Kulturë
Sinan Gashi: “Kopësht malsori” - Vëllimi poetik i para një shekulli
E enjte, 16.04.2020, 05:28 PM
“KOPËSHT MALËSORI”, VËLLIM POETIK I PARA NJË SHEKULLI
Nga
Sinan GASHI
Fjala
poetike shqipe, krahas frymimit tonë, ka pasur fatin të krijohet në vise të
largëta nga trungu shqiptar, atje ku e shpuri fati i lig autorin e asaj
krijimtarie. Kështu ndodhi që të botohet në Sofje të Bullgarisë më 1910, edhe
vëllimi “Kopësht malësori” i poetit Josif Jovan Bageri nga Nistrova e Dibrës.
Për vëllimin poetik
“Kopësht malsori” e Josif Jovan Bagerit
Në
krijimtari letrare poeti Josif J. Bageri ishte marrë vonë, pas moshës 20
vjeçare dhe atë nis,më e kishte bërë në një truall të huaj për gjuhën e tij
amtare, shqipen.
Madje
ai vargjet e tija i kishte lexuar fillimisht në një han të Sofjes, ku
shqiptarët e migruar për shkaqe ekonomike, tuboheshin për t’u çmallur por edhe
mësuan shkrimleximin shqip nga pronari i atij lokali, Dhimitër Molës, i cili
ishte mbaruar Normalen e Rumanisë.
Kështu
mund të thuhet se ai krijimet e tija të para poetike i kishte përmbledhur në
një vëllim më vete dhe i kishte emërtuar “Sqohi Shqyptarë”, që në vitin 1904,
por që i kishin mbetur në dorëshkrim në mungesë mjetesh financiare. Po ashtu në
dorëshkrim i kishin ngelur edhe vepra tjetër publicistike “Armiqtë e Shqipërisë
dhe veprat e tradhtarëve shqiptarë”. Në rrethana tepër të vështira arriti ta
nxjerrë në Sofje vëllimin poetik më 1910, me titullin “Kopësht malsori, mësime
të shqyptarueta dhe vjersha”.
Kështu
krijohet që në fillim një pikëpyetje: a fati i autorit e kushtëzoi të krijoi
poezi apo poezia ishte rrëfimtare e fatit të tij. Kjo mund të thuhet pasi të
jetë lexuar përshkrimi i jetës së tij dhe po ashtu, pasi të jetë lexuar vepra
në fjalë.
Duke
mos qenë i përgatitur për poet, por atë pak dhunti krijuesi Bageri e mbrujti
tërësisht me temat e aktualitetit të kohës së tij, fatit të popullit të tij,
krajatat, fatkeqësitë, kacafytjet për ta ruajtur të gjallë elementet shqiptare,
ngase ishin në rrezik nga asimilimi i shovinistëve fqinjë, turq, serbë e grekë.
Nëse
është dikush që jetën e tij e barazon tërësisht me atë të fatit të popullit të
tij, duke e harruar krejt edhe familjen dhe gjendjen e tyre të mjeruar sociale,
është Josif Bageri. Kështu, që në parathënien e këtij vëllimi, ai ndër të tjera, shquan: “Përande zotëni
leçitës, uni s’kom turp të emënohem bir i keti kombi, por me madhështi thom, se
jon shqypëtar dhe gjith nja po orvatem me kjon një mburonjës i rrepat për me
mpruejt të drejtat ë këti kombi të ndëgjuet, cilën dëshnoj ta sho më një shkall
shum të nalt të ditunis dhe të kjytetnimit, si shum kombe të tjer, cilët kan
mjaft përparue në çdo msim dhe dituni.”
Vepra
në të vërtetë është një përzierje e prozave poetike me ngjyrime dokumentare dhe
poezive, që në të vërtetë të gjitha kanë një kahe, atë të ruajtjes dhe ngritjes
së vetëdijes kombëtare. Duke qenë brenda një vorbulle të fatkeqësisë kombëtare
në ato vite të errëta dhe, njëkohësisht, duke qenë ky me një vetëdijesim tepër
të qatë, shprehjet e atyre problemeve, qoftë edhe përmes vjershave, ishin mjaft
domethënëse në fahun e propagimit dhe lirimit nga ngarkesa emocionale
përkohësisht edhe e autorit të tyre.
Vepra
përmban 38 proza të shkurtra dhe 42 poezi, ku e pranishme në çdo fjalë apo në
çdo varg është Shqipëria, gjuha shqipe, kombi, ruajtja nga grabitqarët e të
tjerë.
Ia
nis me Shqipen, që është simbol i shqiptarit, duke e përshkruar me pamjen e
saj, jetën në shkrepa dhe fortësinë e saj edhe në furtuna. E, pastaj, vijon me
poezinë “Fjal të vërteta”, që është vijimësi e temës se atdhedashurisë, e cila
për autorin ishte gjithçka në këtë jetë. Edhe pse poezia edhe nga ana formale
dallon nga proza, boshti i frymëzimeve të Bagerit është I njëjti.
Ja
një strofë e poezisë që e përmendem:
Njësia bon forcin…
Dhe bashgkimi kâ fuqin!
Cili komb kta i kâ -
Kurri s’vritetvlla me
vlla …
Duke
qenë edhe vetë tip idealisti, ai në një vjershë me titullin e tillë, të cilën e
kishte shkruar ë Shkup më 12 shkurt 1909, veçsa e përshkruan sakrificën e tij,
për të qenë ajo universalja e asaj rruge jo të vetme në historinë e njerëzimit.
Idealizëm në do me ndjek
–
Ngushëllon shpirtin,
kënaqesh ne jet,
Por vetëm dije se jet pa
drej!
Unët shum here, kie me
mbet!...
Shqetësimet
e mëdha i përjetonte ngase kishte nga ata shqiptarë që, për interesa banale
kryesisht materiale, harronin përkatësinë kombëtare dhe nuk i rëndonte në
ndërgjegje që të pranojnë asimilimin. Kështu, në një vjershë të botuar në
“Shqipëria” të Bukureshtit, v.II, nr. 60, më 16 prill 1899, shkruan:
-Nji pal, - thon,- jemi
bullgarë,
Tjerët, - thon, - serbi
t’na marrë,
Disa mbahen shum
t’mençem,
Si doj fmij
t’përkëdhelçem.
Edhe
po të shikohen titujt e këtyre krijimeve, “Shtëpia ime”, “Mâlli imë”, “Sende të
vërteta”, “Prej gjith anësh mblidhen tôk, po shqyptari a kâ kôk?”, “Eni të
gjith në msimtore”, “Shqyptarët e Shkupit”, Nja [iramidë dëshmorvet”,
“Protestuem dhe dot protestojm! vetëm shkronjat të mbrojm”, “Vajtim e
mallkim!”, “Cilët jemi na?” e tjerë, ato rrëfejnë për satenin e etnisë sonë, në
kuptimin tërësor të saj. Ato lidhen edhe kushtimisht me datat që janë
njëkohësisht shenja të një veprimi luftarak kundër armiqve të ndryshëm, kur
ende as që ishte shpallur shteti shqiptar. Shkapërderdhja e tyre, analfabetizmi
dhe gjendja e rëndë ekonomike ishin gjendje e lehët për dashakëqijtë që të
veprojnë kundër gjenit tonë. Kushtimisht nga këto situata, Bageri me veprimin e
vet organizativ, sa në një cep sa në tjetrin e atdheut, aq edhe me vargje dëshiron ta mobilizoj, forcoj dhe ta orientoj
drejt shqiptarin e lodhur dhe të paqartë në shuam koncepte.
Nturri vllahen! t’u
ndihim
Së atdheu na therret
Me e shpëtue prej robiet
Besa ne na pret
Me madhshti flamurin
shtallun
E hedhniu n’Shqypni
Edhe armët n’dorë i kemi
Mjaft ma n’robni.
Ky
lloj vjershërimi dihet se anës estetike nuk i kushton fort interesim, por
megjithatë autori dëshmon për një talent të cilit nuk i kushtoi kujdes, vetëm
sa dëshmoi se në rrethana të tjera do të bëhej krijues i lakmuar. Strofat e
ndryshme, vargjet rrokje ndryshme, pastaj rimat e larmishme rrëfejnë diçka nga
ajo mjeshtri.
E, cili është autori i
veprës?
Josif
Jovan Bagëri (1870-1 është i lindur në Nistrovë të Dibrës. Si i ri, nuk pat
mundësi t’i ndjek mësimet fillore, por veç kur fati i kurbetçarit e hodhi në
Sofje të Bullgarisë më 1887, ai kreu një shkollë nate. Punoi këpucar gjatë
gjithë jetës, por përherë duke lëvizur e vepruar për çështjen kombëtare. Një
kohë, më 1901, kishte punuar në të njëjtin profesion edhe në Pirot të Serbisë.
Aq
ishte i përkushtuar, sa djali i tij vetëm 16 vjeçar me pushkë u vra në çetat
shqiptare në Manastir të Maqedonisë, për lirimin nga hordhitë turke më 1906.
Kur
formohet shoqëria atdhetare “Dëshira” e Bullgarisë, ai ishte në kryesinë e saj
dhe mjaft aktiv. Bashkëpunoi më shumë të përkohshme, qoftë me shkrime
publicistike apo edhe letrare, si “Kalendari kombiar” e Sofjes,”Shqipëria” e
Bukureshtit, “Shpnesa e Shqypënies” e Raguzës, “Lirija” ë Selanikut, “Besa” e
Konstantiopolit, “Vetëtima” e Sofjes e tjerë.
Po
ashtu kishte bashkëpunuar me shumë personalitete kombëtare, si me Sh. Kolonjën.
N. Ivanajn, L. Gurakuqin, J. Vreton, J, Vruhon, J. Erëbarën. I. Shytin e tjerë,
me të cilat edhe korrespondonte në vijimësi. Është me interes të paraqesim edhe
një korrespondencë që e kishte mbajtur me “vëllezërit kosovarë”, të cilët i
rrëfenin për dhunën serbe mbi ta, me të cilën ai veç ishte i njohur edhe nga
afër. Madje, si përgjigje për hegjemoninë e tyre, ai i ishte përgjigjur atyre
në gazetën “Drita” Sofje, nr. 6, 18-31 janar 1902, ku shkruan: “Ju doni të
ndreqni një Serbi të re në tokat e Shqipnisë së
vjetër.”
Për
ta aktualizuar çështjen shqiptare, ai me mjete modeste financiare dhe duke kërkuar
nëpër grupimet shqiptare në Bullgari, Rumani e Rusi, kishte arritur që ta
nxjerr një të përkohshme në Sofje, me titullin “Shqypéja e Shqypënis”
(1909-1911).
Po
për çështjet kombëtare ai bëri lëvizje të shumta, duke menduar në organizimin e
formave të ndryshme, vetëm që qenia kombëtare të mbetet e gjallë, qoftë me
hapjen e shkollave, botimet e ndryshme shqipe, qoftë edhe me organizimet
luftarake. Ai kishte qenë në Kosovë, në Shkup, në Dibër, në Tetovë, në Durrës,
duke vënë kontakte me personalitete të përkushtuar dhe realisht duke e parë
gjendjen e padrejtësive, injorancës dhe varfërisë që e kishte pllakosur
shqiptarin.
Edhe
pse në jetë shoqërues e pati edhe një sëmundje e cila nuk i shqitej si hije, ai
deri në momentet e fundit e injoronte me kokëfortësi. Duke u kthyer nga Durrës
në këmbë për tek familja në Sofje, i sfilitur nga gjendja e përgjithshme
shqiptare, nga varfëria e tij personale, dhe nga sëmundja e forcuar së fundi,
vdekja ia ndalon hapërimin në Prishtinë në vitin 1915, ku edhe prehet në varrezat
orthodokse, i mbetur pa shenjë e pa nishan, as sa për një nderim varrit të tij
të humbur.