E premte, 02.05.2025, 12:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Askeza artistike e Zef Zorbës

E merkure, 15.04.2020, 05:56 PM


ASKEZA ARTISTIKE E ZEF ZORBËS

(Lexime poetike. Poezia “Andante mosso" e Zef Zorbës), VII

Nga Prend BUZHALA

Zef Zorba (1920 - 1993) sot mbush njëqind vjet nga lindja e tij. Është poet me librin e vetëm poetik "Buzë të ngrira në gaz" (1994). Një jetë të tërë krijoi në heshtje, në vetmi. Madje, ky vëllim u botua si vepër postume , vetëm një vit pas vdekjes së tij. Përfytyrojeni njeriun që lexon një jetë të tërë, që shkruan e krijon mbi një gjysmë shekulli, pa e publikuar asnjë varg sa qe gjallë! I shkolluar para Luftës së Dytë Botërore në Itali, i kthyer në Shkodër, ai, menjëherë pas luftës vuan pesë vite burg politik. Mandej jeton e punon jashtë publikut të atëhershëm nën regjimin komunist. Porse, për habi, edhe pas shembjes së komunizmit, thuhet se nuk e botoi asnjë rresht! Ndërkaq, kur lexohet vëllimi i sipërpërmendur (botimi i dytë, 2010), do të vërejmë diçka që ishte jo vetëm parim jetësor, por edhe parim artistik: ta krijonte atë poezi, në radhë të parë, të rrymave moderniste të artit, të tipit minimalist, e cila nuk merret me asnjë rresht në tematikën e "komentimit" të realitetit shoqëror; në radhë të dytë, krijimi artistik është shprehje personale e krijuesit, dhe, në radhë të tretë, ky krijim mbështetet kryesisht në vlerat estetike. Nuk është e habitshme, prandaj, tipi i krijuesit të tillë, si në "botën demokratike", si në atë nën regjimet komuniste, kur përdor pak elemente të bashkëveprimit të arteve: tonalitetesh, trajtash, ngjyrash, linjash, duke i reduktuar brenda një teksture të ngjeshur. Kësisoj, edhe studiuesit e veprës së tij, do ta quajnë poet disident, ndonjë tjetër poet të refuzimit estetik, të tretët e vlerësojnë si hermetist etj etj. Për t'i parë këto veçori të këtij poeti të veçantë, po e marrim poezinë “Andante mosso" nga cikli "Fuga e fundit".

1.

Është fakt që, gjatë viteve '90, kur plasën e u bënë copë e grimë ekzorcizmat totalitarë, pushtues e ideologjikë, ishte Letërsia ajo që triumfoi mbi to, me proceset e reja letrare, së bashku me motrën e saj të përjetshme, me Demokracinë. Këto procese, sikundër dihet, karshi mësimit e krijimit të dhunshëm zyrtar të kulturës, të letërsisë dhe të historisë, nxorën në pah një Letërsi Tjetër, dhe, si rrjedhojë, edhe një Kulturë Tjetër e një Histori Tjetër, që vjen në kohën tonë me librat e burgut. Porse, aty ka vigjiluar edhe një letërsi e krijuar në heshtje! Kjo heshtje krijuese e Zef Zorbës vazhdon edhe gjatë viteve '90! Atëherë, cili do të ketë qenë "distancimi" a "refuzimi" që ia bën me artin e tij, edhe një kohe tjetër!? Letërsia shqipe tashmë kishte hyrë në rrugën e letërsive të lira, në hapësirën e pafund të lirisë. Nëse dikur mund të sfidohej, me anë të disidencës letrare, regjimi apo letërsia zyrtare, tashmë gjatë viteve '90 e këndej sfida shfaqet përballë kërkimit estetik, ku në poezi rend e hapëron imagjinata, poetike, gjuha e re e ligjërimit poetik, poezia e kohezionit emocional, ku ndeshen tërësi brenda tërësisë, preciziteti poetik për motivet e së pakënduarës e të mosqenies, mishërimet në fshehtësitë e poezisë, prirjet për origjinalitet, për intonim të baladës dhe elegjisë, procedime të tipit të kolazhit dhe mozaikut, gjuha e rrudhur poetike dhe evokimi i të ndodhurës, rikonstruktimi i të kaluarës dhe vjersha e pasur me kuptime e aluzione e deri te shfaqja e një bote të çuditshme poetike...

Poeti, i mësuar me një tjetër ritëm krijimi, me një tjetër univers, me tinguj, tone, përejtime krejtësisht të tjera, të mbyllura në botën e tij të askezës artistike, do t' qëndrojë besnik deri në frymën e fundit.

2.

Askeza në art pikësynon jo thjesht heqjen dorë nga pasionet e kërkesat luksoze të kohës, apo nga ato publike-ideologjike e politike; as vetëm thjesht nga synimi për të arritur, me anë të vlerave të tilla, shkallë të lartë të spastrimit (katarsisit) shpirtëror; dhe përtej secilit egoizëm, për hir të vlerave të larta shpirtërore; krijuesi asketik synon që këtë kararsis ta shprehë përmes artit. Këtij arti, habitshëm, ia dhuron edhe jetën e tij! Nuk është thënë më kot, se referencë e artit të tij bëhet jeta e tij (Sabri Hamiti: "Zef Zorba", në librin "Studime letrare", Prishtinë 2003). Nga pasioni social-ideologjik apo ai material, ai kalon te gjakimi për qetësinë totale spirituale, në art e në jetë: nëpërmes jetës në art dhe nëpërmes artit në jetë. Tashmë këtë përvojë jetësore e artistike Zorba e njihte nëpërmes krijuesve modernë e modernistë evropianë, që nga Bodleri e këndej. Dhe nuk është e rastit përse, ndër poetë të parapëlqyer të tij, që i përkthen edhe shqip, janë Toms S. Eliot, poetët italianë si Ungaret, Montale dhe Quasimodo, apo autorë të tjerë si R. Frost, Bernard Shou, Luigji Pirandelo, B. Kroçe etj. etj, për ta zbërthyer, kësisoj, edhe afrinë e profilit të tij krijues me frymën artistike të poetëve të sirpërmendur. Le ta kujtojmë Eliotin me Kuartetet e tij, dhe Zorbën me fugat poetike, më saktësisht, me dy ciklet e poezive "Fugat e fundit" dhe "Mbresat e rrugëve" (poemë).

3.

Pikërisht kjo ndërthurje e arteve (poezia "ANDANTE MOSSO") është procedimi i tij i parapëlqyer poetik.Me këtë ndërthurje e përqasje artesh merret ESTETIKA KRAHASIMTARE, kaq pak e studiuar ndër ne! Studiues si Etjen Syrio (Étienne Souriau: "LA CORRESPONDANCE DES ARTS ELEMENTS D'ESTHETIQUE COMPAREE", përkthim kroatisht, Sarajevë, 1958), I. A Riçards etj, e kundrojnë dhe studiojnë përqasjen mes arteve dhe veprave artistike ( poezi, pikturë, muzikë, film, teatër, vallëzim, arkitekturë, skulpturë, etj). Nëse në letërsi flitet që nga antika për muzikën e ritmin e vargut, si dhe për veçoritë tjera muzikore që përbën elementet e strukturuara estetike të veprës poetike; nëse fjala dhe muzika pikësynojnë të përafrohen për ta shprehur më mirë mendimin; atëherë gjithsesi që Niçe kishte të drejtë kur thoshte se poezia ka lindur nga muzika. Madje, në antikë, lirika shkruhej që të këndohej me anë të lyrës (së këndejmi, rrjedh edhe fjala lyrikë, lirikë). Kësisoj, te poezia e Zorbës, përzgjidhet ky procedim për të kënduar, me frymë të lartësuar, sublime, të madhërishme, të magjishme... për ta spikatur tempon e ritmit të këndimit lirik, simfoninë estetike (po edhe kuptimore) të fjalës.

4.

U desh ta bëjmë gjithë këtë hyrje të gjatë, për ta parë këtë poezi në disa kontekste: estetike, artistike, por edhe në kontekstin shoqërore e historiko-letrar. Nëse ANDANTE shënjon lëvizjen (muzikore e poetike) drejt një pikëtakimi, MOSSO e përshpejton dhe e ngadalëson ritmin, sipas frymës së motivit, me perigjeun e apogjeun lirik të fjalës! Më tutje, Zorba është i ndërgjegjshëm edhe për përmasën e subkoshiencës (ndërdijes) në letërsi. Po i lexojmë tash, dy vargjet e para të plota:

Se çfarë kumbon, se ku ndriçon, s'e dimë:

vetia prej dheu buron trishtim e mjegull.

Vargu i parë fillon me vënien në gërshet të disa arteve:

Se çfarë kumbon, se ku ndriçon, s'e dimë:

Pra përbëhet prej jehut, tingullit (Se çfarë kumbon), imazhit, pikturës (se ku ndriçon) dhe ndërdijes krijuese, irracionales (si rrjedhë e brendshme e vrujimeve: është mister se prej nga vjen frymëzimi): "s'e dimë" - gjendja e mbetur eng para së panjohurës, së brendshmes dhe së jashtmes; mikrokozmosit (trishtim ) dhe makrokozmosit (mjegull). Trishtimi ndodh në qetësi, në mbylljen asketike të poetit; mjegulla (e jashtmja), sado që është simbol i errësimit të gjërave, i ndalimit të shikimit, folësi lirik është ai që i sheh gjërat dhe jetën si ndodhin (e pra: diçka ndriçon, prej diku vjen një dritë e ndriçimit të gjërave që DIKUSH i mjegullon). Në arte mjegulla simbolizon misterin, ngatërrimet, konfuzionin, ëndërrimet, me një fjalë shënjon paqartësitë mes realitetit dhe irealitetit, mosqenies. Mjafton ta shqiptosh këtë mikro-dhe-makrokozmos lirik, i ardhur si simfoni e frymëzimit! Mistika e frymëzimit, tingullit, ndriçimit dhe fjalës - e japin një tërësi, përbëjnë një sintezë lirike, një poetikë të dendurisë, apo, sikundër do të thoshte vetë autori te pasthënia e librit:

"Për mua ka qenë e natyrshme që rruga për dhënie përparësi konglomerimi menjëhershëm të së brendshmes me strukturat konkretizuese (pra, duke u lejuar këtyre të fundit atë sasi vendi e kohe që u përket në raport me tërësinë), çon në sintetizim rigoroz".

Të gjitha këto ecencializohen dhe karakterizohen me fjalën "vetia" (cilësia, esencat, si bashkëveprim gjërash, gjendjesh, dukurish), duke e shndërruar kësisoj, poezinë në lirikë esenciale (esencializmi i njohur lirik në poezinë evropiane moderne, me burime nga filozofia).

5.

Tashmë, esencialisht në gjendjet e ndërveprimeve të tilla të marrëdhënieve vetëdije-ndërdije, realitet-irealitet, vjen një tërësi tjetër a sintezë tjetër lirike:

Prej gjumit shekullor, ende të gjalla

lajthitjet kot se i përpush: qenkan shfrime

tani të pezmatuara: vetëtima

që flakuruan dikur (e ç'përcullonin!)

Te vargu i parë i kësaj tërësie strofike-semantike, lexojmë një simetri kontrastive: gjumi shekullor/ të gjalla... Diçka, aq gjatë e fjetur, tashmë ende merr frymë! E kaluara merr frymë te e sotmja. Ritmet simfonike të "andantes" së shprehjes lirike, vijnë vetëtimshëm, me lëvizje të përshpejtuara, me pezëm, me flakërime. Përgjumja e djeshme vjen me flakërime sot! Vjen me shfrime (të brendshme a të jashtme, nuk ka rëndësi), diçka pëlcet së brendshmi! Kjo pëlcitje flakëruese vjen e pezmatuar. Përgjumja vetëm sa e përligj gjallërinë e dikurshme flakëruese (të ç’përculluar - nga flakërimi i dikurshëm në përgjumje, së fundmi në shpërthim - janë tri gjendjet e apogjeut e perigjeut të shprehjes tejet ekspresive lirike).

Është gjendja e poetit, kjo, nëpër kohë?

Është ndonjë histori dashurie (e pa rrëfyer)?

Është gjendja (e përgjumur dhe e zgjuar, e përcëlluar dhe shpërthyese) e realitetit shoqëror kjo?

Dhe shumë të tjera pyetje që mund t'i zgjojë rrjeti asociativ i pasur (rrjeti asociativ është figurë arti në letërsi) i kësaj poezie, i lihet lexuesit. Në rrjetin e njëjtë do të gjenden së bashku krijues dhe lexues, kohët dhe hapësirat (etnike e universale)...

6.

Le ta lexojmë edhe këtë njësi poetike-muzikore-semantike. Le t'i lexojmë togfjalëshat, formulat poetike apo semantemat lirike-shënjuese e referenciale (div i kërtylur, dituri të lashta, zot e trima, shifra, ujdi, sendërgjim, lëndë):

Div i kërtylur ëndërrimesh, pa drojtje

zhigat kundroje, e syri fek s'të bënte

pse binin një pas një: e Zot, e trima,

e dituri të lashta. Dhe atëherë me shifra

ujdi sendërgjoje, e vetëm lëndës

ia pate besën, pa e marrë në dorë

teposhtën.

Poeti tashmë futet edhe në hapësirat e mitit e të përrallës për të sugjeruar fakte të realitetit. Divi (përbindëshi i përrallave, dhe kërtylja, stërngopja), sugjerojnë Njeriun e Lig, që sjell një mënyrë jetese të dhunshme e të përgjakshme shpellash: pa Zot, pa trima, pa dituri të lashta. Pa besim, me njerëz qyqarë dhe me injorancë. "Dhe atëherë me shifra/ ujdi sendërgjoje"- do të jetë referencë jetësore e autorit, aty ku punonte si llogaritar, i rrethuar në një realitet të përbindshëm! Të pangopshëm me të këqija e krime! I rrethuar me njerëz që nuk janë më trima!

E kujt t'i besosh në një botë të tillë?

I beson vetëm lëndës së pashpirt aty ku punonte (në është ajo lëndë dru, gur, xehe etj, nuk ka rëndësi). Njeriu trim e Zoti janë shembur!

Poetit i mbetet vetëm të mbyllet në një tjetër botë, në atë të artit, në simfonitë e tij të brendshme, që ia mbajnë gjallë qenien e shpirtin. Aty, te kjo vetëmbyllje e dhunshme, ai thur realitetin e tij intim, botën e tij të padukshme, Fjalën e tij asketike! Për t'i sendërgjuar (sajuar në imagjinatë, në botën e tij të artit) ujditë, marrëveshjet, përshtatjet, masat, drejtpeshimin e qenies e të artit...

7.

Së fundmi vjen kjo njësi poetike:

Por gjeometria afshin nuk ta zgjidhi,

madje, as vargu, kur hulumtove

në difraksion rrezesh iks. Jeremisur

ke mbetë

në mes të askurrgjësë e të pambarimit.

Meqë këtu përdoret fjala gjeometri, shpejt e shpejt po theksojmë se autorët e rrymës së minimalizmit (pikturë, poezi etj) i përdorin format gjeometrike. Arti ia dhuron dijes imagjinatën e frymën krijuese, kurse dija (në ndërtimtari, tekstil, matje, gjeometri etj) i dhuron artit intelektin krijues, saktësinë, njohjen e shumë fushave shkencore... Prandaj, ky ndërkomunikim është i ndërliqshëm, sado që në pamje të parë të duket krejtësisht i thjeshtë: brenda kësaj thjeshtësie, ka një botë të pasur krijuese, mitologjike, antropologjike, historike, dhe, gjithsesi, një botë shqiptare. Është ky intelektuali shqiptar, i mbërthyer në darët e kohës.

Gjithçka bën poeti t'i shpëtojë kësaj gjendjeje, ta kapërcejë atë gjendje; as gjeometria (dija më e përpiktë), as vargu (arti), as hulumtimi (shpërbërja e rrezeve iks) dhe përsëri rezultati është i njëjtë, midis përplasjeve të të kundërtave: askurrgjëja e pambarimi. Kësisoj, në fund, ai kalon në hapësirat e ontos-it, mbasi logos-i (vargu, dija, gjeometria) e lanë në përplasje të tilla!

E përse, atëherë, ta publikojë vargun e tij?

Më mirë lëre ashtu, mes asgjëkundit e pambarimit!

Askeza e tij e jetës dhe e artit, nuk e duron publikimin! Publikimi e vret artin, misterin e botës së tij të brendshme, moszgjidhjet fatale!

Le ta bëjë jetën e tij arti pas shkuarjes në amshim të autorit.

-----------------

Zef ZORBA:

ANDANTE MOSSO

Se çfarë kumbon, se ku ndriçon, s'e dimë:

vetia prej dheu buron trishtim e mjegull.

Prej gjumit shekullor, ende të gjalla

lajthitjet kot se i përpush: qenkan shfrime

tani të pezmatuara: vetëtima

që flakuruan dikur (e ç'përcullonin!)

Div i kërtylur [ndërrimesh, pa drojtje

zhigat kundroje, e syri fek s'të bënte

pse binin një pas një: e Zot, e trima,

e dituri të lashta. Dhe atëherë me shifra

ujdi sendërgjoje, e vetëm lëndës

ia pate besën, pa e marrë në dorë

teposhtën.

Por gjeometria afshin nuk ta zgjidhi,

madje, as avrgu, kur hulumtove

në difraksion rrezesh iks. Jeremisur

ke mbetë

në mes të askurrgjësë e të pambarimit.

(Prend N. Buzhala, 7 prill 2020)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx