës. Nëse
popujt krenohen me të drejtë për bijt e tyre të lavdishëm, edhe shqiptarët me
të drejtë kanë përse të krenohen."
Në
këtë vazhdë, autori, "minator" i kulturës shqiptare, krenohet me
personalitetet me të cilat mirret në mënyrë thellësisht studimore, si me Niketë
Dardanin, Jan Kukezelin, më pastaj me Dragan Prizrenin, Kolë Durrësakun, Filip
Pjetër Drishtin, Progon Burizanin, Xanet Augustin, Kristofor Ulqinin, Marin
Balistarin, Stojan Shkodranin, të gjithë këta muziktarë, kompozitorë dhe
instrumentistë të shquar të kohës. Vazhdohet më tutje me skulptorë dhe
arkitektë arbër të Dalmacisë, si skulptori Radovani, arkitekti Miho Tivarasi,
Andrea Aleksi, Mjeshtër Donati, për të vazhduar me piktorë, skulptorë dhe
dijetarë shqiptarë nëpër Italinë Verilindore, si: Marin Beçikemi, Leonik Tomeu,
Maksim Artioti, Mikel Maruli, Françesk Albanezi, Gjon Albanezi, Zef Albani,
Mark Bazaiti, Viktor Karpaçi. Nga arkitektet shqiptarë në Turqi e tehu, ai merr
në shqyrtim studioz jetën e krijimtarinë e
Sinan Atiq Agës, Mehmet Sedefqarit, Arkitekt Kasemit, Usta Mehmet Isasë
dhe Vladimir Gjergj Kastriot -Skënderbeut. Në kapitullin e fundit, të nëntin,
titulluar Edhe disa shqiponja larg folesë, ai radhitë personalitetet e Joan
Çetirit. Karl Gegës, Harallamb Kristo Koçit, Ismail Toma G. Nashit, Krist
Malokit, Murat Sheut, Aleksandër Moisut dhe Fan S. Nolit. Kjo është pra një
shtrirje e gjerë dhe një "gërmim" i jashtëzakonshëm, për ta zbardhur
madhështinë tonë gjeniale nëpër kaq shekuj. Ajo që e karakterizon këtë vepër të
rrallë studimore, është dëshmimi me një mori veprash dhe dokumentesh arkivore,
që mësohet nga bibliografia e pasur në fund të çdo kaptine, ku citon vepra e
dokumente nga vende të ndryshme, si: Milano, Postdamm, Cambrige, Londër,
Beograd, Agrigento, Paris, Firenze, Roma, Tiranë, Torino, Mynhen,
Grottaferrata, Ljubljana, Prishtinë, Vjenë, Split, Istambul, Ankara, Berlin, e
tjerë dhe po ashtu me vite të ndryshme të atyre publikimeve, si: 1905, 1913,
1918, 1923, 1938, 1920, 1929, 1961, 1976, 1982, 1951, 1964 e kështu me radhë.
Të
gjitha këto njohuri të shumta dhe të sigurta, prof. Sokolin e kanë ndihmuar që
kulturën e madhe të dëshmuar që heret të shkrimit studimor, sakt dhe rrjedhshëm
ta hartojë këtë vepër që as s'e kishim dhe pasë, dhe sigurisht që nuk do të
ishte pronë e studjuesve të ardhshëm shqiptarë. Diçka tjetër që e karakterizon
veprën "16 shekuj" është edhe ilustrimi me dokumente të kohës,
përkatësisht fotografi të portreteve, ku janë gjetur, apo gjithsesi të veprave
të tyre madhore, piktura qofshin ato, apo vepra arkitekturale qofshin si
mbetje.
Pra,
fjala e tij, dokumenti burimor dhe ilustrimet me fotose të rralla, janë tri
komponente për forcimin e bindjes sonë së ata ishin të mëdhenj, se ata kishin
krijuar vepra të rralla dhe se ata ishin nga fara jonë kombëtare.
2. Hapërim "Përtej XVI shekujve"
Që
me veprën e parë "16 shekuj" profesor Ramadan Sokoli kishte dëshmuar
se është futur një rrugë të pashkelur të shkencës sonë, për të mos e harruar
traditën tonë të pasur, të cilat dëshmojnë se ishim një vlerë e shumënatyrave
artistike e historike, ndoshta ndër më të parat e botës së civilizuar, të cilat
patjetër mbulohen me thënje të fakturës konkrete, si fotografi herake apo
hieroglife figurante.
Si
edhe më parë profesori i ndëruar sjell para syrit të sotëm shikimin e kthjellët
për figurat e shquara shqiptare të letërsisë, arkitekturës, muzikës, folklorit
e kulturës shqiptare në përgjithësi, shpërndarë gjithandej nëpër botë dhe
shekuj.
Vizatimet
parahistorike në Shqipëri, është punimi i parë, ku pas një studim - hulumtimi
të kujdesshëm, shprehet këtu në forma të ndryshme, si katror, rrethe e shenja
të ndryshme figurash, që kanë po ashtu domethënje e kuptime të tjera. Autori me
një rast sqaroi: "Një nga arritjet e shënuara të arkeologjisë sonë gjatë
këtyre 10 vjeçareve të fundit, është zbulimi i vizatimeve parahistorike në
sipërfaqen e shkëmbit të Spilesë, pranë fashtit Tren, pastaj vizatimi shkëmbor
në strehën e një zgavre malore që ndodhet në Lepenicë, rrethi i Vlorës, dhe së
fundi, vizatimi i shkëmbit te Gjuri i Recit të Lurës, rrethi i Dibrës. "
(14)
Autori
më pastaj, ngeshem, analizon dhe përshkruan pamjen dhe nxjerr domethënien e
atyre figurave, duke dhënë edhe gjenezën, moshën e tyre. Punimi përmbyllet me
një listë literature shkencore burimore konsultative. Punim tjetër është ai për
qytetin e lashtë të Beratit, me titullin Berati, perla etnokulturore e
Shqipërisë, pastaj shkëlqimi dhe shkatërrimi i kulturës shqiptare në Voskopoje,
si dhe pastaj përqendrohet rreth jetës e krijimtarisë së muziktarit Gjergj
Papazimo. Punimi vijues Vlerat e çmueshmee të visarit kulturor - kombëtar të
arbëreshëve të Italisë, që shpjegon shumëçka të kësaj natyre, për ta shtrirë
interesimin te tema tjetër Tragjikja si tipar thelbësor i thesarit kulturor
çam, me të thëna e fakte, pastaj ilustrime tekstesh nga këngët e vjetra çame,
të cilat ruajnë një histori më vete. Te Alhamaidet shqiptare autoriu R. Sokoli
mirret me fatin e rëndë të personaliteteve shqiptare, që u degëdisën nëpër vise
të ndryshme, të cilat edhe lanë nam me pasurinë e diturisë dhe me mençurinë e
lindur, si ta në Itali (Barleti, Beçikemi, Maruli, Buzuku, Gazulli, Tomeu,
etj), dhe po ashtu të tjerët që jetuan në Perandorinë Osmane, si poeti Mesih
Prishtina, poeti tjetër Muidi nga Tetova, poeti Jahja Bej Dukagjini, juristi korçar Koçi Beji, e
një mori të tjerësh që lanë emër me krijimtarinë e quajtur e bejtexhinjëve. Një
punim tepër sqarues është për Pjetër Budin nga Durrësi, që quhet "Pirati i
shënjtëruar". Vazhdohet më pastaj me fytyrat markante të vëllëzërve
Frashëri, Naimit e Samiut dhe veprat e tyre të shumta. Për arbëreshin Anselmo Lorekio në raport me revistën në zë
"La Nazione Albaneze", shkruhet me një gjërësi faktografike. Po ashtu
sqaron e shpjegon mjaft gjëra të paditura për humanistin e madh Arbërot Leonik
Tomeu (1456 - 1531), i cili veç sa njihen zbetë nga ne. Shpesh e mernin si të
huaj, nga mosnjohja. Po ashtu interesimi i studjuesit Sokoli është edhe për
muzikologun e shquar të nivelit evropjan Lorenco Tardon si dhe përkushtimin për
Shqipërinë të arbëreshit tjetër prof. Marko Ferrari Versaqe. Te ky i fundit,
përmendet një fjalorth i tij, që në parathënie ai kishte botuar një vjershë të
tijan, ndër të cilat thuhet:
O shqiptar mos harro
Gjuhën e mësuar nga
buzët e nënës
Duaje gjithmonë, më fort
se çdo gjuhë tjetër në botë
Se të kujton dashurinë e
nënës…
Nga
kjo strofë edhe mund tëe shihet përkushtimi dhe atdhedashuria e autorit. Pra,
profesori i nderuar veç fjalorthit kishte shkruar edhe disa poszi të tjera
kushtuar Shqipërisë, Gjergj Kastriotit, e disa ishin edhe intime, për vajtimet,
ëndërrimet e tj.
