E enjte, 01.05.2025, 09:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Ofshamat poetike të Ali Podrimjes

E marte, 21.04.2020, 02:27 PM


OFSHAMAT POETIKE TË ALI PODRIMJES

(Lexime poetike. Poezia "Ai që nuk të pa Çamëri"), XIII

Nga Prend BUZHALA

E dëgjonim dhe e lexonim, gjatë viteve ’70 e ’80, ofshamën poetike të Podrimjes: “Oh ç’m’u këput litari te Guri i Prevezës”. Porse, te kjo lektyrë nacionale poetike, lexojmë edhe vargjet e poetit për Çamërinë, me titullin "Ai që nuk të pa Çamëri".

Lektyra e etnisë nacionale, gjatë atyre viteve, e kuptonte vargun e mësipërm një si intertekstualitet që korrespondonte me vargun e Pashko Vasës, tek cenzurohej në botimet tona. Ishte njaj vargu vizionar i Podrimjes, që ta sugjeronte çështjen shqiptare ende të pazgjidhur, përmes figurës së Urës (Me një krah në qiell me tjetrin në mishin tim). Te ky cikël mungon kjo poezi, për shkak të censurës letrare, por rivjen te libri "Te Guri i Prevezës" (botoi Arbëria, Tiranë 2003). Ishte cikli i poezive “Rekuiem për pyllin e prerë” i librit “Fund i gëzuar” (1988), i cili atëbotë lexohej si poetikë e pastër, që, diku në shtresat e ndërdijes sonë kolektive, të grishte për t’u futur në thellësitë e kujtesës sonë nacionale.

1.

Zëri i rebeluar i revoltës poetike të Podrimjes vinte tek lexuesi shqiptar i atyre viteve me dramatikën e thënies poetike; dramatikë që niste e soste me shqetësimet e krijuesit për Kosovën dhe për etninë. Bota e vështruar në torzo, pylli i prerë, bota si cung i vetëm në pyll etj përsëritet shpesh nga libri në libër. E pra, cikli "Rekuiem për pyllin e prerë", i cili ribotohet si libër më vete me titullin "Te Guri i Prevezës", e ka edhe prerjen e saj diakronike kohore nëpër këto katër-pesë dekada, ç'prejse Podrimja ka zënë ta krijojë vargun poetik: është njajo prerje e udhëtimit nëpër kohë e hapësirë, një si KRONOTOPOS krijues i poetit, i lidhur aq ngushtë me fatet e kombit. Nëse poetin e mujshon aq shumë heshtja e bardhë që shlyen emra, ngjarje masakrash e kohësh, ai dëshiron t'u japë zë pikërisht përmes verbit poetik, aty ku e sheh perspektivën e ligjërimit artistik:

Isha i vetëm me arabaxhinë

'i buzëqeshje të Bjeshkëve të Namuna kisha

dhe Flakën në sy

Personazhit, të cilit i zihet prita, nuk i dihet emri. Ai është i vetëm, duke e çuar, mbase, ndonjë kumt për librin a abetaren e botuar, a duke sjellë ndonjë shtypshkronjë në atdhe. Shfaqet thika mbas shpine a helmimi. Personazhi është i shumëzuar nëpër tragjeditë që kanë ndodhur.

Seç e kishte shituar arabaxhinë

Vetë poeti i kishte vizituar ato vende çame gjatë atyre viteve. Pamjet shndërrohen në kujtesë të fortë, në imazhe poetike, sakaq. Aty për aty ai përjeton dramatikën e identitetit të cunguar, fatin torzo, pyllin e prerë, për të cilin tashmë mund të këndohet vetëm një rekuiem ... Në këtë udhëtim dymijë-vjeçar ai dëshiron ta ketë yllin e tij të idealit, pra fanarin poetik të kujtesës nëpër librin e grisur të qenies sonë, sepse askush si populli ynë nuk e ka thurë me aq tragjizëm dramatik atë çastin solemn të përfundimit të udhëtimit, betejave, luftërave ..

2.

(Intermexo: Çka na ligjëron historia?

