E enjte, 01.05.2025, 07:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Katarsisi dhe mburoja lirike e Din Mehmetit

E diele, 19.04.2020, 12:43 PM


KATARSISI DHE MBUROJA LIRIKE E DIN MEHMETIT

(Lexime poetike. Poezia “Më duhet të rri zgjuar” e Din Mehmetit), XI

Nga Prend BUZHALA

Din Mehmeti (1929- 2010) është ndër poetët e vlerave të epërme artistike të poezisë shqipe. Në parnasin e lirikës sonë, zëri i tij dallon për shumëçka: ai nuk reshtej së krijuari lirikën e mendimit e të thellësisë racionale; ndryshe nga poetët metafizikë që ndërthurin nëpër avrgje irracionalen, rrjedhat e ndërdijes, lirika e Din Mehmetit shndërrohet në vetëdije të zgjuar kohësh, në doracak nacional e letrar për ta spikatur shtegun më të sigurt dhe për ta shquar horizontin më të gjerë të vlerave artistike. Nga libri poetik : “Lumturia është mashtrim”, (botuar te “Dukagjini”, Pejë 1999), zgjodhëm poezinë e fundit “Më duhet të rri zgjuar”. Në këtë linjë kërkimesh, në librat e pasluftës Din Mehmeti i ka ruajtur simbolet e qëndresës dhe këngën për këngën apo këngën për misionin e krijuesit në universin e artit. Nuk është e habitshme, prandaj, pse në libat e pasluftës, lufta është përbërësja kryesore stilistiko-tematike, kurse poezia, edhe në kohën tonë, e vazhdon luftën si përmbajtjen më të shquar të saj. Por ai e vazhdon edhe një betejë tjetër me poezinë e tij: atë të një zgjimi tjetër të ndërgjegjes sonë...

Poezia e këtij lexim-interpretimi, ka katër strofa. Dy strofat e para kanë nga tri vargje, kurse dy të tjerat nga dy. Në secilin varg të fundit ai, Folësi lirik (poeti, personazh- prota- agon), i drejtohet një Personi Tjetër, një Antagonisti, një qenie që kërkonte shfarosjen (strofa e parë), që synon gjithmonë rrënimin tonë (strofa e dytë), që nuk heq dorë asnjëherë nga urrejtja (strofa e tretë), apo që kërkon ende (edhe tash e gjithnjë) t’i rrafshojë varret e dëshmitë tona, identitetin e autoktoninë tonë (strofa e fundit).

1.

Din Mehmeti e endëzon, pra, edhe metaforën e re të jetës, ashtu sikundër i projekton vizionin dhe sfondin e gjerë, në të cilin do të shtrihej mbretëria e lirisë njerëzore-hegeliane. Prandaj, në poezinë “Më duhet të rri zgjuar”, poeti gjendet në rolin e Artistit të Jetës, në rolin e magister vitae, siç shprehet në strofën e parë:

Më duhet t`i dezinfektoj fjalët

Ndjenjat historinë

Nga shfarosja jote

Pra, poeti dëshiron t`ia japë vulën e pastërtisë vizionit të tij të gjerë humanist, t’ia japë vulën e vlerave etike dhe të cilat vlera do të qëndronin përjetshëm, amshueshëm, në piedestalin më të lartë të të arriturave të tij. E pra, shkallët më të larta të vetërealizimit të tij, do t`ishin altruizmi i tij e shtjetërsimi nga rruga e shfarosjes. Një ecje e etje e amshueshme, kjo, në vertikalen etike dhe estetike të Jetës dhe të Historisë.

