Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Ultimatumi
E shtune, 14.03.2020, 04:05 PM
U L T I M A T U M I
Qasje
te një Kronikë.. e Albert Habazaj.
Nga
Timo Mërkuri
Ultimatumi[1] i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” dërguar generalit italian Settimio Piançentini
dhe vendimet që shoqëruan atë, janë një
ndër kulmet e organizimit të kryengritjeve shqiptare për liri dhe mbrojtjen e tërësisë
teritoriale të vendit edhe për arsye se
krahas organizimit të kryengritjes, luftëtarët popullorë të Luftës së
Vlorës organizuan paralelisht strukturat shtetërore si dhe shpalosnin
vizionet politike dhe diplomatike
europiane njëkohësisht..
1-Ultimatumi i
Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” dërguar generalit italian Settimio
Piançentini është unik në llojin e tij. Zakonisht ultimatumin e lëshon një
shtet, një koalicion shtetesh, një ushtri apo koalicion ushtrish që janë apo e
ndjejnë veten më të fuqishme ndaj një
shteti, ndaj një koalicion shtetesh, n jë
ushtrie apo koalicion ushtrish që i
gjykojnë apo janë më të dobëta. Në këtë konteks ultimatum ka edhe anën e tij
humane pasi kërkon që të ndalohen veprimet e dhunëshme me pasoja vdekjen e njerëzve
dhe dëmtimin e pronës kundrejt pranimit të kushteve që vendos pala që lëshon ultimatumin..
Në rastin e
ultimatumit të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” nuk ndiqet kjo rrugë llogjike.
Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” nuk administronte ndonjë ushtri të rregullt
dhe ca më pak ndonjë koalicion ushtrisht. Në Beun më 2 Qershor
1920 u mblodhën të gjithë forcat kryengritëse rreth katërmijë
vetë që do nisnin luftën me 20 mijë forca italiane të komanduara nga 12
gjeneralë. Forcat kryengritëse shtoheshin cdo ditë, madje flitet se aritën në 6
mijë vetë, por lista dhe evidence të sakta nuk janë mbajtur[2]..
Është fakt se në Luftën e Vlorës, kontribut dhanë edhe Kurveleshi, Mallakastra, Tepelena,
Gjirokastra, Përmeti, Skrapari, Devolli etj. Erdhën çetat e Çamërisë të drejtuara nga Muharrem
Rushiti dhe Alush Taka, çeta e Tiranës me Said Toptanin, çeta e Himarës me Nase Labin e Naqe Konomin. Erdhën edhe 155 bashkatdhetarë
nga SHBA që prunë edhe Bandën Muzikore “Vatra” të drejtuar nga
kompozitori Thoma Nasi, i cili kompozoi këngën hymn “Vlora–Vlora” me tekst të
Ali Asllanit. U bashkuan me luftën e Vlorës edhe kaçakët e rretheve
Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Kurvelesh etj.. Kryqi i kuq amerikan pruri ndihma në Kotë, për mjekimin e të
plagosurve ku shërbenin edhe mjekët italianë të zënë robër, nën oficeri italian
Xhovani Valenca me origjinë arbëreshe, u dorëzoi kryengritësve depot e municionit në Panaja të Vlorës, ku u
paisën shqiptarët me fishekë[3]
etj etj. Por gjithsesi kryengritësit teknikisht nuk ishin as më shumë se forcat
italiane dhe as të armatosur më mirë se ata. Gjithashtu kryengritësit nuk
kishin si prapavijë ndonjë shtet të fortë ekonomikisht. Në qoftë se ndo ndiqej
simetria llogjike e faktorëve teorikë, italianët ishin në avantazh në të gjitha
drejtimet, si në numër ushtarësh, në armatim që përfshinte artileri, flotën detare, aviacionin,
armatimin e këmbësorisë me të gjitha llojet e armëve modern të kohës. Kishin
gjithashtu edhe një shtet industrial të fuqishëm në prapavijë etj.
Por kryengritësit
shqiptarë kishin një element që u ktheu balancën në favor, ata luftonin për
atdheun e tyre dhe ishin të gatshëm që të jipnin edhe jetën…si me le… për të çliruar vendin e tyre[4]. Ky ishte “shkëmbi nën këmbët e tyre” ku u
mbajtën kryengritësit dhe i nisën me kurajo ultimatumin ushtrisë italiane.
2- Kryengritja e popullit shqiptar e njohur si
Lufta e Vlorës nuk ishte një luftë
kaçakçe “dalë ku të dalë”, por në të gjitha hapat organizative të saj ndërtoi
struktura shtetformuese.
Shkëndijën e parë e
dha demostrata antifashiste e 28 Nëntorit të vitit 1919 në Vlorë, ku italianët
për të fyer ndjenjën kombëtare të demostuesve, pasi grisën flamurin kombëtar,
një copë të tij e lidhën pas bishtit të një qeni dhe e lëshuan rrugëve të
qytetit. Indinjata që shpërtheu në Vlorë I detyroi italianët që të strukën nëpër pozicionet luftarake… Osmëni i hipi kalit/Dhe i foli gjene-ralit /Breshkaxhiu i breshkamadhit/“Dil sterresë jo limanit,/Të shoç të zot e vatanit/Bijt e Ismail Qemalit.”
Kongresi
i Lushnjes[5]
, lëshoi një thirrje për “një besë e përgjithshme” për mbrojtjen e trojeve
shqiptare.
Atdhetarët vlonjatë u mbledhën në
fshatin Armen më 23 shkurt ku vendosën
për organizimin e rezistencës antiitaliane. Në funksion të kësaj plaftorme më 10
Mars 1920 krijohet në Vlorë[6]
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” “dhe aty u vendos që çështja e Vlorës, të
zgjidhej me armë…”
Me
qëllim të koordinimit të veprimeve, më 18 maj 1920 komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, dërgoi në Tiranë[7]
për bisedime me qeverinë e Sulejman
Delvinës një delegacion, ku bënin pjesë Osman Haxhiu, Gani Aliko dhe Rexhep Sulejmani të cilët u takuan në 23 Maj
1920 me Kryeministrin i cili u deklaroi se: “Qeveria e jonë, kurdoherë ka
kërkuar dorëzimin e Vlorës dhe jep fjalën e nderit, se kurrë nuk do të kursehet
për të bërë një therori për shpëtimin e Vlorës…”.Po kështu, me letrën e 25
Majit 1920 Sulejman Delvina njoftonte Osman Haxhiun se Qeveria e Tiranës kishte ndërprerë
marrëdhëniet me Komisarin italian Kastoldin, duke i kërkuar atij “bashkimin
politik e administrativ të krahinës së Vlorës me pjesën tjetër të vendit[8]”.
Për
fillimin e organizimit të veprimeve, më 29 maj 1920 në pllajën e Barçallait[9]
u mblodhën 200 përfaqësues të krahinave që vendosën fillimin e kryengritjes “derisa
të bashkohemi me shtetin Shqiptar”[10]. Qeveria e Sulejman Delvinës dërgoi si përfaqsues
të saj Ismail Haki Kuçini Aty u
sanksionuan edhe 12[11]
antarët e rinj të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” (Në Beun seç u mbëlodhë/dymbëdhjetë komisjonë,) me përbërje: Osman Haxhiu
Kryetar, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali
Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari, Myqerem
Hamzaraj. Sekretar i Komitetit u zgjodh Halim Xhelo, ndërsa Komandant i
Përgjithshëm i Luftës u zgjodh major Ahmet Lepenica.
Në
thellim të organizimit Ahmet Lepenica
pas gjashtë ditësh në Kotë dha dorëheqjen
nga detyra e Komandantit të Përgjithshëm të Luftës duke ja lënë këtë detyrë kapiten
Qazim Koculi, sipas vendimit të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”. Ahmet
Lepenica u ngarkua me organizimin dhe drejtimin e Policisë Ushtarake bashkë me
Shero Eminin.
Operativ
i komisionit ushtarak u caktua major Ismail Haki Kuçi[12],
i deleguar i qeverisë së Tiranës[13].
Bateria e vetme e artilerisë që kishin
kryengritësit komandohej nga Aziz Çami dhe zv/komandant Elmaz Ademi me artilierë
Xhafer Xhuveli dhe Abdurahman Çiraku ..
Me qëllim
që të parandaloheshin veprimet që dëmtonin
qëllimin e luftës, të ndëshkoheshin dezertorët dhe tradhëtarët si dhe të
dënoheshin sipas normave gjyqësore
kriminelët italianë, u krijua Gjykata e Luftës me Kryetar Neki Xhenetin dhe
antarë gjyqi Sif Kedhi dhe Agjah Bej Libohova. Sekretar ishin Meçan Selami e Halim Xhelo. Krahas saj u krijua edhe Prokuroria e Luftës
përbëhej nga prokuror Rasim Babameto dhe Avdul Kuçi.
U mendua edhe për robërit e luftës
prandaj në Vajzë u vendos kampi i
tyre me komandant kampit Rexhep Sulejmani.
Shtypi që pasqyronte dhe propogandonte ngjarjet e Luftës së Vlorës ishte gazeta “Drita” e Veli Harshovës Gjirokastër, dhe “Kuvendi” e “Dielli” në Boston..
Pra
shikojmë se kryengritësit kishin krijuar gjithë strukturat e nevojëshme
ushtarake për një kryengritje me vizion shtetformues pas fitores. Është kjo
arsyeja që edhe hartimin e tekstit të ultimatumit që do i dërgohej Gjeneral
Settimio Piançetini ju ngarkua avokatit-luftëtar Avdul Kuçi. Ultimatumi u
hartua më Beun në datën 3 qershor 1920, një ditë pas mbledhjes së “Komisionit të
Luftës[14]”.
Për të
dorzuar ultimatumin doli vullnetar Mehmet Selimi Mallkeqi i cili u shoqërua nga Halim Laze nga Kanina dhe Adem
Aliko nga Vranishti ndërsa në takim me general Settimo Piançetini asistoi vetëm
Mehmet Selimi për arsye se rojet
italiane nuk i lanë dy shoqëruesit e tij. Përkthimin e ultimatumit e bëri Ulise
Bozo, një Italian i vendosur në Vlorë si punonjës në vaporin “Pulia”, i cili
gjatë luftës shërbeu si ndërlidhës ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve.
Teksti i ultimatumit të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” për nga mënyra e hartimit është unik në historinë e ultimatumeve, pasi nuk kufizohet vetëm me paraqitjen e “kërkesës së fundit” dhe afatin e saj por pasqyron edhe arsyet historike dhe bazën ligjore prej nga buron kjo kërkesë . Para se të jetë një dokument lufte ky ultimatum është një dokument hymn, patriotizmi dhe atdhedashurie deri në vetëflijim që edhe sot pas njëqint vjetësh frymëzon krenari për historinë tonë dhe nderim e respekt për ata luftëtarë “dyfekt lidhurë me gjalmë” që bënë Shqipërinë. Si i tillë ky ultimatum ka nevojë për një studim dhe analizë më të gjerë se sa është trajtuar gjer më sot. Le ta shohim këtë tekst historie dhe krenarie që një popull “që rojnë moj me gazep/me një çikë bukë në xhep/mbledhur si foshnja në djep” ja drejtonte një nga ushtrive më të mëdha të kohës “ goxha dovlet” në prag kryengritjeje…
“Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”
Nr. 6 i protokollit.; Shkëlqesisë së tij, Gjeneralit Settimio Piaçentini!
Komiteti “Mbrojtja
Kombëtare” i zgjedhur nga populli i Vlorës në mbledhjen e Barçallasë më 29 maj
1920, në ndodhjen e të nënshkruarve, ka nderin t’i deklarojë shkëlqesisë Tuaj
sa vazhdon: ”Kur ushtria italiane zbarkoi në Vlorë më 1914, komanda italiane me
anën e proklamatës zyrtare të saj na siguroi në emër e në nder të kombit
italian, se Italia e lirë nuk kish asnjë qëllim zaptimi të Vlorës e, qëllimi i
zbarkimit ishte nevoja e sigurimit strategjik të gjendjes ushtarake në rast
armiqësie ndërmjet Italisë e të Austrisë. Populli shqiptar i lodhur prej
grindjeve të brendshme dhe duke u dhënë besim nderit dhe premtimeve të qeverisë
italiane që bëri me anën e proklamave të botuara njëra pas tjetrës, i’u desh më
në fund të përulte kokën e të toleronte zbarkimin italian. Dhe gjatë pesë
vjetëve toleroi dha vazhdon të tolerojë padrejtësitë e kryera prej italianeve
në dëm të Shqipërisë. Prej pesë vjetëve Vlora, djepja e Pavarësisë së
Shqipërisë është qeverisur si një nga kolonitë më të ulëta: përveç gjuhës,
administrata dhe flamuri tonë na u mohuan nën kondita shumë të ashpra, me të
këqija se ato nën sundimin turk, kur Turqia sundonte në Shqipëri. Por e ashtuquajtura
Italia e Lirë, pa u turpëruar[15] ka provokuar copëtimin e Shqipërisë me traktate të
fshehtë duke mos respektuar nderin e saj me anulimin e traktatit që ajo ka
firmosur në Londër më 1915. Na e dimë se një popull i vogël si populli shqiptar
nuk mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por
qeveria italiane sado e fortë që të jetë, nuk mundet kurrë të ndalojë popullin
e vogël të Shqipërisë që të vdesë për idealin e lirisë së tij. Populli shqiptar
e quan copëtimin e Shqipërisë një vepër të Italisë e cila duke ndjekur
programin e saj imperialist përpiqet ta mbajë Vlorën si një koloni nën zgjedhën
e saj. Por ky popull sot me i bashkuar se kurrë ndonjëherë nuk mundet të
tolerojë më dhe ta shohë veten të nxjerrë në ankant si kafshët në Pazar të
Europës për të kënaqur lakmitë Italo-Greko-Serbe. Prandaj dhe ka vendosur të
rrëmbejë armët e të kërkojë nga Italia lëshimin e administracionit të Vlorës,
Tepelenës, Himarës, të cilat vende duhet ti dorëzohen sa më parë qeverisë
kombëtare në Tiranë. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” me mandat të popullit të
Vlorës e të gjithë Shqipërisë, i mbledhur këtu dëshiron që shkëlqesia Juaj t’i
përgjigjet kërkesës së tij deri nesër, 4 qershor përpara orës 19.00. Në rast të
kundërt për çdo gjë që mund të ngjajë, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare nuk merr
asnjë përgjegjësi.
Me nderime:
Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare
Osman Nuri, Qazim
Kokoshi, Duro Shaska, Ali
Beqiri.
3 qershor 1920
Gjeneral Settimio Piaçentini
u përgjigj me arogancë se : Përgjigjen do t’ua
japin topat e mi në Kotë, Gjorm e Kaninë…” duke shpresuar se kjo përgjigje do
hynte në histori, por shumë shpejt u kthjellua për situatën dhe dërgoi me
urgjencë te kryengritësit Ulize Bozon me flamur të bardhë, të cilin e shoqëroi
për në komandën e kryengritësve Manxhar Selfo nga Shkoza. Por Piançentini nuk
haroi ti vinte njeriut të tij si shoqërues një pilot, i cili vezhgonte
pozicionet e kryengritësve dhe mbante shënimet e duhura… Gjenerali “krenar” u kërkonte
shqiptarëve vetëm një liman në portin e Sazanit dhe Karaburunit. Shqiptarët
refuzojnë. Pas dy ditëve filloi bormbadimi italian i pozicioneve të kryengritësve
nga ajri, deti e toka që tregonte hapur
ndikimin e “shoferit” pilot. Kryengritësit ju përgjigjën me armë këtij sulmi dhe fatmirësisht për
‘ta rrëzuan.. ”me dy plumba një balon[16]”
dhe e gdhëndën në këngë…: “Aroplanin
kush e shtiu?/Trim Avdurramën Aliu/ Këta djemt’ e Shqipërisë/ E hodhë’ për tok’
si mizë”, dhe …Në fushë të Peshkëpisë/Ra ballon’ i Italisë / Këta djemt’
e Shqipërisë/Me manxerrat e Turqisë/ E hodhë në shesh si mizë!” .
Lufta e armatosur filloi më 5 qershor 1920[17] ku përmasat dhe jehonën e
saj e pasqyron më së miri kënga…. Evropa
shkruajn' e thonë/Ç’është
kështu që dëgjojmë?/Bënet dyfek në Vlorë/ Shqiptarët po luftojnë/Me një mbret
dyzet milionë/Po me se luftojnë vallë?/Me sëpata, me hanxharë/ Dyfeqet lidhur
me gjalmë/ Fishekët në xhep mbajnë….dhe….Atje te Hani në grykë/ Te ura në Drashovicë/ Qëllon topi Italisë/Ka
nijet që ta vithisë/Komision' e Shqipërisë/0 moj Shqipëri e bardhë/ Bota ta kanë
sevdanë / Të keqen ta kanë marrë/ Se ke trima kordhëtarë/ Barutin me grusht e
hanë…për tu kurorëzuar me fitore në 3 shtator 1920.
Festimet popullore zgjatën dy ditë dhe në fund luftëtarëve ju
dha nga… një qeleshe dhe një kilogram rrush për rrugës drejt shtëpive. Ishte
lavdia e vendit që me varfërinë e saj
përcillte heronjtë e tij…
Sarandë, më 9-13 Mars 2020
[1] Përmbajtja e ultimatumit sipas librit “Lufta e
Vlorës” të autorit Ago Agaj, (i mbiquajtur "Kosovari
nga Vlora" si prefekt i Mitrovicës dikur. A.Shehu) të shkruar në Egjipt dhe
të botuar në Toronto-Kanada. Vendimi për ultimatumin u muar në Kuvendin e
Barçallasë më 23.5.1920 ndërsa ultimatum
si document u dërgua në 3 Qershor 1920. Fjala “Ultimatum” vjen nga latinishtja
dhe ka kuptimin “e fundit”, pra afati,
njoftimi, kërkesa e fundit etj. Kjo shprehje ka filluar të përdoret në
mesin e shekullit 18, ndonëse ultimatumet kanë qënë të zakonëshme ndërmejt
forcave ndërluftuese qysh në hershmëri, por të formuluara pa këtë shprehje.
