Kulturë
Prend Buzhala: Shugurimi poetik e ilirik i vetënjohjes
E premte, 24.04.2020, 11:10 AM
SHUGURIMI POETIK E ILIRIK I VETËNJOHJES
(Lexime
poetike. Poezia “EMËRSHENJTI I ILIRISË” e Ragip Sylajt), XX
Nga
Prend BUZHALA
Ragip
Sylaj (1959-2018) është ndër krijues vlerash elitare: poet, prozator,
dramaturg, kritik i vyeshëm letrar, por, mbi të gjitha, një njeri vlerash
sublime njerëzore. Fitues i shumë çmimeve letrare, ai ishte edhe vetë ndër
vlerësuesit dinamikë të letërsisë sonë. Po e veçojmë poezinë "EMËRSHENJTI
I ILIRISË" nga vëllimi "Mëngjes qumështor me akull” e që është libri
i katërt i poezive të tij. Këtë poezi ai ia kushton Shën Jeronimit ilir.
1.
Kjo
poezi hapet me vargun "Në arkeologjinë e rrënjës të gjeta". Vargu, si
i tillë, dhe e tërë kjo poezi, e ka paradigmën autoriale lirike tek shumë
krijime të tij. Kësisoj, te fjalori poetik i rrënjës hyjnë lisi, atdheu, degët,
trupi i atdheut etj e që shënjojnë pamje të identitet tonë trashëgimor,
historik e nacional. Krijuesi sikur mëton të sendërtojë një projekt poetik mbi
etninë: “Lloji yt nuk zhduket/ Me prejardhje nga shpendi i Hyut/ Që ngre
çerdhen në Lisin e Dodonës”, thotë te një poezi. Nëse semantemën poetike “Lis”
ai e artikulon e shtrin në botën e shqetësimeve poetike që nga libri i poezive
“Lisi i shenjtë” (1993); nëse kjo paradigmë figurative shtegton edhe tej e më
tej tek libri, po ashtu te libri i poezive “Anatomia e rrënjës” (1989); atëherë
në poezinë “Lisi i Shqipes” (te vëllimi {Mëngjes..."), e ndërton këtë
paradigmë poetike mbi kulturën, mbi qytetërimet, mbi besimet e mbi përvojat
historike e shpirtërore të identitetit kombëtar. Në vullanjtë e këtij
projektimi artistik, folësi lirik i bart në qenien e vet aktive ndeshjet e
qytetërimeve e ndeshjet e hapësirave me dramën e përgjakshme të ndodhive. I bart
trajtat e përmbajtjet e ndryshme të kësaj trashëgimie, me konvertimet e
përçudshme, me përmasat e gjera të konfrontimeve. Dhe të gjitha këto do ta
shquajnë identitetin e veçantë shqiptar.
Në arkeologjinë e
rrënjës të gjeta
Shpirtpërndritur në
Stridon Illyricum
Me pije mjalti e sabaje
na vajti jeta
Erdhi një kohë e
gjithçka u bë shkrumb
Vargjet
sugjerojnë referenca nga koha ilirike: vendlindja (Stridoni ilir), pija e
mjaltit e sabaja që janë prodhime ilire.
Ç'është
sabaja?
Këshru
ilirët, siç na dëshmon Shën Jeronimi, ata e kanë quajtur birrën e sotme. Sipas
mitologjisë antike ilire, kjo pije ishte një nga dhuratat e flijimit për
perënditë antike ilire të të korrave dhe prodhimeve bujëqosre. Ndërkaq,
Ammianus Marcellin-i dhe Cassius (autorë antikë) dëshmojnë se ajo ishte një
pije për të varfrit, për shkak se romakët pinin verë, ndërsa Valens perandori
ilir i Perandorisë romake, e quante me "humor" a përtallje
Sabaiarius, për shkak se ai e pëlqente pijen e birrës. Kurse vargu i fundit
"Erdhi një kohë e gjithçka u bë shkrumb", po ashtu është një
referencë nga shkrimet e Shën Jeornimit që dëshmon për shkatërrimet barbare në
Iliri. Ai ishte dëshmitar i depërtimit të popujve barbarë në Panoni e në
Dalmaci, të cilët u kishin shkaktuar ilirëve dhe romakëve vuajtje të mëdha dhe
u sollën atyre shkatërrime të pafund (shekujt II e III). Në njërën nga
“Epistolat” e tij, ai bën një përshkrim tronditës të atyre ngjarjeve:
“Më
rrënqethet shtati, kur mendoj të tregoj për shkatërrimet në kohën tonë… goti,
sarmati, kuadi, alani, huni, vandalët dhe markomanët shkretëtërojnë, plaçkisin
dhe grabisin Sktythinë, Maqedoninë, Dardaninë, Dakinë, Thesalinë, Ahenë,
Epirin, Dalmatinë dhe gjithë Panoninë. Sa gra fisnike, sa virgjëresha kushtuar
zotit, sa njerëz të lirë dhe fisnikë u dhunuan në këto luftëra! U morën robër
peshkopë, u vranë presbyterë dhe shërbyes të tjerë të ndryshëm të kishës. U
shkatërruan kishat. Pranë altarëve të Krishtit u vendosën kuajt si në grazhd.
Kockat e martirëve u nxorën nga varret. Kudo zi, kudo tmerr dhe hija e madhe e
vdekjes.” (“Ilirët dhe Iliria : te autorët antike”, Tiranë Universiteti
Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, 1965).
Mbi
këto referenca ai thur intertekstin e tij poetik. Interteksti (Julia Kristeva)
thur marrëdhëniet midis teksteve. Në këtë rast, ndryshe nga poetika
postmoderniste (që shfrytëzon citatet, parodinë, paskuinën a pamfletin satirik,
ironinë etj), Ragip Sylaj, si nyje ndërtekstuale, përdor aluzionin dhe
adaptimin e referencave historike-shkrimore.
Në
vargun e dytë ai përdor epitetin "Shpirtpërndritur". Edhe ky epitet
ka konotacion të gjerë kuptimor, që ndërlidhet me përkthimet biblike (Shën
Jeronimi përkthimin e Biblës ia dhuroi Evropës) me shkrimet e Shën Jeronimit,
si autor i rangut botëror. Përndritjet kanë të bëjnë, pra, me ndriçimin e
mendjes e të shpirtit në një kohë të kapërcyellit historik. Ishte koha kur
krishterimin nuk e morëm prej romakëve (se Roma na përndoqi 300 vjet rresht)...
Pra, Roma e mori prej nesh, nëpërmes perandorëve ilirë që e drejtuan Romën.
Krishterimi ndër ilirët u përhap si besim i martirizuar... U përhap si IDE E
LIRISË kundër skllavopronarisë pushtuese romake... E pra, perandorët ilirë dhe
vete ilirët ia ndërruan kahet historisë evropiane: duke ua përkthyer Biblën
(Shën Jeronimi ilir), duke ua dhënë krishterimin (Shën Konstantini etj), duke
ua dhënë himnin kishtar TE DEUM (Shën Niketë Dardani nga Remesiana ilire e
Nishit, simbol i traditës sonë muzikore e autor tekstesh sakrale... kur nuk
kishte ende sllavë në Gadishullin Ilir që sot quhet Ballkan), duke ndërtuar
konceptin e lirive e te drejtave njerëzore dhe duke ua kodifikuar kushtetutën
romake që është themel i kushtetutave të sotme europerëndimore moderne
(Justiniani ose Shën Justiniani)... Shën Jeronimit ilir (340-420), pajtor i
bibliotekave, përkthyesve, satiristëve e polemistëve, dhe, mbasi ishte
përkthyes i Biblës, përzgjidhet edhe pajtor i shkrimtarëve dhe gazetarëve të
krishterë. Mbi të gjitha, nderohet si Njeri i Biblës. Figura e Shën Jeronimit
zgjohet nga lashtësia dhe vjen në kohën tonë si njëri ndër personalitetet
qendrore të krishterimit, të kulturës e të qytetërimit evropian dhe të botës
shqiptare.... Dhe epiteti i poetit Sylaj e sintetizon vetëm me një epitet tejet
domethënës rikrijues, edhe si neologjizëm poetike:
"sjhpirtpërndritur". . vargu i fundit (Erdhi një kohë e gjithçka u bë
shkrumb), përpos referencës tekstuale jeronimiane të shkatërrimit të Ilirisë
nga barbarët: bart edhe shenjën autoriale për rrënimet që ndodhën më pas në
hapësirat ilire, të zhbërjes së asaj të kaluare, e të vendosjes së sllavëve në
këto treva. Porse, poeti na thotë se rrënjët janë aty, me dritën e dikurshme të
shpirtit ilir.
2.
Është
ajo dritë shpirti që përhapë dritën e vetëdijes, zgjimit, shmangies nga
errësira, në këtë rast, te poeti anë, edhe si paradigmë e rrënjëve tona, siç e
pamë më lart. "Shpirtpërndrituri" është frymë ndriçimi, qenie që
prodhon hapje njohjesh, është pjesa më e mrekullueshme e qenies njerëzore, në
këtë rast, e personalitetit historik të Shën Jeronimit. Veprimtaria e tij në
fushën e përkthimeve, veprimtaria e tij letrare, diturore, ekleziastike,
historiografike dhe, përgjithësisht, veprimtaria e tij shkrimore e jetësore,
rrezatojnë, pra, edhe sot, përmasa të reja.
Ilirisht më ngroh në
këtë cegmë
Boa buall buell bollë
boll
Dhe Ti fluturove nga kjo
degë
Apo u shkëpute si
pinjoll
Eni e Epikadi dhe
Scriptores Illyriani
Ma ndezën shpirtin tim
ilir shqiptar
Ma ndezën mallin tim
pagan arian
Tashmë
autori, nga referencat tekstuale jeronimiane-poetike, na fut në një botë
tjetër, në atë mitologjike e semiologjike të fjalës (Boa buall buell bollë boll
- miti i gjarprit ilir, si kult autokton), te dëshmitë: në atë të etimologjisë
së fjalës si etimon shpirti e dëshmie (Eni e Epikadi dhe Scriptores Illyriani).
Madje përdorimi i togfjalëshit latinisht (Scriptores Illyriani) është një
dëshmi tjetër se edhe ne e kemi antikën tonë, antikën ilire, qoftë edhe si
latinitet ilir apo si iliricitet latin (latinishtja ishte gjuhë e qytetërimit
botëror antik, si gjuhë shkrimit, e komunikimit dhe e kulturës).
3.
Në
këtë mënyrë personaliteti i tij nuk ka se si të mos i japë vulë identitetit
kulturor, nacional, qoftë edhe ai fetar si trashëgimi evropiane e arbërore.
Përmes emrit të tij dje dhe përmes emrit të tij sot Evropa di më shumë për
ilirët dhe për shqiptarët, ashtu sikundër di për ne përmes emrave emblematikë
të Nënës Tereze apo të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Për këta dy mijë vjet,
pra, nga gjiri iliro-shqiptar, në momentet e krizave, të kthesave historike e
të përplasjeve nga më të ndryshmet, del një figurë që bëhet emblemë e
identitetit nacional, emblemë e identitetit fetar-kulturor, emblemë e lirisë po
edhe emblemë e bamirësisë apo e “dashurisë në vepër” .
Pra,
poeti na dërgon gjithnjë te rrënjët, te kjo arkeologji shpirti e trashëgimie,
aty, ku në motin e mohimeve apo cegmave, ai e ndien veten mirë: "Ilirisht
më ngroh në këtë cegmë". Poeti gjendet në nëntokën e thellë të Ditës së
Kujtimeve, për t'i parë gjurmët e gjakut të Asaj Dite Epoke , në atë Rreth të
përjetësisë. Pothuajse ai zjarr antik (që ngroh edhe sot), nuk shuhet, sepse
ekzistojnë pasardhësit. Ai zbret thellësive ilirishte, që ende qëndrojnë nën
dhé, tek rrënjët. Rrethi ende nuk është mbyllur, mbasi poeti shpall se jemi
pjesë e asaj bote shpirndritjesh.
Nuk
është për t`u habitur, prandaj, pse autori shtegton e shtegton në kërkim të
këtij identiteti, në kërkim të thellësive të kësaj qenieje historike e
mitologjike dhe pse i aktivizon vizionet, po ashtu, të shtresëzuara etnike nga
e kaluara, siç janë jo vetëm lashtësia e vetmia historike e këtij
kolektiviteti, por ashtu siç janë edhe prirjet për të qenë pjesë e identitetit
evropian, të cilit identitet i ka dhuruar shumë e shumë edhe polemi
iliro-shqiptar:
Në këngë më shugurove
apostull
I madhi Sanct Hieronymus
Nga dega mos u hodhe si
zgalemi
Emërshenjti i Ilirisë:
Jeronim Euzebi
Në arkeologjinë e
rrënjës më zbulove
Të ronitur të zgërlaqur
në Kosovë
Ku pësimi ishte prore
sprovë
E qëllimi i lartë është
forcë
Poezia
“Emërshenjti i Ilirisë” e nis dhe e vë në udhë arkeologjinë e kësaj rrënje
etnike. Krijuesi është i ndërgjegjshëm, pra, se askush si ne nuk e ka pësuar më
shumë në këtë fushëbetejë ndeshjesh e davaritjesh, saqë krijohen aso situatash
dostojevskiane e borhesiane, kur realiteti, sikundër thuhet, ia kalon edhe
fantastikes... Interesimi i sotëm për figurën e Euseb Sofron Jeronimit në
suazat historiko-letrare, është interesim për vetveten dhe për kulturën tonë.
Edhe sot ilirët, siç do të shprehej Aleksandër Stipçeviq, “janë brenda nesh.”
Poeti na e thotë se ata janë te arkeologjia e rrënjës sonë.
Pra,
edhe rëndësia historiko-letrare dhe kulturologjike e veprës së Shën Jeronimit
qëndron te ndikimi mijëravjeçar në jetën shpirtërore të popujve evropianë. Nga
ana tjetër, më se njëherë, me mburrje, vetë Shën Jeronimi e ka theksuar
përkatësinë e tij ilire. Këtë poeti e bën për shkak e pasojë: se "qëllimi
i lartë" prodhon energji, forcë përtëritëse në Kosovën e ronitur e të
zgërlaqur nga mohimet e shtrofimet e identitetit tonë. Do të thoshim: nga
abortimet e këtij identiteti. "Shpirti, i cili nuk ka qëllim të lartë në
jetë, është i humbur" (Michel de Montaigne). Porse poeti nuk e pranon
gjendjen e tillë. Ai shugorohet në poezinë e tij, përmes këtij emri: (Në këngë
më shugurove apostull/ I madhi Sanct Hieronymus), pra, bekohet përmes emrit të
tij apostullor. Poezia dhe shenjtori ilir janë një. Identifikimi është i
plotë... deri te "qëllimi i lartë" që i jep forcë. Kohët ilrike
shkrihen në kohën tonë. I jep forcë jo vetëm si individ, por si kolektivitet
nacional. Ky shugurim është historik e nacional.
Është
shpëtimtar!
E
kush tjetër u dashka të kujdeset për veten tonë, përpos vetvetes, për ta
rikthyer këtë fuqi si qëllim i lartë? Për ta rikthyer si bukuri e brendshme, si
rinovim të qenies, si rimbushje e vetvetes në boshllëqet ekzistenciale
kundruall traumave historike, kundruall tronditjeve të jetës; si
tej-vigjilencë, si mendje prodhuese... Ky është përballimi më i mirë në këto
zgërlaqje kohësh a katrahurash, dëshiron të na thotë poeti. S'kemi përse të
vajtojmë as të dorëzohemi, sepse përpara e kemi "këtë qëllim"! Ndryshe,
e krijojmë pafuqinë e pasigurinë ekstreme, shkatërrimin, që pengon ecjen e
pëndritjes a ecjen përpara. Ky shugurim poetik na sugjeron hyjnoren që na e
tregon rrugën se si duhet të shikojmë në zemrat tona. "Të nisësh për të
menduar me qëllim, do të thotë të futesh në radhët e atyre të fortëve që njohin
vetëm dështimin si një nga rrugët për arritje", shprehet James Allen, një
autor anglez tekstesh letrare e filozofike.
Poeti
shkoi në amshim me këtë shugurim poetik në zemër.
_________________________________
RAGIP SYLAJ
EMËRSHENJTI I ILIRISË
Në
arkeologjinë e rrënjës të gjeta
Shpirtpërndritur
në Stridon Illyricum
Me
pije mjalti e sabaje na vajti jeta
Erdhi
një kohë e gjithçka u bë shkrumb
Ilirisht
më ngroh në këtë cegmë
Boa
buall buell bollë boll
Dhe
Ti fluturove nga kjo degë
Apo
u shkëpute si pinjoll
Eni
e Epikadi dhe Scriptores Illyriani
Ma
ndezën shpirtin tim ilir shqiptar
Ma
ndezën mallin tim pagan arian
Në
këngë më shugurove apostull
I
madhi Sanct Hieronymus
Nga
dega mos u hodhe si zgalemi
Emërshenjti
i Ilirisë: Jeronim Euzebi
Në
arkeologjinë e rrënjës më zbulove
Të
ronitur të zgërlaqur në Kosovë
Ku
pësimi ishte prore sprovë
E
qëllimi i lartë është forcë
(nga libri "Mëngjes
qumështor me akull", 2000)
(Prend N. Buzhala, 20 prill 2020)