Kerko: a
Jahja Drançolli: Vdekja e papa Pio II, disa javë para se ta kurorëzonte Gjergj Kastrioti-Skënderbeun për mbret
E diele, 16.08.2020, 11:25 AM
Si sot, në vitin 1464, vetëm disa javë para se ta kurorëzonte Gjergj Kastrioti-Skënderbeun për mbret, në Ancona të Italisë do të vdesë papa Pio II (1458-1464)!
Nga
Jahja Drançolli
Në
qytetin Ancona, ku vepronte atëbotë kolonia e qëndrueshme arbërore, papa Pio II
(emri mirëfilltë i tij, Enea Silvio Piccolomini), pas aktiviteteve të
rëndësishme ndërkombëtare, priste për të kaluar në Republikën e Raguzës
(gusht-tetor 1464). Dihet se, papa Pio II ose ndryshe Aneas Silvius është
shquar për njërin ndër humanistet e historianet më të mirënjohur të periudhës
së Humanizmit dhe Rilindjes europiane. Si i tillë është shquar edhe në Koncilin
e Bazelit (1439). Nga viti 1442 e ndeshim në Vjenë për sekretar personal të
perandorit Fridriku III; më 1446 është emëruar ipeshkëv në Trieste; më 1447 në
Siena; më 1456 kardinal, dhe së fundi më 1458 u zgjodh për Papë. Njoftime të
rëndësishme për Arbërinë në periudhën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut mund të
ndeshim në veprat monumentale të tia: “I Commentarii rerum memorabilium, quae
temporibus suis contigerunt”, “De gestis Concili Basiliensis commentariorum,
libri II”, “Opera omnia” e ndonjë tjetër.
Objektivi
kryesor i Piccolomini-t në Republikën e Raguzës ishte takimi me burrat më të
shquar të kohës në mbrojtjen e vlerave europiane. Pra, Dukën e Republikës së
Venedikut Cristoforo Moro, mbretin e Hungarisë, Matthias Corvinus (Mátyás
Corvin, Mátyás Hunyadi, 1443-1490), si dhe me Gjergj Kastrioti-Skënderbeun, i
cili nga papa Pio II priste të kurorëzohet për mbret të Arbërisë.
Gjithë
kjo histori interesante fshihet në arkiva në Raguze, Ancona, Venezia, Roma, e
ndonjë tjetër. Përveç njoftimit që ndërlidhet me kurorëzimin e Gjergj
Kastrioti-Skënderbeut për mbret nga papa Pio II, tërheqin vëmendjen edhe
njoftimet për përgatitjet e Republikës së Raguzës për pritjen e personaliteteve
më të shquara të kohës, që kanë nisur ç’prej janarit, respektivisht prej majit
të vitit 1464, dhe në këtë kuadër nga vargu i madh i realizimeve përgatitore
duhet përmendur dhe sigurimi e disa pikave të rëndësishme të qytetit, sidomos
sigurimin e fortifikatës Revelin!
Burimi:
Një kopje e dokumentit hulumtuar nga MA. sc. Ruzhdi Panxha në Arkivin Shtetëror
të Dubrovnikut, sot ruhet edhe në Arkivin Shtetëror të Kosovës!