Data 27 qershor 1944 shënon ditën e holokaustit çam. Kujtesa historike nuk shlyhet. Historia na thotë: pellazgo-ilirët ishin banorët e hershëm të Çamërisë. Përmendet mbreti i parë, Therporti, me prejardhje pellazg, heroi i shquar Pirro, kurse vetë Çamëria ishte pjesë e Mbretërisë Ilire. Çamëria ishte pushtuar nga Mbretëria Osmane më 1449, e cila luftoi kundër ushtrisë osmane në vitet 1611 dhe 1803. Në betejat e fundit u shqua regjioni i Sulit. Duke qenë pjesë e Janinës, atëbotë ishin të njohur si luftëtarë, mësues dhe patriotë Luli Çapari, Marko Boçari, Hasan Tasini, Osman Taka, Çelo Mezani etj. Kësaj radhe, duke i përmbledhur këto të dhëna, në ndihmë na dalin shkrimet e gazetës “Çamëria”, shkrime të autorëve si prof.Hazir Shala, shkrimet e gazetës “Balli i Kombit” (Boston), të Agron Alibalit, dëshmi nga debati i Kongresit amerikan me grekët për çështjen çame, kërkuar nga Hilari Klinton; shkrime nga Miranda Vickers, Joseph Jakobs, Shef i Misionit Amerikan në Shqipëri dhe të publicistes e krijueses Vitore Stefa-Leka. Në fillim të shekullit XX Çamëria kishte 75.000 banorë etnikë. Suliotët kanë folur shqip. Edhe sot e kësaj dite kudo që janë në fshatrat e Frarit (Kastri, Kanallaq, Hajke) në Prevezë, Artë, Pargë e gjetkë. Qendrat kryesore të saj janë: Filati, Gumenica, Parga, Margëlliçi, Paramithia e Preveza. Në veri, kufijtë e saj mbërrijnë deri në zonën e Delvinës, në jug kufizohet me Gjirin e Artës (Prevezës), në perëndim laget nga deti Jon, kurse në lindje ndahet prej pellgut të Janinës nga malet e Oliçikës e të Llakës. Çamëria pushtohet nga Greqia më 23 shkurt 1913. Pushtimin e pasoi një valë krimesh, ekzekutimesh e terrori mbi popullsinë, veçanërisht mbi atë muslimane. Kufoma shqiptarësh të shfytyruara në mënyrën më të egër, skena mizore në qytete e fshatra e Paramithisë. Më 17 dhjetor 1913, i ashtuquajturi "Protokolli i Firences" sanksiononte përfundimisht vijën jugore të kufirit, i cili linte jashtë territorit shqiptar Çamërinë dhe vise të tjera të Shqipërisë. Tashmë çamët i kanë ditët e vitet e holokaustit, si dhe ato të gjenocidit grek. Më 1913 u krye masakra në përroin e Selamit (Paramithi) e 72 krerëve të Çamërisë dhe e qindra të tjerëve. Shqiptarët tjerë u degdisën në Anadoll, u rrëmbehen me mijëra hektarë tokë buke, sipërfaqe të mëdha me vreshta, qindra mijë rrënjë ullinj, të cilat u bënë prona të elementëve grekë; inkurajimi i kryqëzatave fetare. U ndalua me dhunë të flitej në gjuhën shqipe. Qeveria greke bëri çmos që të përçante popullsinë shqiptare çame, duke u përpjekur të kundërvë të krishterët ndaj myslimanëve. Bëhet fushatë e re masakrash dhe krimesh nga më monstruozët kundër popullsisë shqiptare. Të burgosurit dhe të internuarit çamë u liruan vetëm mbas pushtimit të Greqisë nga ushtritë gjermane në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe shpirtërore. Gjenocidi vazhdoi edhe mbas Luftës së Dytë Botërore. Çamëria përjeton njërën ndër tragjeditë më të mëdha të Evropës: në qershor të vitit 1944, u vranë dhe u masakruan mbrenda 24 orëve rreth 1400 shqiptarë. Kurse gjatë qershorit 1944 dhe marsit 1945, në Filat vriten 1286 shqiptarë, 192 në Gumenicë, 626 në Margellicë dhe Pargë, kurse mijëra të tjerë zhduken. Shënohet: se “në të njëjtën kohë, si rezultat i gjenocidit grek, 2900 të ri dhe të vjetër, 214 femra, 96 fëmijë qenë masakruar, 745 gra qenë dhunuar, 76 femra qene rrëmbyer, 32 fëmijë, 68 fshatra qenë shkatërruar me gjithsej 5800 shtëpi.” Ndërrohen emrat e qyteteve dhe të fshatrave për ta shkombëtarizuar këtë krahinë, përdoren tatimet e rënda, grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, vrasjet, burgimet, dënimi me dhunë deri në masakrat e përgjakshme. Nga një popullsi prej 35000 vetash që ishte para luftës, mbetën vetëm disa dhjetëra familje. Vetëm në tragjedinë e Filatit dhe të Paramithisë që u zhvillua në qershor dhe tetor të vitit 1944, rezultati ishte: 2000 të vrarë, gra, fëmijë, pleq dhe burra të paarmatosur, të masakruar në mënyrën më çnjerëzore nga bandat zerviste. Në fshatrat e Paramithisë, Gardhitës, Dhrahumit, Karbunarit, Veliat, Filatit, Galbaqit dhe Spatarit u pati grabitje të mëdha. Joseph Jakobs, Shef i Misionit Amerikan në Shqipëri (1945-1946) shkruan: "Në mars 1945 njësi të forcave të shpërndara të Zervasit, kryen një masakër ndaj çamëve në zonën e Filialit dhe praktikisht e spastruan atë nga pakica shqiptare. Simbas të gjitha të dhënave, që kam mundur të mbledh mbi çështjen çame, në vjeshtën e 1944-ës dhe gjatë muajve të parë të 1945-ës, autoritetet e Greqisë veriperëndimore kryen goditje të egra, duke dëbuar rreth 25.000 çamë - banorë të Çamërisë nga shtëpitë e tyre. Ata u ndoqën deri në kufi, mbasi iu grabitën toka dhe prona. Qindra meshkuj çamë të moshave 15 deri 70 vjeç u internuan në ishujt e Detit Egje. U dogjën ne total 102 xhami". Gazeta "Çamëria ", organ i shoqërisë politike -atdhetare "Çamëria", shkruan: të martën e 27 qershorit 1944 në Paramithi u vranë 1400 burra , gra e fëmijë; gjatë periudhës qershor 1944 - mars 1945 u vranë në Filat 1286 çamë; në Gumenicë u vranë 192 shqiptarë çamë; në Margjelikë dhe Parga u vranë 626persona; 2900 burra u masakruan; 214 gra dhe 96 fëmijë u vranë nga bandat e Zervas; 745 gra u përdhunuan , 76 të tjera u rrëmbyen; 32 fëmijë, më të vegjël se tre vjeç u masakruan; 86 fshatra u rrafshuan; 580 shtëpi dhe vende kulti u dogjën dhe u shkatërruan. Mbi 100 mijë çamë janë shpërndarë në qytetet e Shqipërisë dhe kërkojnë, mbas gjashtë dekadash eksodi, rikthimin ne tokat e tyre. Rikthimi vazhdon të kundërshtohet egërsisht nga autoritetet greke. Por ky rikthim ka filluar të kërkohet gjithnjë e më fuqishëm.)

3.

Aq shpesh e shpesh poeti zë e revoltohet kundër kësaj drame të harresës, kundër padrejtësive të djeshme e të sotme historike ndaj lirisë së shqiptarëve, sa i fshikullon të gjithë ata që sillen me indiferencë ndaj kësaj drame të masakrave:

“Oh Çamëri

ai që nuk të pa

vdiq në ëndërr”.

Poeti ka drojë për të ardhmen, nëse përsëritet kjo indiferencë a ky kob zhbërjesh, i paralajmëruar atëbotë si një monstrum në sfondin e ngjarjeve të viteve '80, që përgatnin tragjedi të reja kundër etnisë sonë. Tashmë poezia zë e endëzohet si një epikë dramatike mbi Çamërinë: ajo alegorizohet si vertikale poetike e lashtësisë sonë që lëshohet drejt nesh, si vetënjohje lirike e qenies sonë, si ftesë për vetëkthjellim. Thirrmat poetike të poezisë së Podrimjes, lexohen si psherëtima të pandryshueshme, si ofshamë që kanë vatrën e tyre diku në thellësi të shpirtit. Një poet anglez thotë: "Fjalët mund të jenë të rreme dhe plot art; psherëtima është gjuha natyrale e zemrës." Te poetët është e zorshme ta kërkosh lumturinë, për shkak se ai në brendinë e tij mban ankthin. Ky ankth e kjo ofshamë, shoqëruar me klithma të mbytura, shndërrohen në fjalë poetike, në art, fjalë-klithma që tingëllojnë, pothuajse, si nota sublime muzikore.

Kështu nis kjo dramë, me një gjakim të pashuar përmallues historik:

Desha të takoj Marko Boçarin

Bajronin tek luante me rrufe

Nuk kisha as Shpatë as Kalë

E i lartë Suli

E ç’të bëjë poeti pa Shpatë e Kalë? Domethënë, atje ishte I Vetëm, si ai protagonisti i Janinës që ia shituan arabaxhainë. Kësaj radhe, ai shkoi pa dhunën në dorë. Krejt paqësisht. Të dinte për ato vise, për ata heronj, për Marko Boçarin si çlirimtar të Greqisë me suljotët, për Bajronin që është prototip i shënjimit të pavdekësisë së shpirtit shqiptar, kur po kalonte nëpër ato vise. Dy dëshmi kokëforta: shqiptarët luftuan për ju, Greqi, dhanë jetën për ju; një Bajron (anglez), që u mrekullua për njerëzit e bukuritë shqiptare, ai po atë mrekullim e shprehu edhe për Greqinë, por edhe për suljotët… Nëse duhej të kishte një shpatë me veten e tij, ajo duhej të ishte Shpatë që shëron, siç do të shprehej Martin Luter Kingu. Një Kalë, si ai baladave shqiptare, mungon... E ata që i kërkon poeti, MUNGOJNË. Leksema poetike e mungesave (desha ta takoj), sugjeron një shtjetërsim të historisë, të terratisjeve që kanë rënë mbi qenien shqiptare, mbi historinë:

