Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Ti nuk lexon
E enjte, 23.04.2020, 03:01 PM
Ti nuk lexon
Nga
Edison Ypi
Ti
ha, pi, vishesh, mbathesh, zbavitesh. Por nuk je i qetë. Nuk ndjehesh i lumtur.
Ke ankesa. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe
nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Do vuash derisa të vdesësh. Sepse
ti nuk lexon.
Vendi
yt ka vuajtur diktaturën më kriminale të historisë së botës. Prej një çerek
shekulli vendi yt është vend i lirë. Ti që nuk lexon këtë dallim nuk e bën.
Ti
pi kafe, sodit njerëzinë, habitesh dhe mërzitesh pse nuk janë të gjithë si ty,
dhe kafja të duket zeherr. Zeherr e helm do të bëhet kafja sepse ti, ngaqë nuk
lexon, nuk mund ta kuptosh madhështinë e laryshisë së karaktereve njerëzorë.
Ndërsa pretendimi yt që edhe të tjerët të jenë si ty, domethënë që askush të
mos lexojë, do ishte fundi i botës.
Ti
del ndonjëherë në rrethinat e qytetit ku sheh shtëpi të reja, vila, oborre të
bukura, jo rrallë edhe me basene të kaltra. Sa herë që kjo ndodh, ti nis e
bërtet; "Janë bërë me pare droge". Ore, të thotë ndonjëri, eja në
vete, kanë punuar në kurbet duke ngritur llaç e beton në katin e shtatë e të
tetë. Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Nuk i kanë ndërtuar në 1 ditë
por tullë pas tulle me një mijë mundime për vite të tëra. Shtëpitë e reja në
Shqipëri janë me qindra mijëra. Kaq drogaxhinj nuk ka gjithë bota. E kotë. S’ka
spjegim që të bind ty që nuk lexon, dhe duke mos lexuar, nuk kupton.
Je
vërdallosur ca kohë “jashtë shtetit”. U thua miqve, italiani është kështu,
gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve u vë nga një
nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t’i bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi,
guxon t’i japësh ti shtaza që nuk lexon.
Duke
kaluar përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të maleve, rrjedhave të
lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të rrënuar kështjellash të lashta,
fytyra banorësh lokalë. Ti nuk bën asnjë dallim mes pamjeve të tilla që i sheh
të gjalla, dhe të njëjtave pamje në televizor. Ky tmerr nuk të ndodh për asnjë
arësye tjetër veç asaj se ti nuk lexon.
Ti
i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kështu sepse
ti nuk lexon.
Ti
nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga Introduktat e
Nolit, Mall-in e Lasgushit, Letrën e Tatjanës Onieginit, por përsërit batuta të
pështira soc-filmash të neveritshëm. Ti nuk lexon, prandaj.
Ti
thua se diktatori bëri krime por bëri edhe disa gjëra të mira. Gjëja më e mirë
që bëri diktatori, është gjëja më e keqe që ekziston, ti që nuk lexon.
Ti
voton, dhe të nesërmen e votimit ankohesh ndaj atij që ja dhe votën. Kjo ndodh
sepse ti nuk lexon.
Brendinë
e librave ti e përfytyron si muhabet; Trokiti një natë dimri, hyri, u ul pranë
vatrës, u ngroh mbi mangall, u krruajt, u inatos, bërtiti, përplasi derën,
doli. Shumica e librave janë vërtet të tillë. Por ti nuk e di se aq pak libra
të mirë sa ka, janë pakrahasimisht më të vlefshëm se këta me mangall, prush,
krruajtje, nevrikosje, përplasje, sepse ti nuk lexon.
Ti
nuk ke sukses me femrat. Dhe nis i shan e i mallkon kot së koti ato të
shkretat. Femrat, kështjellat e tyre misterioze, nazet e tyre, icklat e tyre,
mposhten me komplimenta. Ti komplimenta s'di të bësh, sepse ti nuk lexon.
Ti
nxjerr në Fejsbuk foto me të ngrëna përpara. Është më turp se të dalësh lakuriq
tek Sheshi Skënderbej. Edhe këtë ti e bën sepse nuk lexon.
Sheh
ndonjëherë në televizor njerëz që recitojnë Poezi, flasin për libra. Habitesh,
dhe thua me vete; Ç’u duhet këtyre fatkeqëve leximi ? Ndërkohë, fatkatrani dhe
fatpjerdhuri je ti që nuk lexon.
Ti
që nuk lexon je nxitësi më i madh i autorëve të këqinj, grafomanëve budallenj delirantë
që presin të lëvdohen nga lexues inekzistentë si ty.
Ti
që nuk lexon je dekurajuesi më i madh i atyre që dinë të shkruajnë por i ka
gjetur belaja me ty që nuk lexon.
Ti
që nuk lexon i bën të gjitha të zezat; Shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon,
intrigon, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafjoz.
Përvojat
e njerzimit, Shkencat, Artet, të mirat, të këqiat, të ëmblat, të hidhurat, janë
të gjitha nëpër libra, që ti nuk i lexon.
Ti
që nuk lexon je lënda e parë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe,
qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe.
Ti
që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.
Ti
që nuk lexon, je një lëvere që nuk i duhesh as dreqit.
Boshllëkun
e leximeve të munguara nuk e mbush dot materia e krejt Universit.
Rrofsh
e qofsh e qafsh, ti që nuk e di çfarë janë; shiu i gërmave, flladet e
paragrafeve, stuhitë e kapitujve, zjarri i vargjeve, inkandeshenca e Poezive,
simfonitë e Poemave, tërmetet e novelave, cunamet e romaneve.