Kulturë
Tahir Bezhani: Eopka e një diktature me pasoja historike
E hene, 20.04.2020, 10:43 AM
EPOKA E NJË DIKTATURE ME PASOJA HISTORIKE
(Ose: Letërsia dëshmi e diktaturës rrënqethëse...)
Idriz Ponari:”Mjegulla e Kuqe”, roman SHB.”Nacional” Tiranë, 2016
Nga Tahir
Bezhani
Epokat
e diktaturave të tmershme në botë e posaçërisht në Evropë, për një kohë të gjatë, kanë lënë pas tyre tmerrin
e paparë ndaj qenjës njerëzore, si
individ, por edhe në aspektin universal.
Janë të papara pasojat e pamëshirshme nga diktaturat me eksponent të pushteteve
totalitare, të cilat pa asnjë mëshirë ua pinë djersën edhe gjakun popujve, duke
ua shkelur edhe dinjitetin deri në palcë të ashtit.
Pas një
gjysëm shekulli jete në verbëri, arritën
erërat shpëtimtare, për ta
larguar një të keqe të madhe e cila ishte ulur këmbëkryq mbi kurrizin e thyer
të njerëzimit. Këto erëra lirie, në fund të viteve të 90-ta, freskuan edhe
shpirtin e popullit shqiptar, i cili përjetoi diktaturën më të egër në Evropë, duke
qenë të mbyllur hermetikisht , në epruveten eksperimentale të dhunës së egër të
një partie.
Koha e
rimëkëmbjes në të gjitha aspektet e jetës; atë ekonomike, politike, sociale, psikologjike, kulturore, fetare, të traditës e shumë aspekte të tjera, gradualisht
po ripërtërihen në shtratin e gjenezës së saj.
Pas
hapjes së një dritareje për një jete krejt ndryshe, shtresa e intelegjencës
kombëtare, pendat e ndrydhura kohë të gjatë, filluan një nga një të hedhin në letër përjetimet e tyre, në mënyra e forma të
ndryshme, përjetime të cilat medoemos përmbajnë tërësisht tharmin e një epoke
nën një diktaturë tepër të rëndë. Inteligjenca (shkrimtarë, poetë e arte të tjera)
, pasqyruan më së miri jetën e klasës punëtore në gjirin e ferrit komunist, si kudo në Evropë.
-Koha
e vërshimit të penave të reja.
Pas
rënjes së diktaturës, u hapën rrugë të reja mendimi e veprimi në shumë aspekte
të jetës. Sytë shikonin ndryshe jetën dhe punën, ecjen dhe kërkesat e mendimit
kishin synim, atje ku njerëzimi ka lirinë e mendimit dhe fushën e hapur të
shprehjes së dijes.
Në
këtë aspekt, lindën shumë pena të reja nga krijimtaria letrare, si poetë, prozatorë,
dramaturgë e gjini të tjera, ku asnjeri, nuk mundi të tejkalojë pa e “prekur” me majë
lapsi periudhën e zezë të diktaturës enveriste. Sikur të fillonim numërimin e
tyre, do mbushnim shumë fletë me emra të krijuesve të tillë.
Në
objekt vështrimi këtë radhë, në optikën
time, kam krijuesin e mirëfilltë tropojan, autorin e gjashtë romaneve, pesë librave
me tregime dhe dy novelave.Madhështia e
tij krijuese qëndron në aftësinë e trajtimit të temave me tematikë të kohës së
shkuar dhe të tashme, vepra të cilat, me mesazhet e tyre përtej kohëve, do
jetojnë gjatë.
Në
veçanti më pëlqeu pafund romani
“Mjegulla e Kuqe”, botim i “Nacional” Tiranë në vitin 2016, të cilin
e lexova këto ditë me një kërshëri të posaçme.
Ndonëse
me vonesë leximi e shkrimi , por qendron një arsye që nuk kalohet pa e theksuar.Kohëve
të fundit, është realitet i pamohueshëm
bashkëpunimi i ndërsjelltë i përurimit
të librave Tiranë-Kosovë e anasjelltas nga autorë të ndryshëm. Bile, më së tepërmi prin në këtë drejtim relacioni
Gjakovë-Tropojë (Malësi e Gjakovës). Por, nuk është bërë edhe aq sa duhet në
transferin e librit dhe me shkrime të ndërsjellta për libra të botuar.
-Romani
“Mjegulla e Kuqe” një mesazh i kohës së hidhur
Autori
i romanit “Mjegulla e Kuqe”, z. Idriz Ponari, në këtë vepër ka shkrirë gjithë mendjen e
ndritur, potencialin e tij krijues, për t’ia dhënë lexuesit pasqyren e një kohe, pasqyrën e dhimbjes, ditët pa gëzime, dashurinë
pa liri, skamjen dhe varfërinë si
përditshmëri e jetës;mbylljen e mendimit personal në kutinë e Pandorës, mbylljen
e gojës, mosbesimin ndaj njëri tjetrit, brenda gjirit familjarë etj.
Të gjitha këto elemente, që bëjnë jetën skëterrë, i gjejmë në romanin
“Mjegulla e Kuqe”, në afër 300 faqe , te shkruara rrjedhshëm , bukur , qartë, pa trajtime filozofike. Në fakt filozofinë e
përbën brendësia e vet librit, për
faktin se të durosh dhe të jetosh jetën në aso rrethana, nuk ka filozofi më të
arrirë. Suverimi i jetës në diktaturë të tillë, fillon akoma pa dalur në
errësirën e dritës së vërbuar.
Këtë fakt e argumentojnë protagonistët e veprës
“Mjegulla e Kuqe” , tre studentët e shkëlqyer, Antoni, Arturi e Admiri, të
cilët përkundër sukseseve gjatë shkollimit dhe ambicjeve pas studimit, hasin në vështirësi ta papara në realizimin e aspiratave të tyre
djaloshare.
Kur Admiri (Adi) mbaron studimet për xehtari , dërgohet
në veri të vendit për të kërkuar xehet nëntokësore si kuadër i ri. Atje shkon
me shumë pasion pune , duke lënë në qytet të dashurën e vet, Marten, një profesoreshë e gjuhëve të huaja. Adi
kërkon e zbulon xehen e kërkuar në Bardhaj, por has në kundërshtim me paaftësitë e Selam
Kolës, një burokrat i padije dhe një
bashkëpuntor i sigurimit të shtetit.
Duke parë aftësitë e Adit, Selam Kola fillon ta
“gjurmojë” biografinë e Adit. Shkon deri aty ku përmes Erës, punëtore e postës,
ia përcjell telegramet dhe letrat Adit e Martës. Pastaj zgjeron rrethin
“armiqësor”të Adit, duke e paraqitur te
Vasili, zyrtar i sigurimit, në prokurori.Pra fillon gjahu i pafund ndaj një
kuadri me talent dhe dije, ku jeta i bëhet e zezë dhe e padurueshme.
Ndjekjet
nuk ndalen me kaq por vazhdojnë me të fejuarën, Martën, duke e trajtuar si
armike, sepse babai i saj, kishte rënë në burg me grupin të dëmtimit të
rezervave si pasuri e shtetit. Nuk ngelet vetëm me kaq , Adit ia detyrojnë
fejesën me Erën , puntoren e postës , e cila e kishte axhën në post të lart të
partisë. Me që Adi kundërshton, fillojnë
reprezaliet, ndjekjet e pasosura.
Ndërkaq , të dashurën, Marta, e punësojnë si pastruese të rrugëve të Tiranës
, duke e vënë në shënjestër të dyfishtë për babin dhe tani
edhe për Adin.
Pra, duke
zhvlerësuar skajshmërisht një vajzë të pafajshme e të bukur. Adi i nervozuar së
tepërmi, shpesh thotë me vete, ”jetë
qeni”, “ika si i tërbuar me zhgënjimin
tim”….
Autori e
ka spikatur bukur edhe peshën psikologjike të klasës punëtore, nën atë diktaturë të marrë.Pas një mori vuajtjesh,
Adi lirohet nga ndjekja, prokurorie e shpall të pafajshëm , por nën mbikëqyrje,
me kushtin e martesës me Erën. Kur Adi ia zbulon Erës veprimet e saj në postë, lidhur
me letrat e Martës, e refuzon kategorikisht per fejesë .Bile, në bisedë e sipër
e quan”gjarpnusha ime….”
Era si
hakmarrje, anise e kishte nrgitur në postin e drejtorit në një tjetër vendburim
xehje, definitivisht fillon kalvarin e mëparshëm, duke e shantazhuar me një
rreth akoma më të gjërë, dhe përfundimisht, Adi(Admiri) përfundon në qelitë e
burgut deri në përfundim të diktaturës.
Ndërsa të dashurës se tij, Marta, i vdes babai në burg dhe nëna në shtëpi , gjithmonë në vuajtjet e tyre…
Natyrisht
se në një roman të tillë me afër 300 faqe, ka akoma peripeti e përjetime të thella , në
njëjës e shumës , me pak ose me shumë
vuajtje se sa u cekën më lart, por pesha
e librit, fillim e mbarim , qëndron bindshëm mbi parimin sublim të autorit.
Siç u cek
edhe nga fillimi, ky roman nuk është i pari e as i vetmi që trajton tematikën e
regjimit monist në Shqipëri, peshën dhe pasojat e tij.
Por te
“Mjegulla e Kuqe”, specifika qëndron se autori ka lavruar me këmbëngulje imtësi
përjetimet indivuale, që përfshijnë atë universalen, duke u thelluar
skutave të ndërtimit dhe të renjës së hierarkive të pushtetit lart e poshtë, poshtë
e lart, falë një ndërtimi të degjeneruar moral e politik.
Pastaj
një karakteristikë tjetër që josh, është
ndërlidhja e temës me logjikën e
argumentuar, me realen, që nuk le
hapësirë hamendësie.Pasuri e mjeshtëri autoriale janë fjalët dhe frazeologjitë
e shprehura në lidhmëri të materies, janë një pasuri e përvojë prozaike, janë si një melodi tërheqëse gjatë leximit.
-Mesazhi
si uvertyrë e rrugëtimit njerëzor, por edhe politik.
Të gjitha
botimet pas diktaturës në Shqipëri, por edhe ato të pasluftës në Kosovë, nuk
mendoj se janë vetëm si një shfryrje emocionale, por konsideroj se përshkrimi
me aq mjeshtri e pasion frymëzues, ka edhe , që logjika njerëzore duhet ta prekë vetëdijen e
brendshme për kthesa të domosdoshme, pra një thirrje ndërgjegjies njerëzore e kombëtare.
Kanë
kaluar përafër tridhjetë vite pas rënjes së diktaturës në Shqipëri, njëzet vite
pas luftës së përgjakshme në Kosovë dhe prapë jemi dëshmitarë të mbjelljes së
pushtetit me elemente burokratike e diktatoriale, duke lënë anash tërësisht atë
për të cilin kemi vuajtur dhe jemi përcaktuar, për demokraci, jetë të barabartë
dhe në harmoni e dashuri me njëri tjetrin.
Në
romanin e sapo lexuar , mund të
konkludojmë për elementë krahasuese mes kohëve, që na i jep autori me
sakrificën e tij prej një krijuesi të
spikatur. Ndyshe, nëse nuk kemi aftësinë
e të nxjerrurit të porosive , atëherë pse po lexojmë libra?!...
Për këtë Vaso
Popaj në veprën e tij, ”Dritë në humbëtirë”, shkruan:
“Bjeri
pragut të dëgjoi dera!....”
Gjakovë, 19prill, 2020