Para se të mbyllej në qiell

Desha ta takoj Marko Boçarin

Në rigë shiu pikëlonte Bajroni

Mjeri û për Janinën

Aq e trandshme është kërkesa e poetit për ta ndjerë së afërmi atë gjakim etno-historik! Dhe, në këtë gjakim përtej thellësive makrokozmike, qielli hapet, kurse trandja (e ndryshimit të kohëve): mbyll qiellin! Mbyt horizontet. Fjalën dhe dëshminë.

As te kjo strofë nuk mungon klithma poetike, e shprehur me një leksemë të moçme të përemrit vetor: û – unë (Mjeri û për Janinën). Në shoqërim me vargjet poetotopografike (Bjeshkët e Namuna), ofshama "Mjeri û" korrespondon me gjâmën e këngëve veriore të vajtimit... kësaj radhe, si një kor i përzishëm nacional. Asociacioni na shpie te balada e njohur shqiptare “Janinës ç’i panë sytë”. Interteksti ndërkomunikues është dramatik, me tisin e tragjikes shqiptare, i rikrijuar me forcë të jashtëzakonshme poetike. Edhe njësia (e parafundit) lirike, vjen po me atë hiperbolizim për ta shprehur përmasën e pafund të litarit të tragjedive:

namë e perëndive

ishin dridhur tokëqielledet

rrënjëve të dheut ishte kurthuar koha ime

Këtë trandje poeti arrin ta shënjojë mjeshtërisht me leksemën që i bashkon tri fjalë: tokëqielledet. Shenja figurative e kësaj leksemë-gjithnaje, pështjellim e dridhmë përmasash kozmike, menjëherë e vë në spikamë kohën e poetit në kërkim të rrënjëve të dheut. Kohë e kurthuar, thotë Podrimja. Epitetizimi “e kurthuar” shënjon kohën me fjalën e zënë në grykë, që i lidhet lëmsh nga trishtimi e trandja, që assesi nuk mund të flasë lirshëm. “E kurthuar” - është edhe metaforë epitetizuese e keqdashjes, e dredhisë, e mashtrimit, e pritës së pabesë.

4.

Kurse te kjo poezi, si në gjithë ciklin e librat e sipërpërmendur që trajtojnë këtë tematikë, sikur gjithçka bëhet për t’i shërbyer poezisë, për ta fashitur njat dhembje të dikurshme që i parandiente zhbërjet. Ofshamat poetike që shkallëzohen sipas lakores dramatike (Mjeri û për Janinën, Oh, Çamëri), të shqiptuara nga poeti paqedashës (pa Shpatë e Kalë), vijnë, ashtu sikundër përshkruhet në tekstet biblike, si ajo psherëtima e shpatës së një mbreti engjëll, me rënkimin plot vuajtje e mundime të të martirizuarve. Të zërit të mbytur të historisë martire. Kohës së kurthuar i mungon edhe përgatitja për të mos u dorëzuar, (Kali i baladave), për ta sjellë diku një amanet.

Poeti arrin ta shqiptojë vetëm amanetin e vargjeve të tij.

--------------------

Ali PODRIMJA

AI QË NUK TË PA ÇAMËRI

Desha të takoj marko Boçarin

Bajronin tek luante me rrufe

Nuk kisha as shpatë as Kalë

E i lartë Suli

Isha vetëm me arabaxhinë

'i buzëqeshje të Bjeshkëve të Namuna kisha

dhe Flakën në sy

Para se të mbyllej në qiell

Desha ta takoj Marko Boçarin

Në rigë shiu pikëlontze Bajroni

Mjer u për Janinën

Seç e kishte shituar arbaxhinë

namë e perëndive

ishin dridhur tokëqielledet

rrënjëve të dheut ishte kurthuar koha ime

Oh Çamëri

ai që nuk të pa

vdiq në ëndërr

(Misolongji 1986, Ulpianë 1998)

----

(Prend N. Buzhala, rishkrime, 3 prill 2020)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx