Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Me rrush në dorë
E shtune, 18.04.2020, 01:24 PM
Me rrush në dorë
Nga
Edison Ypi
-Faleminderit
që e ndale makinën dhe më more. Po nuk deshe pare, të jap rrush nga ky që kam
te kjo qesja. Dëgjo të rrëfej një mesele. U nisëm, që thua ti, sot në mëngjez
për të parë një djalë në një katund të Fierit. Ishim katër. Unë që u bëra sebep
për atë krushqi, babai i çupës, shoferi dhe një surratmajmun mik i shoferit që
nuk e di pse erdhi me ne. Merr po deshe nga ky rrushi. S'ka problem se është i
palarë. S'të gjen gjë. Babain e çupës e njoh prej kohësh. Ka dhënë tre çupa në
katundin tonë afër Quksit. Një çupë të tij e ka për grua njëri nga djemtë e
m’i. Meqënse i kanë vajtur mirë krushqitë me çupat, krushku nga Fieri më pyeti
një ditë si t’ja bëjmë t’i gjejmë djalit të tij një nuse këtej nga Elbasani. Ka
ardhur koh e keqe. Baballarët i zë frika se mund tu mbeten në derë çupat, por
edhe se mund tu mbeten pa martuar çunat që bëjnë si të shkathët por janë të
ngordhur. Pyet njërin e tjetrin, ja gjeta krushkut nga Fieri një çupë për çunin
në një katund afër Gjinarit. Mos kujto se është ndonjë perri e bukur ajo çupa.
Çupë si gjithë çupat o burr' i dheut. Ndoshta pak mbi mesataren sa i përket
bukurisë dhe shkathtësisë. Nga bukuria, djali fierak është nën nivelin e saj.
Megjithatë, krushqi e mirë. Është më mirë për vajzat e sotme kur janë pakëz të
shkathëta dhe e vënë burrin përfund. E kam nga përvoja që në këto raste familja
del më e fortë. Nuk theren pas tre muajsh si po shohim ditpërditë në televizor.
Po merr o merr nga ky rrushi. Rrush është, nuk është helm. Këtë rrush ma dha
shoferi kur u nisëm për në Fier. Ka tre hektarë vreshta shoferi dhe dy vila,
një në Sulovë afër Urës së Gostimes, tjetrën pak pa vajtur në Ndroq. Faleminderit
që më more. Po vete nga rrushi te rrushi. Nga rrushi i shoferit te rrushi i
dhëndërrit që e kam në Tiranë. Ja kam dhënë çupën vëllait të një bosi në
Tiranë. Po deshe ta dish sa mbrapa botës ke mbetur, shih dhëndërrin tim, me
vreshta, vila, makina, dyqane. Në diktaturë kam pasur punë të mirë. Isha
magazier. Bëja fshehtas punë private që ishin të ndaluara. Mos më pyet çfarë
ishin ato punë. Duhet një dimër rrotull vatrës për të treguar. Kam ngrënë mirë,
jam veshur e mbathur mirë, për atë kohë natyrisht. Rëndësi ka që jam mirë me
shëndet. Ku e lamë ? Ah po. Ja ta them si u lidha me atë bosin. Kur isha beqar,
kaloi në katundin tonë një kamion nga Tirana nga ata që ngarkonin trungje ahu
andej nga Stravanji. Më thotë mua shoferi që ishte nga fshatrat e Tiranës; dua
nuse nga anët tuaja. E dua taze, të pa zënë me dorë, të paprekur, më kupton ?
Po të kuptoj, i thashë, veç më ler ca ditë ta gjej. S’lashë vend pa kërkuar. Më
vjen doresh për të tilla. Ja gjeta një gollobordse të paprekur bardh si bora.
Kaluan vite. Aq i pëlqeu tiransit gollobordsja që e ka edhe sot për grua, sa
një ditë prej ditësh pas kaq vitesh më dërgon haber, thotë më duhet një nuse e
paprekur për vëllanë. S’kisha më të verifikuar se çupën time. Ja dhashë çupën
time vëllait të bosit. Dy vëllezërve të bosit ua ka zënë sytë leku. Megjithatë
çupa ime me vëllanë e bosit tiranas dhe kunatën gollobordse, shkojnë mrekulli.
Kanë fëmijë, kanë të gjitha. Po merr o merr rrush se më plase. Që thua ti, u
nisëm të katër, unë, babai i nuses, shoferi, shoku i shoferit që s’e mora vesh
pse erdhi edhe ai me ne, për të parë djalin në atë katundin e Fierit për t’ja
bërë për burrë asaj elbasanllies nga ai katundi i Gjinarit. Llaf e muhabet, kur
sa kaluam çelikun e kurvit, shoferi e ndali makinën te një karburant. E ndali
dhe po priste. Ra heshtja. Pamë njëritjetrin në sy. I thotë shoferi babait të
nuses kandidate për burrë fierak; Po fute të shkretën dorë në xhep o krushk t’i
hedhim një pikë naftë se nuk punon me ujë kjo e bekuar, punon me naftë. Krushku
nuk lëvizi. Obobo, thash me vete, ç’jan këto tersllëqe që më ndjekin edhe tani
që kam grumbulluar tërë këtë përvojë dhe po pres me ankth të aprovohen ligjet
përkatëse të martoj gra me gra, burra me burra, burrë me disa gra, grua me disa
burra. Për të dalë nga situata, i them krushkut; Jepi ore 20 mijë lek se për
hallin tënd po vemi në Fier. S’kam, tha krushku pa i lëvizur qerpiku. As un
s’kam, tha shoferi. S’kam njëri s’kam tjetri, u prish kushqia për 20 mijë lek.
U kthyem mbrapsht. Ata në Elbasan me sherr në makinë. Unë në Tiranë me rrush në
dorë.