E hene, 17.05.2021, 01:51 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Tingëllimat e vetmisë

E premte, 24.04.2020, 02:51 PM


TINGËLLIMAT E VETMISË

Mbi librin me sonete në proces botimi  “Shtjellë e vetmisë” të Anton Nik Berishës

Nga Timo Mërkuri

Dimë që fjala “sonet” rrjedh nga fjala italiane “soneto” dhe nënkupton një “këngë të vogël” dhe se fjala e origjinës “sonetto” përkthehet “tingull”, prandaj sonetet quhen edhe “tingëllima”. Shtojmë faktin që “soneti” në letërsinë evropiane është përhapur në saj të poezisë italiane dhe sidomos pas suksesit shpërthyes të veprës “Il Canzoniere” të Françesko Petrarkës. Teknikisht soneti shpjegohet si një vjershë lirike prej 14 vargjesh, e ndarë në katër strofa, dy të parat prej katër vargjesh dhe dy të fundit prej tre vargjesh, zakonisht njëmbëdhjetërrokësh e me rima të gërshetuara në mënyra të ndryshme.

Në letërsinë evropiane njihen sonetet e Petrarkës dhe të Shekspirit si kulme të kësaj gjinie, madje me termat “sonet petrarkian” dhe “sonet shekspirian” përdoren sepse Petrarka dhe Shekspiri përfaqësojnë dy format e ndryshme të soneteve të krijuara në Evropë. Petrarka ka shkruar gjithsej 366 poezi lirike nga të cilat 317 janë sonete që u botuan në vëllimin poetik “Il Canzoniere” ndërsa Shekspiri ka shkruar gjithsej 154 sonete rreth vitit 1590 dhe 1600.

Në letërsinë shqipe soneti është shfaqur në periudhën e Rilindjes, si ndikim i letërsisë italiane me krijimet e L. De Martino, Filip Shiroka, Zef Serembe, Gjergj Fishta, Llazër Shantoja, Ernest Koliqi etj. duke arritur kulmin me Ndre Mjedën në tre poemat e tij sonetike (tingëllimat) “Lissus”, “Scodra” dhe “Liria”.

Mjeda realisht ka përdorur vargun njëmbëdhjetë rrokësh, varg i quajtur tipik italian, por që dalë prej penës së tij ka një elegancë dhe tingëllimë të pashoqe shqiptare.

Të shkruarit me “tingëllima”, “sonete” kërkon një përvoje poetike në një nivel të arirë artistik për të kapërcyer vështirësitë e shumta si në teknikën e krijimit ashtu dhe në artin e të shprehurit poetik. Për këtë arsye Petrarka apo Shekspiri dhe pas tyre poetë të tjerë e kanë përdorur “sonetin” për të treguar “nivelin superior”, “superioritetin e arrirë” të tyre poetik. Përvoja e deritanishme ka treguar se jo çdo poet arrin të krijojë “sonete” të një niveli të admirueshëm artistik.

Sikur të mos mjaftonte vështirësia e krijimit, sonetet për vetë natyrën e tyre kërkojnë edhe një lexues të kualifikuar, lexues që nuk mjaftohet vetëm me leximin e vargjeve, por synon përjetimin e tyre. Ndoshta pikërisht kjo vështirësi e dyfishtë ka sjellë edhe mungesën masive të soneteve në letërsinë bashkëkohore.

Pikërisht në këtë kohë mungese, kur gati po harrohet “shija e lartë artistike” e “soneteve” krijuesi i shumanshëm Anton Nikë Berisha befason duke shkruar e dorëzuar te Shtëpia Botuese “Argeta LMG” Tiranë librin me sonete “Shtjellë e vetmisë”. Pas vëllimit “Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes” autori ka dëshiruar të shprehet poetikisht në një nivel më të lartë artistik, por pa iu larguar vetvetes. “Është një lloj vazhdimi, një lloj ballafaqimi me veten e me të tjerë siç do shprehej Martin Camaj”... më thotë autori në një bashkëbisedim telefonik. Niveli i tij krijues, i dëshmuar në një sërë veprash letrare e studimore e ka përballuar denjësisht vështirësinë e shkrimit të “soneteve”, duke na dhënë 35 krijime brilante që hapin një faqe të re dhe tepër interesante në letërsinë shqipe, duke mbushur njëkohësisht edhe një boshësi në letërsinë tonë bashkëkohore.

Do të thosha se ky vëllim poetik i ri i Anton Nikë Berishës nuk është një “trëndafil në gotë” që zbukuron studion e autorit, por është një trëndafilishte e vogël me 35 trëndafila të porsaçelur në “lulishten e poezisë shqiptare” që përhap aromën e rinisë së saj.

Ka edhe një anë tjetër interesante ky libër në proces botimi: ndërsa Petrarka i shkroi “sonetet” me adresim dashurie, Shekspiri ja adresoi si këshilla një djali të ri, Rilindësit tanë ia dedikuan atdhedashurisë dhe lirisë, Anton Nikë Berisha këto 35 sonete ia adreson filozofikisht ndjenjës (Shtjellave) të ...”Vetmisë”. “Vetmia mund të jetë një dënim i tmerrshëm ose një shpëtim i mrekullueshëm” citon autori Bernardo Bertoluçi ose Fabricio Karamanja (Fabrizio Caramagna) kur shprehet metaforikisht: “vetmia është një det që asnjëherë nuk mbërrin në asnjë breg, një urë që s’del në asnjë rrugë dhe një ngjyrë që nuk e mbërrin asnjë dritë”.

Me pak fjalë - thotë autori në parathënien e tij - vetmia ngërthen cilësi e kuptime të shumta: është ndjenjësim, gjendje e veçantë shpirtërore e mendore... Shprehet kryesisht në dy rrafshe kryesore: kur jemi vetëm e kur jemi të vetmuar. Vetmia është vuajtje shpirtërore, dhembje; është brengë e pashuar, po dhe shpëtim, prehje e pazëvendësueshme. Përngjan në lavdinë: duhet të mbahet gjithmonë nën përkujdesje, të mbahet në zapt për të mos marrë përmasa të mëdha, për të mos mbisunduar mbi dukuritë e tjera të njeriut për arsye se mund të shkaktojë pasoja. Thuhet se është më e tmerrshme se vdekja!...(f. 6).

Dhe unë që e shihja vetminë gri, si një meditim e qëndrim të mënjanuar, nuk di në bëra mirë apo keq që lexova këto “sonete” të bukura. Kam frikë mos “bie në dashuri” me vetminë, sidomos kur lexoj vargje të tilla si: Krijesë e hirit hyjnor përftuar urtisht/nga mendja e të Tejlartit, Zotynë/ që i dha jetë fjalës, të menduarit (f. 14); Yllësi e zhytur në vorbullën e kureshtjes / si të veprohet më lehtë, sa më mirë, / me ngrohtësinë e vajzës dehur nga epshi / kur e ndien të dashurin apo e ëndërron (f. 33), Ti e ndez etjen për shtegtime të reja /edhe nëpër rrugët që shkojnë e nuk kthejnë (f. 32), Mbretëreshë që i mjafton vetvetes, / çiltëria vetë është pasuria jote, /shprehur me zë o me heshtje të plotë/që dëshmohet me shenja të veçanta(f. 17).

Është një vëllim poetik që kërkon vëmendje “vetmie” në leximin e vargjeve, kërkon meditim mbi vargjet për të kuptuar strukturën e mendimit të formatuar në strofa katër dhe tre vargje dhe mbi të gjitha kërkon një kulturë leximi dhe një nivel të lartë kulturor të lexuesit. Vetëm atëherë mund ta ndjesh finesën artistike, aromën dehëse poetike dhe elegancën e ecjes së mendimit nëpër vargje. Te ky libër shprehja “poezia është për elitën” shndërrohet në formulimin “sonetet janë për superelitën”.

Unë mund t’ju them se leximi i këtyre 35 soneteve të Anton Nikë Berishës dhe përjetimi i tyre do t’i japë hapësirë më të madhe mendimit, një thellësi të re gjykimit dhe një largësi e dritësi shumëngjyrëshe shikimit tonë poetik.

Sarandë, më 23 Prill 2020



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora