Kulturë
Prend Buzhala: Mbishkrimi i përjetshëm lirik i shqipes
E merkure, 22.04.2020, 02:57 PM
MBISHKRIMI I PËRJETSHËM LIRIK I SHQIPES
(Lexime
poetike. Poezia “Nojma e shqipes “ e Nehat S. Hoxhës), XIV
Nga
Prend BUZHALA
Gjuha
vjen e para. Gjuha ndërton vetëdijen. Këto dy tipare i shquan krijuesi Nehat S.
Hoxha Hoxha (1951 – 2017) në poezinë e tij “Nojma e shqipes “që e morëm për
lexim.
1.
Nehat
s. Hoxha ishte një penë që i jepte shkëlqim artit poetik. Në skenën e letrave
shqip u shfaq nga vitet ’70, me poezi, tregime, vargje për këngë, përkthime,
sidomos ato letrare nga anglishtja. Ka përkthyer edhe shumë filma artistikë,
arsimorë e vizatimorë për TV, Radio, Gazeta dhe Revista. Redaktor i shumë
librave të krijuesve letrarë, figurativë, muzikorë. Fitues i dhjetëra çmimeve
letrare.
Vepra
të botuara: Vdekja e poetit, Rilindja, Prishtinë, 1990; Lindje në plojë,
Redaksia “Fjala”, Prishtinë, 1992; I mërguar në atdhe, Druck Art, Prishtinë,
1996; Fjalor Elementar Anglisht-Shqip, 1996, Oguri, roman, Ministria e
Kulturës, 2003. Madje, përkthimet e tij dallohen për ligjërimin e pasur poetik:
ai arrinte t’i rikëndonte shqip nga anglishtja poetët eminentë botërorë si
Lengston Hjuz, Rabindranat Tagore, Halil Xhibran, Oskar Uajld, Uiliam Batler
Jejts, Edgar Alen Poe... Përktheu dhe autorë (kryesisht vepra dramaturgjike),
si Tenesi Williams, L. Gillis, Samuel Beckett, K. Marleau, T. S. Eliot...
Përpos
nga anglishtja, përktheu edhe nga serbokroatishtja e anasjelltas. Ndër
përkthimet e tij do përmendur dhe veprën “Rolandi” (1987).
Përkthimet
që i bëri, u takojnë viteve ‘80.
Këtu
po shkëpus një koment timin personal për të (shtator 2011), në Prishtinë, kur
në një lokal kafeneje, mbajtëm një orë letrare: "Me poetin Nehat S. Hoxha
- secili takim me të është art më vete, secila paraqitje e tij është art më
vete... Nehas S. Hoxha është ndër poetët më fin të poezisë sonë, përkthyes i
mirënjohur nga poezia botërore..."
2.
Nehat
S. Hoxha ishte ndër krijues që hulumtuan e krijuan sintaksën e përvojave poetike
e jetësore që nuk përputhen me atë thurje të gjuhëve të sotme. Detabuitzues
normash. Kjo magji poetike e kërkimeve të brendshme, pothuajse kozmike, i
ngjanin atyre orakujve antikë: askush më shumë se orakujt nuk nderohej!
Te
poezia në lexim, përdoret fjala nojmë, e cila shqip ka kuptimin e fjalës
shenjë. Fjalori i shqipes, më saktësisht, e përkufizon: “Shenjë që i bëjmë
dikujt me sy, me kokë a me dorë për t'i dhënë të kuptojë diçka.” E shkruar në
vitet e ndjeshme, kur po luheshin dramat nacionale, sociale dhe drama e
kulturës, poeti ia bashkëngjit edhe dramën e gjuhës: gjuha ndau fatin e saj me
njerëzit). “Me gjuhë, ju jeni kudo në shtëpi kudo”, shprehet Edward De Waal.
Gjuha ka bukurinë e saj, ashtu sikundër e bukura lind në gjuhë.
Gjuha
artistike thyen norma... Nëse gjuha letrare shërben për komunikim
"zyrtar" e për nevoja praktike zyrtare, atëherë, gjithsesi, që
ekziston dhe "një gjuhë tjetër" për nevoja të tjera: për shprehje të
përjetimit estetik. Gjuha, në "funksionin e saj të dytë", pra, është
ligjërim TJETËR, është instrument i shprehjes lirike. Është thënë sa e sa herë:
filologët, linguistët, gramatologët, etimologët, leksikologët etj merren me
funksionin praktik të gjuhës, kurse shkrimtarët merren me "funksionin
tjetër" të gjuhës, me atë artistik, të intuitës krijuese; me poetikën e
fjalës në tekst, me prirjen për t'i dhënë kuptime të reja, figurative,
metaforike, fjalës, në veçanti dhe tekstit artistik, në përgjithësi.
Të
shkruash në kohë të rënda, kur regjimi (serb) po sulmonte gjithçka, do të thotë
të vuash. Shkrimi është dhembje, është ankim e vuajtje e pafund. Poeti ngjizet
në fjalët e magjishme të gjuhës, ngjizet, sidomos, në hapësirat e një kujtese
të pafund e të paanë. Janë çastet e paparashikuara të historisë, të kohës, të
fatit; apo të fatit që e paracakton vetë Krijuesi letrar; vetë Folësi i saj
lirik, Subjekti i saj, me Fatumin aq tragjik; çaste që e zgjojnë ndjeshmërinë e
tij të ekzistimit, ndjeshmërinë se është gjallë. Është mbijetimi i vuajtjes dhe
i besimit të thellë në Fjalën e Poetit, e cila vjen depërtueshëm nga dikah, për
të na e përhapur qenien tonë dritësore, ashtu si shpërndahet drita, për të na
vënë në lëvizje, për të na forcuar në shpresën.
Pushtetin sterrë netëve
djallëzore
me ditët tash kaq vjet
që vijnë me rroba zie
e përballa falë nojmës
së syrit tënd
tek më hapte shtigje një
orbite të bruztë
tej territ tej retinës
tej zemrës sime
Në
leksikun poetik në strofën e parë, atmosfera rrëqethëse e egërsisë së
pushtimit, karakterizohet me netët djallëzore, me ditët që vishen me rroba zie
(atmosfera e jashtme); me syrin, orbitën e shikimit, zemrën (e brendshmja). Kjo
nojmë është ajo nyja që i ndërlidh këto “dy botë”.
Të
merresh vesh me gjuhën pa folur? Vetëm me nojmën e syrit, simbol hsikimi?! E
po, mendja e ka universin e saj, gjuhën e saj të pashqiptueshme. Ajo rrëfen
edhe pa folur. Madje, thuhet, se mendja nuk pushon as kur njeriu fle, kur
gjendet në ëndrrën më të thellë.
Cila
është kjo e rrëfyer e mendjes? Është njajo denduria e thënies, që buron nga
dhimbjet e përvojës, nga përvoja e dhimbjes dhe e vuajtjes, nga përpjekjet
sfilitëse të rezistimit kundruall barbarisë, nga pasioni I pamposhtur për
emancipim e dije përballë mohimeve të pafund të injorancës së mbjellë nga kohët
e nga sunduesit...
2.
Aty
janë edhe ëndrrat si dëshmitarë të ekzistimit të mbijetesës, mbijetesës si e
fundmja ide, si e fundmja filozofi, pasi të gjitha të tjerat janë shembur
përdhe. Aty është edhe shpirti narrativ i personazheve, dëshmi e kësaj përvoje
të dhimbjes. Subjekti ligjërimor i mendjes (i bartur në hapësirën e letrës a të
pergamenës artistike, autobiografike, të kronikës etj), nuk është ndonjë qenie
e një realiteti krejtësisht të zhveshur… Netët e Bartolomeut përsëriten edhe në
Kosovë.
Net bartolomejsh në sund
sterre
i mbaja në dry me
shpresën tek ti
në rendje pareshtur
tërbimi
më shkulnin dorën
më shkulnin krahun
këmbët rropullitë ballin
me dritë
Po zemra ngjeshur me
dashurinë për ty
i zbonte e më gdhinte
një tjetër ditë të zisë
Poezia
synon të bukurën: vetëm me të bukurën në gjuhë poeti e bën paqen e tij. Eshtre
ajo paqe krijuese që rrënon muret mes njerëzve. Në këtë rast, poezia thërret
gjuhën, gjuhën si lumturia më e lartë, me poezinë si pikëllim i thellë për
situatat. “Poezia është një veprim politik sepse përfshin të vërtetën"
(June Jordan). Është kujtesa e masakrave, burgosjeve, dhunës ndaj gjuhës. Le të
ndodhë gjithçka tjetër, vetëm ti shqipe jeto, sikur na thotë poeti. Gjuha është
fati ynë si shqiptarë. Ajo na bashkon jo vetëm në hapësirat etnike, po edhe në
ato të globit, jo vetëm shpirtërisht, por edhe te kujtesa historike. Kur më
1899 Gjeçovi qëndronte në Laç, duke e parë gjendjen e rëndë të banorëve
përreth, ai bën thirrje për dituri, unitet, mirëkuptim e bashkim kombëtar,
pikërisht te bashkimi rreth gjuhës: “Myslimanë e të krishtenë jemi vllazën, nji
gjak, nji rrugë e nji gjuhë kemi. Të jetojmë për Atdheun e të vdesim për të”.
Por ndryshe nga romantika e Gjeçovit, a nga patetika, Nehati e vesh ligjërimin
poetik me venerime të tjera, aty ku ai përmbyset e rilindet:
Lirikën aq shumë e dua
porse ma vrugon patetika
Kordhëzhveshur më
përmbys edhe mbretërinë e ëndrrës
Je nojmë dashurie -
nojmë djalli je
Shtojzovalle a bijë
bushtre
Orëshuar jetën mos e le
Sepse vjen dhuna vjen
ankthi vetmia vjen
Drobitem zgërlaqem ronitem
Por, vjen Shqipja e më
shenjon
Davaritet vagëllia
dhe unë rilindem
rilindem rilindem
Aty
lexojmë delikatesën, po edhe gjuhën që del prej vetvetes: gjuhën në funksionin
e saj invektiv, dredharak, lojse, mashtruese, grabuitçare, mu si janë
karakteret e njerëzve:
Je nojmë dashurie -
nojmë djalli je
Shtojzovalle a bijë
bushtre
Poetit
i pëlqejnë edhe një si koleksion paradoksesh lirike me gjuhën, kontrastimet
lozonjare të semantikës dhe krijimit. Fjalët ndërtojnë marrëdhëniet kuptimore,
sintagmatike-poetike mes tyre. Madje, do ta quanim dhe të shprehur me
temperament. Linguistët e poetologët nënvizojnë gjuhën si temperamentin më
intim të një populli, si shpirtin e tij më të thellë.
Delikatesa
sfidon vërshimet, pra.
Delikatesa
sfidon gërmadhat... vetminë, dhunën. Mu ashtu siç është e tillë, vetë gjuha.
Vetmia
e shkrimit është krejtësisht tjetër, aspak komode. Është vetmi e përdhunshme,
vetmi e rrethuar nga mizoritë e kohës. “Pa gjuhë, mendimi është një mjegullnajë
e paqartë, e paeksploruar”, thotë linguisti Ferdinand de Saussure.
3.
Porse,
poeti përpiqet të bashkojë dy prirje krijuese: edhe tipin e krijimit metafizikë
të tipit borhesian që gjejnë prehje në hapësirat e imagjinatës së
jashtëzakonshme letrare e estetike, në botën platonike një si strehimi të magjishëm
e të rehatshëm; po edhe me tipin e krijimit si shpëtim i brendshëm për ta
mundur realitetin gjithë ferr të kohës.
