Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Princesha e metaforës
E hene, 20.01.2020, 09:32 PM
PRINCESHA E METAFORËS
Nga Timo
Mërkuri
Sado e
çuditëshme që është, sa herë lexoj
poezitë e Peso Pem’za mua më kujtohet gjyshja ime. Realisht gjyshja ime s’ka asnjë qasje me këtë poete as
si periudhë jete, sepse gjyshja ime ka vdekur në vitet ’70, kur Peso
(besoj) ka qënë fëmijë as në mënyrë
jetese, sepse gjyshja ime ishte hierëndë dhe në
rininë e saj mbante nagantin në brez ndërsa Peso paraqitet në shkrime e
foto (se unë nuk e njoh fare) një tip çapkëneje, që me siguri do ti ngrinte
kacabujtë gjyshes sime. Dhe së fundi nuk kanë qasje as në artin poetik sepse
gjyshja ime nuk ishte poete, ndonëse shpesh kishte një të folur me bejte, si
gjithë plakat pilurjote ndërkohë Pesoja ka ca shpërthime poetike të tilla, që
më të drejtë Armela Hysi që nga Athina i quante “shpërthime gjenialiteti”.
Por mua s’di pse më
kujtohet një përallë e gjyshes sime për një princeshë të bukur, të mbetur
jetime, sa herë lexoj poezitë e Pesos… Kësaj princeshe, në moshën e
fëminisë i vdiq nëna dhe ajo vetëm
vajtonte. Kjo do jetë qasja mes poetes dhe gjyshes sime, është pikërisht vdekja
e nënës që poetja e përjetoi në moshë më
të rritur dhe e përshkruan poetikisht… Kur
diq nona/e
lajtëm bardh/e krehem
l’mojtë/e mlum me dhe…
Ndryshe nga Peso që
me dhimbjen e saj mbuloi poetikisht planetin, princesha e vogël e përrallës së
gjyshes sime mbyllej në një cep të shtëpisë apo shkonte në rrëzë të një trungu
peme në kopështin e saj dhe vajtonte me dënesa të forta e pa zë. Por në
vajtime, po nuk e dini jua them unë, dhimbja del me vajin, me zërin, me ligje
(ligjërime). Kur nuk di të vajtosh me ligje, dhimbja dendësohet në shpirt
dhe kondesohet në lotë, që derdhen nga sytë. Kështu i ndodhi dhe
princesësh së vogël, dha e mori e vogla duke shtrënguar gjoksin në dënesa kur befas i shpërthyen nga sytë kokra loti.
Por çudia ishte se këta lotë qënkishin si ca ruaza të bardha, si kokra breshëri
dhe erdhi dhe u mbush vendi me bardhësi kokrizore. Princesha e vogël nuk kishte
si ta dinte se dhimbja e saj ishte kondesuar në …margaritarë. Ajo qante për
nënën te trungu i pemës së madhe dhe lotonte margaritarë. Pastaj ngrihej e
ikte, për të vajtuar përsëri të nesërmen për nënën në një tjetër vend…kur
diq nona/deken
e pash tuj kqyrë n‘gropë/hë bushtër/ke
humb /aty brenda diçka tandën/edhe po i more tana nanat /jetime mbetesh…
U mbush viti dhe
babai i princeshës solli në shtëpi një grua tjetër dhe i tha të bijës së
këtë grua ajo, princesha pra, do ta
kishte si nënë. Por kjo gruaja e dytë nuk i ngjante fare nënës së princeshës,
ndonëse ishte e bukur dhe qeshtë shumë, ajo nuk e kishte atë dritën e ngrohtë
në sy, siç e kishte nëna e saj. Edhe shikimin e kishte pakëz të tërthortë, si
një thupër që të godet papritur, jo një shikim i drejtpërdrejtë që të të hyjë
drejt e në zemër. Prandaj princesha i shmangej shoqërimit me këtë grua që solli
babai në shtëpi dhe shkonte shpesh te pema e madhe e lotonte.
Fatkeqësisht,
kureshtja e njerkës për largimet e shpeshta të vajzës së vogël zbuluan faktin që lotët e saj ishin prej
margaritari..kur vdiq nëna/pushova të jem / fëmijë e tim eti/u rrita nga
mjesi deri në darkë… sepse… nana kur u bo me fmijë/harroj se
ishte edhe gru/u braktis prej babe/baba kur u kujtu se ishe edhe burrë/iu
kthye asaj/e na /jemi kon t'endun veç prej ni dore/dallohet trajta ….
Gruaja që pruri
babai ja dinte vlerën margaritarëve, prandaj pasi i mblodhi të gjitha ato që
kishte lotuar princesha nëpër rrëzë pemësh apo cepa muresh, filloi ta mundojë
vajzën më tepër me qëllim që ajo të lotonte gjithë ditën. Kështu ajo bëhej e
pasur nga lotët e princeshës së vogël.
