Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Dua
E merkure, 15.04.2020, 03:10 PM
Dua
Nga
Edison Ypi
Dua
sa s’thuhet, sa s’shkruhet, sa s'numurohet.
Sa
ende akullnajat nuk janë shkrirë, pyjet nuk janë sharruar, ka njerëz që u
mbushen sytë me lot, yjtë ndriçojnë, dielli ngroh, hëna frymëzon - dua.
Dua
shqiptarët të kthehen me diturinë e bukurinë e botës mbi shpinë duke rrëmbyer
tragetet e shpresës, lirisë e dashurisë, dhimbjes, rënkimit, mallit.
Dua
që shqiptarët ta mësojnë se kanë edhe ata me se të mburren, se e kanë historinë
e tyre, qytetërimin e tyre, artin e tyre.
Dua
që shqiptarët të mos presin hënën e plotë në muzg t’ua ndërrojë ajo qeverinë,
por ta ndërrojnë vetë sa herë të duan.
Dua
që shqiptarët të rrëqethen para asaj të krisurës së vogël prej nga shpërthen ai
zjarri i madh prej nga del urtësia që zbut, nënshtrimi që fisnikëron, malli që
s’vdes, që e bëjnë universin sa kaotik dhe misterioz, po aq të rregullt dhe të
qëndrueshëm, dhe jetën e mbështjellin me atë eterin e padukshëm që e bën jetën
sa të tmerrëshme aq dhe të dashur.
Dua
të gjithë shqiptarët ta kenë atë talentin e rrallë që të bën të dish të plakesh
duke mbetur gjithmonë fëmijë.
Dua
që të gjithë ta dinë se dashuria është si numri “¶”, natyrale, irracionale,
mistike dhe shumë e rëndësishme.
Dua
të gjithë të dinë se të dashurosh nuk do të thotë të gjesh njeriun e përsosur,
por të mësosh të shohësh përsosmërisht njeriun e papërsosur.
Dua
që shqiptarët ta kuptojnë mirë e të mos harrojnë kurrë se: “Në këtë Botë, uria
për Dashuri është shumë më e madhe dhe më e vyeshme se uria për bukë”.
Dua
që për Shqipërinë “më mirë të qaj unë për të, se sa ajo për mua”.
Dua
ata që më duan dhe i dua. Por dua më tepër ata që nuk më duan.
Dua
që të gjithë shqiptarët; Të jetojnë duke u mahnitur, të mos munden kurrë dot,
të vështrojnë pa u tronditur, të dashurojnë pa derdhur lot.