Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Zhytësi i perlave
E merkure, 12.02.2020, 09:19 PM
ZHYTESI I PERLAVE
Sprovë nga Timo
Mërkuri
Shumëkush
e di që perlat[1]
janë një nga gurët më të kushtueshëm dhe më të bukur në botë sidomos kur i sheh të lidhur në gjerdane. Por
duhet specifikuar fakti që perlat janë gurët e vetëm në rruzullin tokësor që
rriten nga një organizëm i gjallë, madje brenda tij. Si kundër reagim i
organizmit të disa gocave të detit ndaj pranisë së kokrizave të rërës brenda
guackave, ato prodhojnë enkas një lloj substancë me të cilën mbështjellin[2] në mënyrë të vazhdueshme
kokrizën e rërës duke e izoluar nga organizmi i saj, forcimi dhe ngurtësimi i të cilës krijonë një
rruzull të shndritshëm, kryesisht të
bardhë ose me nuanca që quhet “perlë”
ose “margaritar”. Në më të shumtën e rasteve kjo kokrizë rërë që hyn brenda
organizmit të gocave të detit hidhet nga
oktapodhët në momentet që goca e detit është duke kërkuar ushqimin dhe ka të hapura dy guackat e saj. Oktapodhi pozicionohet mbi gocën e detit në një lartësi 5-6 metra prej nga “llogarit” instiktivisht rrymat detare dhe hedh kokrizën
e rërës në mënyrë që të bjerë brenda guackës, me synimin të pengojë mbylljen e kapakëve guackorë dhe
në këtë mënyrë të mund të ushqehet me
organizmin e saj..
1-
Procesi i rritjes[3]
së perlës brenda trupit të goës së detit është një process që zhvillohet me
dhjetra e qindra vite deri në momentin që ajo gjendet nga zhytësit, hapet dhe u miret perla. Por duhet të dimë se jo të
gjitha gocat e detit rritin brenda vetes perla. Për të krjuar një gjerdan, zhytësi
i perlave duhet të zhytet në thellësi të
detit dhe të nxjerrë me qindra apo me mijra guacka, për të
siguruar perla të mjaftueshme për një gjerdan.
2- Por zhytja nuk është thjeshtë kënaqësi, ajo
përmban në vetvete rreziqe shumë të
mëdha. Së pari prania e madhe e
peshkaqenëve[4]
të egër
në këto ujra të ngrohta detare përbën rrezikun më imediat të zhytësave.
Të notuarit mes peshkaqenëve është sfidë e madhe shansesh jo favorizese. Po ashtu fakti që gocat e perlave jetojnë në
thellësi të mëdha detare[5], për të arritur zhytësi
gjer te ajo duhet që të ketë mushkëri të
forta për të mbajtur ajrin në kohën e zhytjes. Ata ose do pranojnë mundësitë e
pakta të gjetjes së perlave në thellësitë e vogëla, duke u kënaqur kryesisht
me organizmin e gocës së detit[6] ose do stërviten për
zhytje të thella[7].
2.1-Por
vështirësia më e madhe që pohojnë zhytësit është fakti se këto goca deti,
midhje apo pina jetojnë të ngjitura nëpër shkëmbinj të thellësive detare dhe njësojë si ata, janë mbuluar edhe me myshqe dhe leshtërikë
detarë me të njëjtën ngjyrë dhe madhësi.
Duhet një shikim i mprehtë për ta dalluar dhe veprime të shpejta e të
sakta për ta shkëputur gocën e detit nga shkëmbi ku është puthitur, por mbi të
gjitha duhet një njohje e madhe e botës
nënujore me qëllim që lëvizjet dhe veprimet të jenë të sakta dhe jo rastësore.
Kjo edhe për arsyen se koha në dispozicion është shumë e kufizuar.
3-Sigurisht
që ne flasim për perla origjinale, jo për “perlat e urtësisë”të rritura
artificialisht në gjirin Ago të Japonisë
nga Kokichi Mikimoto qysh nga viti 1893 dhe
vazhduar sot nga familja Sakaguchi, e cila “prodhon” perla me një efektivitet
prodhimi prej 5 përqind[8].
4-Perlat
qysh në kohët e vjetra janë konsideruar si simbol bukurie[9] . Varësia më e vjetër me perla që njihet
është gjetur te skeleti i një princeshe persiane datuar 520 vjet para Krishtit. Vitet
1500 në Angli njiheshin si epoka e perlave, ndërkohë që Mbretëresha
Elisabeta I, ishte aq e tërhequr ndaj
tyre sa që e quanin “mbretëresha e perlave”…Gjerdani me perla janë “gurët” më të bukur që ëndëron çdo vajzë të
mbajë në qafën e saj ditën e dasmës dhe ditët e shënuara që vijnë më pas…
5-Një
breg shkëmbor plot me “perla” lashtësie
është e shkuara “perlë”e kombit tonë e “ritur” brenda “guackave”
historike. Me “ngjyra”,“formë“ dhe “madhësi” të ndryshme ajo është
materializuar në balada e legjenda, mite e përralla apo këngë kreshnike. Ashtu si perlat edhe ato
janë krijuar nga populli ynë si reagim
ndaj faktorëve të ndryshëm historikë, që si trupa të huaj (kokriza rëre) kanë
hyrë brenda organizmit të tij shoqëror. Me qëllim të izolimit brenda organizmit
të tij të këtij faktori të jashtëm, në pamundësi të nxjerjes jashtë jetës së tij, populli ynë krijoi artin e tij gojor,
substancën me të cilën mbështolli në formën e legjendave, miteve, përrallave
apo këngëve faktorët dhe aktorët e jashtëm agresorë, kohën që i pruri dhe
mënyrën si erdhën, qëndrestarët, qëndresën
dhe mënyrën e kësaj qëndrese, madje disa herë duke e lënë në proces
zhvillimi ngjarjen, ashtu si disa perla që vijojnë të rriten edhe pasi janë
nxjerrë e shkëputur nga gocat e detit. Siç qëndrojnë gocat e detit në thellësi, puthitur nëpër
shkëmbinj e mbuluar me të njëjtin leshterik, duke u bërë kështu të padalluesëhm,
ashtu edhe perlat e artit gojor popullor qëndrojnë në thellësi të epokave dhe
shekujve, mbuluar me “leshterikët”e kohës,
ku shpesh herë shikimi njerëzor nuk jep rezultat në gjetjen e tyre.
“Leshtërikët” më të cilat janë mbuluar, shpesh herë në formën e emrave, riteve,
besimeve apo veshjeve fetare të huaja a të mëvonëshme fshehin qënësinë dhe praninë e tyre në kohën e e krijimit
reaalisht. Këtu hyjnë në skenë “zhytësit” e “perlave” të artit gojor të krijuar
nga populli ynë shekuj dhe epoka të kaluara, për gjetjen dhe hapjes e
“guackave” duke ekspozuar “perlën “ e vërtetë të krijimit të popullit.
6-Një
ndër këta “zhytës”, madje ndër më
produktivët është Anton Nik Berisha i cili në këtë drejtim “intuitivisht
ju drejtua të pashkruarës, gojores dhe njëkohësisht qiellores, asaj që nuk
egziston e shkruar diku, në pergamenë, në shkëmb, pllaka balte apo letër, asaj
që është e shkruar në qiell[10]”. Realisht Anton Nik
Berisha “është i vetmi shkrimtar që ka thelluar dijet duke ndriçuar zgafellat e
errta të prozës dhe poezisë gojore shqipe[11]” sepse ai “nuk është
një krijues i zakonshëm, ai është një
bashkpuntor me të papriturën, me dërgesat nga lart, me “rastësitë “ magjike që
nuk janë rastësi”.[12] Anton Nik Berisha guxon të “japë vizione të
reja në lidhje me poezitë homerike”[13], por unë do të shtoja,
veç sa ka parashtruar studiuesi Fatmir Minguli në veprën e tij me titullin
kuptimplotë.. Vepra që i bëjnë nder letërsisë dhe botës sonë” se seria e
veprave të Anton Nik Berishës që kërkojnë vëmëndjen e krijuesve dhe studiuesve është
shumnë më e gjërë. Do dëshiroja të flisja për studimin e tij “Dëshmi e lashtësisë
së këngëve tona kreshnike”, për mjeshtërinë e zbërthimit të enigmave që mbart
arti gojor shqiptar. Në fakt, arti ynë gojor i ka të shkruara nëpër reshtat e
vargjeve të tij të gjitha të dhënat identitare, si në faqet e një letër
njoftimi.Problemi është se ne përpiqemi ta lexojmë atë “letër njoftim” me
“alfabetin” e sotëm, pa marë parasysh ndryshimin dhe evolimin e gjuhës shqipe,
pa marë parasysh faktin se arti ynë gojor nuk ka lindur si një vepër artistike
por ka lindur si një mesazh, si një kumt, si një porosi. Madje ai është
dokumentuar në një kohë shumë më të vonëshme se epokëlindja e tij, pikërisht në
kohën e lindjes së shkrimit. Por epoka e lindjes së shkrimit është shumë e
largët nga epoka e lindjes së veprës dhe është e natyrëshme që mes dy epokave,
si midis dy deteve, lumenjtë e kohës të
zbrazin aluvione, të cilat ritin “leshtërikët” që mbulojnë gocat e detit me
perla. Edhe vetëm ky studim i autorit vlen si “hartë” orientuese në udhëtimet
studiuese në lashtësinë e artit tonë gojor, në dallimin e elementëve identitarë
të veprës, në evidentimin e vlerave artistike të saj etj, etj.
