Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Fran Gjoka, njeriu që shndrit pozivitet
E diele, 19.01.2020, 12:05 PM
FRAN GJOKA, NJERIU QË SHNDRIT POZITIVITET
Nga
Hazir Mehmeti, Vjenë - Austri
Rruga
jetësore ka përplot të panjohura dhe sfidat e saja. Veçanërisht për gjeneratat
që përjetuam thyerje të mëdha kohe e sistemesh. U lindëm në robëri, u shkolluam
dhe vepruam në robëri dhe tani koha e lirisë së brishtë, një shoqëri pa cak të
definuar drejt progresit, sikur na gjeti me barrën e viteve. Aq më keq, shumë
prej nesh u detyruam të lëshojmë përkohësisht atdheun, por si duket kurbeti do
vazhdojë aq gjatë sa do pengohet edhe
mundësia e kthimit të eshtrave nesër. Nga këta fatkeqë isha dhe unë,
tani miku i Fran Gjokës, i atij që brenda qenies sime e pasuroi Shqipërinë, ato
ëndrra që ushqenim gjithë jetën në Kosovën e përgjakur.
U
njohëm nga shkrimet. Duke qenë lexues i rregullt i “Mësuesi-t”, lexova me
kënaqësi shumë artikuj të shkruar nga Frani. Gradualisht me sistemimin tim dhe
stabilizimin në punën e mësuesisë u shtua mundësia të shkruaj artikuj nga Vjena
në të njëjtën revistë ku shkruante Frani, Mësuesi-n, duke zgjedhur sadopak
mungesën e Shkëndijës, bashkëpunëtor i së cilës isha dikur në fundjetën e saj,
kur sulmohej çdo gjë shqiptare, gazetë e cila u mbyll nga pushtuesi serb dhe
nuk e pa dritën e botimit kurrë më.
Hapësira shqiptare nuk do jetë më vetëm trualli etnik, por gjithandej globit, i
cili gjithnjë e më shumë u bë i vogël përkundër largësisë fizike, falë
teknologjisë së komunikimit modern. Kjo mundësoi leximet elektronike në çdo cep
të botës. U mundësua njohja me shumë
figura nga jeta publicistike e hulumtuese përmes shkrimeve. Njëri nga disa miq,
që u njohëm në formë të tillë në kohën e komunikimit elektronik, ishte edhe
Fran Gjoka.
Fillimisht
ishte Mësuesi që na ofroi përmes shkrimeve të Fran Gjokës e pastaj, së voni,
kur Mësuesi pushoi së foluri, lindi një margaritar tjetër kontakti, lindi
Nacional, vepër e mikut tonë tani, Mujë
Buçpapaj. Në Nacional rrallë mungonte
prania e Fran Gjokës me shkrimet e tij përmbajtësore dhe me tema të veçanta të
kapura rrallë nga të tjerët. Këto shkrime të lexuara të njëri-tjetri na ofruan
derisa një ditë marr në e-mailin tim shkrimin. “Jam Fran Gjoka nga Lezha. Duke
e parë punën tuaj që bëni për shkollën dhe mësimin plotësues në mërgatë,
shkrimet e juaja, kontributin tuaj për shkollën në Austri, po ju dërgoj disa
pyetje që të përgjigjeni. Këtë shkrim dua ta botoj së shpejti. Ju lutem mos
harroni një foto portret tuajin!”
U
gëzova aq shumë, sa u ngrita nga karrigia, shtyva laptopin dhe dola të meditoj
sado pak në ballkonin e ndërtesës, nga i cili duken pjesë të qytetit të ndarë
me Danubin lakadredhës. Mendova: “Një
gazetar sikur Fran Gjoka të flasë fjalë kaq pozitive për punën time?! Tani do
jem personazh i shkrimit të atij që me përvojën e tij, ndjesinë e tij në kapjen
dhe rrahjen e temave ishte i shkathët, bindës dhe porositës”. U ndjeva krenar i
papërmbajtur, fillova të lexoj pyetjet
dhe mendoja në forcën time për përgjigje. Ky ishte momenti kur shtohet intensiteti kontakteve tona.
Fran
Gjoka, me shkrimet e tij, ishte edhe një përvojë për mua që jetoja larg
atdheut. Fillova më thellë të lexoja shkrimet e tij, nxirrja citate në fletoren
time, krahas kësaj në fantazinë time vinte figura e mikut nga Lezha, nga
Shqipëria e ëndrrave mbi ëndrra. Tani Shqipëria po afrohej fuqishëm në mua dhe
mezi pritja të udhëtoj verës drejt Shëngjinit, pak përtej Lezhës së Fran
Gjokës, mësuesit e gazetarit të njohur. Jo shumë vonë nga shkrimet e Franit,
marr një shkrim tjetër nga Lezha, nga Gjovalin Gjeloshi, agronom, gazetar, një
intelektual i njohur jo vetëm në Lezhë. Kështu Lezha e Gjergj Kastriotit
Skënderbeu u ngulit në mua në dashurinë e ruajtur në thellësi, ku ruhen vetëm
ata që janë vetë gjeni yt, i kombit.
Ishte
gusht, temperatura e lartë të zinte frymën, sidomos ne që tani ishim përshtatur
në ajrin e freskët që buronte nga Alpet Austriake, vendosa të le veturën dhe të
nisem për Shqipëri me autobus. Në Lezhë zbres, shkrepi vetëtimë aparati drejt
Kalasë së Lezhës me rrënjë mbi gurët e ndrydhur, që nxirrnin kokën nga rendi i
tyre dhe herë-herë dukeshin sikur do zbritnin në prehër të Mauzoleut të Gjergj
Kastriotit Skënderbeu në fushëgropë.
Takimi
me mikun ringjall në mua gjithë atë botë përjetimesh që kisha nga shkrimet e
tij me tema te ndryshme aty ku kishte ndierë nevojën për ta dhënë fjalën
shpeshherë fjalë proteste nga padrejtësitë shoqërore që shfaqeshin gjithandej
vendit të liruar nga diktatura, por i futur në pështjellimet deri në anarki.
Duke qenë edhe vetë mësues, shkrimet rreth shkollës dhe sfidave të saj na
lidhnin akoma më fuqishëm. Me qasjen ndaj problemeve në arsim, si sfera më e
njohur e tij, e lidhur kjo nga përvoja e tij e gjatë si mësues, të lenë
përshtypje që ngulitën thellë në mendje. Karakterizohet me Gjuhë konkrete të
thjeshtë, por e arsyeshme në trajtimin e problemeve. Ai e ka kuptuar që herët
se edukata dhe arsimimi janë pjesa më qenësore e kombit, ajo që atë e mban
gjallë në rrugën e progresit. Me një mprehtësi logjike e zbërthen problemin,
burimin e problemit, e analizon aktualitetin akut dhe jep sugjerime për
zgjidhjen e tij. Duke hulumtuar shkrimet e FranGjokës, tematikën dhe
shtjellimin e tyre, bindesh se kemi të bëjmë me një person që jeton me problemet
e shoqërisë pa urrejtje, pa fyerje, por vetëm me metodologjinë pozitive shtron
zgjedhjen e tyre. Ai, me gjuhën e tij prej
pedagogu e analisti, kultivon mirëkuptim e dashuri brenda personazheve
të shkrimeve të tij dhe lexuesit që e njeh, do i kthehet në bebëzat e tij pamja
e Fran Gjokës, zëri i tij, qetësia e tij, e cila flet dhe të mbetët në kujtesë.
Njeriu ka nevojë të ketë afër njerëz të atillë që e kuptojnë rrethin, problemet
e jetës, rrjedhat shoqërore. Unë që nuk i dija nga afër në imtësi problemet e jetës
në Shqipëri, më la përshtypje Fran Gjoka që në takimin e parë me të në qendër
të Lezhës, ku isha për herë të parë. Sikur në mua u hapën horizonte të reja të
një bote të panjohur dhe të largët, e cila më duhej shumë.
Fran
Gjoka në shkrimet e tij tregon se sa i vetëdijshëm është në rolin vendimtar për
progres të gruas në shoqëri, ai shpesh temë të tij ka pozitën inferiore të
gruas në shoqërinë shqiptare, dhunën e ushtruar ndaj saj. E demaskon me forcë
padrejtësitë që i bëhen gruas: nënës, motrës, hallës sonë, në të gjitha nivelet
dhe shtresat sociale. Dhuna fizike është burim krimi, veçanërisht në familjet
ku niveli i edukimit dhe arsimimit është i ulët, e theksuar kjo në zonat rurale
shqiptare të izoluara nga bota. Shkrimet e tij përshkohen me gjuhën e protestës
ndaj këtyre padrejtësive që e shëmtojnë jetën dhe imazhin shqiptar. Pikëpamjet
patriarkale dhe inferioriteti të shprehura ndaj gruas trajtohen në disa shkrime
të Fran Gjokës, duke e lidhur me gjendjen në arsim dhe edukim. Ai me të drejtë
shton: “Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që miratohen ligje, siç është prej
vitesh ai për detyrimin shkollor dhe nuk zbatohen. Arsimimi i brezit të ri dhe
trajnimi i asaj kategorie me probleme për mënyrat e të jetuarit, të sjelljes
dhe të vepruarit në qendra të specializuara, përben një shans më tepër për
parandalimin e krimit familjar.” Në
shkrimet e tij analitike, faktike, ai ngre nevojën e reformimit të shkollës, e
cila ka probleme të mëdha kur shoqëria nuk merret me përmirësimin e rrethanave
që e mundësojnë mësimin normal. Shtron nevojën e zbatimit të ligjit, i cili
detyron përfshirjen e secilit fëmijë në shkollë brenda territorit të
Shqipërisë. Ai prek afër realitetin shkollor, ku figura e mësuesit është
nëpërkëmbur nga të gjithë: shteti, shoqatat, prindërit, nxënësit deri në
skajshmëri, duke e kuptuar këtë si anormalitet me pasoja shkatërruese në
funksionimin e shkollës, e cila objektiv ka formimin e personalitet të edukuar
dhe arsimuar për shoqërinë shqiptare. Në formë të dëshpërimit, ai, mes tjerash
,do shprehet: “Asnjë shoqatë, asnjë institucion, asnjë ligj nuk kemi deri tani
që të mbrojë dinjitetin e këtij intelektuali të mjerë”. Nga leximi i shkrimeve të Fran Gjokës, më
rikthehet kujtesa tek shkolla ime dikur në Kosovën e robëruar, kur me dhunë na
dëbuan forcat armike serbe nga shkollat tona dhe ne u detyruam të vazhdojmë
mësimin në shtëpi private, bodrume, salla, garazhe e objekte të tjera. Po sot, përse nuk i duam, mirëmbajmë ato
shkolla, nuk lexojmë dhe respektojmë mësuesin?!
I bashkëngjitëm revoltës së mikut tim, Fran Gjoka në gjykimet e tij
largpamëse, ku shprehet brenga për kombin, të ardhmen e tij. Nuk ka të bëjë
këtu me qëndrim thjesht ndaj individit, por ka të bëjë me arsimin dhe edukimin
e brezave shqiptare, ka të bëjë me ardhmërinë e kombit. Kjo gjendje e shkollës
shqiptare në të gjitha trevat e tij, më binte ndërmend kudo që vizitoja shkolla
në shumë vende me grupin e mësuesve hulumtues (Studienreise) nga Austria.
Asnjëherë nuk pushuan shqetësimet, përkundrazi u thelluan akoma më shumë; sa larg
jemi nga të tjerët! Vetë rezultatet e PISA-së e arsyetojnë revoltën e drejtë të
mikut tim largpamës, Fran Gjoka.
Me
Fran Gjokën tani e disa vite na lidhen shumë gjëra: mësuesia, publicistika,
shqetësimet. Në takimin e dytë me Franin, ku ishte edhe miku ynë, Gjovalini,
mësova me keqardhje mbi dhembjen e madhe që fsheh brenda tij miku im, Fran
Gjoka. Tani e kuptova se artikullin që ai kishte shkruar për humbjen e vajzës
sime, Dr. Vlorës, e cila iku në vlugun e jetës dhe sukseseve të saja, Frani e
kishte ndierë thellë në shpirtin e tij, e kishte përjetuar po ashtu copëtim
shpirti me humbjen e të vetmit djalë, krejt të ri. Me dhembje e shikova drejt
në sy e në ballin e tij sikur kërkoja gjurmë, por jo, gjurmët nuk duken as tek
Frani, as tek miku i tij përballë. Ato janë thellë brenda aty ku gjaku i ushqen
deri në përjetësi. E mendova, sa i fortë
njeriu, sa moral të fortë që ka dhe sikur mora forcë në qenien time. Në çdo
takim, edhe pse të shkurtër, mësoja shumë nga Fran Gjoka, merrja orientim në
hapësirën e nevojshme për veprime pozitive, për dashuri ndaj secilit dhe çdo
gjëje shqiptare. Në të takoja mikpritjen e mikut, nderimin e tij, një virtyt i
trashëguar shekujve shqiptar dhe nuk mund të shpëtoja pa një dhuratë për
familjen. Nuk do ta harroj kurrë mjaltin e dhuruar nga Gjovalini, me të cilin
mëngjeseve hanim petullat tradicionale me familje mu në zemër të Vjenës, rakinë
e shtëpisë e pjekur dy herë e shumë të tjera. Këto takime ruhen gjatë në biseda
familjare mbi traditat e shkëlqyera shqiptare për nderimin e mikut e biseda
lidhej me Franin, Gjovalinin e gjithë Shqipërinë.
Të
kesh një mik sikur që është Fran Gjoka, është një pasuri e madhe, një privilegj
fati. Jam i bindur se vepra e tij prej mësuesi e edukatori do jetë inspirim
brezave në punën e tyre. Pena e tij e artë do shndritë moteve në pavdekësinë
shqiptare bashkë me emrin e respektuar Fran Gjoka.