Kulturë
Lekë Mrijaj: Detaje nga monografia Misioni Katolik Shqiptar Luzern
E shtune, 18.04.2020, 11:50 AM
Detaje nga monografia "Misioni Katolik Shqiptar-Katholische Albaner Mission Luzern", është një libër që trajton themelimin e misionit, vlerat kombëtare, fetare e kulturore në Zvicër.
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Në
vitin 2017, ka dalë nga shtypi libri: "Misioni Katolik Shqiptar
-Katholische Albaner Mission Luzern", i përgatitur nga studiuesi i cili në
atë kohë ishte edhe Misionar i Misionit Katolik Shqiptar në Luzern, don Agim
Qerkini. Ai tashme është famullitar i famullisë "Zoja e Këshillit të
Mirë" në Klinë. Don Agim Qerkini, veçse e ka përgatitur librin në tërësi, ai
është edhe redaktor kryesor i librit në fjalë botim i cili është i skalitur dhe
i strukturuar në mënyrë shumë të mirë dhe profesionale e që përmban në vetvete
shumë materiale multidimensionale të natyrave të ndryshme fetare, kombëtare e
kulturore duke filluar që nga themelimi i Misioni Katolik Shqiptar në Zvicër,
deri në shënimin madhështor të 25-vjetorit të themelimit të Misionit Katolik
Shqiptar në Zvicër me seli në Luzern. Është një libër i botuar nga SH.B.
"DRITA", Prishtinë i përkthyer në gjuhën gjermane nga z. Llesh
Duhanaj dhe znj. Aida Demrozi. I shtypur nga shtypshkronja "SPRINT"
Prizren. Përgatitjen grafike të librit dhe kopertinën e bëri: Z. Gojart Sejdiu.
Libri
në fjalë përmban materiale të përvjetorëve të ndryshëm të Misionit Katolik
Shqiptar në Luzern, të shënuara në secilën periudhë me Akademi dhe evente
rasti. Në këto organizime morën pjesë shumë figura të ndritura me ndikim që nga
kishat vendore zvicerane, ambasadorë të akredituar shqiptar në Zvicër. Morën
pjesë gjithashtu edhe mysafirë të tjerë të ftuar nga Kosova, Shqipëria dhe nga
vende të tjera të mërgatës të cilët janë paraqitur edhe si referues me
reflektime e kumtesave të tyre koncize për Akademinë e Misionit Katolik
Shqiptar, emigrimin, vlerat kombëtare, fetare, pastorale e kulturore e
gjithëpërfshirës.
Fillimi
i materies-librit, nis me parathënien e konceptuar nga don Agim Qerkini, i cili
që në fillim flet për mërgimin që është një sfidë të cilën e kanë përjetuar
shumë popuj të botës që nga lashtësitë e kohës, të shtyrë nga rrethanat e
ndryshme, luftërave, politika, si dhe krizat ekonomike, shoqërore, natyrore, ku
theksohet se këtë fat e pati edhe populli ynë. Detaj që theksohet që në fillim
të parathënies nga don Agimi. Ai, i trajton në përgjithësi shqiptarët e
emigruar në Zvicër kryesisht rreth viteve 70’ si punëtorë sezonal të cilët
ishin kryefamiljarë që ishin përgjegjës
për mirëqenien e familjeve që kishin lënë në vendlindje. Shumica e tyre erdhi
me synimin për t’u kthyer në shtëpi pas disa vitesh. “Me përkeqësimin e
situatës ekonomike, shoqërore e politike të viteve të 90’, ata filluan t’i
marrin me vete familjet e tyre. Me këtë rast, bëhet fjalë veçanërisht për
besimtarët katolikë nga Kosova, megjithëse ka edhe nga Maqedonia, Mali i Zi dhe
Shqipëria. Përveç gjendjes së tyre ekonomike për të cilën emigruan, kishte edhe
arsye të tjera siç ishte gjendja e para luftës në Kosovë, e cila u
përshkallëzua deri në terror dhe persekutim të popullsisë në Kosovë.”