Analiza
e kontributit të Anton Nik Berishës nuk mund të jetë objekt i një shkrimi si
ky, që e mer shkasin nga libri i sipërcituar i
Fatmir Mingulit dhe nga një studim i Anton Nik Berishës. Më e
shumta që mund të bëjë ky shkrim është
të tërheqë vëmëndjen e krijuesve dhe studiuesve
drejt tij, ashtu si tërhiqet vëmëndja
drejt një zhytësi perlash që del nga thellësitë e detit me rrjetën-çantë
të mbushur plot me goca deti të hapura përgjysëm, brenda të cilave shkëlqejnë perlat.
6.1-
Dhe më lejoni të shtoj te ky shkrim një “histori[14]” e shkruar nga Vedat
Kokona në parathënien e librit.. “Volter Shpirtciltri
Zadigu Kandidi"[15]..ku në
një pasazh shkruhej se… Atij, Volterit i kujtohej diçka e bukur që e pati lexuar
dikur në një libër: Një shkrimtar e krahasonte veten me një pikë uji që ankohej
se nuk e njihte njeri në mes oqeanit. Një “xhindi” magjistar i erdhi keq për ‘të,
e mori dhe ia dha ta gëlltiste një midhjeje (gocë deti), dhe kështu ajo u bë “inxhia”
(perla) më e bukur në botë që kërkonte kushdo ta mirte për vete…Nuk dihet si
vazhdon kjo histori, në se gocën e detit e mori ndonjë peshkatar apo zhytës por dimë që Anton Nik Berisha ndjehet i qetë
në “oqeanin” e tij studimor. Specifikohen në portretin e tij qepallat që hapen si kapakë guacke ku ndrijnë
sytë si dy perla plot shkelqim. Kaq shumë është lidhur me “perlat” e popullit sa që shkëlqimin e tyre e
ka absorbuar organizmi i tij dhe e emeton si dritë sa herë flet për artin gojor
shqiptar. Dhe unë ju siguroj se kjo nuk ndodh falë ndërhyrjes së ndonjë
“xhindi”.
Sarandë, më 5-11.02.2020
[1] Perlat rriten brenda një lloj guacke deti, tip midhje apo pina në disa
ujra të ngrohta detare si psh në brigjet e Australisë veriore, ku psh qyteti i
Brumit njihet si Porti i Perlave. Vendrritje e perlave është edhe Oqeani
Indian, Gjiri Persik, Deti i Kuq , Gjiri
i Manarit, midis Sri Lankës dhe Indis, Filipine, Arqipelagu Sulu etj.
[2] [2] Identike sic prodhojnë bletët propolisin, duke mbështjellë dhe izoluar trupat e huaj që hyjnë në koshere
[3] Perlat që rriten në shumë pjesë të botës
arrijnë një madhësi me diametër 11 milimetra deri në 18 milimetra. Vetëm një
gjerdan me këto perla të mëdha mund të vlejë më shumë se 500.000 dollarë
[4] Në vitin 1688 Uilliam
Damperi e emëroi gjirin ku gjeti perlat e para si “Gjiri i peshkaqënve” për
shkak të pranisë së madhe të peshkaqenëve.
[5] Platoni dhe Homeri, tregojnë se në Greqinë
e Lashtë, zhytësit përdornin pesha (gurë)
deri në 15 kg për të shpejtuar zhytjen në thellësi deri në 30 metra për të
mbledhur sfungjerë apo koralin e kuq. E
njëjta praktikë ndiqej nga zhytësit indigjenë edhe për perlat, të cilat rriten në thellësi edhe më të mëdha.
[6] …e cila është një
ushqim i mirë , madje edhe efektiv për
gratë që kanë problem për të ngelur
shtatzëna…
[7] Kjo thellësi ka sjellë nevojën e modernizimit të zhytjes, krahas fillimit
të prodhimit artificial të perlave...
[8] Vetëm 5 % e gocave
(midhjeve) prodhojnë perla, të tjerat dështojnë dhe përdoren si midhje për ushqim.
[9]Më shumë se 2000 vjet më parë në Romë, perlat ishin gjëja më e çmuar që mund të blihej me para ..krahas statusit si simbol fuqie, prestigji, pasurie dhe statusi shoqëror. . Jul Çezari, perandori adhurues i perlave në shek.I para erës sonë aprovoi një ligj që i ndalonte njerëzit e shtresave më të ulëta ekonomike t’i mbanin ato.
[10] Fatmir Minguli.VEPRA
QË I BËJNE NDER LETËRSISË DHE BOTËS SONË…“Faik Konica” Prishtinë
2019 fq 68
[11] F.Minguli…Po aty ..fq 69
[12] F.Minguli…Po aty..fq
74
[13] F.Minguli…Po aty fq 77
[14] …ofruar
nga Fatmir Minguli
[15]
"Volter Shpirtciltri Zadigu Kandidi"
Shtepia botuese Naim Frasheri, Tirane 1990, f.11.