[2]Gjithashtu nuk janë evidentuar saktë të vrarët dhe të plagosurit shqiptarë në këtë luftë por flitet përafërsisht për 150 të vrarë dhe 400 të plagosur …
[3] Xhovani Valenca pas
luftës qëndroi në Vlorë ku dhe u vra në 1927 nga një atentator I ardhur nga
Italia me këtë synim.
[4] “Mbledhja e këtij kuvendi u bë ditën e shtunë më 29
maj 1920, në vendin e quajtur Barçalla, ku morën pjesë 200 vetë nga pleqësia e
katundeve dhe qytetit të Vlorës, ku me një zë u betuan që: Me ndihmë dhe pa
ndihmë të viseve të tjera të Shqipërisë, do të luftojmë derisa të bashkohemi me
shtetin tonë, ose në mos e arrifshim këtë ideal, të vdesim me armë në dorë, që
ta marrë vesh bota e qytetëruar, se shqiptari për lirinë e vet di të vdes, dhe
kur vendos të vdes, s’e trembin milionat me ushtri e topa…”. B.Gaçe “Epopeja e
Luftës së Vlorës” 16 shtator 2018
[5] … i zhvilloi punimet nga data 28-31 janar 1920
ku morën pjesë mbi 50 delegatë nga e
gjithë Shqipëria
[6] Komiteti
“Mbrojtja Kombëtare” u krijua në
shtëpinë e Osman Haxhiut në Vlorë.. “Epopeja e Luftes se Vlores 1920” : Prof. Dr. Bardhosh Gaçe
[7]
Tirana u shpall Kryeqytet i Përkohshëm i Shqipërisë me Vendim të Kongresit
të Lushnjës më 9 shkurt 1920. Realisht
Kryeqyteti i parë i shtetit shqiptar ishte Vlora, por Qeveria e Durrë-sit u
vendos në Durrësindhe kështu morri
atributet e Kryeqytetit. Realisht Durrësi
ishte qytet më i madh se Tirana, ishte prefekturë ndërkohë që Tirana ishte nënprefekturë
dhe varej nga Durrësi por në këtë kohë qyteti i Durrësit ishte i pushtuar nga
italianët . Me miratimin e të Kongresit të
Lushnjës, anëtarët e Këshillit të Lartë, së bashku me pjesëtarët e qeverisë dhe
të Këshillit Kombëtar, hynë më 11 shkurt 1920 në Tiranë. Asambleja Kushtetuese
e vitit 1925 e shpalli përfundimisht Tiranën
kryeqytet të Shqipërisë.
[8] Po aty…
[9] …të fshatit Dukat…
[10] Halim Xhelo. Gazeta
Politika.
[11] Antarët quheshin
…komisjonë..
[12] “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” e caktoi
I.H.Kuçin edhe si komandant të grupit të dytë të forcave, për aftësit e tij
ushtarake.Ismail Haki Kuçi u caktua edhe si gjyqtar ushtarak dhe me nismën e
tij u bë organizator i gjyqit ushtarak që gjykoi e dënoi me vdekje me pushkatim
disa dezertorë dhe spiunë gjatë luftës si dhe agjentë italianë (Fane Veizi-
qeveria e kongresit të Lushnjës e veprimtaria e saj, 1918-1920,f.164)
[13] (B.Gaçe-Osman
Haxhiu,Tiranë,2002,f.101)
[14] Komisioni i Luftës përbëhej nga 37 antarë, kryesisht ushtarakë të karierës dhe komandantë çetash me përvojë luftarake.
[15] A nuk ju kujton këngën…Itali moj paç lanet/S’pate turp goxha
dovlet/Zure luft me një milet/Që rojnë moj me gazep/Me një çikë buk’ në xhep/Mbledhur si foshnjat në
djep…
[16] Hidrovolantin që
borbadonte nga ajri…
[17] Ndërkohë më 13
qershor 1920 Avni Rustemi qëllonte Esat Pashën në Paris duke i dhënë një hov të
ri entusiazmit të kryengritësve dhe duke i prerë rrugën tradhëtisë..