Është
njaj realitet i ashpër e më i rëndë se plumbi, tek e ushtrojnë, pushtues
barbarë e gjakatarë, me sistem pushtetor, ushtarak e policor zejen e tyre të
krimit e të sadizmit. Poeti gjendet në vetmi krijuese, që trandi politikën e
djeshme të dhunës e të pushtimit.... Përvoja e tillë tashmë është bërë shkollë
e veçantë, kurse shkrimi i tillë është ligjërim i zemrës (“tej territ tej
retinës tej zemrës sime”).
Shkrimtari
në Kosovë, tashmë është i gëzuar në realizimin e ëndrrës së tij të dyfishtë: të
lirisë së realizuar dhe të lirisë së krijimtarisë. Ishte e trandshme ëndrra e
poetit për këtë liri:
Kordhëzhveshur më
përmbys edhe mbretërinë e ëndrrës
Orëshuar jetën mos e le
Sepse vjen dhuna vjen
ankthi vetmia vjen
Drobitem zgërlaqem
ronitem
Dhe
përsëri irlindjen e shpëtimin e gjen te gjuha, aq lozonjare e aq shpëtimtare:
Por, vjen Shqipja e më
shenjon
Davaritet vagëllia
dhe unë rilindem
rilindem rilindem
Nëse
elita intelektuale në Kosovë, së bashku me popullin, në fillimvitet '90, pasi u
shemb autonomia, prodhoi modelet e rezistencës e të lëvizjeve kombëtare, ndër
të tjera, prodhoi edhe modelin letrar të rezistencës së gjuhës.
Referencat
gjuhësore kanë konotacione të pasura, kanë simbolikë të pakufizuar, kanë
përpikërinë e stërhollimet funksionale stilistike e semantike. Trajtat e
ligjërimit, përmes mjeteve krijuese të fjalës, e nënvizojnë Idenë, e nënvizojnë
veprimin konkret të temës, apo e shënjojnë edhe Çastin Dramatik të situatës.
Poetit
i pëlqen ta theksojë rebelimin e tij. Sikur pa këtë rebelim, nuk ka gjak as
fjala, nuk ka gjallëri. Ta shqiptojë emocionin, pasionin, dashurinë, pikëllimin
e tij. Aty, te altari i nojmës së shqipes, ta vulosë mbishkrimin e përjetshëm
të lirikës, të shkruar me intimen më të thellë, a me zemrën e të gjithëve.
E
pra, shpëtimin ai e gjen ose te poezia e gjuha, ose te shpresa; këtë shpëtim
nuk e kërkon tek dëshpërimi, apo tek nihilizmi, apo tek Qenia Supreme, por tek
Gjuha! Te Nojma e shqipes.
Dhe
përfundimisht: poeti rilind në gjuhën poetike.
_________
Nehat S. Hoxha:
NOJMA E SHQIPES
(I
kushtohet Shqipes aq të kamur nga bukuria
dhe
kaq të drobitur nga robëria)
Pushtetin
sterrë netëve djallëzore
me
ditët tash kaq vjet që vijnë me rroba zie
e
përballa falë nojmës së syrit tënd
tek
më hapte shtigje një orbite të bruztë
tej
territ tej retinës tej zemrës sime
Net
bartolomejsh në sund sterre
i
mbaja në dry me shpresën tek ti
në
rendje pareshtur tërbimi
më
shkulnin dorën
më
shkulnin krahun
këmbët
rropullitë ballin me dritë
Po
zemra ngjeshur me dashurinë për ty
i
zbonte e më gdhinte një tjetër ditë të zisë
Lirikën
aq shumë e dua
porse
ma vrugon patetika
Kordhëzhveshur
më përmbys edhe mbretërinë e ëndrrës
Je
nojmë dashurie - nojmë djalli je
Shtojzovalle
a bijë bushtre
Orëshuar
jetën mos e le
Sepse
vjen dhuna vjen ankthi vetmia vjen
Drobitem
zgërlaqem ronitem
Por,
vjen Shqipja e më shenjon
Davaritet
vagëllia
dhe
unë rilindem
rilindem
rilindem
(Prend N. Buzhala, 14 prill 2020)