Është ai katarsisi historik aristotelian i spastrim-çlirimit, kësaj radhe, jo vetëm i atij fizik nga pushtuesit e mizoria, por edhe nga skllavëria e shpirtit. Nëse Hipokrati (mjek) kërkonte spastrimin trupor nga sëmundjet, nëse Platoni kërkonte edhe spastrimin trupor edhe atë shpirtëror (çlirimi i shpirtit nga pasionet), Arsitotelia të e bart në fushën estetike: mençuria krijohet përmes vuajtjes, mëshirës e frikës që i spastron ndjenjat e shikuesit në teatër. Humanistët e kuptonin katarsisisn si dhurim të kënaqësisë estetik. që ta dhuron arti, apo dhe parandalimin e veprimeve fatale për të mos i përsëritur më. Ndërkaq, Gëteja i urtë e komentonte atë si falje dhe pajtim me personazhet. Nëse filozofët e shekullit XX atë e interpretojnë si spastrim mendor e emocional, nëse psikanalistët duan ta shohin si shtypje emocionesh të pakëndshme që shoqërohen nga ngjarjet që i kanë shkaktuar ato; shkrimtarët modernë duan ta ruajnë suazën estetike të këtij spastrimi. Porse Din Mehmeti, duke e përdorur metaforën sintagmatike foljore "dezinfektoj fjalët", asociacioni figurativ-shprehës na çon te përmasat e shumta që ngërthen ajo, qofshin ato të urrejtjes, ligësisë, përbuzjes, mendimeve të dëmshme e me pasoja, të energjive negative a emocioneve agresive, me të cilat koha jonë është e stisur prej tyre, në përplasje mendësish, kohësh, brezash, ideologjish etj. e që ishin burim përçarjesh, konfliktesh, ligësish sociale e absurditetesh politike.

Përpos spastrimit të fjalës e të këtyre emocioneve, ai ia shton edhe spastrimin e historisë. Historia na vjen me barrët e së kaluarës, me llogaritë e paspastruara, me theqafjet, mbeturinat, shtresimet e shformimeve etike e nacionale, njerëzore e shoqërore. Po kjo histori bart mbi supe edhe shumë trashëgimi negative (të dështimeve, ngecjeve, prirjeve regresive, mohimeve nga më të llojllojshmet).

Që në strofën e parë, pra, ai shpall programin e vet katarktik. Folësi lirik (poeti), i drejtohet një Personit Shfarosës (qenie armike). Në shoqëri me semantemat poetike (fjalët, ndjenjat, historia) Personi Tjetër është Antagonist lirik, i cili ka prirje shfarosëse. E shkruar në kohën e luftës, dhe e botuar menjëherë pas luftës, spastrimi i gjithçkaje negative, karshi shfarosëve gjenocidalë armiq, është lartësia etike e humaniste jona.

2.

Në strofën e dytë poeti i rri gatitu vigjilencës, zgjimit, për hir të së tashmes e të të ardhmes. Folësi lirik e ka të qartë se aty ku ka zgjim e vigjilencë, si mburojë e roje e ekzistencës sonë; jeta bëhet më e sigurt, frika e ankthi nuk shfaqen, bota bëhet më e mirë. Në gjendjen e tillë të esëllt, zbulohen e vërteta, mirësia, humanizmi. Katarsisi zë e merr kontura më të plota:

Më duhet të rri zgjuar

Para të tashmes e të ardhmes

Që mos të hyjë hija jote rrënuese

Sintagma poetike “Më duhet” përsëritet në fillim të secilës njësi strofike. Poeti e gjakon një Qenie të Përsosur, kombin e tij e do të përsosur. Thur Kodin e së Përkryerës në art e në jetë. Duke ligjëruar në veten e parë, ai sikur i jep një urdhër etik e proverbial vetvetes (Më duhet), vetvetes së shumëzuar te secili pjesëtar i kombit të tij. Një vetvete që shfaqet tashmë e impersonalizuar. Është ajo ashpërsia e një etike të fortë, burrërore, pra të qëndrimit njeri para njeriut, qëndrimit si një luftëtar vigjilent përpara së keqes që mund të na befasojë. E këtë zgjim-vigjilim ai e ka të trashëguar si mençuri brezash e epokash, si vetëdije të lartë e si forcë e shenjtë mbijetese e jetese. Është zëri i brendshëm i këtij protagonisti lirik që e kultivon këtë filozofi të jetës, si formën më të lartë të ekzistencës, si fuqi e brendshme, si manifestim i fatit, si thirrje e përgjithmonshme historike (“Para të tashmes e të ardhmes”). E pra, ky personazh lirik merr tiparet e një protagonisti gjithëhistorik, simbol bashkërendimesh që lidh nyje kohët. Kësisoj, tashmë ky personazh bëhet simbol. Simbol i personazhit të shndërruar në Vetëdije Historike e në Vetëdije të Zgjuar. Tashmë na ligjëron kjo vetëdije kohësh: ai ligjërues motesh na takon të gjithëve, ai është demiurg i mësimeve të jetës dhe i parimeve të historisë përballë hijeve. Me hijet personifikohen rrënuesit e qenies sonë, shfarosësit e pushtuesit. Hijet janë figurë e errësirës. Janë shfaqje e e vdekjes, rrënimit, shfarosjes. Është ai që lëndon, që shpif, që të sheh gjithnjë me sy të keq, që përpiqet gjithnjë t’i shpërfytyrojë cilësitë më të mira pozitive që ke, që ligjëron me një gjuhë të infektuar urrejtjesh. Prandaj poeti e do zgjimin dhe ndriçimin. “Vetëm ai që vetë-ndriçohet, nuk ka frikë nga hijet”, thoshte Imanuel Kant. Këtyre hijeve iu duhet vënë ledh, duke e mbajtur të pastër imazhin e mirë të vetvetes, siç ligjëron te strofa e tretë:

