Kulturë
Albert Zholi: Një jetë interesante në tri kohë
E diele, 19.04.2020, 10:08 AM
Libri monografik “Jeta ime dhe shokët”, një jetë interesante në tri kohë
Nga
Albert Z. Zholi (shkrimtar,
publicist)
Libri
monografik “Jeta ime dhe shokët”, përbën
një hap cilësor në jetën letrare dhe atë publicistike të autorit Arjan Beqari.
Autori (pas disa botimesh) vjen në këtë libër
me dëshirën për të lënë në breza historinë e fisit të tij, të vetes së
vet, ushtrisë së lavdishme shqiptare, por edhe një pjesë të historisë së Velçës
së tij të dashur, që ai i ka kënduar me aq pasion. Siç shkruan në libër, autori
e ndjente si përgjegjësi intelektuale, qytetare, patriotike, historike për të
hedhur në libër kujtimet, mendimet, komentet jetësore, ngjarjet, datat që kanë qenë pjesë e jetës së tij, por edhe e
fshatit dhe zonës ku ai ka lindur, jetuar apo banuar. Gjithë libri është
shkruar me kulturë, përgjegjësi, korrektësi dhe duke u bazuar mbi fakte dhe jo mbi dëshira. Si
intelektual i formuar, autori kurrsesi si ka vendosur ngjarjet sipas interesave, sipas pikëpamjeve të tij,
por me gjakftohtësi i ka vendosur në vend dhe në kohë, për tu lënë brezave një
libër më shumë informacion për zonat, qytetet, repartet ku ai ka kaluar jetën.
Libri në tërësinë e vet përmbledh tre etapa jetësore, lindjen dhe rritjen, deri
në përfundim të luftës nacionalçlirimtare, periudhën e shkollimit në ish-BS, në sistemin komunist, punën dhe
formimin si intelektual dhe pjesa e tretë është jeta dhe puna pas përmbysjes së
sistemit komunist.
Arjani dhe lufta
nacionalçlirimtare
Lindur
dhe rritur në një familje patriotike, familja e tij u lidh ngushte më luftën
nacionalçlirimtare që siç e përshkruan ai dhe mjaft krijues të Velçës, mbetet
lufta më heroike dhe më e organizuar e popullit shqiptar në shekuj. Qysh në
fillim të luftës babai i tij së bashku me disa velçotë u bënë aktivistë të lëvizjes për çlirimin e vendit
dhe për këtë arsye ai nuk flinte në shtëpi. Gjatë luftës gjithë familja e
tij ishte nën kujdesin e nënës, një grua
nikoqire, e zgjuar dhe e dashur jo vetëm me ta, por edhe me gjitonët dhe gjithë
fshatin. Nëna, Rabua kur italianët i vunë zjarrin shtëpisë (së bashku me
gjashtë shtëpive të tjera të Velçës), hyri në dhomën me oxhak në mes të flakëve
duke nxjerrë grurin dhe miellin e shtëpisë, rrobat e fjetjes (jorganët,
dyshekët e velenxat) si dhe veshjet e fëmijëve. Një akt, që e bën një nënë
trimëreshë, me zemër të gjerë. Lëvizja nacionalçlirimtare rritej dhe bashkë me të rritej dhe Arjani,
duke e kuptuar më mirë gjendjen në fshat dhe në krahinë. Me krijimin e
Këshillit Nacionalçlirimtar, të celulës së P.K.SH-së dhe çetës territoriale të
fshatit, ku babai i tij u emërua komisar dhe Saliko Sulua, komandant, shtëpia e
tyre u kthye në bazë të lëvizjes nacionalçlirimtare. Më vonë, autori dha
kontributin e tij në luftë si korrier për fshatrat Ramicë e Brataj edhe pse në
vitin 1943, nuk kishte mbushur moshën 10-vjeç. Në libër tregohet me krenari se
në shtëpinë e tyre vinin shpesh udhëheqës të P.K.SH-së, si Hysni Kapo, Todi
Manço, Ibrahim Dervishi, etj. Por ajo që i ka ngelur më shumë në kujtesë është
fisnikja Ramize Gjebrea, që një natë para se të ekzekutohej në Ramicë, fjeti në
shtëpinë e tyre, së bashku dhe me një partizan që e shoqëronte. Por...Megjithëse
ishte i vogël, kur mori vesh ekzekutimin e saj, të këtij engjëlli, i rrodhën
lot nga sytë fëminor duke mos kuptuar atëhere arsyen pse ishte ekzekutuar.
Autori e hyjnizon luftën, pasi pikërisht me luftën heroike që zhvilloi Fronti
Nacional-çlirimtar e kreu misionin historik dhe i arriti objektivat themelorë
strategjikë: çlirimin e vendit dhe rivendosjen e pavarësisë kombëtare. Lufta
Antifashiste Nacional-çlirimtare ishte një provë, që tregoi vlerat morale e
politike të shqiptarëve. Në këtë luftë, populli shqiptar dëshmoi se ishte i
mbrujtur me idealin e lirisë e të pavarësisë së atdheut. Ai tregoi zgjuarsi dhe
pjekuri të madhe politike, duke u rreshtuar në krahun e forcave më përparimtare
të kohës, krahas koalicionit anglo-sovjeto-amerikan. Më në fund, për të
realizuar idealin e lirisë dhe të pavarësisë së atdheut ai nuk kurseu asgjë,
pranoi çdo sakrificë. Shqipëria, një vend që s’i kalonte një milion banorë,
arriti të ngrejë në këmbë një ushtri të organizuar që numëronte në radhët e saj
mbi 70 mijë luftëtarë, e cila i gozhdoi në luftime në territorin shqiptar 15
divizione italiane e gjermane, me rreth 700 mijë ushtarë dhe nxori jashtë
luftimit 70 mijë prej tyre. Shqipëria i dha luftës 28 mijë dëshmorë dhe mijëra
të tjerë të plagosur e të gjymtuar në kampet e përqendrimit fashist, veç
djegies, shkatërrimit e rrënimit të fshatrave dhe qyteteve të tëra. Të
llogaritura për frymë të popullsisë, Shqipëria zë një nga vendet e para në botë
për sakrificat dhe dëmet njerëzore e materiale në vitet e luftës. Ajo është
gjithashtu vendi i vetëm në Evropë që u çlirua me forcat e veta. Familja e
autorit është krenare që ishte pjesë e kësaj lufte të lavdishme...
Arjani pas çlirimit,
shkollimi dhe vizioni për jetën
Dëshira
për arsimim ishte ëndrra e tij e madhe. Rastësia mbreti i botës. Në shtëpinë e
tyre një natë darkoi doktor Ibrahim Dervishi, shok lufte me babanë i cili
shfaqi mendimin që Arjani të vazhdonte shkollën Skënderbej në Tiranë. Punët u
rregulluan dhe në fund të muajit korrik të vitit 1947, pranohet skënderbegas,
dhe bëhet nxënës ushtarak i klasës së 7-të. Për tre vjet rresht (1947-1950)
shkëlqeu në mësime duke u dalluar dhe në përgatitjen fizike. Etja për dije e
kishte mbërthyer të tërin. Libri u bë për të pjesa e pandarë. Dhjetor 1950 –
Shtator 1953, shkon kursant në Kiev të ish-Bashkimit Sovjetik. Nisjen ia
komunikoi drejtori i përgjithshëm i kuadrit të asaj kohe, gjeneral-major Haxhi
Lleshi. Në biseda mes miqsh ai mbante parasysh thënien e Charles Eliot: “Librat janë miqtë më të qetë dhe më të
përhershëm; ata janë këshilltarët më të gjindshëm dhe më të mençur dhe mësuesit
më të durueshëm.” Dhe rruga e dijes vazhdon…Tetor 1953 – Dhjetor 1954,
nëntoger, komandant toge ndërlidhjeje në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve
Tiranë. Dhjetor 1954 – Gusht 1956, për studime në Shkollën e Lartë të
Radiolokacionit në qytetin Evpatoria të Bashkimit Sovjetik (Krime). Kulmi i
studimeve arriti kur në Dhjetor 1959 - Gusht 1961, ishte student në Bashkimin
Sovjetik për inxhinier elektronik. Ëndrra e madhe u realizua. Në tërë jetën e
tij ushtarake ai pati detyra nga në të rëndësishmet. Jeta e tij ishte si në
luftë. Shërbime, përgjegjësi, debate, arritje, rezultate, ngërçe, stepje,
kërkim i së drejtës, mosnënvleftësim i bashkëpunëtorëve, sfilitje me punë orar
pa orar, dyshime dhe mosbesime, por të gjitha nën thirrjen e brendshme për
përparimin dhe mbrojtjen e atdheut. Askush sot nuk mund ti mohojë ato
sakrifica. Ditë të tëra shërbimi pa pagesë. Mendime dhe studime për të
realizuar pajisje dhe aparate që nuk prodhoheshin më parë gjithmonë duke
bashkëpunuar më shokët që si ndante
kurrë në çdo hap të jetës. Miqësia dhe vlerat e shokëve për të ishin dhe mbeten
të shenjta. Këto mund ti bëjë vetëm një
intelektual që do atdheun, do zhvillimin, përparimin, të bukurën. Edhe në
momentet më të vështira, autori ka folur me ndershmëri, me drejtësi edhe pse
ishte në pres të briskut. Ajo se çfarë i duhet një intelektuali nuk është asgjë
tjetër përpos guximit dhe mençurisë. Dikush mund të jetë shumë i mençur, por
nëse i mungon guximi që të shprehet, që të thotë atë çfarë mendon, që të bëjë
atë që mendon, që t’ua transmetoj të tjerëve, atëherë ai nuk është i mençur dhe
rrjedhimisht as intelektual. Po të flasësh dhe të shprehësh mendimet duke thënë
të vërtetën dhe nëse kjo gjë nuk përkon në favor të pushtetit, atëherë tregon
vlerat më të larta njerëzore, intelektuale, civilizuese. Autori në punën e tij
fliste me gjuhën e specialistit, të ndershmërisë, të vërtetës, ndaj nuk kishte
frikë dhe ecte kokëlartë. Njerëzit që shprehin mendimet dhe pikëpamjet e tyre
kanë çarë në jetë, por edhe popujt e civilizuar kanë përparuar duke thënë të
vërtetën, sepse nëse e vërteta nuk thuhet shtetet nuk përparojnë. Duke mbajtur
gojën mbyllur nuk fiton asgjë, pos vetëm humb personalitetin dhe dinjitetin.
Jeta e tij me shumë të papritura e bëri të ecë dhe pse në moshën më prodhimtare
doli në pension.
Vitet e demokracisë
Pas
vdekjes së Enver Hoxhës në vitin 1985, ai u pasua në pushtet nga Ramiz Alia.
Politika e brendshme e Ramiz Alisë e drejtuar drejt shmangies së sistemit komunist,
ndërsa fuste disa reforma graduale në përpjekje për të gjallëruar ekonominë.
Ekonomia e shtetit monist ishte futur në një spirale krize e recesioni sidomos
pas ndërprerjes së ndihmave nga aleatët komunistë të lindjes. Kështu, Ramiz
Alia legalizoi investimet e firmave të huaja në Shqipëri dhe filloi marrëdhënie
diplomatike me vende të Europës Perëndimore. Rënia e komunizmit në Shqipëri
filloi në dhjetor të vitit 1990 me demonstratat antikomuniste studentore. Me
rënien e Murit të Berlinit ranë edhe një sërë regjimesh diktatoriale komuniste në
Europën lindore. Gjatë vitit 1989, segmente të ndryshme të shoqërisë shqiptare
u bënë politikisht aktive dhe filluan të aktivizoheshin me forcë kundër
qeverisjes moniste. Nga presioni Ramiz Alia u detyrua të garantonte lirinë për
të udhëtuar jashtë shtetit, më parë të ndaluar rreptësisht. Reduktoi gjithashtu
edhe fuqinë e Sigurimit të Shtetit, lejoi lirinë e fesë, dhe adoptoi disa masa
të tregut të lirë. Në dhjetorin e vitit 1990, Ramiz Alia nën presionin e studentëve
u detyrua të lejonte krijimin e forcave politike të pavarura, duke shënjuar
kështu fundin e monopolit të Partisë Komuniste. Ishin vitet kur autori i librit
mori nisma individuale për të siguruar mirëqenien e tij. Profesioni e bënte atë
të kërkuar në treg. Shoqëria dhe miqtë e kërkonin kudo. Së bashku me
bashkëshorten (që ai e vlerëson maksimalisht pasi i e ka mbështetur në çdo
nismë) ai filloi të punojë privat. Qëndroi larg partive politike por shihte me
interes zhvillimet në vend. Ndjente keqardhje për rrokopujën që po merrte
ekonomia shqiptare. U shkatërruan uzinat, fabrikat, repartet ushtarake. Gjithë
armatimi i ushtrisë u shit për skrap. Ku shkuan radiolokatorët me vlerë? Autori ndjente keqardhje. Ai mbante
shënime për çdo zhvillim në vend. Në këto kushte ai punonte, studionte, mbante
shënime por edhe aktivizohej me Shoqatën e Velçës. U lidh më shumë me
vendlindjen dhe lexonte çdo libër që dilte për fshatin, figurat patriotike të
tij dhe zonën. Pra, filloi sërish të
bënte një jetë aktive, por duke u shkëputur plotësisht nga çdo veprimtari
politike pa ndryshuar bindjet e tij. Aktualisht, autori është anëtar i shoqatës së ushtarakëve
të liruar, si dhe anëtar i Shoqatës Atdhetare Kulturore Velça, për të cilën kontribuon
duke shkruar për vlerat e të parëve, trimave, patriotëve burrërorë e të zgjuar,
miqve dhe shokëve si dhe për natyrën e bukur të Velçës, e cila e frymëzon edhe
sot. Ai në çdo bisedë, çdo sukses të tij e lidh me shokët të cilët ishin pjesa
e artë e arritjeve në jetë. Libri monografik i Arjan Beqarit është një dëshmi
reale e kohës që ka jetuar, konkrete, e shkruar me kulturë dhe vërtetësi që do
të tregojë, jo vetëm jetën e fisit, të
familjes dhe të Velçës, por ajo njëherazi është dhe një mikro-pjesë reale, e
jetuar, e historisë së Shqipërisë, por sidomos e ushtrisë shqiptare në kohën e
lavdisë së saj.