E enjte, 01.05.2025, 11:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Kosova e Vorea Ujkos, gjeopetikë e shpirtit

E premte, 17.04.2020, 05:02 PM


KOSOVA E VOREA UJKO-s, GJEOPOETIKË E SHPIRTIT

(Lexime poetike. Vorea Ujko: “Kosovë”), IX

Nga Prend BUZHALA

Janë bërë rreth pesë dekada që poezia e poetit arbëresh Vorea Ujko (1918–1988) i ruan lidhjet e madhështisë së fjalës së tij poetike me lexuesin shqiptar, duke zhvilluar një dialog të pandërprerë e të hapët me përkimet poetike-kulturore-shpirtërore. Në këtë kontakt të hapësirave të ligjërimit shqip – arbërisht; këto botë, me mure dhimbjesh në mes, sikur i kanë dhënë e i japin diçka njëra-tjetrës.

1.

Lexuesi shqiptar e ai arbëresh e njeh nëpërmes vëllimeve të shtatë librave të poetikë: “Zgjimet e gjakut” (1971), “Kosovë” (1973), “Mote moderne” (1976), “Stinat e mia” (1980) – të botuara nëpër qendrat arbëreshe në Itali, si dhe në Tiranë: “Këngë arbëreshe” (1982), “Burimi” (1985) dhe “Hapma derën, zonja mëmë” (1990). Në Kosovë, pas luftës, në vitin 2000, u botua vëllimi “Gërmime në dhimbje”, që i zgjodhi Anton Nikë Berisha.

Sikur vetëm te ky premtim i moçëm, pra te ky kusht i besës, do të mund të nisesh e të rifillosh udhëtimin e shtegun jetësor apo historik:

Këtu unë e nis udhëtimin

apo këtu unë mbaroj?

Këtu unë të takova

këtu të ndjek ende.

Poeti e nis udhëtimin e tij nëpër Kosovë, prej nga u mor edhe poezia “Kosovë”, e mandej Ujko do të shtegtojë, përmes këngës së tij, nëpër gjeografinë e Atdheut, por përmes këngës ai do ta ndjekë, do ta endëzojë, do ta bëjë e do ta ribëjë edhe gjeopoetikën e tij shpirtërore: në Kalabri, në Çamëri, në Shqipëri, në Kosovë, në Ulqin e kudo tjetër. Kjo gjeopoetikë e shpirtit kumbon me atë jehonë fjalësh, tek depërtojnë thellë nëpër histori, për t’i gjetur rrënjët e forta “si një kujtim i largët në gjak”.

Kështu ndodh me secilin prej nesh, deri te Fryma e Fundit. "HAPMA DERËN, ZONJA MËMË", iu drejtua Vorea Ujko Shqipërisë (komuniste), me librin e tij poetik, sepse po e sillte një Doruntinë të shpirtit arbëresh pas pesë shekujsh. Kosovës iu drejtua drejtpërdrejt: “Kosovë”! Kujtesa arbëreshe zgjon peshë Shqipërinë dhe Kosovën. Sa të gjata pritjet tona! Gjeopoetika na shndërrohet në gjeopolitikë shpirtërore: që nga Kalabria, në Çamëri, në Shqipëri, në Kosovë, në Shkup, në Ulqin, në Preshevë, e kudo tjetër. Kjo gjeopoetikë e gjeopolitikë e shpirtit kumbon me atë jehonë fjalësh, tek depërtojnë thellë nëpër histori, për t’i gjetur rrënjët e forta “si një kujtim i largët në gjak”.

2.

Lirika që e kemi përpara, është struktura sipas parimeve krijuese të një moderniteti të mirëfilltë poetik. Janë dy vëllime poetike (“Kosovë” dhe “Hapma derën, zonja mëmë”), që e spikatin këtë udhëtim-kërkim identitar nëpër viset e dikurshme të “zonjës mëmë”, Kosovës dhe Shqipërisë, Arbërisë së dikurshme, për të cilën kanë shkruar me aq pasion, me aq mall, thellësi artistike e dashuri poetët arbëreshë nëpër shekuj. Kësisoj, edhe te poezia në shqyrtim poeti i veçon marrëdhëniet e ngushta të botës së brendshme me botën e njerëzve të tij. Përpos dëshmisë etnike-intime, kjo lirikë endëzon artistikisht një udhëtim e një kërkim të vlerave të amshueshme kombëtare e njerëzore; endëzon, pra, idealin etik mbi kuptimin e jetës.

Në të vërtetë, përmasat e ndjenjës atdhetare, përmasat e lidhjeve arbëreshe me të parët iliro-arbërorë, janë jashtëzakonisht të ndërliqshme: atë vazhdimisht e prekin dhe e çojnë peshë ankthi, trishtimi, tmerri, me një fjalë universi i ekzistimit arbëresh. Mandej do të pasojnë kërkimet e vazhdueshme për ta mundur këtë ankth. Për deri sa poetët arbëresh, deri te gjenerata e Vorea Ujkos, e përfytyrojnë atdheun me emrin Arbëri, ky poet bëhet ajo ura lidhëse mes kohësh e gjeneratash arbëreshe; ky dhé tashmë quhet Shqipëri, Kosovë, Çamëri...

Si i shfaqet, në pamje të parë, imazhi i Kosovës?

Ka hapa hijesh

të penguara në kapërcim

nga polipë të padukshëm,

ka labirinte nekropolesh

A është kjo kujtesa e parë e përfytyrimit arbëresh për trojet etnike të dheut mëmë?

Poezia, sado që jep një dëshmi lirike udhëtimi nëpër Kosovë, ai është një itinerar shpirtëror e meditativ. Në këto përsiatje ndodh një trokitje e moçme evokuese: e hapave të hijeve të dikurshme, e labirinteve

Udhëtimi ndodh si një labirint. I gjendur përballë këtij labirinti, ku shfaq dëshirat e gjakimet e tij, mallin për rrënjët e veta të dikurshme, ai stepet. E padepërtueshmja te e panjohura, te e pashpjegueshmja, ndodh si te rrëfimet për atë endacakun a shtegtarin që ndjek rrugën e drejtësisë dhe humbet në labirint e hapa hijesh! Rëndom, udhëtari në labirint humbet e nuk shpëton. Shpëton vetëm ai që e ka çelësin e urtisë. Labirinti është bota e nëndheshme (këtu, bota e nekropoleve, dëshmi e autoktonisë së lashtë). Labirinti është simbol i ndëshkimit të ndonjë mëkati, si te Homeri apo Dante. Është simbol i joshjes fatale. Kësaj radhe, i joshjes drejt atdheut të moçëm.

A ka gabuar poeti?

Në mos koha është një gabim?

Ku ka ndodhur thyerja (që autori nuk e jep, sepse ajo duhet të lexohet nëpërmes letrës pa germa, siç do të thoshte Shekspiri. Sintagmat poetike (polipë të padukshëm, labirinte nekropolesh), shënjojnë situatë të papritur: ai që e udhëheq, si një Virgjil, nëpër këtë labirint, nëpërmes polipësh të padukshëm, është vetë folësi lirik i kësaj poezie, pra, është vetë poeti që ligjëron e kumton në veten e parë.

Kur ideja poetike e strukturon botën si një labirint nekropolesh (nekropolet janë artefakte varresh të antikës, të lashtësisë, të dëshmisë së lashtë); ngjet si në një pelegrinazh që të dërgon te simboli i kërkuar - te parajsa a te shpëtimi (as te parajsa homerike, as te ajo danteske, por te ajo e kërkuara, te lashtësia e të parëve, që sugjeron parajsën e dikurshme). Dalja nga labirinti është shpëtimi nga ferri a nëntoka. Në këtë rast sugjerohet shpëtimi te gjetja e rrënjës së moçme, si arketip i shpëtimit nga e keqja a ligësia, përkatësisht nga asimilimi, bjerrja e identitetit.

Poeti është ai që e sodit këtë labirint, që rri afër me polipët, këto qenie të frikshme. Është malli shekullor, i pashuar. Polipët, a thua, qenkan ato qenie që e kanë kafshuar, tjetërsuar e shpërbërë qenien tonë? Që e kanë copëtuar e hapërdarë nëpër botë? Kaq të padukshëm ata, diku nën dhé?

3.

Së pari duhet ta dish se ku e nis udhëtimin, ku e vazhdon dhe kah gjendet d falja. Në letërsi labirinti është edhe simbol i gërshetimit të kohëve e hapësirave (në këtë rast, toka arbëreshe e ajo e Kosovës, kohët e moçme e të sotme, bëhen një, dhe do zhdrivilluar Perin e Ariadnës etnike). Polipët e padukshëm sugjerojnë qeniet monstruoze që e shumëzojnë të keqen në një hapësirë asimetrike të tmerrshme. E ato qenie gjenden kudo rreth nesh, në tl djeshmen e në të sotmen! Ai udhëton nëpër një Kosovë të padukshme misteresh:

ku unë sillem ëndrramend

duke shkelur botë të vjetra

e zëra të kumbueshme

e trokëllimë kuajsh

që shuhen larg.

E kaluara vjen si zë i mekur, mezi i dëgjueshëm, me zhurmërimë (zhurmërima është ai “zëri a zhurma e mbytur, e lehtë, e zgjatur, që del nga lëvizja e vijueshme e diçkaje nga pëshpëritjet”, siç e shpjegon Fjalori). Ai sillet “ëndrramend”: sa bukur e ka krijuar këtë neologjizëm poetike, ku ëndrra e mendja, racionalja e irracionalja, ndërdija e vetëdija, bëhen NJË”! Një gjetje më shumë se antologjike! Një fjalëtrajtë, fjalë-sintezë, fjalëshprehje që semantizon, shënjon e simbolizon shumëçka. Ti sikur gjendesh në një udhëtim nëpër hapësirën e një legjende të jetës. Jeta i thur ato... Shumë kupa (të hidhura) të dhurojnë shtigjet (dhe përjetimet) jetësore, por autori e ka gjetur kodin e vet të rezistimit. Dhe ato shtegtime e përjetime i dalin si këndim i biografisë së shpirtit, një udhëtim nga ëndrra për tek realiteti, një kapërcim ortekësh ekzistencialë për ta kërkuar qetësinë e prehjen...

4.

Te kjo poezi nuk ka asgjë emfatike a të fryrë, folklorizuese a boshllëk vargëzues a kuptimor. Vorea Ujko, edhe kur ligjëronte, edhe kur shkruante, mendonte e sillej si një aristokrat i shpirtit e i mendjes. Si një fisnik zemërgjerë e bujar. Të tillë e kishte dhe shprehjen poetike. Të epërme. Është tipi i poezisë që quhet lirikë e kulluar, lirikë e pastër, moderne, të cilën koha e sotme, e mbarsur me të tjera preokupime, e ka braktisur këtë tip këndimi. Por lirikat e tilla tejkalojnë kohët.

Kësisoj, në njësinë poetike në vijim, nga nëntoka poeti ngrihet në qiell. Nga horizontalja te vertikalja, te lartësimi.

E gjithçka dendësohet

në trajta të papandehura

dhe shket n'ajër

një send i pacaktuar

i çuditshëm i përmallshëm.

Lartësohet malli, apo një gjë që nuk mund të shpjegohet (mbase janë mirazhe lirike, janë trajtat e këtij malli kaq polimorfe në kuptime, mall me përmbajtje të kondensuar, të dendësuar, siç janë vetë shprehjet poetike).

Poeti zbret te e pashprehshmja, te e çuditshmja, te e papandehura. Te bota që rrudhet e dendësohet, ngushtohet! Shfaqen trajtat e papritura. Forma të papërcaktuara njëherësh. Është Kodi i Të Përmallshmes, që t’i ligjëron gjithë këto botë të nëndheshme e qiellore, nëntokë e hyjni.

E tash, mjafton t’i kthehemi pikës së fillimit me vargjet që i jep në fund të poezisë:

Këtu unë e nis udhëtimin

apo këtu unë mbaroj?

Këtu unë të takova

këtu të ndjek ende.

Secili shtegtim nis nga këtu! Dhe këtu mbaron! Bota zë fill këtu dhe pika e fundit të udhëtimit gjendet këtu, pika fundore e botës, e realiteteve. Aty ku nisesh, aty qenka edhe fundi i një shtegtim-gjakimi. Fillimi është fund e fundi është fillim. "Kur të arrini në fundin e asaj që duhet të dini, do të jeni në fillim të asaj që duhet të kuptoni", na kumton poeti i shquar botëror Kahlil Gibrán. “Apo këtu unë mbaroj?”, shfaq skepsën e tij Ujko. Kjo skepsë na shpie te shqiptimi i dëshirimit të tij që asgjë të mos marrë fund për ta shuar gjakim-kërkimin e tij:

Këtu unë të takova

këtu të ndjek ende.

Kërkimi e gjakimi nuk marrin fund asnjëherë. Ngjet si në arketipin biblik: në fillim ishte (fjala). Malli mbetet gjithnjë i pashuar. Teksti nuk pran, do të thoshte Podrimja ynë.

-----------

Vorea UJKO

KOSOVË

Ka hapa hijesh

të penguara në kapërcim

nga polipë të padukshëm,

ka labirinte nekropolesh

ku unë sillem ëndrramend

duke shkelur bote të vjetra

e zëra të kumbueshme

e trokëllimë kuajsh

që shuhen larg.

E gjithçka dendësohet

në trajta të papandehura

dhe shket n'ajër

një send i pacaktuar

i çuditshëm i përmallshëm.

Këtu unë e nis udhëtimin

apo këtu unë mbaroj?

Këtu unë të takova

këtu të ndjek ende.

(1973)

(Prend N. Buzhala, 9 prill 2020)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx