Kulturë
Prend Buzhala: Kënga për vuajtjen, një refren i gjatë i fatit tragjik
E enjte, 23.04.2020, 03:01 PM
KËNGA PËR VUAJTJEN, NJË REFREN I GJATË I FATIT TRAGJIK
(Lexime
poetike. Poezia "Kur të vdes" e Havzi Nelës), XVI
Nga
Prend BUZHALA
Tragjiku
Havzi Nela (1934-1988), me jetën e tij po e përmbyllte ciklin e një
gjysmëshekulli dhune të shtetit totalitar edhe mbi krijimtarinë letrare: mbas
Luftës së Dytë Botërore. Përmbledhja e zgjedhur e poezive "Pa nji ditë
lumnie" hyn në kuadrin e librave të burgut, apo të një Letërsie Tjetër, të
ndryshme nga ajo e apologjetëve të letërsisë e të mësimit të dhunshëm zyrtar.
Nga ky vëllim është edhe poezia "Kur të vdes".
1.
Thuhet
që Njeriu vuan edhe kur lind, po edhe kur vdes. E Nela e pati Vuajtjen shok e
hije jete. Vuajtja këndohet si një refren i gjatë i fateve tragjike. Posi në
Librin e Shenjtë, vuajtja heq velin e absurdit dhe e mvesh atë të misterit.
Vetëm ai që e ka përvojën aq të rëndë në shoqëri me Vuajtjen, vetëm ai di të
merret vesh me të, ta kuptojë thellësisht, të këndojë së bashku me të; sepse
vetëm nëpërmes vuajtjes lind dashuria e vërtetë; ashtu siç e pati Havzi Nela
dashurinë për Lirinë, për Jetën dhe për Poezinë. Sikur vetëm nëpermes Vuajtjes
do të gjendet Rruga e Vërtetë! Nëpërmes flijimeve jetësore të pafund!
Kur të mësoni se kam
vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë
pastë!”
A e dini se çfarë kam
hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?
Mospajitmet
e Nelës me diktaturën, mu pse dyshonte në rendin e gjërave të sistemit të
paprekshëm autoritar, për ta parë të vërtetën në sy; e çuan atë në katër
gjykime politike me rreth njëzet vjet vuajtje dënimesh nëpër burgje, tri herë i
burgosur që nga viti 1967, e, së fundi, arrestimi më 22 qershor 1988 e
ekzektimi në litar më 10 gusht 1988. Ai, në ballafaqim me realitetin e
diktaturës, mediton e vepron krejt racionalisht. Posi Edipi dhe Hamleti, ai
detyrohet të shikojë më thellë, tek i zbulon të vërtetat e tmerrshme e
tragjike, me mekanizmat e errët të shtypjes; dhe, së këndejmi, me reagimet e
tij racionale, ai e "rrezikon" sistemin totalitar. Vuajtjet janë
mbinjerëzore. Hamleti përplaset në dilemat e tij: "të rrosh atë mos rrosh,
kjo është çështja"; pra, të heshtësh, të bëhesh oportunist e qyqar, apo ta
godasësh dhunën e krimin? Nela vendos për prometheizmin.
Kur të pyesni: “Ku e ka
vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma
gjetë.
Thoni: “Ai urreu
mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e
tretë”.
2.
Katarza
aristoteliane e vuajtjes, pathematon katharsis, shenjon edhe fatin tragjik,
fatkeqësinë, përvojën e rëndë apo të mirë; shënjon ndryshimin në gjëra, e
shënjon vetë esencën e gjërave për të cilat është i vetëdijshëm krijuesi
martir:
Thoni:”Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuejtje e
dërmoi",
Thoni se ka mbrojtë të
drejtën,
Grusht tiranësh nuk
duroi.
Pathema
lexohet si ngjarje që i ndodh dikujt (si vuajtje a fatkeqësi), po edhe si
ndjeshmëri afektive. Te Herodoti haset shprehja Ta de moi pathemata mathemata
gegone (“Vuajtjet e mia ishin mësime për mua”, ose shqip: kush pëson mëson). E
kundërt me pathema-n, është mathemata: leksioni shkencor, dituror. Rolin e
mathemata-s mbi Kultin e frymëzimit, këtu, te poezia e Havzi Nelës, e marrin
shënimet në fund të disa poezive: “Të gjitha këto që shënova deri këtu, me vjet
të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsëritë me vetveten …kam mujtë me i
ruejtë në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend pa përdorë laps dhe janë
rimue me anë të gishtave”!
Thoni: “Desh, kërkoi
lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë
qelinë,
Për të mjerët lëshoi
kushtrim”.
Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me
sy”
Thoni: “Për njerëzinë
këndoi,
E për vete mbajti zi”.
3.
Mbas
një lirike të tillë të gjëmimeve të mbrendshme e vuajtjeve prometheike, vijnë
lirikat e vargjet që vihen në lëvizje, në një proces të çlirimit, që hyjnë në
enterierin e kohës; që shoqërohen me shënimet për Kultin e Frymëzimit në
Mendje, Pa Fletore e Pa Laps. Poezia bëhet Shënim, bëhet Dokument e Dëshmi,
bëhet histori filigranore. Bëhet Poetikë gjaku. Te tragjedia "Agamemnoni"
Eskili thotë se nga vuajtja nxirren mësimet (pathei mathos), pra vuajtja të çon
tek përsiatja, meditimi. Katharsis përdorej në kuptimin "spastrim nga
faji"; në këtë rast, spastrimi moral vjen në kontekstin kohor të
ndryshuar, të përmbysur: është shpërblyer me ndërrime e përmbysje të diktaturës
vuajtja e të martirizuarve; pra, shprehet në nivelin e "distancën
estetike", nga njëra anë, po edhe të empathia-s, identifikimit, nga ana
tjetër.
---------------------------------
HAVZI NELA
KUR TË VDES
Kur
të mësoni se kam vdekë,
Kur
të thoni: “Ndjesë pastë!”
A
e dini se çfarë kam hjekë
Unë,
poeti zemërzjarrtë?
Kur
të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur
t’kërkoni me ma gjetë.
Thoni:
“Ai urreu mizorin”.
Thoni:
“Dheu s’ka me e tretë”.
Thoni:
“Ai e deshi jetën,
Jeta
n’vuetje e dërmoi”.
Thoni
se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht
tiranësh nuk duroi.
Thoni:
“Desh, kërkoi lirinë,
Si
skifter në fluturim,
Provoi
prangat, t’errtë qelinë,
Për
të mjerët lëshoi kushtrim”.
Thoni:
“Dritë ai kërkoi,
E
vetë dritë nuk pa me sy”
Thoni:
“Për njerëzinë këndoi,
E
për vete mbajti zi”.
Thoni
se e qërroi terri
Thoni:
“Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni
se e trishtoi tmerri
E
të shtypunit i tha: “Çohu!”
Kur
të vijë, të çelë pranvera,
Kur
bilbili nis me këndue.
Mbi
vorr tim me gur’e ferra,
Nji
tufë lule me ma lëshue.
Prekni
vorrin, mos ngurroni,
Kush
ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten
ju kur t’a ngushëlloni,
Thoni:”Gjallë
kurkush s’ka mbetë!”
------
(Prend N. Buzhala, rishkrim i shkëputur, 16 prill 2020)