Njëkohësisht don Agimi përmend edhe formën kishtare të Misionit Katolik Shqiptar
e cila e filloi veprimtarinë me 24 qershor të vitit 1991, në kishën e madhe të
"Shen Gjergjit" në Sursee. I mbështetur prej aktivistëve menjëherë
bëhet marrëveshja dhe përpilohet programi i meshëve javore një herë në kishat
ku pjesëmarrja e besimtarëve ishte më e madhe e më vonë u stabilizua edhe
programi vjetor. “Dy ishin qendrat e para të njohura edhe gjatë shërbimit
"Volante” të fra Hil Kabashi, misionar në Stuttgart: Sursee LU dhe
Bazenheid, SG.” Pas më tepër së tetë muaj të veprimtarisë tashmë të njohur, me
1 prill të vitit 1992 nënshkruhet Kontrata e Punës ndërmjet misionarit të parë,
don Aleksandër Kola dhe SKAF i kryesuar nga Dr. Urs Koppel, drejtor kombëtar
për të huajt dhe kështu hapet zyrtarisht Misioni Katolik Shqiptar në Zvicër, me
seli në Luzern. Misioni në fillim pati strehimin në ambientet e Misionit
Italian në Kriens, ndërsa pas tri vitesh, zyra e Misionit kaloi në Littau. Në
vitin 1999 bëhet zëvendësimi i misionarit. Në vend të Don Aleksandrit vjen Don
Marjan Marku e më vonë Don Marjan Demaj, dhe kështu krijohen kushte për
themelimin e një Misioni të ri. Në vitin 2003, themelohet Misioni në Sirnach
(TG). Pas ardhjes së meshtarit të tretë shqiptar në Zvicër, Don Mikel Sopit,
ndaj edhe është themeluar Misioni i tretë në vitin 2005 me seli në Aarau.
Përveç meshtarëve, që nga tetori 2001, në Luzern vijnë për shërbim edhe motrat
e nderit “Bijat e dashurisë Hyjnore”, pastaj në Sirnach në vitin 2003, dhe që
nga viti 2014 motrat françeskane edhe në Aarau. Kjo materie monografike letrare
e shkencore është përmbledhur në disa fushëpamje nga reflektues të ndryshëm të
natyrave të ndryshme, prelat, intelektual, veprimtar, ambasador, misionar të
Kishës Apostolike etj. Ndaj edhe ky libër ju dedikohet bashkatdhetarëve tanë në
Zvicër të cilët kanë kontribuar shumë për vendlindjen e tyre si dhe për
mbarëvajtjen e Misionit Katolik Shqiptar në ruajte të traditës, misionit dhe
atdheut të tyre të dashur, tha në fund të parathënies, don Agim Qerkini.
Në
vazhdim të librit janë trajtuar këto tema gjithëpërfshirëse: "Zoja e
Këshillit të Mirë " Pajtorja e Misionit në Luzern apo siç është e njohur
tek ne shqiptarët Zoja e Shkodrës. “Këshilli i Misionit” si dhe angazhimet e
tyre gjithëpërfshirëse. “Motrat - bijat e dashurisë hyjnore”, nën moton:
"Gjithqka për Zotin , për të varfërit dhe për Kongregatën" si dhe
veprimtaritë e motrave të para të ardhura në Zvicër siç janë: m. Voleta Kola,
m. Mrikë Sabedini, m. Klementina Avgustini, m. Florie Azizi, m. Valdete Daka,
m. Valbone Hajdari, m. Francika Kola etj. Kori "Imzot Nikë Prela" si
dhe themelimi tij i cili është bërë nën organizimin kishtar.
“Lexuesit-shërbesat e tyre në Kishë”. “Ndihmësit për kungim të besimtarëve”.
Forumi "Nëna e Këshillit të Mirë". “Ministrantët - sherbyesit e
altarit”. “Themelimi i misionit katolik shqiptar në Zvicër”, një pasqyrim
historik në përvjetorin e 20-të të Misionit Katolik në Zvicër të cilit ju
referua, don Aleksandër Kola. (f. 33-38). 10-vjetori i themelimit të Misionit
(1992-2002) ku me këtë rast të pranishmit i përshëndeti Dr. Urs Köppel, drejtor
Nacional për të huajt, me nga një fjalim tjetër në kuadër të 10-vjetorit të
Misionit Katolik në Zvicër janë prezantuar: +imzot Mark Sopi, ipeshkëv i
Kosovës (f.51), don Marjan Demaj, (f. 52), don Marjan Marku, (f.53), prof. dr.
Angel Rickenmann (f.54), mons. Hil Kabashi, (f.55), dr. Fulvio Caccia
(f.56-57).
Me
rastin e 20-vjetorit, vijon fjala pershendese e don Agim Qerkinit, e cila i
parapriu Akademisë e cila u mbajt në kuadër të 20-vjetorit të Misionit Katolik
në Zvicër (f.61-63), si dhe fjalët e mons. Dodë Gjergjit, ipeshkëv i Kosovës
(f.65-68), don Marjan Markut (f.69-75), don Marjan Demaj (f.76-81), don Mikel
Sopi (f. 82-86), mons. Ruedi Heim, bischofsvikar (f.87-90), Marko Schmid (f.
91-96), Armin M. Betschard Synodalratsprasident (f. 97-100). Veprimtaria e
motrave ku me kumtesë paraqitet m. Violeta Kola, BDH, (f. 101-106).
Bashkëpunimi i SHHB " NËNË TEREZA " në Zvicër me Misionin Katolik
Shqiptar, me kumtesë nga Kristë Tushi (f. 107-109). Reportazh mbi shënimin e
20-të vjetorit të Misionit, artikuluar nga Angjelina Markaj-Gjokaj (f.109-113).
Reto Kaufmann, Pfarrer, dr. Markus Heil, Diakon, Pfarreileiter in Surse
(f.117).
25-vjetori
i Misionit Katolik Shqiptar në Luzern me fjalë paraprake përshëndetëse u
paraqit don Agim Qerkini (f.149-151), manifestim i cili u moderua nga z. Llesh
Duhanaj që shpalosi në tersi programin kulturor, dhe pas fjalëve të rastit të
Z. Ruedi Heim dhe Z. Thomas Huber, pasoi pjesa e bukur me këngë klasike të
interpretuara nga Zonja Zana Ramadani, soprano, e përcjellë nga z. Valton
Beqiri, kompozitor. Rapsodi folklorik, Kristë Lleshi, këndoi këngë për Nënë
Terezën. Akademia në fjalë vazhdoi me fjalët e mons. Dodë Gjergjit (f.152).
Fjala e rastit e ambasadores së Kosovës në Zvicër, znj. Nazane Breca
(f.153-154). Fjala e Hans Peter Bucher (f. 155-156). “Kisha dhe emigrimi”,
kumtesë së cilës iu referua, Aldo Skoda-Pashkja ( f.157-164). Reportazh mbi
shënimin e 25-vjetorit të Misionit, artikuluar nga Angjelina Markaj-Gjokaj
(f.169-173). Është interesant te përmendet fakti se koha e botimit të kësaj
monografie përkon me 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,
ndaj edhe si shtojcë në këtë libër shkencor me kumtesa të tyre: "Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu, Moisiu Arbëror" paraqitet, Dr. don Lush Gjergji, dhe
studiuesi i mirënjohur shqiptar në Zvicër, z Albert Ramaj me temën: "Nënë
Tereza dhe lidhjet e saj me Zvicrën".
Ndërsa
fare në përmbyllje të librit: "Misioni Katolik Shqiptar Luzern",
përgatitësi i saj, don Agim Qerkini, prezentohet me temen: "Genazzano -
vend shtegëtimi historik i shqiptarve", ku qyteza e Genazzanos për
shqiptarët veç të tjerash ka një lidhje të ngushtë shpirtërore nga shek. XV,
për shkak të Pajtorës së tyre me shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë,
ndaj don Agimi e trajton: "Largimin e Nënës së Këshillit të Mirë",
"Largimin e saj nga Shkodra, "Basilikën e Zojës në Genazzano",
"Kapelën e Zojës së Këshillit të Mirë", "Papët shtegtarë në
Genazzano", si dhe "E Lumtura Nëna Terezë dhe Genazzano".
Në
përgjithësi, nga këndvështrimi im si referues i këtij artikulli konsideroj se
sikurse Akademitë Shkencore në përvjetorët e tyre të mbajtura në Luzern, po
ashtu edhe ky libër i dalë në vitin 2017, mund të konsiderohen si i suksesshme,
sepse referuesit në fjalë ishin tejet të përgatitur si në fushat profesionale,
fetare, kulturore, por edhe në fusha të ndryshme të tjera për ngjarjet që kanë ndodhur në ato kohë në
Luzern dhe të organizuara në mënyrë të shkëlqyeshme, nga don Agim Qerkini.
Suksese...