Vetkuptohet që babai
i princeshës nuk shikonte gjë, sepse… Për ditë t'nones/ka ditë që babës iu
ka skamnu shikimi/dhe kujton se asht i sëmurë/hukatë mbi xhamat e syzeve e
m'vet/a din me ia knu nonës ni Ja-sin/mungesën tane e lexoj n'sytë e tij/e ai
ankohet se ni vesh po i knon si shpesh/unë mar për Ty ndër dhambë nji kangë/s'i
radiot e vjetra me ushtimë/as ai s'kursehet/me zonin e tij shterrak m'bjen n'refren…
Pricesha vajtonte në
verë, princesha vajtonte në dimër…hej dimen/s‘kom zemër t‘përshtatshme për
motin tand/asaj shpejtë i ngrin pështyma…
Por erdhi një ditë
që princesha nuk po vajtonte më për nënën. Jo vetëm që nuk vajtonte, por çudi e
çudive ajo këndonte gjithë ditën… nuk po trishtohem/kur po
m’shpeshtohen/vijat e imta nër sy/janë udhë për gëzimet/që dojnë me u kthy…madje
shpesh këndonte e vallzonte njëherësh...…ngo ti zemra jeme/mirë që
s’banon/me mu/se unë do t‘përlahesha me gotën që ti pi/se ajo ta preku cepin e
buzës/do të zihesha me briskun e rrauzes/që ta përshkon arrën e gushes/mënia
jeme do t‘dokej fushës/Hej dije/edhe pemtë e kopshtit do ti preja/mos me
t‘zatet me hije/as me pikat e shiut/n‘ujdi s‘do t‘bija/që ranë mbi t‘prekmet e
mija/për orët që do t‘mungoje/ do ta rrisja qiranë/me mjekët në rast se
sëmuhesh/do ta ndezja belanë/edhe për majthat e gishta -ve / me rezen e
derës/me t‘shejtin shpend t‘verës/që t‘kapercej pa m‘vetë mu/me krejtë isha
idhnu / dhe për inatë/me ton ata që besojnë n‘zot/do t‘boja shamatë/se nën
kulmin tem/puthem me perendinë ditë e natë/ngo ti zemra jeme/mirë që s‘banon me
mu/po n‘mu…
Gruaja që pruri
babai u tmerua. Jo vetëm që spo gjente më
margaritarë loti por vajza nuk kishte ndërmënd të ulej e të vajtonte ndonjëherë. Atëherë me
shkak e pa shkak e rihte, por edhe rahja s’bënte fajde. Princesha e vogël
këndonte e fluturomte në valle me fluturat..mundet një flutur e bardhë/për
pak/t‘ia prish të zitë natës/dhe ajo për pak të harroj/se është vejushë…
Atëherë gruaja e dytë që pruri babi e kuptoi që princesha e vogël nuk ishte më aq e vogël. Ishte rritur dhe kishte rënë në dashuri dhe i këndonte dashurisë së saj. Dha e mori çfarë të bënte dhe …e mbylli në dhomën e saj që të mos dilte….Atëherë lot të hidhur i dolën nga sytë princeshës, lot që çuditërisht sa binin në dysheme, shndroheshin në diamantë, të bukur e të fortë. Por princesha e vogël s’kishte sy të shikonte diamantët. Ajo i shtynte dhe i mbulonte me hirin e vatrës, poshtë druve që digjeshin ngadalë…. Na dyja/Ku e thej qafen hana /athu ku/ka ik sikur t'sh kon çikë/atëhere kur flejnë gjithë gjinja e shpisë/dhe krejt me kast i le nallanet n'derë t'avlisë/veç sa me u dok qe shkoj mas dashnisë/…/Ku e thej qafen aq me ngutë/unë gjithë me 'to jom nda butë/edhe atëhere kur del gjys e kafshume/edhe kur plotnohet për ulk/qielli met pa hanë/e unë pa ty/netët ka me i mlu zija/n'andërr e linda një fëmijë t'pa baba/tash që asht terr nuk m'shohin /se dyfishohem veç nga hija… dhe vajtonte se… Prapë kallnori/ra n‘dimen/e na/tek a tek n‘kallnor… prandaj ajo vajtonte... e lash/zemrën pa e kurdis/mos ta kuptojnë që s‘je/se plas…
Dhe ashtu e mbyllur
në dhomën e saj, e mësuar tashmë me dhimbjen, i çonte djalit fjalë dënese me
vargjet… unë ia përsërita pa fund/erës/fjalë për fjalë këto që shkruaj/s‘di
nese të tha/se kodra e vetme e thinjur/që dukej mal/qe mjekrra e jote/murgeshat
e gojës time/ishin pushtueset e vetme të atij manastiri të vogël/e vetmja
faltore e fesë time të madhe/e shëndrruar gërmadhë kujtese/nuk di nëse të
tha/se në këtë vend stinët se plakin barin…
E mbyllur në shtëpi,
bisedon me dashurinë…/Unë i veta sytë/veti edhe ti tut‘/a dojmë me u
kqyrë/dej n‘mjedis zemre /a veç deri
n‘hudut/kallxom ta di/t’mitë ku ti maj/n‘gaz apo vaj…
Por zemra beson në
dashuri… zemra jeme don me besu/se me borën permi kry/se denojnë as
bjeshken/ajo bjen se don me u shkri / përmbi zjerm t'heshtun/beson zemra jeme e
bardhë /si janari/se dashnija e saj /asht e kuqe si tetori/…dhe se
tramdhjetë muej i ka kalendari….
Dhe parafytyronte
jetën…/Mëngjesi doket si gru e re/met e ve/qe nuk i bindet petkut
t'zis/vishet gri/th'u se e ngulfatë nyje e shamisë/../asht nji mister/dita
thinjet pa dal/dilli nuk lindë veç del/ovali i tij ka ndryshu/mundesh me
puth/me prekë pa u djegë/../Përmasa e dritës a cenu/as zog as dushk
s'pipëtinë/dhe nuk mjaftueka vetëm kaq/u qorr diku dilli n'zjarmi/kam
bindjen /se me kast e dështon lindjen/e dy sy bore metën pa u shkri....
E mbyllur
princesha duronte e duronte, ndoshta
fati i ndryshonte një ditë… durimin e m'sova me bombone/qe n'fmini/na ipnin
nji për dy gojë/kështuqë se pata zor as me ty/se as zogu si ipet krejtë
erës /pa i bo lojë/gjysmën e run n'pendla /krejtë tjetër fare/krejtë
tjetër bojë…
Kështu e kalitur me
durim, kujtimet dhimbshëm i vargëzon…në
raftin e gjërave të imagjinuara/do ta vendos kujtimin për ty/asnjëhere nuk do
ta rrefej për të ngjarë/do ta tregoj sikur të ishte përrallë/Ty nuk do të
përshkruaj në ishe burrë/as vetën grua/por të shpërbërë nga era/se kujtoi që
isha gurë…Nuk ka faj, dashuria të sëmur
shumë rëndë, të dobëson e të zverdh… me polen
luleradhi-qesh /jam njëllos/doktor nuk jam e sëmurë nga verdhëza/ka ditë
që pres s'i shkronja (i)/pikën mbi kry …
Princesha vajtonte
dashurinë e humbur apo dashurinë e grabitur, quajeni si të doni…rrugës për
te ti/dashurinë ma plaçkitën hajnat/s'i kuleten/së pari e përmbysën /nga
palët ia nxorrën sytë/ pastaj të gjitha me radhë/ajo tashmë ka humbur
ndjenjë/nuk i identifikon /as ata /as mua/as ty… dhe në vetmi ëndëron.…. s’di
pse mes andërre/këputet nji kopsë e këmishes/edhe nji yll/dhe kërkoj ti rishoh….
dhe lutet në heshtje,si në kishë… a do të flasësh më shpesh/nese të tregoj
/se trupi im/ka gjunjë që thyhen/nga timbri i zërit tend/dhe hije të ngjyrosur
/nga po ajo ngjyrë zëri…
Nuk e di si vazhdoi
përralla e gjyshes sime, ose mua më zuri gjumi duke parë ëndra të diamantëta,
ose gjyshja ime fjeti duke më lënë që ta vazhdoj vetë përallën, por në një kohë
të mëvonëshme kur të kem nipër e mbesa pranë. Ndërsa tani që kam poezitë e Peso
Pem’zës ju them se ajo është vërtet “Princesha e metaforave” sepse ajo “loton”
metafora nëpër poezi dhe se metaforat e Peso Pem’zës kanë si veçorinë e tyre
karakteristike bukurinë dhe forcën, tamam si diamante. Dhe një bukuri dhe forcë
e tillë e ka burimin te shpirti i autores. Ajo e ka poezinë pjesë të jetës së
saj, dhimbje të dhimbjes së saj, lot të zemrës së saj.
Dhe këtë shkrim të
thjeshtë ja afroj poetes si një sup miqësor ku të mbështesë kryet gjatë
dënesjeve dhe lotimeve të saj, pa patur
frikë se mos ja grabitin diamantët dhe margaritarët prej loti, si njerka e përallës.
Për këtë, ka besën time.