Kerko: a
Gjergj Jozef Kola: Elvi Sidheri - Erdha, Pashë, Dashurova
E premte, 24.07.2020, 08:35 PM
Romani shqiptar: Veni, vidi, vici… & Romani ERDHA, PASHË, DASHUROVA– i Autorit Elvi Sidheri
Nga
Gjergj Jozef Kola
1.
Me
shkrue nji roman asht njilloj si me hapë nji minierë me nji fryme e me i dalë
malit direkt e në zemër, ku ndodhet minerali i çmuem.
Unë
lexoj shumë romane, zakonisht pdf-romane dhe si gjithkujt më mjaftojnë 4 fletët
e para me i klasifikue në dy grupet e mëdha:
1.
Romani autobigrafik, apo siç quhet në perëndim, romani autoterapi, ku autori
megjithë vullnetin e mirë nuk ia del me kapërceye vedin e me shkrue për të
gjithë e me u ba shkrimtar.
2.
Romani i tavernës, ku autori si në nji tavernë para gotës së uzos e rakisë
kallxon nji histori të ndigjueme apo edhe të jetueme e nuk ndalet as para
rregullave të rrëfimit e as para formës.
Për
të dyja vlen: STILI nuk asht i pranishëm.
Pa
stil porse, nuk ka roman, nuk ka vepër letrare, libri i tillë asht si nji erë që
shkon e rreh në nji breg deti e nuk ndërton kurgja, as edhe nji kështjellë prej
rane, në të kundërtën e romanit të vërtetë që ndërton kështjella prej
shkambijsh në brigjet e detit.
Anipse
libra të tillë shpallen nga estabalishmenti postkomunist ndoshta edhe libra të
vitit, fitojnë çmime, porse me letërsinë nuk kanë asgja të përbashkët e kjo
asht nji nga arësyet që në atdheun tonë kërkush nuk lexon, sepse promovohet
tallavaja…
Me
shkrue nji roman do me thanë me kalue nji ditë të tanë në kërkim të nji metafore,
të nji çilësi që hapë derën magjike dhe e len lumin me rrjedhë deri në detin e
pafund.
Prandaj
kur miku im Elvi Sidheri më nisi romanin
e tij në pdf unë u gëzova shumë, sepse Elvi nuk ban pjesë në dy grupet e mëdha
të „selfie-romancierve“ shqiptarë.
Elvi
i rritun me toskërishten e ëmbël, shkruen edhe nji standart të lezetshëm e të
rrjedhshëm, ndryshe nga shumë pseudoautorë GEGË, që as nuk e dijnë nga i bjen
me shpi toskërishtja e megjithatë guxojnë e shkrujnë në standart, në kët
vazhdim të toskërishtes. Prandaj personazhet e Elvit janë shumë reale e të
prekshëm, ndryshe nga të autorëve gegë, personazhet e të cilëve flasin nji
dialekt, atë toskë të standartit, qe as nuk e kanë folë apo ndi në jetën e tyne
dhe bahen natyrisht qesharakë.
Megjithse
une nuk e shkruej as standartin e as toskërishten, më pëlqen ma shumë stili dhe
gjuha e Elvit se sa e te gjithë atyne te „denatyrshmëve“ gegë që shkruejnë
ndryshe nga cka ndjejnë.
Unë
mendoj se kjo asht edhe aftësija e natyrshme e romaneve të Elvi Sidherit, sepse
ai shkruen në nji gjuhë që e ka përzemër, që asht rritë me të, me standartin,
si vazhdues i toskërishtes, e kjo i ka dhanë forcën me ikë prej dy kurthave ku
bien të gjithë autorët shqiptare: letërsisë autoterapi dhe letërsisë së
tavernës, shkurt letërsisë pa stil.
FORTI
FORTUNAS ADIVVAT thonë latinët dhe Elvi Sidheri e ka tanë fatin e njeriut të
zellshëm. Ai asht nji bletë punëtore që shkruen e përkthen pafund tue ndërtue
kosheren e vet origjinale.
Romani,
Erdha, Pashe, Dashurova, ka nji stil të rrjedhshëm e tipik për Elvin. Ky roman
vërteton se romani i ri shqiptar asht „romani i dashunise“. Mbas romaneve
patriotiko-emancipues të gjysës së parë të shekullit XX, romaneve
realsocialiste të idelologjisë komuniste të gjysës së dytë të shekullit XX,
romani shqiptar i demokracisë asht nji roman dashunijet. Romani i dashunisë asht edhe ma i vështiri
nga të gjithë sepse këtu duhet mjeshtri dhe stil më dalë nga „romani
terapeutik“ dhe nga „romani i tavernës“. Romanet e dashunisë shkruhen me nji
frymë, si vetë dashunia e vërtetë, e madhe e bukur që jetohet me nji frymë…
2.
Ngjarja
të mbërthen që në fillim e të ndjek deri në fund të saj, saqë aty këtu ke
dëshirën të jesh vetë heroina e romanit. Rrugët e Tel Avivit si në nji film 007
mbushen papritmas me dashuni, flirt dhe muzikë.
Me
shkrue nji roman duhet kulturë dhe Elvi e ka këtë sepse ka shëtitë botën me
kureshtjen e njeriut që do të mësojë gjithçka. Romani si vetë autori përfaqson
kulturën Epiro-shqiptare në mënyrë dinjitoze dhe asht nji pasunim i saj.
Për
këtë Elvi Sidheri asht nji autor i besueshëm, real, i prekshëm, i vërtetë, i
dashtun dhe autentik: Personazhet e tij nuk kanë emna ideologjike, porse emna
epiro - shqiptar, toskë, duke u ba edhe perfaqsuesi me dinjitoz i letërsisë së
jugut. Bukuria e letrave latino-amerikane, amerikano-jugore ka ndikue padyshim
në formimin e frymës origjinale të stilit të Elvit…
Martesa
e Yllit dhe Artemisës nuk solli fëmije, megjithse Ylli ishte steril dhe gjatë
gjithë martesës dënonte Artemisën si sterile, nji simbol ky gjigand për mbarë
kombin shqiptar, ku dikatura osmano-komuniste ishte sterilja e këtij kombi, nga
e cila nuk lindi asnji fëmijë i shëndoshë, vetëm monstra.
Ylli,
ky osmano-komunist nga Gjinokastra asht gjithnji arrogant e fodull ndaj
Artemises, porse i vogel dhe gati i padukshëm ndaj punëdhënësve
drejtues…përballë tij qëndron nji dashuni vetmohuese, si ajo e Nanës Kostanca
dhe bijës Artemisa.
Prej
Autorit lexuesi mëson se në Qipro ka edhe elemente arbnore të shek. 13 e unë
mendoj se do ishte me vend të përdorej fjala Albanoi e jo shqiptar për me
ruejtë koloritin historik. (Në aspektin gjuhësor fjala „shqiptar“ nuk ka asgja
të përbashkët me fjalën arbnor, megjithse asht e njëjta gja.)
Romani
nga fillimi deri në fund asht nji histori e gjallë e prekun me dorë dhe vetë
rryma treguese ala Gabriel Garcia Marques të rrëmben me vedi e nuk të lë të
qetë derisa ta përfundosh.
(Sikur
kultura e gjanë e Autorit në historinë e Tel Avivi-t, Qipros, Maltës të ishte
vendosë në mënyre ma të kujdeshme në shërbim të fabulës së dy dashnoreve të
romanit do i kishte dhanë romanit nji naltësi të paprekshme nga çdo kritikë…)
Se
si ka me perfundue dashunia apasionale e shqiptares së djegun nga jeta nën
diktaturë, Artemisës dhe qipriotit Achileas të djegun nga mungesa e fatit të
mirë emocional, dashuni kjo e lindun në vendin e shejtë te Izraelit, e
përplasun në Tiranën e viteve të dhimshme e absurde 1997-98 do ta mësoni mbasi
të lexoni romanin e Elvi Sidherit. Shumë nga lexuesit do të befasohen, siç u
befasova edhe unë, porse njiherësh u gëzova sepse u vërtetue ajo që kam kërkue
e gjetë gjithnji në këto 30 vjet të demokracisë shqiptare:
Romani
i ri shqiptar asht nji roman dashunijet.
Tashma
kapaku i randë i vorrit të realsocializmit ala-agollian asht thërmue me kohë
dhe romani i dashunisë po ngadhënjen në nji ringjallje thellësisht shqiptare.
3.
Fati
i Qipros dhe i Shqipnisë së jugut asht i ngjashëm, porse fatlumësisht
shqiptarët janë kallxue ma dinjitoz ndaj historisë. Kështu Qiproja dikur
ortodokse u nda sot në dy pjesë, atë islame proturke dhe ortodokse progreke. Në
luftën e parë e provuen edhe shqiptaret me Haxhi Qamilin me thirrë nji provincë
islamo-turke që do perfshinte Shqipninë e Jugut porse dështuen se gjithë kombi
u ba bashkë kundra tyne, derisa e varën Haxhiun në mes të Elbasanit.
Mesazhi
i romanit asht thellësisht i kjartë: shqiptarët nuk kanë asgja ma të shejtë e
ma të shtrejtë se unitetin kombëtar e për kët ata e vendosin kombin mbi fenë.
Këtu
qëndron edhe forca e romanit: Elvi Sidheri nuk kap tema dhe personazhe që
kërkojnë me zgjidhë punët e njerzimit, sepse njerzimi ka për këtë autorët e
vet, Elvi kërkon me anë të një dashunie me hjedh dritën në skutat ma të errëta
të shpirtit të kombit shqiptar. Natyrisht pjesa ma e errët e kësaj vetëdije
janë plagët e dikaturës komuniste, më kriminales në botë, të cilën heroina e
thërret aty këtu, me termin zbutës, „monizëm“.
Porse
asht pikërisht kjo heroinë, Artemisa e cila me talentin e saj vokal i hapë
vedit dyert e mbarë botës duke sjellë deri te lexuesi mesazhin e
jashtzakonshëm: kombi shqiptar mbijeton vetëm me anë të artit kudo në botë.
Shkrimja
e mitologjisë greke me kulturën kristiane në roman kërkon nji kulturë mjaft të
gjanë të cilën autori e zotëron ma së miri dhe e shpreh në kët hymn per
Mesdheun. Njiherësh romani asht edhe nji hymn për Korçën, qytetin ku takohet
kultura bizantine dhe ajo shqiptare e merr nji kolorit origjinal, qe i ka
mbijetue kohës derimësot.
Kur
autori flet për Arbereshët dhe qendrat e tyne në Itali të Jugut, përdorë termin
e përgjithshëm, RITI BIZANTIN, porse nuk flet per përkatësinë fetarë të
arbëreshëve, katolike apo ortodoksë…
Me
„Erdha, Pashë, Dashurova“ autori ka prekë nervin e kohës, me anë të tematikës
kardinale të kombit nën prozhektorin e dashunisë, ai e ka dhanë nji panoramë të
plotë të botës shqiptarë të mbas diktaturës, me të gjitha fantazmat e shkueme e
me ato që vijnë. Kjo panoramë asht e dhanë me shumë dashuni dhe kulture.
Einsteini
thoshte: Na nuk mund ta ndajmë të ardhmen prej të shkuemes, ato jetojnë të dyja
ndër ne, në kohë dhe hapsinë.
Romani
i Elvi Sidherit asht romani shqiptar që i ka te dyja kohët që pluskojnë
fuqishëm, në të tashmen e pakryeme.
Gjergj Jozef Kola
Vjenë, korrik 2020.