Kulturë
Ina Gjata: Angjelina Markut - Kohë për veten
E diele, 19.07.2020, 03:08 PM
KOHË PËR VETEN
Recension:
INA GJATA për librin me poezi: ‘‘KOHË PËR VETEN’’ (20.06.2020)
Dashuria
si muzë e përjetësisë... Dashuria si marsh revolucionar kundër absencës
emocionale, vetmisë, humbjes, vdekjes...
Libri
i Angjelina Markut, ‘‘Kohë për veten’’ botuar në shqip hyn në realitetin e së
përditshmes, si një thirrje për të zgjuar emocionet, kujtesën, e vetëdijen
shpirtërore.
Në
një epokë në të cilën vetë njeriu tenton të shkojë drejt perfeksionit kibernetik e jo atij shpirtëror, poezitë e stilit lirik të
autores invokojnë një kohë tjetër. Një kohë ku vëmendja i përket ndjesive,
emocioneve e asaj që ne nuk po përjetojmë.
Ashtu
si Sapho poetja vjen si një jehonë mitike, për të tronditur realitetin e
vagullt emocional të humanëve të këtij shekulli, të cilët ndryshe nga grekët e
lashtë, e kanë kaluar në plan të dytë, rëndësinë perceptuale dhe shpirtërore të
botës së trazuar të ndjenjave. E në kohë të tilla, ku njerëzit e kanë humbur
fokusin apo kuptimin e dashurisë, në këtë vepër dashuria rivjen si qendër e
ekzistencës së njeriut, nëpërmjet
dhimbjes dhe madhështisë që mbart si emocion.
Tek
poezia ‘‘Udhëkryqe Zjarresh’’ vihet re dyshimi, kërkimi dhe një lloj kënaqësie
mbase e fshehur, jo vetëm mes rreshtave por dhe nga nënvetëdija e krijueses.
Pse
jo?!.........
Perëndeshë
e lumturisë
tregomë
me kë ta këndoj
lirikën
për një shpirt
me
djallin apo engjëllin?
Me
epshe dashurie
më
mbajnë në duar
si
dallgët e detit blu
trupin
kanë kapluar
Më
përvëlo sa të duash
çmenduri
e ndjenjës lozonjare
se
në këtë udhëkryq zjarresh
nuk
dua të digjem fare…
Libri
më i ri i autores të jep mundësinë të reflektosh për detin e pafundëm të
ndjenjave njerëzore, dallgët e të cilit të vërtisin në dimensione intense
dashurie, trishtimi, malli, emërimi, kthjelltësie... pa të cilat universi i
botës së brendshme humane nuk do të kishte kuptim. Dhe pikërisht këtu qëndron
magjia e poezisë; Në sublimimin e realitetit ndjesor dhe atij filozofik.
Në
vend të shkëputjes së vetëdijes autorja të lidh pikërisht me të.
-
Cili je?!
-
Ç’po ndjen?
Kthjelltësia
qëndron tek të hedhurit dritë mbi përjetimet personale.
Poezia
është si miku më i mirë i njeriut. Poezia mbetet si eksploruese e psikës
humane. Poezia shfaqet si shprehëse magjike në kuptueshmërinë e këtij cikli
jetësor.
Poezia
e Angjelina Markut vjen të na zgjojë nga gjumi letargjik i harresës. E pasuruar
me personazhe mitike, si nimfat e malit, engjëjt e djajtë, gjuha e autores
është filozofiko-romantike por e kthjellët dhe shumë afër lexuesit.
Fjalët
e saj të bëjnë të udhëtosh në realitetin
e novelave të Jane Austen duke i dhënë një vështrim kritik figurave jetësore
dhë botëkuptimit të tyre.
Libri
poetik përcjell një antologji “momentumesh” shprehur prej kontrastit e
krahasimeve, herë metafizike e herë realistike. Një bashkim mes të shkuarës e
të tashmes. Ajo që mund të kishte qenë e ajo që është. E mbi këtë qëndron
kuptimi, e vërteta, mbi dashurinë si kryefjalë.
Komunikimi
me lexuesin vjen transparent dhe i gjallë.
Struktura
e poezisë është vargu i lirë, e organizuar kryesisht në poezi të përbëra prej
tre ose katër strofave.
Titulli
i veprës shpreh kuptimin e rrugëtimit poetik të saj.
Tematika
është dashuria si epitomë e përjetimit të ndjenjës njerëzore. Lidhja e
Dashurise me Zotin ngjitet jo si koncept religjioz por shpirtëror. Shkëputur
nga poezia “Kë doja”:
“Unë
që kurrë
s’e
kuptova
nëse
më shumë
e
doja Zotin
shpirtin
tim
apo
ty?”
E
ngjashme me poezinë Anakreontike, i
këndohet dashurisë.Vepra në tërësi gëzon një formë interesante të krijimit të
ritmit, pasuruar prej anaforash të cilat lidhen me idenë qenësore të poezisë.
Ritmi është i natyrshëm e buron prej vetë tekstit.
Gjatë
librit poezia e autores ridimensionohet në thirrje dhe kritikë mes të gjallëve
dhe të vdekurve, për lirinë e një toke, që është e gjithë toka. Portreti i
tragjizmit vjen përmes simbolikave njerëzore të së vërtetës. Të së vërtetës së
një kombi të plagosur e përgjakur nga lufta, mërgimi... e nga:
“njerëz
që popullit të vet
i
vodhën ardhmërinë.”
(Shkëputur
nga poezia “Ëndërr dhe Zhgjëndërr”)
Por ligjërimi është e vërteta e poetit, dhe e
vërteta e autores mbi kombin Dardan që vjen e shprehur qartazi në vargjet
poetike. Herë në formën e këngës e herë në linja atdhetarizmi portreti i
Kosovës së prangosur nga humbja, damarët e së cilës këlthasin për liri,
pasqyrohen vërtetësisht në fjalët e poetes. Thirrja mes të gjallëve dhe të
vdekurve është aty, e prekshme, koherente, e pamundur të fshihet nga historia e
kombeve.
Pas
suksesit me romanin “Dimri i Shekullit”,
të botuar dhe në gjuhën angleze, autorja
këtë herë vjen me librin me poezi “Kohë për Veten”.
Libri
është jo vetëm një reflektim filozofik, ndjesor, atdhetar e intelektual por dhe
një ruajtës i mirë i vlerave shpirtërore e qenësore të humanitetit e
qytetarizmit të vetëdijshëm.
Theksoj
se, edhe pse poezitë të kujtojnë lirikat Anakreontike, ato ruajnë frymën e
letërsisë moderne që në letërsinë perëndimore ka filluar me pohimin e fuqisë
interpretuese të gjuhës në poezi (Oscar Wilde, Robert Browning, Guido
Cavalcanti) etj.
Vepra
është një angazhim kulturor modern, e përqëndruar në identitetin e qenies
humane.
E
aftë të dashurojë, të kritikojë e të njohë, përmes kujtesës kombëtare e
botërore.
Ura
mes “së mirës” e “së keqes” nuk jepet në rrafshin tradicional por qëndron në
plotësinë e individit në marrëdhënie me jetën ,vdekjen dhe shoqërinë.
Duket
sikur ka një thurje sa të thjeshtë po aq dhe mistike për të gjitha moshat,
kategoritë shpirtërore, frekuencat e gjalla dhe ato të “vdekura”. Vala
energjitike e mesazheve, emocioneve, fjalëve të thëna dhe të pathëna të rrëmben
gjatë leximit të këtij libri. Je aty i vetëm në mendimin që u provokua prej një
lumi mesazhesh që humbasin thellë nën tokë, thellë në vetëdijen e secilit prej
nesh.
Koha
po ikën?
Ajo
ka ikur?
Por
në fakt, ajo është gjithmonë këtu, aktuale.
INA GJATA