Si
një kurorë e kësaj vepre dhe asaj të parës, e cila vjen si vazhdimësi e një
tërësie, është punimi përmbyllës që gjason me një pasthënje "Për një
zhvillim të mëtejshëm gjuhësor në rrafshin e kulturës në Shqipëri". Fjalia
e fundit është përmbyllëse e punimit, e të cilit është si konstatim bindës:
"Si gjuhë e lëvruar, shqipja i ka të gjitha mundësitë e zhvillimit të
mëtejshëm për t'iu përgjigjur kërkesave të jetës së popullit tonë në përparim
të parreshtur".(183)
Në përmbyllje: Cili është prof. Ramadan Isuf Sokoli?
Është
një bir shkodrani, i lindur në mesin e qershorit të 1920 - tës. Talenti për
muzikën i hepoi shumë heret, pra që në klasën e dytë të fillores. Për
përfeksionim të muzikës, përkatësisht të flautit dhe kompozicionit, kreu
Universitetin e Firencës (Itali). Nga ajo kohë iu përkushtua muzikës, studimeve
dhe ligjerimit të muzikës në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, duke mos u
kënaqur vetëm me kaq. Asnjë pengesë nuk mundi ta ndalojë atë në përkushtimin
për ndirçimin e mendjeve njerëzore, me ligjërime dhe me vepra të shkruara.
Profesorin
nuk e theu as pesëvjetëshi i burgut në Shkodër e Kavajë, nga viti 1946 e tehu,
por atë e ndoqen deri në ditët e vona hijet e natës. Ai të gjitha i sfidonte
vetëm me punën prej titani, e cila, jo vetëm ia forconte shpirtin por edhe ia
rriste famën, duke i tejkaluar edhe kufinjtë e shtetit të vet. Dijet e veta i
shpreh para audoteriumeve shkencore - arsimore edhe në Itali, Zvicër, Gjermani,
Sllovaki, Turqi, Greqi e Kosovë. E ajo vlershmëri e mendimit të tij e radhiti
si personalitet të shquar në enciklopeditë e shumta të vendeve të ndryshme,
kulmi i të cilave mund të citohet ajo e personaliteteve të shek. XX në
enciklopedinë e hartuar në Cambrige të Anglisë. Ai më 1995 u pranua anëtar i
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila gjë iu mohua më 1999. Veprat që e
krijuan portretin serioz të studjuesit Ramadan Isuf Sokoli, janë: "16
shekuj", "Figura e Skënderbeut në muzikë", "Les Danses
Popularies et les Instrument Muzicaux dy Peuple Albanias", "Folklori
muzikor shqiptar - Morfologjia", "Folklori muzikor shqiptar -
Organografia", "Figura të ndritura (Jan Kukuzeli dhe Andrea
Aleksi)", "Vegla muzikore të popullit shqiptar", "Vallet
dhe muzika e të parëve tanë", "Gojëdhëna e përralla të botë
shqiptare", "Antifonari i durrësakut Gjergj Danush Lapacaja",
"Gjurmime folklorike", "Metodë për fyell" etj. Janë edhe
shtatë vepra të tjera dorëshkrim që oresin ditën e komunikimit me lexuesin e
tyre.
Nga
ditae parë e publikimit, më 16 prill 1944 në të përkohshmen "Bashkimi i
Kombit" e deri tashti më se 400 punime të natyrë shkencore i ka të
publikuara. Ende e mban shëndeti sa për të dhënë vlera shkrimore dhe këshilla
shkencore të studjuesve të shumtë që e vizitojnë në shtëpinë e tij përdhes në
Tiranë. Ky është shembulli ndoshta unikat në kulturën shqiptare se si mund të
përballohen të gjitha të këqijat që sjell një pushtet antivlerë ndaj një
studjuesi të madh. Vlerat e njëmendëta tejkalojnë terrin e mendjeve njerëzore e
ideologjike për të komunikuar me shekujt, me të ardhmen.
Në
varfëri por me famë të përjetshme e mbylli jetën në Tiranë, më 2008.