Më duhet ta shpëtoj dashurinë

Nga urrejtja jote

Ky vizion vjen gjithnjë sipas kërkesës për të jetuar si qenie më e lartë në një tjetër nivel qytetërues. Kësisoj, poeti dëshiron, me vargje të thurura sipas poetikës së thuknisë, për ta marrë edhe rolin e një demiurgu a mag-u që e udhëheq përdore popullin e tij, kah e ndritshmja. Për të mos i zhvilluar leksionet e urrejtjes, por për t’u mbrojtur prej tyre, duke e shpëtuar dashurinë! Dhe ky shpëtim kërkohet gjithnjë sipas atij katarsisit të mësipërm, i cili buron nga pastrimi i brendshëm, nga zgjimi i brendshëm. Poeti nuk e do zgjimin e dhunshëm, se atëherë nuk ndodh ky kërkim-shpëtim i dashurisë. Kësisoj, edhe zbulohen vlerat e vërteta të përmasave të ekzistencës e të hapësirave të panjohura të esencës së jetës. Nga ky aspekt, në harmoni me titullin e poezisë (“Më duhet të rri zgjuar”), ky zgjim merr thellësi që shfaqin shkëlqimet e vetvetes në qenien e spastruar e të mbushulluar me dashuri. Është hir i qenies, hir hyjnor, që i jep kuptim jetës. Ndryshe nuk e sheh as dritën.

3.

E tani, pra, na vjen drita. Nuk është thjesht dritë parajsore vargjesh, por drita si personifikim i rojës e mburojës së shpirtit tonë, i qenies sonë, i mbrojtjes nga shkatërrimi përfundimtar.

Më duhet t’i lë dritat ndezur

Që të mos mi lavrosh edhe varret

Ende poeti i ka përpara sysh kapituj sa tragjikë e tronditës, aq edhe krenarë të së kaluarës sonë. Drita e ndezur është simbol i kësaj vigjilence, i këtij zgjimi në shkallën më të lartë të vlerave. Metaforë e mbrojtjes nga tirania e djeshme apo nga ato të këqijat tjera, që mund të na shfaqen sot. Duke qenë vetvetja, duke qëndruar brenda vetvetes, pa tjetërsime theqafëse: kjo është mbrojtja më e mirë, është mburoja e padepërtueshme, ku nuk mund të depërtojë ligësia armike.

“Më duhet...” e përsërit poeti këtë urdhër nacional e etik, për të mos e përsëritur historinë fatkeqe. Sepse liria, si kryevlerë e arritjes sonë, u sigurua me shumë sakrifica e mundime. Prandaj poeti i thur himn kësaj fortese të mburojës sonë liridashëse e nacionale.

_____________

Din MEHEMTI

MË DUHET TË RRI ZGJUAR

Më duhet t`i dezinfektoj fjalët

Ndjenjat historinë

Nga shfarosja jote

Më duhet të rri zgjuar

Para të tashmes e të ardhmes

Që mos të hyjë hija jote rrënuese

Më duhet ta shpëtoj dashurinë

Nga urrejtja jote

Më duhet t’i lë dritat ndezur

Që të mos mi lavrosh edhe varret

(Gjakovë, shtator, 1998)

Marrë nga libri i Din Mehmetit

“Lumturia është mashtrim”, botuar te “Dukagjini”, Pejë 1999)

(Prend N. Buzhala, 11 prill 2020)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx